PËRRALLË E BUKUR MBI REFORMAT

0
355
Brahim Avdyli - foto nga një i rastësishëm - pranë dhomës së tij në Zürich-Bellvue

Brahim Avdyli – foto nga një i rastësishëm – pranë dhomës së tij në Zürich-Bellvue

Brahim AVDYLI:

(tregim ironiko-satirik)

Familja jonë ishte pothuajse e vetmja familje në fshat, e cila, njëfarë parimi të saj nuk po e ndryshonte. Ky farë parimi mbeti përgjatë vitesh i pandryshuar. Ai kishte të bënte me përfaqësuesit direkt të pushtetit dhe babain, në saje të qëndrimit të tij rigoroz. Atij, kurrsesi nuk mund t`ia theje mendjen e të ndryshoje as më të voglën pjesë të këtij parimi. Nuk mbahej mend të kishte lejuar për të kapërcyer pragun e shtëpisë sonë farë ushtaraku, milici, rojtari pyjesh apo tagrambledhësi. Kësaj kategorie ia kishte bashkangjitur edhe vozitësit, kondukterët, disa tregëtarë të njohur që kishin prestigj në fshat, dhe posaçërisht, pronarët e kafeneve private. Po në këtë radhë i fuste edhe shumë të tjerë, të cilët shiteshin si agallarë e bejlerë, e ku ta di unë se çka mund të shiteshin.

Ajo që e bënte edhe më të kundërshtuar, ishte fakti se babai qëndrimin e tij nuk e fshihte. Arësyetimi i tij ishte se një gjë të tillë nuk e bënte me ndonjërin, për shkak të ndonjë urrejtjeje, apo çka do, por thjeshtë me mendimin se vetëm larg të tillëve njeriu mund të hante një kafshore bukë rehat në punët e veta. Secili nga ata që thirrnin, detyrohej të priste para dyerve të oborrit, të cilat ishin të mbyllura. Sado që unë përpiqesha t`ia shpjegoj se kjo do të thoshte “t`ia mbyllësh dyert fatit”, ai nuk lëvizte një fije floku nga tradita e vet. Çdo gjë që kishte për diskutim, e thoshte hapur e në mbledhjen e fshatit. Tubimet e tilla rrallë shpëtonin pa fjalët e tij, të cilat të gjithë i merrnin si me tallje.

Shih për vesin e tij, asnjëherë nuk e kishin zgjedhur si udhëheqës, e as si përgjegjës të rendit të ujit. Madje, nuk ishte bërë as anëtar i Lidhjes Socialiste apo Komuniste. E për këtë gjë rrallë flitet, por unë po e them pa asnjë frigë, sepse janë fakte!…

Edhe pse të gjitha këto mund t`u duken qesharake, u rrita nën këtë faktor pengues e të disfavorshëm. Shpesh fliteshe në fshat “është bir i filanit”. Ndonëse unë mendoja krejt të kundërtën dhe pak kush i besonte kësaj kësaj pune. Megjithate, nuk më kishte mbetur tjetër pos të thelloja edhe më shumë hendekun. Ky thellim më shpuri deri te pajtimi i plotë me qëndrimin e fshatit ndaj babait tim, sa që kur fillonin shpotitjen, unë gjëja ndonjë fjalë konkrete për ta theksuar akoma më shumë.

Pastaj ndryshuan edhe raportet tona. Fshatarët filluan t`i thonë babait:

“Ore Sokol Islami, a po e sheh ç`farë djali i mençur po të bëhet! Nuk kanë thënë kot të parët, prej të mirit del i keqi, prej të keqit- i miri.”

“Askujt s`ia kam ba të keqen qebesa!”– u përgjigjej ai.

“Veç e keqja e vetes je kanë o Sokol! – përgjigjej ndonjëri. “Shyqyr djali po të bëhet plot sherr dhe do t`ia shohësh hajrin. Do ta bëjmë sekretar partie!”

