PËRGJITHMONË VETËM MIRËNJOHJE PËR KONGRESISTIN ELIOT ENGEL

0
223
Eliot Engel - official photo portrait

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Pas 32 viteve në Kongresisn e Shteteve të Bashkuara, i votuar për 16-mandate nga votuesit e zones elektorale numër 16 në New York — për herë të parë në moshën 41 vjeçare — Kongresisti dhe miku i madh i shqiptaraëve dhe njëri prej mbështetevse më të dalluar në Kongresin amerikan të drejtave të shqiptarëve kudo, Z. Eliot Engel i dha fund karierës së tij politike në Washington, si anëtar i Kongresit dhe Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Punët e Jashtme.

Në fjalimin e tij lamtumirës që mbajti në Kongres me 17 dhjetor, Eliot Engel tha se ishte tepër i nderuar që ka shërbyer si anëtar due veçanërisht, vitet e fundit, edhe si kryetar i Komisionit të Jashtëm të Kongresit. Ai rrëfei në fjalën e tij, se kur kishte filluar karieren e tij në Kongresin amerikan në vitin 1989, Kryetari i Kongresit në atë kohë, Tom Foley i kishte kërkuar që të jepte tre preferencat e tija se në cilin komision të Kongresist do të dëshironte të shërbente. Ai tha se përgjiga e tij kishte qenë se vetëm dëshironte të shërbente si anëtar i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, me shpresën se, eventualisht, do të caktohej si anëtar i këtij komisioni.

Faqja e parë e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005

Ai tha se qysh në rini kishte zhvilluar një interesim për çeshtjet ndërkombëtare, kryesisht për arsye të origjinës së tij. Gjyshat dhe gjyshet e tij ishin imigrantë nga Ukraina, tha ai, të cilët emigruan në Amerikë, duke shpëtuar kështu jetën e tyre dhe të familjes, për ndryshe, shtoi ai, ata me siguri do të ishin zhdukur në holokaustin e Luftës së Dytë Botërore. Amerika, vazhdoi Z. Engel, ka qenë dhe është një strehim për njerëzit e vuajtur.

Ai kujtoi vitet e fëmijërisë dhe ditë studentore në periudhën e Luftës së ftohtë, kur mësonte për Amerikën, si një fener i lirisë dhe i demokracisë në botë, për të luftuar dhe për të kundërshtuar një regjim të një ideologjie komuniste shtypëse. Por bindjet e tija u formuan gjatë viteve të rinisë së tij nga babai i tij, një anti-komunist i përbindur. Ai ka besuar dhe beson, shtoi Z. Engel, se Amerika mund dhe duhet të jetë një forcë për mirë në botë dhe se beson bindëshëm në vlerat amerikane që mbështesin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor kudo në botë.

Ishin këto vlera dhe bindje që bënë kongresistin e ardhëshëm në vitin 1989 që të interesohej për të drejtat dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Në fjalimin e tij lamtumirës në Kongres, Zoti Engel përmendi shumë nga arritjet dhe sukseset e karierës së tij 32-vjeçare në fushën e politikës së mbrendshme dhe të jashtme duke filluar listën e gjatë me interesimin dhe veprimtarinë e tij për çeshtjen e Kosovës, si një prej çështjeve ndërkombëtare, për të cilën mendonte të luante, ç’prej fillimit, një rol “për të ndryshuar gjendjen” për më mirë atje, siç u shpreh ai.

Kronika e Gazetës Illyria 19-21 Korrik, 2005 për vizitën e delegacjonit të Këshillit
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA/NAAC) dhe Kongresistit Eliot Engel

Në fjalimin e tij, Z. Engel përmendi mikun e tij prej dekadash dhe aktivistin e dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Harry Bajraktari, si personin i cili e njoftoi për gjëndjen e rëndë në Kosovë, në atë kohë, dhe njeriu i cili e njohu me komunitetin shqiptaro-amerikan, komunitet i cili do i rrinte pranë dhe do e mbështeste deri në ditën e fundit të karierës së tij. Kongresisti Engel ishte dhe vazhdon të jetë ndër ata politikanë amerikanë që beson se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë në krye të përpjekjeve në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.

“Unë gjithmonë kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin dhe në veçanti për Kosovën”, nënvijoi Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. “Në vitin 1999, unë kam mbështetur fuqimisht ndërhyrjen e Administratës së Presidentit Klinton në Ballkan, ndërhyrje, që tani e dimë se ka parandaluar një gjenocid të vërtetë. Që atëherë, unë kam vazhduar të jem një kampion i sovranitetit të pavarësisë së Kosovës. Ai vend ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe tani Kosova njihet nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë kombe të tjera të rëndësishme”, tha Z. Engel në fjalimin e tij lamtumirës. Puna e tij për Kosovën i tha Z. Engel gazetës the Washington Post, ishte një veprimtari, “kundër një gjenocidi që po ndodhte në zemër të Evropës.”

