Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?

0
434
Çun Lajçi

Nga Çun Lajçi

Për çka po protestoni?

S’deshta, o s’deshta me shkrua, se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!

O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse?
Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,
– ju e kishit aty, unë veç n’andërra!

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi…

Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për dështoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjtë që brenin kostumet!

Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!
Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashërit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pëlqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938, n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!
Unë shkrova poezi për kollosët e tij, e mija role n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistët e rinj me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrënohet me nji godinë!

Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovës e mbajti, por pse protestoni tani, kur s’asht ma? Pse, kur 20 vjet iket nga ajo godinë!

Pse e politizoni? Për çka? Për Shqipërinë? Për Kosovën?

Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriotë, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiq e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si atë të Shkupit! Duhet prit e duhet pa!

Mos bani politikë me nji ngrehinë, që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharakë!