Përqasje rreth realitetit politik!

0
339
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 07.06.2020

Ne shqiptarët, si njëri ndër popujt më të vjetër, sikur të kishim afinitetin e bashkimit, dashurisë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit siq e kemi të zgjuar ndjenjen e urrejtjes, të ndarjes dhe përçarjes, sot do të ishim njëri ndër popujt më të fuqishëm të botës së civilizuar dhe faktori kyq i të gjitha zhvillimeve politike jo vetëm në Ballkan por në mbarë kontinentin Evropian.

Realitetin e mbrapsht të krijuar në Kosovën e pasluftës nuk mund ta ndryshoj një njeri i vetëm, sado i menqur dhe i ditur, sado i pushtetshëm, qoftë ky lider partiak apo fetar, kryeministër apo president shteti.

Ndryshimi mund të arrihet më angazhimin e të gjithë faktorëve njëkohësisht dhe bashkarisht; pushtet dhe opozitë, të rinjë dhe pleq, burra dhe gra, fshat dhe qytet, shoqëri civile, bashkësi fetare, organizata qeveritare dhe jo qeveritare.

Se a jemi në rrugë të mbarë drejt ndryshimit pozitiv apo jo, e dëshmon situata aktuale nëpër të gjitha subjektet tona politike.
Ndarja dhe përçarja e elektoratit në dhjetëra parti politike, iniciativa qytetare, nisma dhe grupacione tjera politike sikur në kohën e principatave, është bërë dukuri e zakonshme, e sidomos në prag të fushatave zgjedhore dhe pas tyre.

Gjuha e urrejtjes mes partnerëve pas prishjes së koalicioneve qeverisëse, është barometër i saktë i gjendjes reale në të cilën ndodhet skena politike dhe shoqëria kosovare në përgjithësi.

E gjithë kjo ndarje dhe përçarje po ndodhë si shkak i mosprofilizimit të subjekteve politike dhe lidhjes së panatyrshme të koalicioneve qeverisëse.

Përgjatë viteve të shkuara na ka rënë shpesh të përballemi me situata të paçarta politike, kur nuk është ditur kush në të vërtetë është pozitë dhe kush tjetër opozitë në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Sesa i vështirë dhe i mundimshëm është ndryshimi i realitetit të krijuar në Kosovë, e dëshmon periudha e pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Situata e krijuar e ngërçit poltik pas mocionit për shkarkimin e qeverisë, erdhi si pasojë e shkaqeve të sipërpërmendura, ku partia fituese e zgjedhjeve në pushtet (LVV) me çdo kusht dhe çdo çmim dëshironte të mbante edhe më tutje pushtetin edhe përkundër shkarkimit të qeverisë në kuvend.

Kalimi i çështjes së mandatarit në Gjykatën Kushtetues, jo vetëm që ishte i panevojshëm, ishte humbje kohe dhe bllokimi i panevojshëm i institucioneve të shtetit.

Ndryshimi politik në vendin tonë nuk vjenë përmes gjykatave dhe as ndërhyrjeve arbitrare nga jasht, por përmes reformimit të vet partive politike në radhë të parë, profilizimit të tyre dhe vetëdijësimit të elektoratit kosovar.

Kur interesi personal i paraprinë atij kolektiv, shtetin e merr dreqi

Sa më parë të hiqet nga kokat e liderëve partiak ndjenja e bajraktarizmit, karrierizmit, ndjenja për pasurim dhe e hakmarrjes personale përmes pushtetit aq më shpejtë do të arrihet ndryshimi i gjendjes ekzistuese.

Vënja e interesit personal para interesit të shtetit ishte prioritet i të gjitha qeverive të paluftës, respektivisht i 6 legjislaturave të deritanishme e deri tek jo e fundit e Kuvendit të Kosovës, ku të zgjedhurit e popullit (deputetët) në vend të mbrojtjes së interesave të qytetarëve u shndërruan në instrument të liderëve partiak, duke mos qajtur asnjëherë hallin e qytetarëve, fatin e parasë publike dhe as të ardhmen e shtetit.

Si pasojë e kësaj situate, e kemi këtë gjëndje tejët dëshpruese dhe të pashpresë në vendin tonë. Kështu pra, jo vetëm nga “çlirimtarët” dhe “institucionalistët”, por së fundmi edhe nga “revolucionarët” për 21 vjet rresht shteti i Kosovës u trajtua si plaçkë lufte e jo si atdhe i politikanëve qofshin ata në pushtet apo opozitë.

Derisa të bashkjetojnë; e mira dhe e keqja, drejtësia dhe padrejtësia, vlerat dhe antivlarat, …vetëm të varfërit do të mbetën të vetmuar dhe harruar nga supermenët e politikës deri në një proces të rregullt zgjedhor, kur milionerët t’i “pastrojnë” xhepat e tyre nga paratë e pista, … për të mos e blerë elektoratin e varfër kosovar.

Një ngjizje e re politike, shkëndijë shprese për ndryshim

Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën e afërt identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë, atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin, toleranacën, …tani janë kthyer në njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnik në tradhëtar, nga besimtar në fanatik fetar, nga politikanë në biznesmen matrapaz, nga mbrojtës të pasurisë shoqërore në shkatrrues të ardhmërisë!

Politikanët e papërgjegjshëm, Kosovën nga një vendi i shpreses dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ëndërrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma palindur.

Zëri i ndërgjegjës kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjën e atdhetarëve me gjak të pastër shqiptar, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe njëherë sikurse në fillimvitet e ’90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve dhe matrapazëve, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona kombëtare.

Ndryshimet substanciale në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë, mund të arrihen vetëm me bashkimin e kapaciteteve intelektuale të qenjes sonë kombëtare, me bashkimin e të gjitha forcave progresive, të resurseve të shëndosha dhe të padjallëzuara njerëzore të vendit tonë.

Ngjizja dhe krijimi i një force të re politike nga elitat e pastra intelektuale, nga veprimtarët dhe patriotët e vërtetë konformë rrethanave kohore dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare është imperativ i ngutshëm kohor dhe i vetmi shpëtim për vendin.

Forca e re politike nuk guxon të jetë vazhdimësi dhe as levë e asnjë subjekti politik ekzistues. Ngase secila nga subjektet aktuale politike, për të mirë apo për të keq e kanë kryer të vetën, …pragmatizmi dhe patrioztizmi i tyre përfundon fillon dhe përfundon marrjen e pushtetit.

Vetëm ardhja në pushtet e një klase të re dhe të përgjegjshme politike, me figura të reja e jo të ricikluara, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenje qytetare si dhe do të përmirësonte imazhin e rrënuar të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.