PËR TY, ATDHE – Zymer Mehani

0
755

Zymer Mehani

A
Ah, Atdhe, emër i shenjtë, sa s’ka më të dua
Dashuri mbi çdo dashuri vetëm Ty të kam
Ar edhe thesar je përherë për mua
Të mbaj n’zemrën time, të mbaj n’timin xhan

B
Botën anembanë mua po t’ma falin
Kurrë, Atdhe i dashur me askë s’të ndërroj
Për mua ke peshë më t’rëndë se planeti
Veç në Ty jetoj, veç në Ty gëzoj

C
Cegmë edhe stuhi, i dashur Atdhe
Kaluan mbi Ty gjatë shekujsh të gjatë
Në shpinë t’ u vërsulën shumë perandori
Të të shtypnin donin me hushtë e me shpatë

Ç
Çdoherë bijtë e Tu, o Adhe i shtrenjtë
Me gjokse dhe grushta t’mbrojtën me çdo çmim
Dritë e diell të patëm, të kemi dhe sot
Je ar dhe thesar, të duam pa mbarim

D
Dashuria jote-e madhe sa deti
Ajo gjuhë e jotja- e ëmbël si mjaltë
Asnjëherë s’të mposhti furtuna, rrebeshi
Gjithmonë në beteja dole fitimtar

DH
Dhëmbë edhe dhëmballë prore ua theve
Bishës aziatike, t’Karpateve hiena
Gjokse bijsh e bijash mburojë përherë pate
Para çdo shtrëngate kala me bedena

E
Emri Yt, Atdhe, t’fluturoj më bën
Porsi shqipe mali mbi Alpet Shqiptare
E Flamuri Yt shpirtin ma galdon
Kur lirshëm valvitet-vlera jonë e madhe

Ë
Është një vend diku, ku lulëkuqet rriten
Harlisen dhe kokën e lartësojnë drejt qiellit
Simbol uniteti-krerët e Shqiponjës
Ngjyrat kuq e zi- si rrezet e diellit

F
Fitore përherë gjatë historisë korre
Saherë t’u vërsulën hordhitë me taborre
Ty të të ngulfasin u munduan prore
Me tmerr e me turp i dëbove, i shporre

G
Gurët, shkrepat Tua, o imi Atdhe
Ar dhe diamant janë gjithmonë për ne
Çdo pëllëmbë tokën tënde me gjak e ujitëm
Pushtuesit radhë-radhë me plumba i pritëm

GJ
Gjatë shekujsh mbi ty kaluan me radhë
Karvanet e krimit, t’dhunës, t’mizorisë
Me kreni kujtojmë atë Motin e Madh
Kur Gjergj Kastrioti i dha vulë trimërisë

H
Hazër n’paqe, n’luftë, hazër në çdo rast
Si ditën, dhe natën, bijtë e tu qëndrojnë
Për Ty kur betohen, fjala s’ka kthim pas
Kur jepet kushtrimi, të mbrojnë në çdo çast

I
I ashpër si kreshtat dhe i butë-pambuk
Shqiptari përherë ka qenë në këtë jetë
Për mikun besnik, për armikun ujk
Besa jonë shqiptare është e artë, vërtet

J
Jeta n’Ty Atdhe ka vlerë, është e bukur
E me vepra t’mira ne Ty do t’lartësojmë
Kultivojmë virtyte e vese do t’zhdukim
Veç me punë të mbara Ty do të nderojmë

K
Kala me bedene që i bën ballë furtunës
Janë tujat themele, i shtrenjti Atdhe
Ballin Tënd t’kulluar, porsi ujtë e Bunës
Dua të ta puth me gaz dhe hare

L
Lavdi jetë e mot bijve e bijave Tua
Që gjatë historisë të mbrojtën me gjak
Prore t’i ujitën themelet e tua
Mbrojtën vlerat tua, gjuhë edhe bajrak

LL
Llahtarinë ç’e gjetën të egrat hordhi
Nëpër malet tua, fushat e paanë
Krajla dhe despotër, mbretër e sulltanë
Këtu i kanë lënë kokat, varret këtu i kanë

M
Madhështor je, Atdhe, Ty t’kam fe dhe Zot
Edhe gjithçka tjetër, o Atdhe t’kam Ty
Që kur hodha hapin e parë në këtë botë
I shtrenjtë je për mua, pasha k’ta dy sy

N
Nënë edhe baba, Atdhe Ty të kam
Ti je zemra ime, je vetë shpirti im
Vetëm n’ty Atdhe unë i lumtur jam
Që nga mituria e gjer në amshim

NJ
Një ëndërr e kam dhe një shpresë për Ty
Që të të madhëroj veç me punë, Atdhe
Kahdo nëpër botë brodha, s’pash si Ty
Si bukuritë Tua, Atdhe, o atdhe