Kështu thuhej. Fshati ynë kishte një natyrë karakteristike: sa i përket konfiguracionit tokësor; e sa i përket botanikës mbi të cilën sundonim. Njeriu i fshatit tim vërtetë sundonte mbi natyrën, në të gjitha aspektet. Po të ngriteshe në një lartësi të madhe e t`ia lëshoje sytë hapësirës rreth e rrotull fshatit, mund ta fitoje përshtypjen se një sfinks i madh prej mija duarsh të padukshme po e fuste natyrën në një evoluim aq të ngutshëm. Këtë ndryshim të përditshëm, apo të përnatshëm, me ndikim direkt në ekologjinë, po e zhvillonin krejt padukshëm duart e fshatarëve tanë me mjetet më të thjeshta, për të mos thënë me mjetet më primitive.

Fotografia 2 – nga një i rastësishëm pranë dhomës së tij në Zürich-Bellvue

Merre me mend çka do të thotë të zhdukësh një natyrë pyjesh të dendura me një “instrument” aq të thjeshtë, siç është një copë hekuri në një copë dru, dhe të arrish ate që as shkenca moderne nuk e arrinë dot: këmbimin e verës në dimër. Në saje të kësaj, edhe standarti i shumë familjeve, të cilat e mbanin vetën si familje me “nam e nder”, ndryshonte gradualisht. Ai, po ngritej më lartë. Në mbledhjet e fshatit, vërtetohej fare mirë, askush nuk e kishte prerë pyllin e vet.

Sidoçoftë, në një fenomen të tillë, ta quajmë ekologjiko-material, vetëm familja jonë nuk merrte pjesë, madje pikërisht në saje të kryeneqësisë së babait. Të tjerët përfitonin, ndërsa ne mbeteshim asgjëkundi. Mezi e nxirrnim bukën e gojës.

Po ta pyesje plakun, ai të përgjigjej si një kompjuter:

“Më mirë bukë e kryp me nder, se mjaltë pa nder!”

E kush e kishte fjalën për diçka të turpshme. Turpin se pranonte njeri nga fshati. Madje, të gjithë mbaheshin më të ndershëm se ne. Po t`u hyje në shtëpi, të gjithë kishin diçka. Ndërsa arka jonë ishte e zbrazët. Si e tillë, ajo përmbante, po them për mendimin tim, turpin më të madh brenda. Ishin pikërisht këto që më shtynë të thelloja hendekun në mes të mendimeve të mia dhe të babait. I shkreti! Po plakej me një palë mend të trashëguara nga gjyshi e nuk po e kuptonte se normat morale të popullit kishin ndryshuar shumë.

Çfarë dikur ishte si e shenjtë, tani nuk blehej për pesë groshë. Në saje të përpjekjes sime evolutive, arrita të inkuadroj shtëpinë tonë në komunitetin e fshatit, madje më zgjodhën në pleqësinë e Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës. Kështu, pos barrës së madhe të shtëpisë, më ra një pjesë jo e vogël e barrës së fshatit. Edhe kësaj radhe, luftën më të madhe e kisha me pikëpamjet e vjetëruara të babait, i cili, si dukej, ishte i vetmi që e pengonte transformimin socialist të fshatit.

Ku mund të pajtohesha unë me ato farë norma të nderit e të besës, të burrërisë e të karakterit, të fesë e të atdheut, etj, kur fshatarët e mi nuk kursenin as formën dhe as mjetet për përparimin individual e privat. Jo rastësisht, ne e quanim “transformim socialist vetqeverisës të fshatit”. Pra, në radhë të parë i nevojitej fshatit një njeri zemërgjërë, që nuk e pengonte askend të zgjedhte mjetet e format me të cilat do të siguronte përparimin e familjes së vet. Ata që nuk dinë të mbajnë veten, ç`i duheshin fshatit apo atdheut, apo socializmit?!…

Nuk e kuptoja se si ndodhte kjo gjë pikërisht me ne. Mendimet e vjetra të babait do të më nxirrnin nga rruga e sapofilluar dhe do të na sillnin në një varfëri më të pakapërcyeshme. U detyrova të zhvilloj një formë të atillë të veprimit, i cili qe, që me fjalët e babait të vrisja mendimet që thoshte ai. Kjo punë e imja, jo vetëm se filloi të jepte mirëfilli rezultate, por kishte edhe kënaqësinë e vet të brendshme. Fshatarët e ngritur e kuptonin fort mirë punën time dhe ma vlerësonin talentin politik:

“Nuk ka bre ma të zgjedhun se Harun Sokoli, për politikë! Asht i lindun krejtë me atë zotësi! Besa, do shkollë e ka, s`asht pak gimnazi! Sa për at studentin e tyne, fshatit nuk ka çka i duhet. Këta që bajnë shkollë të madhe, po i pshtjellojnë në jetë pak librat!…”

