Kritikë letrare
Jusuf Buxhovi, “KTHESA HISTORIKE 1”, Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së, publicistikë historiografike, botoi Sh.B. “FAIK KONICA”, Prishtinë 2008, faqe 352. ISBN 978-9951-06-225-1
Nga Shefqet DIBRANI
Jusuf Buxhovi, gazetar, publicist, shkrimtar dhe historian, është figura më qëndrore për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç librave të historiografisë, trilogjia “KTHESA HISTORIKE”, është dokumenti më origjinal, në të cilat janë shpjeguar zhvillimet shoqërore e politike të viteve të nëntëdhjeta. Kjo lëvizje politike, është organizatë e papërseritshme kombëtare, që i ndryshoi konceptet ideologjike në vitet e nëntëdhjeta, në të cilat, Jusuf Buxhovi, bashkë me Elitën Intelektuale, arritën me sukses të mobilizojnë dhe të emancipojnë spektrin politik, duke iu dhënë proceseve kahe demokratike, në të cilat shqiptarët e Kosovës, do të shndërrohen në avangardë të ndryshimeve në tërë kampin e Lindjes. Shqiptarët e Kosovës, u bënë popull largëpamës, vizionar duke pasur rolin prijetar në tërë hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Kjo lëvizje e cila mori hov, pa shmangshëm ndikoi edhe në ndryshimet politike në Shqipëri, vend ky që po dilte nga diktatura e egër komuniste.
Jusuf Buxhovi, në fushën politike dhe në zhvillimin e proceseve të atyre viteve e ka ndikimin e pashmangshëm. Pikërisht me emrin e tij lidhen epokat që ndryshuan Kosovën. Ky konstatim nuk është i panjohur, por pse hezitojmë ta pranojmë është çështje krejtësisht tjetër. Paradoksi i mentalitetit shqiptarë shkon deri atje, sa intelektuali duhet të vdes dhe të mos jetojë në mesin tonë, që pastaj për t’ia pranuar meritat. Të paktën Jusuf Buxhovi, meriton ta përjetojë vlerësimin për angazhimin e tij, nga shoqëria dhe komuniteti politik, për të gjallë të tij.
Në shkatërrimin e Jugosllavisë, drejtpërdrejt ka ndikuar Kosova, dhe në ndryshimet e koncepteve politike në këto hapësira rol themelor, rol specifik, dhe rol të veçantë, pa dyshim ka luajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse strukturat e tanishme politike të LDK-së, duhet ta pranojnë, edhe rolin dhe ndikimin e Jusuf Buxhovit në këto procese, (madje qysh në embrionin e tyre), si ideator e qoftë si kreator i atyre proceseve, të cilat pashmangshëm ndikuan në të gjitha zhvillimet e më pastajme në Kosovë dhe përgjithësisht në hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi.
Këto elemente, ku më shumë e ku më pak, shfaqen në tërë historiografinë krijuese, veçmas në librin e parë të trilogjisë “KTHESA HISTORIKE”, përkatësisht te libri “Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së“, në të cilin autori sjell argumente konkrete për zhvillimet e asaj kohe. Pastaj Jusuf Buxhovi, ka vazhduar me libra studimor nga fusha e historiografisë, dhe në saje të tij, janë vendosur edhe konturet e shkencës së historisë kosovare.
Nga libri “Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së“, del në pah roli i madh i autorit, në krijimin, themelimin dhe zhvillimin e LDK-së, dhe jo vetëm të LDK-së. Këtë pohim, nuk besoj se mund ta mohojnë as “Kolona e Pestë që ka pushtuar pa meritueshëm LDK-në?!“, të cilët e kanë devijuar angazhimet historike të LDK-së, madje nuk kanë hezituar për ta shembur edhe “Epokën e Madhe të LDK-së“, epokë për të cilën ka shkruar me kompetencë Jusuf Buxhovi.
Për fat të mirë, kjo Kolonë e Pestë, nuk arriti as të tjetërsojë LDK-në në “LIDHJA?!” Kurse ardhësit me mision, (edhe përmes shantazhit dhe diferencimeve klasike), kanë arritur për t’i eliminuar tërësisht Themeluesit e LDK-së, dhe quditërisht kanë fobi edhe kundër gjithë Elitës Intelektuale, të cilëve nuk ua pranojnë meritat. E gjitha po ndodhë, para syve tanë, para syve të botës dhe krejtsisht sipas recetave të një kohë tashmë të harruar.
