O Heshtje që shëron!

0
756
Veza që thyhet

O Heshtje që shëron!

Heshtja mbuloi tokën sot,
është Heshtja e madhe,
siç është i madh
edhe Misteri që po kremtojmë.

Heshtja i pushtoi zemrat tona sot,
një Heshtje e thellë,
pa fjalë, por me një zë të ëmbël,
një Heshtje që me paqe na mbushi.

Heshtja mbështolli Universin sot,
është Heshtja që të gjitha kohët bashkon
dhe njerëzimin nga çdo anë:
Na bën një me vëllezërit e me Veten.

O Heshtje e Përjetshme, që sot pushon në këtë Varr!
Ti qofsh bekuar e lëvduar!
O Heshtje e Amshuar, që pas pak Fitoren lajmëron!
Me Ty edhe ne Fitoren këndojmë!

O Heshtje, që si një petk i butë,
na përkëdhel dhe fjalë dashurie në shpirtra pëshpërit!
O Heshtje që në heshtje na shpëtove,
njerëzimin e sëmurë nga vetmia, me heshtje e shërove!

O Heshtje e Përjetshme,
që pa zhurmë dhe bujë zbrite mbi tokë!
O Heshtje e lavdishme,
që si në një Tempull në njeriun banon!

O Mister i pashqyrtueshëm,
që Varri nuk të mbajti!
Tashmë i Ringjallur përgjithmonë,
jeton me ne!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 11.04.2020