Kjo ishte fjala e popullit. Këtu vjen në shprehje forma e vendit. Kështu, edhe në familje filloi të dominojë vota ime. Përjashtim bënte vetëm vëllai i vogël, që kishte filluar të shkarravisë dofarë vjershash. Si duket, vërtetë po e humbte orientimin dhe po bëhej viktimë e leximit të tepërt. Gratë tona nuk hynin në rendin e votimeve, sepse detyra e tyre ishte që të ziejnë e të gatuajnë sa më mirë. Në fund të fundit, shoqëria jonë moderne ua kishte ngritur mendjen dhe ato më me dëshirë flisnin për stolirat e nuseve të rrethit; për rrobet e modës; për lirat e Stambollit; për të qëndisurat e tyre, se sa për nevojat e shtëpisë. Për shtëpinë, kujdesen burrat.

Koka e maleve të larta-në një mbrëmje-pa perënduar dielli

Por, mjaft u fola për këto gjëra sekondare, që nuk kanë të bëjnë me ngjarje konkrete. Rastisi puna dhe mbetëm pa copë druri në oborr. Malin tonë e kishte prerë babai vite me radhë, duke mos dashur të zgjasë dorën në pronën shoqërore, apo siç e quanin “sektori shoqëror i pyjeve”. Madje, ai kishte filluar të transformojë malin, duke i lënë të rriteshin gështenjat. Druri i gështenjave ishte një dru shumë i dobët për zjarr. As nuk digjej dhe as nuk të nxente. Pasi u dridhëm disa ditë nga të ftohtit, vendosa ta thërrash Dash Bungun në shtëpinë tonë.

Ky ishte rojtari i ri i pyjeve, i cili, si i ri, nuk e njihte sa duhet terenin e caktuar. Rojtari i vjetër, kishte gjashtë muaj që kishte vdekur nga një sëmundje e shpejtë dhe e panjohur. Të gjithë pajtoheshin se ka qenë burrë i mirë, i zoti, i dashur dhe i sjellshëm. Vetëm babai im ishte zënë me te disa herë, duke e kritikuar në çdo mbledhje për shkatërrimin e pyjeve nën hundën e tij. Madje e quante pijanik e të pafytyrë, që në vend se të ruante pyjet, sillej prej kafes e në kafe.

Kjo shkaktoi një hasmëri të sertë, prej të cilës më së ligu e pësoi shtëpia e jonë. Sa herë u dënuam për “dëmtimin e pasurisë shoqërore” me anë të bagëtisë, pasi askush nuk e besonte se lopët tona nuk kullotnin fare në sektorin e shtetit. Ishte vërtetë miku i parë i gotës, por në këtë profesion nuk ishte kurrë i vetëm. Ishte së bashku me pushtetin…

Kur ai vdiq, i la në pikëllim shumë shokë të tij, të gjithë funksionarë lokaliteti e më tutje. Midis tyre, vetë drejtori i ndërmarrjes së pyjeve.

Më kujtohen fort mirë fjalët e tij shumë të zgjedhura, që ia tha të ndjerit në varrim (në të cilën, unë nuk mungova kurrsesi. Madje, i tërë fshati më lavdëroi për këtë punë!):

“… Re si hero në krye të detyrës, o i pavdekshmi Malë Rezili! Ti ishe komisar i jetës së re dhe kurrsesi vetëm një rojtar pyjesh. Ishe komisar i pathyeshëm në luftë për të ardhmen tonë progresive, vetqeverisëse e socialiste. Ndaj, bridhje pyjeve nëpër breshër e furtunë. Por, moti i lig, të ftohtit, nata e pabesë, dhe një pagure në xhepat e palltës sate, ta bjerrën shëndetin aq të nevojshëm për ty dhe ndërmarrjen tonë! Shkove o Malë, shkove si hero i punës socialiste, duke na lënë të pashlyer shembullin e një punëtori të shkëlqyer; një aktivisti të palodhur të aktivit të Lidhjes Komuniste të Ndërmarrjes sonë; një prindi të dashur; të një miku të veçantër e të pakrahasueshëm!…”