O
O Atdhe i shtrenjtë, e zemrës dashuri
Ti o gjuhë amtare, flamur kuq e zi
M’bëni t’jem krenar, me krahë t’fluturoj
Prore n’vargje t’miat për ju do t’këndoj

P
Si fëmijë i buzëqeshur në krahët e nënës
Ashtu, Ti, Atdhe je në timen zemër
Si ngrohtësi e diellit, si ndriçim i hënës
Je, Atdhe i dashur, o i shtrenjti emër

Q
Qëndove përherë, kurrë nuk u përule
Në stuhi, tufane përgjatë historisë
Armiqtë i dëbove, tej detesh i hudhe
N’lahutë për Ty këndohen këngët e lavdisë

R
Re, atdhe i dashur, por kurrë s’u nënshtrove
Kundër gjakatarit, kundër pabesisë
Me shpirt kryengritës grushtin lart e çove
Me guxim i shkëpute prangat e robërisë

RR
Rrugët e tua t’gjata, i dashur Atdhe
Shpesh gjatë historisë- të shtruara me ferra
Por bijtë tu besnikë, si ai Promethe
T’ shkruajtën historinë me bëma të vlera

S
S’mund t’i harrojmë kohërat të errëta, mynxyrë
Nëpër t’cilat dole kokëlartë, kurrë shpinë-kërrusur
Në stuhi, furtunë, cegmë e suferinë
Përherë triumfove armiqtë duke i mundur

SH
Shqipet fluturojnë, Atdhe n’qiellin tënd
Mbi kodra dhe kreshta, male edhe dete
Vërtiten ngado e n’Flamur pushojnë
Atdhe, Ti m’ia shton vlerën kësaj jete

T
Të dua atdhe, pa i nda’ të dua
Sa të shtrenjta janë ngado viset tua
Në t’bardhat agime vesa kur veson
E n’mbrëmje t’kuqërremta shpirti im të don

TH
Themelet e Tua janë t’forta, Atdhe
Me guxim i ngriti yni Skënderbe
I mbrojti në Vlorë Ismail Qemali
E n’Prekaz i skuqi Adem legjendari

U
Uratë them n’çdo çast për Ty, atdheu im
Që prore t’lartësohesh, Zoti t’dhashtë bekim
S’ka askund në botë si viset e tua
Je parajsa vetë, o Atdhe për mua

V
Vitet po kalojnë, po vjen kohë e re
Ti, atdhe po rritesh madhështor gjer në re
Drejt suksesesh t’reja me hapa po rend
Të dua, Atdhe, përherë t’kam ndërmend

X
Xixë stralli për mua Ti je, o Atdhe
Vetëm emri yt jetës m’i jep vlerë
N’vuajtje e n’gëzime me Ty dua t’jem
N’beharin me lule e n’dimrin e nderë

XH
Xhani më gëzohet, zemra më buçet
Për viset e tua, kodër, mal e det
Për Ty shpirt e zemër m’dridhen si tërmet
Në Ty, Atdhe i shtrenjtë jam princ edhe mbret

Y
Yjet vezullues shkëlqejnë n’tëndin qiell
Dhe hëna ndriçon, nxen i ngrohti diell
Ah, atdhe i dashur, më i bukuri m’ je
Je më i miri n’botë, Atdhe, o Atdhe

Z
Zot i Madh, të lutem, lartëso atdheun tim
Begatoje prore dhe silli lulëzim
O atdhe i dashur, je parajsë për mua
Sido që të jesh, kurrë s’do resht të të dua

ZH
Zhgjëndër edhe ëndër veç për Ty mendoj
Për Ty, atdhe i shtrenjtë punoj dhe jetoj
Asnjë vend i botës si Ti s’ka hijeshi
Në çdo cep të globit, në këtë rrokulli
Rrofsh, Atdhe i dashur-imja dashuri!


PËR TY,
ATDHE!

Një mal dashuri,
E kam veç për ty
Si lumë me rrëke
Je i d’lirë ATDHE…
Njëqind poezi
I thura për Ty…
Me shpresa një det
Për ty mbushet vet’
Timen fjalë dhe be
Ty t’i dhashë Atdhe


I DASHURI ATDHE!