Askush nuk mundet me mohuar se LDK-ja, ishte strumbullari i lëvizjeve të mëdha ku do t’i bie edhe merita për shembjen e epokës së errët të komunizmit jugosllav, pra edhe në hapësirën tonë, përkatësisht LDK-së i bie merita specifike pse e trandi marksizëm – leninizmin dhe stalinizmin shqiptar, ku pa asnjë mëdyshje, “Epoka e LDK-së“, ishte vendimtare për kahen e Kosovës drejt proceseve Euro-Amerikane, pa të cilën vendi ynë, Kosova jonë, kurrë nuk do të vinte në të tashmen e ëndërruar. Ndërsa, Jusuf Buxhovi, i mësuar të bëjë “Epoka të mira“, me studimet në fushën e historiografisë, është bërë historiani i parë, i cili bëri “Epokën e Historisë Shkencore“, ashtu sikurse në fushën e politikës që mban vulën për Ndryshime të Mëdha Politike e Strategjike!…
Siç e kemi theksuar më lartë, Jusuf Buxhovi, për vite të tëra ka jetuar në Gjermaninë Federale, në cilësinë e korrospondentit të akredituar nga gazeta “RILINDJA”, prandaj ka pasur fatin e kontakteve me Elitën e Politikës Evropiane dhe asaj botërore, e cila ka ndikuar në formimin e personalitetit të tij politik, dhe me kalimin e kohës veprimtaria e tij politike është bërë ndikuese, veçmas brenda LDK-së, ndërsa krijimtaria letrare e historiografike e pëlqyeshme dhe e pranueshme edhe më tej!
“Njohja e meritave”, është kod i demokracisë politike dhe institucionale, prandaj është edhe obligim i shoqërisë, t’ia njoh meritat dhe ta pranojë kontributin e Jusuf Buxhovit, në fushën e letërsisë e të historiografisë, shkencës dhe përgjithësisht në ndryshimet e mëdha politike. Pranimi i meritave “Si ideolog!” është domosdoshmëri qytetare, pasi ndikimi i tij në ndryshimet e mëdha gjeostrategjike ishte ndikues dhe përcaktues, sikurse edhe në ndryshimet e koncepteve ideologjike, për ta orientuar Kosovën drejt vlerave Euro-Atlantike!
Mund të përfundojmë se të gjitha ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë, e kanë një datë historike që lidhet me themelimin e LDK-së, më “23 dhjetor 1989”, por ajo datë historike mban edhe nënshkrimin e Jusuf Buxhovit!
Pjesa e I
PRELUD PËR NJË EPOKË TË RE, (ose për barazi, demokraci dhe Perëndim)
Libri “Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së“, është ndërtuar mbi dy segmente kohore, ku njëra pa tjetrën nuk mund ta bënin tërësinë e një “Epoke më të Madhe“, të asaj epoke që përshpejtoi rënien e diktaturës komuniste në Evropën Juglindore, e më pas edhe në krijimin e hartës së re të Evropës postkomuniste. Dhe pjesa e dytë, ose “Epoka e LDK-së“, janë trajtuar ato nëntë vite të cilat kanë bërë Epokën e Madhe?!…
* * *
Në pjesën e parë, aty ku bëhet fjalë për “Vitet e Gjermanisë“, do të lexojmë rrëfime të bukura për ngjarje të rëndësishme, dhe do të njihemi edhe më mirë me rolin e Gjermanisë, dhe me ndikimin e saj në shpërbërjen e Jugosllavisë, në njërën anë, dhe në anën tjetër edhe për ndikimin e drejtpërdrejt të Gjermanisë, tek shqiptarët e Kosovës, për ta marrë përsipër fatin e vet, dhe përgjithësisht për t’i drejtuar ata dhe Kosovën kah Evropa. “Por, cila do të duhej të ishte ajo forcë që merrte përsipër këto procese, kur dihej se klasa politike e Kosovës, të shumtën ishte vetë shpenzuar dhe vetë komprometuar gjatë viteve të mundimshme të të ashtuquajturit diferencim politik kur Beogradit i ishin bërë aq shumë koncesione pikërisht në planin politik, madje edhe aty ku ajo kishte shumë atu të mos bënte kompromise vdekjeprurëse?”, (faqe 15).Ky citim që theksuam më parë më duket se është një pyetje logjike që autori ia ka shtruar vetës para atyre sfidave. Sfida këto që e kishin vënë atë në sprovë, bashkë me Elitën Intelektuale të asaj kohe, pra, para një përgjegjësie kombëtare “të jesh apo të mos jesh”?!
Ishin hezitime apo dilema për Elitën Intelektuale që të vihej në ballë të proceseve, për të ndërtuar “Epokën” që nuk do të përsëritet kurrë më. Por, në kohën kur disa i kishte mbuluar letargjia e robërisë dhe qe besa më shumë nostalgjia e jugosllavizmit për një bashkëjetesë me serbet siç bënte e vepronte Veton Surroi bashkë me Shkëlzen Maliqin, – Jusuf Buxhovi, mendonte se ishin “vetëm intelektualët e pavarur, kryesisht ata që gjatë viteve të fundit kishin marrë përsipër barrën e kundërvënies propagandës serbe rreth mitit të Kosovës“, (faqe 15), ku do ta dominojnë të drejtën historike në të cilën lidheshin serbet, me të drejtën faktike, ose siç e thekson autori si “e drejtë jetësore apo etnike”, mbi të cilat mbështetej Elita Intelektuale e Kosovës.
