Parashikime të lehta parazgjedhore!

0
293
Vjosa - Albini

Shkruan: Florim Zeqa, 17.01.2021

Para se të lëshohem në analizën politike parazgjedhore, zgjidhja më e mirë do të ishte bojkoti total i këtyre zgjedhjeve, si e vetmja mundësi për ndëshkimin e përgjithshëm të kësaj klase politike, por meqenëse kjo është e pamundur të ndodhë, atëherë, duhet një reflektim maksimal i elektoratit deri në ditën e votimit.

LDK mes ngritjes dhe rënjes historike

LDK-ja si partia më e vjetër dhe me traditën më të gjatë demokratike, pas shkuarjes në amshim të liderit të saj shpirtërorë, Ibrahim Rugova, gjegjësisht pas përgjysmimit të saj numerik si pasojë e ndarjes në vitin 2006, nuk ka arritë të fitojë asnjë palë zgjedhje nacionale. Humbja pesë herë radhazi e zgjedhjeve parlamentare dhe humbja e shumicës së bastioneve në nivelin lokal, me liderin aktual, përveq humbjes së gjashtë, e rrezikon edhe humbjen e pozicionit të partisë së dytë në Kosovë.

Edhe përkundër mobilizimit të jashtëzakonshëm për këto zgjedhje, pas aderimit në LVV të ish kandidates për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, zonjes Vjosa Osmani dhe disa figurave tjera minore, LDK do ta ketë të vështirë ta ruaj pozicionin numerik nga zgjedhjet e kaluara.

Megjithatë, ekziston një mundësi reale për rimëkëmbjen numerike të LDK-së!

Pas tërheqjes tri herë radhazi të kandidaturës për kryeministër, me tërheqjen edhe nga kreu i partisë, lideri aktual, Isa Mustafa do ta ndihmonte më shumë se asgjë dhe askush tjetër ngritjen e LDK-së në këtë proces zgjedhor.

Pra, largimi vullnetar i Isa Mustafës nga kreu i partisë do t’i hapte rrugë kthimit të besimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ngritjen e radhës, pse jo edhe të fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Këtë nuk është që po e themë unë, por po e thonë shumica e të pakënaqurve në largim e sipër, e anëtarëve dhe veprimtarëve në Kosovë dhe Diasporë, të cilët publikisht dhe pa hezitim e thonë; “derisa të jetë Isa Mustafa në krye, vota ime dhe e familjes sime më nuk shkon për LDK-në”.

Këta zëra nuk bën për t’u anashkaluar dhe nënvlerësuar nga strukturat e partisë. Në të kundërtën, hyrja e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit me Isa Mustafën kryetarë, e rrezikon humbjen e gjashtë radhazi dhe rënjen më të madhe në këto 15 vjetët e fundit!
Pra, LDK ndodhet mes ngritjes dhe rënjes historike!

PDK e dështimeve dhe gabimeve politike

PDK si partia më e madhe opozitare e pasluftës në Kosovë, pushtetin e shijoj vetëm pas shkuarjes në amshim të Ibrahim Rugovës, gjegjësisht pas ndarjes fatale të LDK-së në Kuvendin e VI, apo siq është i njohur si ‘kuvendi i karrikeve’, pushtet të cilin e mbajti për afro 10 vite, por, me shumë skandale dhe afera korruptive.

Vlenë për t’u theksuar, për dallim nga LDK-ja, PDK edhe pas ndarjes (NISMA), arriti ta ruaj primatin e partisë së parë dhe mbajtjen e elektoratit të saj besnik.

Megjithatë, rënja e PDK-së fillon pas katapultimit të ish liderit, Hashim Thaçi në postin e presidentit në vitin 2016.

Kësisoji, PDK-ja për ta mbajtur pushtetin u detyrua, që në zgjedhjet e vitit 2017 të shkojë në koalicion parazgjedhorë me AAK dhe NISMA për t’i shpëtuar humbjes së sigurtë nga LVV-ja e cila doli subjekti më i votuar politik në Kosovë me 27,49 përqind kundrejt PAN-it me 33, 74 përqind të votave të qytetarëve.

Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 do të jenë tepër sfiduese për PDK-në pas mungesës së dy liderëve të saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Edhe pse mund të jetë i qëlluar emërimi i Enver Hoxhajt për u.d. i kryetarit të partisë, kandidimi i tij për kryeministër nuk ishte zgjidhja e duhur, për shkak të (mos) përgatitjes profesionale dhe mosmbështetjes nga elektorati i gjërë i këtij subjekti politik.

Gabimi kardinal i PDK-së në pragë të këtyre zgjedhjeve ishte edhe mospranimi i ofertës së NISMA për bashkëqeverisje, e cila do ta ngriste PDK-në së paku për 4-5 %.

PDK rrezikon të dështojë edhe në këto zgjedhje shkaku i gabimeve politike!

AAK thembra e akilit politik

AAK si subjekti i dytë politik i dalë nga lufta, në të gjitha zgjedhjet ka arritur ta ruaj konstancën e subjektit politik me ngritje dhe rënja të lehta, duke u bërë pjesë konstruktive e pothuajse të gjitha qeverisjeve të pasluftës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, AAK na paraqitet ndryshe nga herat e tjera! Jo më, vetëm me ambiciet për bashkëqeverisje, por edhe me ambicie për të parin e shtetit!

Kandidatura e Ramush Haradinajt për president të vendit duket të jetë serioze dhe e mundshme për rrethanat politike. pasi, në secilin variant të rezultatit zgjedhor, Haradinaj do ta kushtëzojë votimin e qeverisë me postin e presidentit dhe pritet të jetë “thembra e akilit” politik e vitit 2021.