Zëri i zemrës sate si zilet e bardha
N’ato bjeshkë t’Rugovës e n’brigje t’Valbonës
Bebëzat e syve tu si ujërat e kaltra të liqejve n’Lurë
Gishtërinjtë e duarve tuaja si shqiponjë me flatra në t’fushës Flamur…
Dje, atdhe për ty, ishte ditë e zezë, mynxyrë e skëterrë
Kur robëruesi na përzuri, na dogji e na poqi, na bëri të mjerë
Flakën e përgjakshme ndezi i ziu gjakatar
Flakën e armiqësisë përhapi s’deshi t’njohë shqiptarë
Por bijtë dhe bijat tua si u dha kushtrimi
Para Flamurit u betuan siç betohet trimi
Në UÇK u rreshtuan trima e trimëresha
Para gjaksorit s’u nënshtruan dhe fituan qe besa
Trimat që villnin zjarr, për ty, i dashur atdhe
U ngritën porsi det me valë se t’patën besë dhe fe
U ngritën si vullkan i zjarrtë, si një mal i lartë
Të etshëm për liri dhe dritë,për një jetë të re
Fluturojnë Yje të zjarrtë n’të qiellit tënd, atdhe
U lartësuan lart e më lart përmbi ato re
Në atë qiell të paprekshëm të atdheut të artë
Për nderin shqiptar,për të gjithë shqiptar’t
Mjaft të ndarë në pesë-gjashtë pjesë
Evropë, si s’ke turp, s’ke as faqe
Shqiptarët do të ribashkohen, përndryshe s’do t’ketë paqe!

MË TREGO, ATDHE…

– Atdhe, trazimin tim a do të ma kuptosh?
Ne, a nuk jemi sot shpella të zbrazëta?
Po edhe ky shekull mos është njerka jote?
Vallë mos dhe kësaj here po i bëjmë “komplot” kësaj bote?
– Atdhe, a nuk e paguam me gjak këtë liri?
A mos u lindëm herët a ndoshta jemi vonuar?
Oh, mos ma dëgjo zërin tim se jam i dëshpëruar!
– Më trego, atdhe pse s’je i bashkuar?!….
Pse, atdhe dhe sot më je me sy të trishtuar?
– Edhe unë besova
Edhe unë lëngova
Por kurrë s’u dëshpërova
Nëpër flakë vrapova
Gjatë shekujsh t’neveritur
Por n’liri besova
U ktheva i kalitur.
Unë e di çfarë është pikëllimi dhe plaga
Unë e di çfarë është padrejtësia dhe ndarja
Por s’e di Evropa ç’është turpi a marrja!
Humbur e kam hapin n’rresht t’pafund t’marshimit
Se m’pat shkelur gjatë këmba e romanit, e latinit
Mandej edhe e turkut dhe e këtij katilit
Që u zhdorgj nga Karpatet n’truall t’Ilirikut
E prej rreshtit kam dalë ta kuptoj drejtimin.
Shekujt brutalisht janë lëshuar mbi mua
Në ballin tim kanë gdhendur, kanë pështyrë e damkuar
Por gjithmonë pata yje në qiellin tim të trazuar
Mirëpo besimi të mos nxitohet
Sepse Ribashkimi do të realizohet!


O ATDHEU IM

Prore, atdheu im për ty do t’këndoj
Dhe në çdo varg timin emrin tënd e gjej
Pse dallgët e gjakut n’poezi m’vërshejnë
E malli për ty kah lartësitë më shpjen

E jotja qëndresë me fuqinë e flakës qiellore
Në shpirt më frymëzon ma ndrit zemrën prore
Emri yt-atdhe është një mrekulli
Me vrull peshë më çon çdo tingull i tij

Me melodi t’ëmbël veshin ma lëmon
Mu si shpirt i mbarë përrallash kur dëgjon
Si netëve të verës drita e hënës kur shket
Si këngë tingulluese i çiftelisë tel-argjend

Me mijëra libra, të mos i numëroj-dije
Dua me emrin tënd t’i shkruaj
E prej tyre flaka e mendimit të ndritë
Qëndrove i patundur stuhia kur t’ka goditë
Gjithmonë me ty atdhe jemi krenarë
Mu si dritë meteorësh, si margaritar

Shih emri atdhe me t’zjarrtin shkëlqim
Midis pluhurit t’yjeve dhe puhisë qiellore
Si dhuratë hyjnore e paskaj dhe e pambarim
Vetëm ti më je, o atdheu im

Do të të dua atdhe si të desha gjithnjë
Për ty do t’këndoj me të lartësuarin tim zë
Vetë emri atdhe shënon dashuri
E fjalët as vargjet për ty s’kanë mbarim
Vallë, ndjenjat e zjarrta për ty mall nuk shuajnë
Dashuria për ty- titan i pathyeshëm
Ajo kreshta malesh i bën copë e grimë

Sikur ty atdhe të të shihja t’ribashkuar
Hapësirave të larta të qiellit pakufi
Me shkronja të rrufeve që ndriçojnë e çajnë
Kisha për ta shpallë dashurinë për ty
Sa të jetë kjo botë dhe kjo rrokulli