Kjo Elitë Intelektuale, në të cilën rolin e vet të pashmangshëm e kishte autori i këtyre librave, ishte mbështetur në fillimet e tija nga publicisti gjerman Horst Wesseler, i cili “do të vijë në Prishtinë me sugjerimin gjerman për themelimin e një partie politike shqiptare që do të udhëhiqej nga shkrimtarët, por edhe intelektualët tjerë”,(faqe 17), ku padyshim kësaj ideje të publicistit Horst Wesseler, i paraprijnë, ose e kanë sforcuar edhe gazeta konzervative “Die Welt”, radioja “Westdeutsche Rundfunk” e Köln-it, e sidomos gazetari e analisti i njohur Viktor Meier, i cili më shumë se kushdo tjetër do të luaj rolin e tij pozitiv në zhvillimet e asaj kohe në Kosovë dhe përgjithësisht në Jugosllavi.
Jo vetëm kaq, por edhe politikaj e personalitete të tjera të Gjermanisë siç ishin: Wili Brant, Franc Jozef Shtraus, Hrost Emke, Herbert Verner, Rajner Maria Fasbinder, nobelisti Heinrich Böll, e shkrimtari i madh Günter Grass, do të luajnë rolin e tyre në ndryshimin e kufijve në Evropë dhe në Ballkan, dhe kush më shumë e kush më pak do të zgjojnë vetëdijen gjermane se “shqiptarët kanë një besim historik te gjermanët…”,(faqe 35).
S’ka dyshim se gjatë kohës së luftërave të ftohta, ka pas hamendje e dilema, madje ka ekzistuar një mendim “për një dominim të Beogradit mbi Shqipërinë”, qoftë ky dominim politik, kulturor a ekonomik, (faqe 44). E, në përpjekje për të zgjedhur një formulë magjike, qoftë për ta shpëtuar Shqipërinë nga diktatura primitive komuniste, e qoftë për t’i reformuar e drejtuar shqiptarët kah Evropa, Helmut Schmidt do të mbahet mend si njëri nga personalitetet e para gjermane që do ta vizitojë Shqipërinë komuniste, me shpresë se do ta joshte diktatorin Enver Hoxha për reforma në sistemin politik dhe ekonomik të vendit.
Veprimet e Helmut Schmidt, më duken se kanë pasur ngjashmëri me veprimet e kancelarit gjerman Helmut Kohl, i cili ka qenë i ndikuar nga filozofia udhëheqëse e Konrad Adenauer, që gjatë tërë karrierës së tij udhëheqëse, si kancelar i Gjermanisë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, “fitoren e paqes do ta shohë të lidhur ngushtë me zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik nga brenda dhe në bashkëveprim me Aleancën Veriatlantike nga jashtë”,(faqe 63).
Në këtë prizëm edhe Helmut Kohl si Helmut Schmidt, “e ka parë Shqipërinë në përputhje me zhvillimet e kohës, gjithnjë duke u përpjekur ta animoj e edhe ta kthejë, së pari në një interes europerendimorë e pastaj gjerman”, (faqe 64), kurse Wili Brant, “pasi do ta fitoj postin e kancelarit gjerman, në vitin 1972, do të promovojë doktrinën e pajtimeve historike me anën e pranimit të realiteteve të vendosura në lindje pas Luftës së Dytë Botërore”,(faqe 63). Shikuar në retrospektivë, e bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur, do të bindemi se gjermanët vazhdimisht janë interesuar për shqiptarët, dhe qasja e tyre ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi ka qenë tejet pozitive. Më duket se edhe njëri nga synimet e autorit përgjatë këtij libri, ka qenë për të dëshmuar interesimin e madh gjerman për t’i zhvilluar proceset demokratike në Kosovë, për ta zhvilluar e demokratizuar Shqipërinë dhe për t’i orientuar përgjithësisht shqiptarët kah Perëndimi.
Karshi këtyre zhvillimeve dhe ngjarjeve të tjera të shumta në këtë libër “prelud për hyrje në demokraci” do të gjejmë edhe “habinë e Vladimir Bakariçit për Kosovën”, kurse qëndrimi i tij parimor për Kosovën, do të rikthehet në kujtesën tonë i freskët dhe i qartë, sepse Vladimir Bakariç, do të mbetet ndër politikanët e rrallë kroat që ka pasur një qëndrim konstruktiv për zhvillimet politike në Kosovën, qysh në vitet e tetëdhjeta të shekullit që para pak vitesh ia kemi kthyer shpinën, (faqe 80 – 84).
Përmes këtij libri të Jusuf Buxhovit, mund të kuptojmë më mirë ato kohëra, dhe mund të besojmë se gjermanët ishin faktor shumë i rëndësishëm për të gjitha zhvillimet politike në Evropë, veçmas për shthurjen dhe shkatërrimin e Jugosllavisë. Ndoshta, pikërisht këtu qëndron alibia e “pranimit të realiteteve historike me Gjermaninë Lindore”, siç ka vepruar Wili Brant, ndoshta edhe pse në këto rrëmuja dhe rrëmete kishte personalitete gjermane që kanë rënë në grackat serbe, si ajo e Heinrich Böll, në mbrojtje të ultranacionalistit serb Dobrica Qosiq, (faqe 90-111), por gjithsesi zhvillimet e më vonshme do ta kenë davaritur mjegullën edhe para syve të tij, (është fjala për Heinrich Böll), dhe të shumëkujt si ai.