Lisat dhe dielli-simbole të jetës sonë…

Këto fjalë, i patën prekur të gjithë. Nuk e di sa veta qanin duke i dëgjuar ato. Vetëm vëllai im poetush, për mua magarush, i përqeshte:

“Një nekrolog bajat; një mashtrim i përkryer; një gënjeshtër e fëlliqur për një spiun malesh! Për një krijesë të tmerrshme, i cili nuk ka lënë askënd pa marrë nëpër gojë!” (Etj., etj.)…

“Po të gjithë e donin, ore torollak! Kush u ankua në Malë Rezilin, hajt thuaj?!” – e kundërshtoja unë, me gjithë energjinë time.

“Të gjithë ata që i ka hedhur nëpër duar e pushtetit! Ja, të gjithë ankohen! Vetëm se ata nuk kanë përpara kujt të ankohen, përderisa miqtë e tij sundojnë vendin! – turfullonte ai.

Dorën në zemër, ishin ca fshatarë që nuk ia donin të mirën. Disa të tjerë, që filluan të ankohen pas vdekjes së tij, se si po shndërrohej në një fushatë. Miqtë e tij natyrisht, nuk merrnin pjesë në këto ankime. Ata rrinin mënjanë dhe rrallë e merrnin fjalën. As unë nuk po e kuptoja përse bëhej një gjë e tillë. Për mua, kjo gjë nuk më preokuponte shumë. Kisha hallet e mia, ore burrë! Për të mos ua zgjatur, e thirra Dash Bungun një ditë, mu kur nuk ndodhej plaku në shtëpi. Ai erdhi së bashku me një shoqërues, në rroba civile, të cilin, nuk e njihja.

“Bujrum Dash Bungu e mirë se të ka pru i lumi Zot!” – i thashë në derë të oborrit, sa ia hapa.

“Jo bre jo, faleminderit, se nuk kemi kohë!”– u ankua ai plot naze.

“Leri bre vëlla këto fjalë e futu brenda, se vetë të kam thirrë!” – i ktheva me të shpejtë duke e zënë fuqishëm për krahu.

Kur vhyri në odë të burrave, e ula në sungjer të butë e të mbuluar me sexhade, në ballë të oxhakut; ia futa një jorgan pas shpindës që të mos mbështetej për muri; ndeza stufën me do copa dërrase të thatë ( ah, po ta mirrte vesh babai për dërrasën, do të çmendej!); i dhashë duhan të kutisë; e ia prura menjëherë një kafe…

Mos ta zgjas, e prita si është më së miri. Të gjithë vëllezërit i thirra në dhomë, madje edhe shkollovani i ynë ngadalë erdhi.

“Çlirohu bre burrë!” – i them unë. –“Si në shtëpinë tënde!” – kur e pashë se po druhej.

“Faleminderit shumë!” – tha ai duke u dridhur. – “Por të them të drejtën nuk e kam për sifat[1] të futem nëpër konaqe. Kam krejt pak kohë në këtë teren dhe detyrën e kryejmë ashtu si duhet: maleve. Më erdhi zor[2] që ta prish qejfin[3], dhe prandaj hyra. Se, për zotën, nuk kisha pranuar kurr t`i shkel parimet e detyrës sime!”

“Më vjen shumë mirë që patëm rast të njihemi!” – shtoi shkollovani im.- “Edhe mua më pëlqejnë shumë njerëzit parimorë! Gëzohem që pasuesi i detyrës së Mal Rezilit nuk pranon të shkel parimet e veta, mandej përpiqet të jetë sa më konseguent. Të lumtë, të lumtë!” – shkëlqeu pëllumbi ynë.

Nuk pata kohë t`u them të gjithëve çka duhet të flitshin. Oda ishte odë e burrave. Harrova se aty ia kishte dhënë shpesh të drejten të flasë babai. Më ra ndërmend se ai fliste “me shkollë”, e ne jetonim në male!

“Mos ja vë veshin, o Dash, këtij vëllai të vogël, se ka lexuar shumë e flet ndonjëherë si ata herojt e romaneve. Edhe ajo fjala kon-se-gu-ent mos të ta prishë gjakun, se nuk është ndoj fjalë aq e rëndësishme!” – thashë me të shpejtë, duke patur frigë se ky budallai im na prishë punë e na lë pa dru, si i ati. Taksa e prerjes së druve ishte rritur aq shumë sa nuk ia vlente barra qirasë të paguaje taksën e të merrje lejen. Mua më nevojiteshin sigurisht shumë kubikë, sepse djegnim në pesë vende. -“Sa për të ndjerin Malë, mund të them se ka qenë një njeri shumë i mirë!” – e plotësova.