Nëqoftse më lejohet një shënim personal me këtë rast, pasi kam pas nderin dhe privilegjin ta njihja nga afër por edhe të punoja me Z. Engel dhe stafin e tij, sidomos gjatë kohë që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar shqiptaro-amerikan. Unë e kam njohur Z. Engel si njërin prej antarëve më të vendosur dhe më parimorë, në vazhdimësi, të Kongresit amerikan kur vinte puna tek Kosova dhe çështjet shqiptare në përgjithësi.

Në parlamentin e Republikës së Kosovës

E kam thenë edhe herë tjera se është e vërtetë se, sidomos, gjatë 50-viteve të fundit, shqiptarët kanë pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane dhe nga të dy partitë kryesore — republikanë e demokratë — nga presidentë e senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve, kur shqiptarët ishin në një prej orëve më të zeza të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur t’a vemë në dukje, nga koha në kohë. Por, mund të them me bindje të plotë se, si asnjë tjetër politikan amerikan — megjithë qëllimet e mira dhe punës së tyre të mirë që kanë bërë në favor të shqiptarëve gjatë viteve–nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel, i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin më të madh: si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare të tijën, si një çështje e lirive dhe të drejtave bazë dhe dinjitetit njerëzor.

Thonë se mënyra më e mirë të njohësh dike është që të udhëtosh me ta. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA/NAAC) gjatë mandatit tim, kishte vendosur së bashku me zyrën e Kongresistit Eliot Engel që të bënim një turne në trojet shqiptare, për tu njohur edhe më mirë me problemet e shqiptarëve në trojet e veta. Vizita — e vetmja e këtij lloji — për të cilën gazeta Illyria e Nju Jorkut, (shiko foton më poshtë) pat botuar një kronikë të gjatë me foto nga takimet e shumta të delegacionit të (KKSHA) dhe Kongresistit Eliot Engel me udhëheqsit shqiptarë, pat bërë një jehonë shumë pozitive në Shqipëri, Kosovë dhe në Mal të Zi, nga data 2 deri 10 Korrik 2005. Në atë kohë, Kongresisti Engel kryesonte grupin
e interesave shqiptare në Kongres (Albanian Caucus) me anëtarë demokratë dhe republikanë.

Duke u këthyer nga vizita që patëm bërë në trojet shqiptare, ndodha që në në fund të vizitës, në aeroplan për në Nju Jork të isha vetëm unë me Zotin Engel due djalin e tij, ashtuqë pata mundësi të bisedoja gjerë e gjatë me kongresistin për hallet tona — në një atmosferë më të relaksuar due jo formale. Më kujtohet se me atë rast më ofroi ndihmën e tij të pa kursyer, sidomos në marrëdhëniet e KKSHA-s me Kongresin – duke më thenë se zyra e tij ishte e hapur për mua si drejtor i NAAC-ut dhe se stafi i tij në Washington dhe në Nju Jork do ishin gjithmonë në dispozicionin tim, kur të kisha nevojën e tyre, si organizatë dhe si komunitet.

Fatkeqësisht, me largimin e kongresiststit Eliot Engel nga Kongresi, interesat dhe çeshtjet shqiptare në Kongresin amerikan mbeten pa përfaqësues të nivelit dhe të interesimit siç kishte Eliot Engel për shqiptarët, për 32 vjet. Me largimin e Kongresistit Eliot Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara humbë shumë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, pasi jo vetëm që i njihte mirë punët e Ballkanit, por për më tepër kishte vërtetë një përafërsi me dhe përkushtim ndaj të drejtave të mohuara të shqiptarëve gjatë dekadave.

Mungesa e tij në Kongres, nevojitë një ndërmarrje të re dhe urgjente nga komuniteti si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, për një rishqyrtim serioz të boshllëkut të madh që ka lenë largimi i Zotit Engel nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara – një boshllëk që mund të ketë pasoja serioze negative për situatën e përgjithëshme në Ballkan dhe për marrëdhëniet — deri tani të ngushta –midis Shteteve të Bashkuara dhe dy shteteve shqiptare.

Thank You, Congressman Engel, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të kaluara. Falënderime dhe Mirënjohje përgjithmonë, Z. Engel, për miqësinë dhe për mbështetjen tuaj historike për të drejtat e Kombit shqiptar anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Falënderimet tona të përjetëshme dhe përgjithmonë mirënjohje për Ju!