Të gjitha shkrimet, për “Vitet e Gjermanisë”, mund të lexohen si tregime të mira dhe të pranueshme, por është meritë e autorit për mënyrën e rrëfimit dhe të trajtimit të ngjarjeve që janë përfshirë në këtë kapitull.
Pjesa e II
KTHESA HISTORIKE DHE EPOKA E MADHE E LDK-së
Në pjesë e dytë, tek shënimi: “Kapitulli – Epokë”, autori flet për “Rolin e LDK-së” në rrënimin e infrastrukturës së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës që do të ndikoj drejtpërdrejt edhe në shthurjen e Jugosllavisë. Në këto rrethana përveç lirisë që kërkonte Kosova, ajo paralelisht duhej që në këtë proces të dëshmonte “pozicionimin e shqiptarëve kah Evropa”, ku, kronologjia e ngjarjeve dhe ndodhitë e shumta janë jo vetëm një faktor ndikues, por një indikator i procesit demokratik, që ndikoi në ndryshimin e mentalitetit dhe kthimin e shqiptarëve jo vetëm kah Evropa, po më shumë kah Amerika e qytetëruar.
Koha e konflikteve intelektuale ose “Shpallja e luftës nga shkrimtarët serbë”,(faqe 125 – 153),në të cilën autori është protagonist i këtyre ngjarjeve, Jusuf Buxhovi mjaftë qartë i ka shpjeguar konfliktet e asaj kohe në mes të shkrimtarëve serb dhe shkrimtarëve shqiptar nga Kosova. Për vete kam lexuar diçka, ashtu të shkëputura a parafrazuara në shtypin e asaj kohe, edhe zjarrminë e konfliktit të asaj kohe e mbaj mend mirë, por nuk më kujtohet nëse e kam lexuar fjalimin e poetit serb Millan Komneniq, që paska qenë një pamflet kaq ultranacionalist, kaq fyes dhe kaq poshtërues nuk ma thoshte as tashti mendja. Jusuf Buxhovi, ka bërë mirë që i ka sjell fjalimet e Millan Komneniqit dhe të Aleksandër Petrovit që janë mbajtur kundër 5-6 shkrimtarëve shqiptarë në konferencën e Beogradit, në të cilën pala shqiptare pat triumfuar plotësisht.
Por një indikacion shqetësues përmes librit të Jusuf Buxhovit mund të kuptohet kur ai duke dashtë të jap detaje më konkrete për këto ngjarje dhe “në pamundësi që të siguron tekstet integrale nga ato që i kishte gjiruar Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, ngaqë Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, pas luftës, e dal prej saj nuk kishte dëshiruar të ruajë kurrfarë trashëgimie dhe dokumentacioni të Shoqatës së mëparshme dhe për këtë madje ishte mburrur”,(faqe 133),dhe nuk dihet nëse dikush nga shkrimtarët e “dal nga lufta?!”, paskan dashur t’i mbrojnë “vëllezërit shkrimtar nga Serbia”, apo këtë gjë e kanë bërë nga mosdija e tyre. (Por, nuk arrita të kuptoj nga cili mision, nga cila pozitë, a nga cila vetëdije është nisur Sekretari i Shoqatës Milazim Krasniqi, për t’ua dorëzuar pa rezistencë Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës atyre të “dal nga lufta?”.
Megjithatë sekretari i gjeratëhershëm mr. Milazim Krasniqi, që deri në prag të luftës shquhej si puthadorë i dr. Ibrahim Rugovës, si askush tjetër, më pas do të dallohet për mohimin dhe degradimin e çdo veprimi demokratik të LDK-së, po sidomos të kryetarit të saj dr. Ibrahim Rugova. Ndoshta kjo është bërë, për t’ia humbur të gjitha gjurmët e rezistencës intelektuale që bënte atëherë dr. Ibrahim Rugova, apo ky njeri ishte në mision të shantazhimit të shtetformimit demokratik të Kosovës?!... Gjithsesi, humbja dhe asgjësimi i dokumenteve me rëndësi të veçantë, është një krim morbid, që do të duhej të procedohej në gjyqësorin e Kosovës. “vërejtje e sh.d.”) Pavarësisht nga rrethanat, faktet që i sjell Jusuf Buxhovi, mjaftojnë për t’i njohur ato rrethana, dhe për t’i kuptuar e dalluar “sivëllazërinë proletare” të shkrimtarëve nacionalist serb dhe partizanëve analfabet në Kosovë.