Një rrugë fshati dhe pamje e bukur-me mjegull e diell

“Po, po. Ka qenë shembulli më i mirë i shkeljes së normave ligjore, njerëzore, shoqërore… Shembull tipik i papërgjegjësisë së punës së ndërmarrjes; i kontrabandës në dëm të pasurisë shoqërore; i destruktivitetit në llogarinë e natyrës së bukur malore… Për mua, ka qenë njeriu më poshtër e më tipik!” – ia shkrehu përsëri shkollovani im.

“Hy teveqel!”[4] – i bërtita unë. – “Si guxon të flasësh kështu për një burrë që ka vdekur dhe është varrosur me nderimet më të mëdha!”

“Sepse, tërë rrethi e di se detyrën e tij që e kryente në kafen e Brahim Shabanit, duke pirë natë e ditë me komandirin e milicisë, ndërsa çekani i druve i shetiste fshat më fshat, nëpër duart e atyre që ia paguanin mezen. Pra, nëpër duart e hajnave, maskarenjëve, armiqve të natyrës e të shoqërisë! E të tjera… Qe, pse i thashë këto!” – u ndez kokëshkreti përsëri.

“Ore hajvan!”[5] – e mora pak si me të butë, sado që më vlonte zemra. –“Njolla të tilla është mëkat t`ia hedhësh një burri si ai. Po të ishte gjallë, nuk do t`ia thoje as një gjysmë fjale! Si nuk të vjen turp të flasësh kaq keq para një miku, për një njeri të vdekur?!”

“Turp duhet t`i kishte ardhur atij të merrte rrogë nga pushteti, që të ruaj malet tona dhe mos të plaçkiste pasurinë e këtyre maleve, bashkë me hajdutët më të ligj! Turp duhet të kishte patur ai, e të mos rronte si beg, në saje të rrushfetlinjëve të pandershëm, gju për gju me laviret e kafeneve! Turp duhet t`i kishte ardhur atij, që sorollatej konak më konak, derisa me lejen jozyrtare të tij priteshin qindra hektarë malesh! Por ai, tanimë, nuk është i gjallë, por ndër varre!!” -kundërshoi shkollovani ynë, me zë të fuqishëm.

“Mbylle të them, se të shkatërrova!!” – ia rrudha, duke iu matur me një të shkurtuar zjarri. E pat edhe kjo punë- mendova.

Ma punoi papritur budallai im! Sa u gëzova që nuk ndodhej i ati, por qëlloi i biri. Thashë, nuk bëhet punë më me Dash Bungun.

Shiko si i ka hapur sytë. Edhe i shoqi i tij, po del këso toke, nga fjalët e hajvanit tim.

“Posi, posi, do ta mbyll!” – u prek në sedër poetushi im. – “Do ta mbyll përgjithmonë, pasi vetë mi dogje shënimet që kisha mbledhur për ta hedhur në gazetë. Atëherë, ti ishe ai që mbuloi të vërtetën. Kuptohet, tani përpiqesh të ma mbyllësh edhe gojën!”

“Ndoshta është më mirë po ta lësh të flasë edhe vëllain tënd, o Harun Sokoli!” – vetëtiu papritur Dash Bungu. – “Po më duket se e kishte me vend! Me ta thanë të vërtetën, nuk e pash se tha diçka të pavërtetë. Mirëpo, si të them, vëllai yt nuk tha veçse një pjesë të vogël të fajeve të Malë Rezilit”, – vazhdoi Dashi pak me vështirësi.

“Si ashtu, more burrë?!” – u zura në befasi unë.

“Po, po!” – u zgjidh në gjuhë Dashi. – “Vëllai yt përfoli vetëm një pjesë nga karvani i mëkateve të Malë Rezilit. Mua më vjen shumë mirë që pata rast ta njoh vëllain tënd! Qenka xhevahir[6] djalë!” – dhe dorës ia bënte taman sikur të godaste me çekan trarët e prerë pa leje, të cilët nuk mund të lëvizeshin nga vendi i vet. Sado që fjalët e tij më prishën gjakun, jo pse e doja aq fort pararendësin e tij, por sepse po ma bjerrnin shpresën që të bëj nja pesë- gjashtë traktora dru, u detyrova të dëgjoj me vëmendje vazhdimin e tyre.