Por, shtrohet pyetja, sa do të ndikojë kandidatura e Haradinajt për president në procesin zgjedhor të AAK-së, pa e ditur, kush do të jetë pasues i Haradinajt në kreun e partisë pas zgjedhjes së mundshme në postin e presidnetit!?

LVV mes opozitarizmit dhe pushtetit

LVV-ja me futjen e saj në parlament, përveq humbjes së forcës së opozitarizmit e humbi edhe primatin e të qenurit lëvizje politike. Grumbullimi i të gjitha ideologjive politike, e ka kthyer LVV-në në deponi të të pakënaqurve politikë, por jo edhe në forcë reale të ndryshimit pozitiv politik.

Përmbajtja nga brenda, e të gjitha llojeve dhe ngjyrave politike, e bën LVV-në subjektin më heterogjen të skenës tonë politike.

LVV-ja sot më shumë i ngjet një lumi të vërshuar sesa një oqeani të qetë. Në të ardhmen e afërt kur lumi (LVV) të kthehet në shtratin e vet, do të shihet realisht sasia dhe pastërtia e kësaj force politike.

Marrja dhe humbja e shpejtë e pushtetit nga ana e LVV-së vitin e kaluar, e ardhur si produkt i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, ishte edhe papjekuri dhe paaftësi politike e liderit, Albin Kurti, gjegjësisht paaftësi e përballjes me presionin ndërkombëtar në njërën anë dhe paaftësi personale e menaxhimit të situatave të krijuara brenda koalicionit qeveritar.

Arsyeja pse LVV-ja nuk paraqet ndryshim për vendin, është se brenda saj ka eksponent që deri dje ishin pjesë e keq-qeverisjes, e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kapjes së institucioneve të shtetit dhe e uzurpimit të pronave publike.

Pushteti i shkurtër i LVV-së e dëshmojë se kjo organizatë politike më mirë di ta luaj rolin e opozitarizmit sesa të pushtetit.

Djajtë me një të ndërruar të gzofit nuk kthehen në engjuj, por engjujt mund te kthehen në djajë brenda natës.

NISMA e vogël mes pragut zgjedhor dhe zhbërjes fizike

Nisma socialdemokrate, e themeluar si subjekt me orientim të majtë politik pas ndarjes nga PDK-ja, që nga pjesëmarrja e parë në zgjedhjet e vitit 2014 e deri më sot ka pasur probleme të theksuara me kalimin e pragut zgjedhor. E mbase, këto të 14 shkurtit 2021 do të jenë zgjedhjet e fundit të NISMA-s si subjekt politik.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do të jetë i pashmangshëm kthimi në amzën politike e nismëtarëve të NISMA-s.

AKR nga shpresa në zhgënjim

AKR-ja e biznesmenit më të njohur shqiptar në arenën ndërkombëtare, z. Behxhet Pacolli, kishte ngjallë shpresa për një kthesë pozitive sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Megjithatë pas arritjes së suksesit më të madhë në zgjedhjet e vitit 2007, ku AKR me 12 përqind të votave renditet partia e tretë në vend, duke e lënë pas AAK-në e Ramush Haradinajt.

Bashkëqeverisja me partitë e mëdha, doli të jetë e dëmshme dhe tepër e kushtueshme për partinë e njeriut më të pasur në vendin tonë. Pas shtatë viteve në skenën politike AKR-ja mbeti jashtë pragut zgjedhor, por jo edhe jashtë pushtetit.

Pavarësisht rënjes në elektorat, kontributi i liderit të kësaj partie të vogël në numër, është më i madhë se i çdo lideri tjetër partiak. Pas SHBA-ve, Behxhet Pacolli është personi që e ka sjellë numrin më të madh të njohjeve për Kosovën nga shtetet afrikane dhe aziatike.

Futja e AKR-së në listën e LDK-së, paraqet vendimin më pragmatik të liderit të kësaj partie, e cila përveq evitimit të pragut zgjedhor synon arritjen e pushtetit dhe sigurimin e disa vendeve në parlament.

“NISMA VJOSA” abort i pastër politik

Kur një nismë e re politike dështon akoma pa lindur, quhet abort politik. Nuk ka si quhet ndryshe, kur “guximtarja” Vjosa Osmani për gjashtë rresht muaj nuk arriti ta themelojë dhe as regjistroj në KQZ si nismen e saj politike.
Me aderimin në LVV, Vjosa e fundosi veten dhe nismën politike.

Në rrethana të tjera, bashkangjitja e z. Donika Gervalla nismës së Vjosa Osmanit do të paraqiste vlerë dhe forcë reale politike, por ne listën e LVV-së, as njërën dhe as tjetrën, do të shuhet si vesë mëngjesi!!

Bazuar në aderimet politike, gjegjësisht të kalimit të disa analistëve dhe figurave të caktuara nga njëra tek partia tjetër, edhe në këto zgjedhje nuk kemi të bëjmë fare mbajtje të parimeve dhe as mbrojtje të ideologjive politike.

Fatbardhësisht për këto zgjedhje kishte edhe figura të shquara dhe analist politikë të cilëve nuk ju bënë përshtypje ofertat e partive politike, por që më shumë e preferuan ta ruajnë integritetin personal dhe t’i qëndrojnë besnik idealit të tyre atdhetarë, në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Numri i madhë i subjekteve politike dhe numri i vogël i nismave qytetare nuk paraqet shpresë për ndryshim. Numri në total tepër i lartë i kandidatëve në listat partiake pa asnjë kandidat të pavarur e tregon qartë situatën paradoksale zgjedhore dhe mungesën e stabilitetit politik.

Për dallim nga herat e tjera, kësaj radhe vota qytetare nuk do të jetë shprehje e vullnetit të lirë, por votë inatçore, e shprehjes së urrejtjes individuale e motivuar poashtu për hakmarrje individulae dhe partiake.