Jusuf Buxhovi, si askush tjetër e ka pranuar publikisht involvimin, nxitjen dhe ndihmën e pakursyer amerikane për themelimin e LDK-së, duke e theksuar se pa ndihmën e tyre zor se do të ishte realizuar e masivizuar koncepti demokratik e properëndimor i kësaj lëvizjeje. Në anën tjetër ndihma amerikane ka vazhduar për tokë e për ajër, ajo ndihmë nuk ka munguar kurrë, kurse në vitet e pasluftës, po dëgjojmë refrenin e militantëve të PDK-së se Kosovën e çliruam NE(?!), kurse në anën tjetër Udhëheqja në Mision e LDK-së – Kolona e Pestë, duke e parë vetën se më nuk janë partner i besueshëm i amerikanëve, në vend se ti meremetojnë defektet, ata po i kritikojnë diplomatët amerikan, për deklarata private e qëndrime individuale, duke e zbehur Rolin e LDK-së në shtetformimin e Kosovës, dhe kjo ka të bëjë kryesisht pas ardhejs në krye të LDK-së, të Isa Mustafës, i cili më shumë është promovuar sikur të ishte Bossi i “Kolonës së Pestë”, me qëllime antiamerikane, aventurë të cilën po e vazhdojnë të gjithë pasardhësit e tij gjerë më sot?!…
Me “Apeli 215“ dhe gjakderdhja e marsit“,Beogradi kishte kuptuar se “shkrimtarët shqiptarë jo vetëm që nuk do të ndiqnin kursin e kreut politik të Kosovës…, por fjala ishte për një qëndrim të pa kompromis intelektual i cili nuk përfillte diktatin ditor të politikës”, (faqe 154). Mendoj se me këtë temë Jusuf Buxhovi ua ka hequr maskën “liderëve autonomistë në krye me Azem Vllasin”, (faqe 162), dhe jo vetëm me Vllasin?!, (vërejtje e imja), por kohëve të fundit e kemi rastin konkret me “Kolonën e Pestë në LDK”, të cilët po shtiren si engjëj të demokracisë dhe reformator të pa kompromis?!
Jo vetëm “ideja e themelimit”, por edhe domosdoshmëria e krijimit të një partie politike ripërsëritet edhe nga publicisti dhe analisti i njohur gjerman Viktor Meier, i cili ia shpjegonte Jusuf Buxhovit pse është e nevojshme që sa më shpejt të ndodh kjo, (faqe 166 – 167), ashtu siç kishte ndikuar më parë edhe Horst Wesseler për themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut(faqe 168), ndërsa Viktor Meier, (kjo është e ditur), vjen në Kosovë me sugjerimin e Hans Dietrih Gensher, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, i cili do të bëhet ndikuesi dhe diktuesi kryesor për themelimin e LDK-së, ku Jusuf Buxhovi bashkë me Xhemajl Mustafën dhe tre devijantët e njohur Mehmet Kraja, Ibrahim Berisha, e më vonë edhe Milazim Krasnqi, do të bartin barrën e themelimit të LDK-së. Edhe pse Jusuf Buxhovi, disa emra nuk i përmend e citon, për lexuesin e kujdesshëm merret vesh se qysh në atë kohë do të shihen hezitimet dhe dilemat e tyre (faqe 179; f. 226), po sidomos në faqën 210, në pasusin e fundit shpjegohen mjaftë mirë.
Për pjesën ekonomike që do të futet në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi do të konsultohet me Ajri Begun, ekonomist i njohur dhe për shumë vite ishte Guvernator i Bankës së Kosovës, (faqe 208), (Ajri Begu është bashkëshorti i Flora Brovinës), të cilën edhe dr. Ibrahim Rugova e ka respektuar, por më vonë edhe ajo, bashkë me disa themelues të tjerë të LDK-së, do të marrin kahe devijante në dëm të LDK-së dhe madje edhe të Kosovës.
Se, LDK-ja kishte bërë shtrirje dhe ushtronte edhe ndikimin e saj në themelimin e partive politike te shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë s’ka asnjë dyshim, sepse programi nacional i LDK-së kishte edhe shumë e shumë vlera të tjera që i kanë takuar asaj kohe, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk janë implementuar, por tani përmes këtij libri, për shumë kë, duket si një freskim për trutë e shpëlara nga shpifjet dhe intrigat e bëra vite e vite me radhë, i plasojnë si tolorancë dhe demokaci.
Edhe pagëzimi i partisë “Lidhja Demokratike e Kosovës”, vjen nga vet Jusuf Buxhovi, kurse në çështjet e programit dhe të statutit të partisë kanë punuar akademikët Gazmend Zajmi dhe Fehmi Agani, kurse versioni final i këtyre dokumenteve është kontrolluar dhe korrigjuar vazhdimisht nga gjermani Horst Wesseler dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Beograd, Warren Zimmermann, e ndonjë tjetër, por ripublikimi në libër i versionit origjinal të “Programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”,(faqe 212 – 216), dhe sqarimi i autorit se këtij versioni iu paskan imputuar fjalë e anekse të caktuara, qet në pah edhe njëherë turbulencat dhe komplotet e shumta që i ka sfiduar kjo parti, falë udhëheqësit të saj vizionar dr. Ibrahim Rugova.