PËR TY, LIRIA IME

I

Për ty, liri
Unë kam shkuar
si cjapi te kasapi
Te mizori e satrapi
Për ty, liri
Unë kam shkuar
në burgje e falanga
Jam lidhur me pranga
Për ty, liri
Unë kam shkuar
Maleve dhe brigjeve
Në foletë e shqipeve
Për ty, liri
Unë kam shtegtuar
e kam vrapuar
Me pushkë në duar

II

Ti je si buka
N’sofër që e qesim
Ti je si zjarri
N’vatër që e ndezim
Ti je ujë i pastër
Në verë i të eturve
Ti je kurora
E të pavdekurve
Ti je si vala
Si dallgë e detit
Ti je si yjet
Që ndritin qiellit
Ti je e bukur
Hijeshi e ylberit
Ti je e ëmbël
Si buzëqeshje fëmije
Ti je më e shtrenjta-
Zjarr dashurie


U BËRA UJËVARË

Më mori dallga
U bëra shkumë
Më mori vala
U bëra lumë
Më mori qielli
U bëra ylber
Më mori ngurtësia
U bëra mermer
Më mori fusha
U bëra lulëkuqe
Më mori kopshti
U bëra burbuqe
Më mori pranvera
U bëra lastar
Më mori etja
U bëra ujëvarë


PËR KËTË TOKË

Gjyshi im ra
Për këtë Tokë
Dhe vëllai këtë Tokë
E mbrojti me kokë
Ah, dhe një shok
Për këtë Tokë ra
E mua t’mjerit
Një krah m’u tha
Edhe një motër
E mbrojti këtë votër
S’e lejoi hasmin
Këtu t’bëjë lodër
Për këtë Tokë
U flijuan shumë
– Në cilin front
Do të vdes unë?!!!


LULËKUQET E KOSOVËS

(Përkushtim për heroinat)

Ju jeni mbretëreshat e luleve
Në fushat e mia
Harliseni me kokë drejt qiellit
Ju shtohet lavdia
Lulëkuqe ishit dhe jeni
Në kujtesë ju kemi
Gjaku Juaj s’venitet
Është dritë që kurrë s’fiket
Ju ratë për t’vërtetën
Kënga Jua pranveron jetën
N’histori të kombit keni mbetë
Jemi me Ju krenarë, o Shqipe me fletë

ATA
(Armiqtë e kombit tim)

Plumbat binin mbi trupat tanë
Nga qejfi dhunonin
E nga mllefi këndonin
Bukën na e helmonin
Me gatë e motrat tona
Netët i dëshironin
Me fjalë na lëndonin
E me thika të prehta
Zemrat na i shponin


Pa ty gjë s’jam

Në timen jetë,
Tuajat bebëza,
I pata diell
Dhe qiell pa re,
Ngjyra n‟ylber.
Në çdo petale
Pata dëshirë
T‟shkruaj tëndin emër,
S’mund të t’harroj,
T’kam ndryrë në zemër.
Në timin shpirt,
Në timen zemër
Dashuri mbolla,
Si rreze dielli,
Kaltërsi qielli.
Të t’puth në ballë,
O trëndafile,
Pata shumë mall,
Zemër të kam,
Pa Ty gjë s’jam!


Dy viganë zemërluanë

(Kapuçi dhe Sandokani)

Dy dragoj i pat vatani
Kapuçi e Sandokani
Atdheun e patën flamur
E dinë male edhe gurë
Shkrepa, kreshta edhe brigje
Kodriçe, kroje e shtigje
E din Shqipja dykrenore
Cep më cep kjo Tokë arbërore
Zemrat i patën t’flakëruara
Me atdhedashuri t’farkuara
Shpirtin e patën të artë
Për liri- dëshirë të zjarrtë
Në flamur Shqipja i ruan
N’krahë të saj u përjetësuan


Lumi im i madh

(Llapit)

Nganjëherë m’i ngjan Kalit të Baladës
Me jelën e bardhë i mbushur gjithë shkumbë
Çfarë bart në shpinën tënde që kurrë nuk e kërruse
Cili qenka ai kalorës që të kalëron
E të ndalet s’dashka as n’paqë as n’furtunë
Edhe vashës mitare me lot në sy m’i ngjan
Ashtu me dënesje kë po e vajton
Kush po t’i shiton ato brigje tua
Melodinë nanuritëse kush po ta ndalon
Ti ngado që shkon je bashkë me përroskat në shoqëri
E unë kam dëshirat dhe ëndrrat për bashim të tonës etni
Ti shkon e kthehesh e plagët t’kthehen në lule
Kurse unë shkoj e s’vij e me plagë n’shpirt mbushem
Gjithmonë ecësh kah gjerësitë Lumi im i Madh
Rroftë dashuria jote – e bukura gurrë me valë