PAK FJALË PËR VËLLIMIN POETIK “GJUHA E TRUALLIT TONË”

0
948
Zymer Mehani - Fadil Curri dhe Florim Beqiri (në mes)

TË BASHKAUTORËVE FADIL H. CURRI DHE ZYMER MEHANI

(Shkëputur nga libri “Gjuha e truallit tonë” të bashkautorëve Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani. Botoi KL “Zahir Pajaziti” Podujevë, me redaktor Rudi Berisha)

Shkruan z. Fadil Curri

Vërtet letërsia e mirëfilltë shkruhet në vetmi dhe fryt i kësaj vetmie është vepra e krijuar përkushtueshëm nga krijuesi, por mos të harrojmë, mike e miq të penës se: “vepra zgjedh kohën për të dalë në dritë, ndoshta e vonon ndonjë faktor jashtëletrar dhe pse jo edhe letrar, …por megjithatë, vepra e gjen shtegun për të dalë në dritë”.
Urime bashkautorëve e gëzuar lexuesve!

Në vëllimin “Gjuha e truallit tonë” të poetëve Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani lexuesi gjen veçantinë, veti kjo dalluese e poetizuar e autorëve të një shkallimi të lartë dhe arritës të artit të sotëm bashkëkohor. Bashkautorët, me një gjuhë të thjeshtë, si pikësynim kanë objektivin deri te depërtimi në botën shpirtërore të lexuesve, nëpërmjet ndjenjës shpirtërore të shprehur në poezitë e librit të sapobotuar. Efektet e entuziazmit e kanë bërë librin me më shumë larmishmëri, pasi krahas përsiatjeve dhe paraqitjes së poezive, është realizuar edhe sinkronizimi me përçim të mesazheve shumë bindëse për lexuesin.

Këtë vëllim poetik e ngritë edhe skalitja e mirë e vargut, por edhe liria e të shprehurit, andaj vargjet rrjedhin natyrshëm, duke prekur edhe ndjenjat e shoqërisë së sotme në kahjen e pozitivitetit, duke u nisur gjithmonë nga preferencat e larta të edukimit, që edhe do të sjellin energji të reja pozitive te lexuesit. Këto shprehësi emocionuese në poezitë e krijuesve Curri dhe Mehani janë gjithëpërfshirëse për drejtimet e tilla të veçuara si: arsimim, edukim e kulturalitet si qëllim prioritar për lexuesit.

Libri si i tillë argumentohet edhe me arritjen e lartë të pikësynimit të bashkautorëve për bashkim mes lexuesve nga të gjitha trevat e cepet e atdheut tonë. “Vargjet së bashku me referencat e tyre poetologjike nga fillimi e deri në fund ngulmojnë për t’i bartur mesazhet edhe në ndjeshmërinë e botës së artit, si konstrukt i bashkautorëve, që me shumë largpamësi ndjekin gjurmët e konvencës së traditës letrare”. Vargjet e bashkautorëve, pra, janë të lehta për lexuesit, të ngrohta me filozofi e shumë të sinqerta.

Ja edhe disa shembuj nga disa poezi të këtij vëllimi të përbashkët të autorëve Curri-Mehani. Në poezinë “Mendjendriturit” autori Fadil H. Curri u këndon aq bukur njerëzve të penës, shkrimtarëve dhe poetëve:

Çdoherë të përulur,
Por jo të nënshtruar
Çdo rresht e kanë
Si ari e margaritar,
Vetëm lexuesi i devotshëm
Mund t’i kuptojë!
Nektarin e diturisë
Ta thithë e ta mësojë
Nga mendjet e ndritura
Nga shkrimtarët tanë!

Apo në poezinë “Duajeni librin”, ku autori Curri shkëlqen:

Koha ecën, s’kthen më prapa
Nuk ka kthim vërtet

Prandaj, shfletojeni dhe lexoni librin sot Sepse është mik dhe shok në këtë jetë!
Apo edhe në poezinë e autorit Zymer Mehani “Nëse doni ta dini”, ku aq bukur rrjedhin dhe thuhen në vargje mendimet:

Nëse doni ta dini
Për dashurinë time të shenjtë
Pyetne gjuhën, nderin
E këtë atdhe të shtrenjtë.

Apo edhe në poezinë tjetër të autorit Mehani “Të thyhen…”, ku urtësia fton dhe fiton me virtytin dhe të bukurën:

Të gjitha ligësitë të thyhen gjithkund
Zënka dhe as grindje të mos ketë askund
Të thyhen të gjitha veset copë-copë
Veç virtyte njerëzit të kenë në këtë botë.

Është në interes të lexuesve të potencohet edhe një fakt shumë interesant dhe me rëndësi për librin “Gjuha e truallit tonë”, ku bashkautorëve me shumë urti u pëlqen kritika, sepse edhe ajo është art, por, ama, me një kusht, që të jetë një kritikë e ftohtë, e logjikshme, pa pasion e me analizë të mirë e të sinqertë, dukuri shumë e rrallë në artin e sotëm bashkëkohor.

Në disa vargje bashkautorët e ndajnë bashkëndjesinë me dhimbjen, e kjo është edhe veçantia e artit.

Tani më libri është i lexuesve. Librit i urojmë rrugëtim të mbarë deri te duart e lexuesve dhe tek të gjitha bibliotekat komunale e shtepiake të lexuesve, duke u uruar lexuesve lexim të këndshëm, me shpresë dhe me bindje se ky libër me vlerë të lartë letrare do të hyjë në mendjet dhe zemrat e tyre, sikurse edhe qindra e mijëra tituj të tjerë të shumë kolegëve e kolegeve të penës anë e kënd rruzullit tokësor dhe në qarqet më të larta të letërsisë moderne letrare.

Bashkautorët kanë bërë një përmbyllje shumë të bukur me një thënie magjepsëse, në kopertinën e pasme të librit, me vlerë në artin e sotëm letrar të popullit shqiptar dhe kështu e përmbyllin librin me një strofë mjaft të bukur e përmbajtësore:

Thellë në kodrat e malet
Të vendit e të parëve të mi
Në trojet e Arbërit: Shqipëri
Kosovë Lindore, Iliridë, e Çamëri
Ulqin, Plavë e Guci
Janë gurët e vendit të vllëzërve të mi!

Marrë në tërësi, vëllimi poetik i bashkautorëve Curri-Mehani, është një thesar letrar me vlerë shumë të çmuar për kulturën tonë. Këtë vepër ne lirisht po e quajmë edhe univers letrar, sepse fillon me poezinë e ABC-së. Shpresojmë që ky univers letrar i këtyre dy autorëve t’i pushtojë hapësirat mbarëshqiptare.

Bashkautorëve u urojmë suksese të pafundme edhe në të ardhmen!

E DËRGOI PËR POSTIM PROF. ZYMER MEHANI