Për vrojtuesit e mirë, ka qenë e ditur, por tani vet autori si protagonisti kryesor i atyre ngjarjeve e ka shpjeguar se barra kryesore për përgatitjen e programit, të statutit dhe dokumentacionit përcjellës, konsultimeve dhe amputimeve, për të gjitha çështjet deri në çastin sublim ka qenë vet Autori, i cili e ka dhënë edhe propozimin që “kuvendi themelues të mbahej të shtunën më 23 dhjetor në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në ora 11:00”,(faqe 217). Nuk mund të them gjë, por të shtrojë pyetje publike gjithësesi mundem: “Përcaktimi i mbajtjes së kuvendit themelues të LDK-së, ishte rastësi apo u bë qëllimisht në Natën e Krishtlindjeve, tamam ashtu siç thuhet, se në këtë natë u bë “Rilindja e Jezu Krishtit”, kjo natë do të mbetet e bekuar për “Rilindjen e Kosovës Evropiane”!…”
Me ngjarjet në “Barakën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës”, lidhet e gjithë Historia Demokratike e Kosovës, sepse në te janë zhvilluar dhe mbajtur kuvendet, mbledhjet dhe takimet më të rëndësishme politike e diplomatike, nga ku rridhnin ide e iniciativa për ta shpërbërë Lidhjen Komuniste të Kosovës, dhe për t’i sfiduar strukturat paralele, forcat ushtarake e paramilitare të Serbisë. Por, për çudinë e të gjithave, paslufta do ta shpërblej “Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës”, me zhdukjen e gjurmëve të saj, pastaj u zhbë edhe gazeta e famshme “RILINDJA” e cila luajti një rol të madh në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë, po ashtu këtë fat të zhbërjes e provoi edhe Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), të cilit ia tjetërsuan dhe përvetësuan pasurinë, në emër të krijimeve të reja… dhe në kuadër të këtyre shpërbërjeve ka pësuar e po pëson ndryshim radikal edhe vet LDK-ja, (e cila tashmë nga “Kolona e Pestë”, të cilës po i prinë pasardhësi i Isa Mustafës, dr. Lumir Abdixhiku), të cilët LDK-në e kanë tjetërsuar në “LIDHJA”, sllogan që citohet më me ëndje, dhe duke iu shmangur tërësisht kursit të saj demokratik të ndjekur për dy dekada me radhë nga vet dr. Ibrahim Rugova dhe Elita Intelektuale e Kosovës, tashmë veteran e themelues, të harruar dhe të braktisur.
Deri sa në demokraci çdo gjë rinovohet për “ti shërbyer të ardhmes, duke ruajtur e konservuar të kaluarën”, komunizmi ka si synim shkatërrimin e të tërës dhe mbi gërmadhat e së kaluarës për t’u hedhur themelet e reja, për t’u nisur gjithmonë historia nga zeroja absolute. Si duket ky mallkim komunist, Kosovës, më nuk i erdhi nga Serbia, ky mallkim erdh nga struktura të caktuara për t’ia humbur Kosovës traditën institucionale, po më shumë më duket për t’i fshehur gjurmët e një veprimi kobzi, që si rrufeja ra kudo dhe shkretoi shumëçka në Kosovë. D.m.th. atë që nuk e arriti Serbia në vitin 1990, e bënë struktura komuniste që zbritën nga mali bashkë me oportunistët demokrat, dhe strukturat e BIA-s serbe në udhëheqjen e LDK-së, Kosovën e futën në fusnotë.
Po çka është fusnota dhe ku vihet ajo, ndoshta mund të pyet dikush? Fusnota zakonisht vendoset te një fjalë a fjali, te një nocion a koncept, ku sqarohet dilema a dyshimi i ngritur e i shtruar më sipër. Tani “fusnota politike për Kosovën”, nuk sqaron dilema, por hap dilema, përkitazi me çlirimin, përkitazi me të gjitha aktet juridike e kushtetuese që i ka marrë Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës. E kjo është e gjysma e së keqes, kur kuptojmë se ka tendenca që e ardhmja e Kosovës të kthehet kah Lindja, duke bërë përpjekje për t’ia kthyer shpinën Perëndimit. Kurse vet programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, fal Jusuf Buxhovit ishte i bazuar në trilogjinë, përkatësisht në trekëndëshin strategjik: “Barazi, Demokraci dhe Perëndim”.
Po ashtu ngjarjet e Dy Korrikut dhe Shtatë Shtatorit janë produkt i LDK-së, ngjarje këto për të cilat Jusuf Buxhovi, jo vetëm që ka sjell argumente, por flet me fakte duke e argumentuar se ishte meritë e LDK-së. Edhe këtu ka rol të madh ndikimi gjerman dhe kontrollimi amerikan që do ta bëjnë LDK-në dhe dr. Ibrahim Rugovën të pagabueshme, që bashkërisht me Elitën Intelektuale do ti qojnë proceset përpara. Ndonëse, jo pak dr. Ibrahim Rugova është kritikuar e madje edhe akuzuar për veprime krye më vete, kurse në libër dëshmohet e kundërta, dëshmohet ajo që e dëshironte dhe i besonte Kosova, se dr. Ibrahim Rugova nuk punonte e as vepronte pa u konsultuar me amerikanët.
