“Pakicat kombëtare” të “burrështetasve tanë”

0
619

Gjergj (Bajram) Kabashi

“Bullgarët e malsisë së Kukësit”, “grekët e Himarës” apo “serbët e Fierit”; apo kur ndërprehet procesi i natyrshëm i integrimit në shoqërinë Shqiptare e Mimoza bëhet Мимоза!

* * *

Me mbetur pa mend kushdo që e ndjen vetën Shqiptar a Shqiptare se çka janë duke i bërë Atdheut “burrështetasit” tanë … Krimi i fundit ishte shtimi i minoriteteve në Shqipëri, se pak iu duk Kosova “multietnike” me mbi 90 për qind shqiptar ? ! …

Fundja, Kosova nuk u bë me vetëdëshirë “multietnike” por e bënë të tillë, në emër të çlirimit, pasi atë nuk e çliruam vetë. Këtë mundësi nuk e pati UÇK . Ndoshta keni mundur ta vëreni që politikanët dhe “burrështetasit” e Shqipërisë kur duan t’ia bëjnë ndonjë të keqe Atdheut, e shtojnë retorikën patriotike për të qenë të lirë për të punuar nën rrogoz.

Krimi më i madh është krijimi artificial i pakicës së ashtuquajtur bullgare në Shqipëri, nga Qeveria e Gjirafës, pra identifikimi i dhunshëm e me detyrim në bullgar të një grupi gjuhësor të njohur, për të cilin historiografia e njëmend ende nuk e ka dhënë mendimin e duhun shkencor. Por, për ta, mendimin e tillë e dha “shkencëtari” Edi Rama ! Në mënyrë artistike, si të luante me ngjyra në ndonjë peisazh e t’i krijonte ashtu rastësisht “bullgarët e malsisë së Kukësit !”.

Njejtë si Sali Berisha me Shqiptarët e Himarës që po ashtu, fshehurazi, i “shndërroj në grekë” !! Torbeshët apo goranët, nuk kanë qenë kurrë ata që duan t’i bëjnë ; maqedonas në Maqedoni, serbë ata të Kosovës dhe bullgarë ata të Shqipërisë. Kurrë ! Pasojat e veprimit të tillë antikombëtar shihen qysh tash, kur Mimoza bëhet Мимоза, duke e ndërprerë, në këtë mënyrë, procesin e integrimit të tyre në shoqërinë Shqiptare.

Kjo është bërë fshehurazi e prapa shpinës së popullit shqiptar, pa dyshim. Siç është shndërruar në “pakicë kombëtare”, sipas të gjitha gjasëve, (po ashtu fshehurazi) komuniteti shqiptar i Himarës, një pjesë e të cilëve, për shkak të historisë, e flasin greqishten. Njejtë si “turqit” e Mamushës me mbiemrat Mazreku, Bytyci, Morina, Berisha etj. Nuk është me rëndësi se kush e bëri këtë krim tashmë, Berisha apo Rama. Jo ! Absolutisht, jo ! Krimi dhe pasojat e tij për të ardhmen mbetën këtu, mes nesh, si një thikë tjetër në trupin e Atdheut.

Si të ndalen këto procese dhe ky antishqiptarizëm, që po bëhet prej “burrështetasve tanë” në emër të integrimeve europiane, pardon në emër të frikës së tyre nga ndëshkimi për krimet vetjake, që i bënë ndaj popullit Shqiptar, për shkak se mirren me shitjen e drogës etj …

Sipas logjikës së këtyre “burrështetasve” të paqytetëruar, që na ra hise t’i kemi, për shkak se si popull jemi të përgjumur, edhe banorët (Shqiptar) të Sanxhakut qenkan Serbë apo Boshnjakë, se e flitkan serbishten/boshnjakishten, apo crnagor se e flitkan gjuhën e malaziasve ?!! …

Dhe, mu ata Shqiptarë sllavishtfolës që tashmë jetojnë në Fier i shndërruam në “pakicë serbe”, se vijnë nga “Sanxhaku serb !”. Kush i obligoi “burrështetasit tanë” që ta shpikin një “minoritet serb” në Fier ? Cilat konventa ndërkombëtare kur për të mbetur në Shqipëri dikur i ka detyruar halli se mu politika serbomadhe i kishte nisur drejt Anadollit? Politika e atëhershme serbomadhe më shumë se si “musliman” ata prej Sanxhakut i kishte ndjekur se e ka ditur që janë Shqiptarë, gjë që politika e “burrështetasve tanë” nuk e din as sot këtë fakt, në Tetor 2017 ?!!…

Zot, o Zot, cfarë “burrështetasish” që kemi !
Sipas kësaj logjike antishqiptare të “burrështetasve tanë”, edhe rusët (një pjesë e tyre në qytete të mëdha) për shkak të pushtimit të Napoleon Bonapartës e kan folur gjuhën frenge, andaj, ata, qenkan francez, dukuri që në veprat e veta e shtjellon edhe Leon Tolstoj, shkrimtari botëror rus, madje duke shkruar në gjuhën frenge pasazhe të tëra të “Luftës dhe Paqes”.

O Shqiptar, mbrojeni vetën pikësëpari nga “burrështetasit”, që i kemi dhe kujdestaroni që mos t’i lejojmë më të na qesin para akteve të kryera, pasi ata punojnë fshehurazi kundër kombit për shkak të ligësive të veta.

Njëmend, O Zot, Shpëtoje Shqipërinë prej Pseudoshqiptarëve !
Të lutemi, o Zot ?!!…