Gjithsesi në të gjitha zhvillimet e Kosovës, nxitja dhe ndikimi gjerman ka qenë evident, por siç shihet edhe nga libri, me kalimin e kohës gjermanët sa herë kanë ardhur në Kosovë janë shoqëruar me amerikanët. Unë nuk dua të spekuloj, pasi autor është gjallë, por më duket se gjermanët çështjen e Kosovës e kundronin në bashkëpunim të ngushtë me amerikanët në njërën anë, dhe në anën tjetër sikur edhe ata e dinin se ne shqiptarët ndjeheshim më të sigurt me prezencën e amerikanëve në përpilimin dhe hartimin e çdo dokumenti dhe në marrjen e çdo veprimi, politik e diplomatik. Autori nuk ka folur aq gjatë, por në libër potencohet se me kalimin e kohës, në zhvillimet politike e diplomatike janë inkuadruar edhe britanikët si partner dhe aleat të Amerikës.
Ndoshta njëra nga temat më interesante e cila është trajtuar me mjaftë ngrohtësi e emocione është “Vizita në SHBA dhe promovimi i Rugovës lider shqiptar”, ku secili lexues mund ta kuptojë ndikimin dhe bashkëpunimin e mirë që kishte dr. Ibrahim Rugova me amerikanët, dhe do t’i përjetoj ato emocione edhe tashti pas kaq e kaq vitesh.
Refreni i dr. Ibrahim Rugovës, para ambasadorit amerikan Konak se “Nuk jemi vetëm”,(faqe 254), kur e kishte fjalën për listën e delegacionit kosovarë që do të udhëtonte për në Amerikë, jep për të kuptuar prizmin e një vizionari i cili dinte të afronte dhe t’i qetësonte kundërshtarët e papërmirësueshëm në njërën anë, kurse në anën tjetër shihet edhe elementi human i një lideri popullor, që shikuar nga distanca kohore, në një retrospektivë për atë kohë, mund të interpretohet:
- Për një frymë tolerante dhe mjaftë demokratike që po e instalonte LDK-ja në atë kohë.
- Për përpjekjen gjithëpërfshirëse, duke mos përjashtuar e anashkaluar asnjë shtresë qytetare.
- Për humanizmin e dr. Ibrahim Rugovës për ta ndarë suksesin edhe me të tjerët.
- Ndoshta këtu mund të futet edhe qëllimi i mirë i Jusuf Buxhovit, (qoftë ky sugjerim i ardhur nga dr. Ali Aliu), për t’i dal hakut edhe akademik Rexhep Qosjes!
Pasi, shkrimi “Dilema: Rugova apo Qosja?…”, i ka qartësuar edhe shumë dilema të asaj kohë që për vite të tëra kanë qarkulluar gojë më gojë, edhe në Prishtinë por edhe kudo në Kosovë, se gjoja LDK-ja e ka refuzuar edhe Rexhep Qosjen, por edhe Adem Demaçin, përkundrazi në libër del e kundërta.
Jusuf Buxhovi, jo pak ka ditur të krijoj edhe situata humori dhe sarkazmi, ta zëmë kur e përshkruan udhëtimin e gjatë me aeroplan përmbi Oqeanin Pacifik, ai shkruan: “Rugova kishte dremitur në ulësen e shtrirë, por si do të thotë të nesërmen, më shumë ishte marrë me shqetësimin e asaj që ofronte ky takim, se sa me mundimin e fluturimit të gjatë që nuk kishte dashur ta pranonte se ju kishte frikësuar bukur shumë”,(faqe 256 – 257). Sarkazmin që e ka modifikuar Jusuf Buxhovi në këtë pasus, që e cituam më parë, se Ibrahim Rugova nuk paska dashur ta pranonte se qenka frikësuar nga udhëtimi i gjatë, është po aq e saktë, aq sa ka qenë frika për vdekjen e tij reale, që nuk e pat hall kurrë Ibrahim Rugova?! Ai, pra Rugova, e pati hall dhe shkoi me shqetësimin e madh, pasi e dinte se as LDK-në dhe as Kosovën nuk po i linte në duar të sigurta. Kjo sarkazëm, (të cilën e interpretova edhe unë me mënyrën time), ka të bëjë vetëm me të vërtetën për gjendjes reale në Partinë e tij LDK, dhe në Kosovë.
Trajtimi i Ibrahim Rugovës si burrështeti, është një segment, madje ndër më të veçantit e atij udhëtimi, i cili edhe tani mund të përjetohet mirë dhe me emocione, në anën tjetër takimi me gazetarin e “The New York Time”, Dejvid Bajder, lotët e tij për Ylfete Humollin, janë përshkruar me mjaftë ndjenjë dhe emocione, e ku autori nuk ka harruar të shpjegojë, në fund të atij rrëfimi, për devijimin e tij, kur vite më vonë, po ky gazetar, te e njëjta gazetë do ta mbroj “Serbinë nga trysnia ndërkombëtare?!”, gjë që edhe vet Jusuf Buxhovi, shprehë habinë e tij për këso ndryshimesh radikale, të një personaliteti me emër e nam siç ishte Dejvid Bajder. Në kuadër të këtij udhëtimi është trajtuar në mënyrë profesionale edhe “Shou amerikan me përcjelljen e dr. Ibrahim Rugovës” si dhe “Premtimet dhe kërcënimet e Robert Dolit”, në takimin që kishin pasur në zyrën e tij, Ibrahim Rugova e Jusuf Buxhovi në njërën anë, dhe Peshkopi serb dhe Dobrica Qosiq nga pala serbe.
Autori, përkatësisht Jusuf Buxhovi, nuk ka lënë pa prekur edhe përpjekjet e dr, Ibrahim Rugovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta demokratizuar Shqipërinë e udhëhequr nga komunisti Ramiz Alia, si dhe përpjekjet për të mos krijuar hendek në mes Adem Demaçit dhe LDK-së, i cili jo pak lëvizjes Demokratike në Kosovë i ka shkaktuar dëme dhe përçarje, ashtu sikurse që flet me kompetencë edhe për grupet marksiste – leniniste në diasporë që ishin të kontrolluara nga Tirana.
Edhe vet LDK-ja, por edhe vet autori sikur kanë pasur mëshirë dhe kanë treguar humanizëm të tepruar, ndonëse as në libër nuk i ka shpëtuar vlerësimi i saktë se kur “LPK të lëshoj <aleancën> dhe t’i kthehet rrugës së saj të njohur të veprimit, ku vendin e armikut të saj të deriatëhershëm – Serbisë, dukej se më shumë e kishte zënë lufta kundër LDK-së dhe autoritetit të saj jashtë dhe brenda”,(faqe 315), do të nisin eliminime dhe qërim hesapesh në mes vete?! Ndoshta ishin këto indikacione për t’i vetëdijesuar politikanët e rinj, me të cilët në “Kuvendin e parë të LDK-së”, do të kalohet një sfidë e madhe pa u “pushtuar kalaja nga brenda?!”, sepse në listën prej 110 vetave do të kalojnë të gjithë themeluesit e LDK-së, kurse me t’u kthyer autori i librit në shtëpinë e tij, do ta gjej urimin e ambasadës amerikane ku thuhej: “Urime edhe për një fitore tuaj të madhe kundër komunistëve!”,(faqe 317).Ndoshta, për shumë kë, ky urim duket absurd, por për njohësit e asaj kohe mund të përjetohet më dhembshëm, kur dihen sfidat dhe fitorja e LDK-së karshi kurtheve e intrigave të njëpasnjëshme që i bëheshin Ibrahim Rugovës, për të dështuar Ai dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Libri mbyllet me shkrimin emblematik “Rugova midis ikonës dhe realitetit”, në të cilin përshkruhet, jo vetëm një takim i rëndomtë me mikun dhe prijësin e tij shpirtëror, por nuancat e përjetimit të asaj gjendje shpirtërore që në ato kohë mund t’i kishte “Ikona e pavarësisë së Kosovës”, i cili me të drejt “druhej nga hakmarrja komuniste”,(faqe 346), dhe tentativa e përmbysësve që shpërndahej gjithandej, në të cilën sikur edhe vet autori kishte rënë, në çastin kur po largohej nga takimi me të, madje në një përfytyrim halucinacionesh atij “i dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, i’u kishin vu pas dhe po e ndiqnin nga të gjitha anët…”,(faqe 347).
PËRFUNDIM:
Jo vetëm për “Trilogjinë publicistike”, por veçmas për rolin e tij në Themelimin e LDK-së, Jusuf Buxhovit duhet t’i pranohen meritat, veçmas për angazhimet në atë kohë, ndërsa puna e tanishme letrare, publicistike dhe historiografike, kaq produktive dhe kaq voluminoze, është epitafi më kuptimplotë për Kosovën, dhe pavarësisht nga injorimet(?!) që i bëhen atij dhe Elitës Intelektuale, vepra e tyre ka pasur peshë historike dhe do të ketë suksese të mira dhe të paharrueshme.
Rëndësia e trilogjisë “KTHESA HISTORIKE”, edhe nëse nuk është trajtuar aq sa e ka merituar, është tek e vërteta, se në këtë trilogji është thënë e VËRTETEA E MADHE për LDK-në dhe për Kosovën. Në anën tjetër, duhet të shpresojmë se fati i veprës së mirë, njihet e shijohet pas dekadave të tëra, (jo në kohën e autorit), veçmas kur ka rrëmuja e rrëmete si tek NE, dhe veçmas kur misione të caktuara kanë tendenca për ti përmbysur të gjitha vlerat që e kanë bërë “Epokën e Vet”.
Nga kjo që trajtuam, besoj, më së paku i ka hije shoqërisë sonë demokratike të sillet me kaq mospërfillje, jo vetëm me protagonistët e “Epokës së LDK-së”, por edhe me Jusuf Buxhovin, i cili me punën e tij e ka bërë veten të njohur. Jusuf Buxhovi, është personalitet i cili e ka bërë në disa vëllime edhe “HISTORINË E KOSOVËS”, ashtu siç e ka bërë në kohërat më të errëta “Epokën e Madhe të LDK-së“!…
23-24 dhjetor 2021.