Një rrugë fshati dhe pamje e bukur-në ditë vjeshte

“Shoku Malë, ka qenë figura më negative e ndërmarrjes sonë dhe më i ligu ndër të gjithë rojtarët e pyjeve!” – theksoi Dashi. – “Për figurën e tij ne kemi ditur dhe dimë mjaft fakte! Qindra mijë he-kta-rë u dëmtuan pa plan. Ndërmarrja e py-llë-ta-risë u detyrua t`i pyllëzojë një pjesë të madhe të sipërfaqeve të dëm-tu-a-ra. Në dokumentacionin e ndërmarrjes nuk janë gjetur as një e katërta e pa-ge-sa-ve për shfrytëzimin e tërë atij materiali ndërtimor, të shitjes e të zjarrit. Ne kemi mjaft fakte për moskryerjen e de-ty-rës; për allishverishet[7] e tij me hajnat; për shfrytëzimin e pa-li-gjshëm të pasurisë shoqërore; për keqpërdorimin e besimit të fshatarëve; për ngritjen e qindra akt-pa-di-ve të pa-ba-za kundër njerëzve të pafajshëm, dhe shumë procese tjera të cilat ka arritur t`i zgjidhë Malë Rezili në favor të ndërmarrjes sonë, kryesisht në saje të gjyqtarëve të ko-rru-ptu-ar… Çka nuk kemi ne sot për te?! Për fat të keq, nuk e kemi ate të gjallë që ta gjykojmë e ta de-no-nco-jmë para popullit punojnës!” – përfundoi Dashi me tërë dufin e tij.

Në të gjitha fjalët e ndara në rrokje, e ngriste zërin sa lëkura e ogiqit në të cilën po rrija, më dukej se po ngritej përpjetë. Sytë i nxirrrnin gaca Dashit. Ai, po kallej, pa pritë e pa menduar!

Poetushi im ishte bërë si një poq i madh elektrik dhe vetëm sa nuk vizëllinte nga gëzimi. U befasova!

“Si, ore?!” – pyeta plot keqardhje- “Po a nuk ishin këto vetëm shpifje të hileqarëve?! Ne e kemi njohur si burrë të mirë!” – u shpreha me zë të lodhur, sa për të lehtësuar ankthin, që më rëndonte në zemër.

“Shiko, shiko!” – u shkreh poetushi ynë. – “Ti bëhesh sikur nuk e di të vërtetën! Po a nuk i kishe në duar të gjitha këto fakte në shënimet e mia, madje të ilustruara me fotografi. Po ato të fotografimit ajror, të cilat vetë i dogje, madje në zjarr, a i ke harruar?! A e di sa hektarë u “privatizuan” nga sektori shoqëror përmes këtij fotografimi, nëpër duart e Malë Rezilit, të cilat ua fali me dëshmi të rreme miqve të vet?! Po a nuk the se artikulli im do të vlerësohej si <kontest privat>, meqë ishim grindur me te?!”

“Jo, jo për parcelat e privatizuara u gjendën vendime të drejtorit, porse kolektivi nuk kishte kurrëfarë haberi!”[8] – ndërhyri me të shpejtë Dashi, duke më vënë përfundimisht në mes dy zjarresh. – “Besoni burra, nuk paska gjë më të rëndë se të punosh në një teren ku punëtori pararendës ka bërë shkelje kaq të mëdha!” – u drejtua nga të gjithë të pranishmit.

“Kjo është shumë e qartë!” – u kyq për herë të parë në bisedë shoqëruesi i tij, i cili, si duket, fliste vetëm në raste të caktuara dhe dinte të mbahej si njeri dinjitoz. Vetëm gotat i ngriste me te, duke i cakrruar.

“E provuam vetë, shoku Nezir Tupani!” – ia miratoi Dashi, aty për aty. Ne, e ndëgjuam për herë të parë, se si quhej.

“E provuam sa na erdh në maje të hundës, o Dash Bungu! Ku shkojmë e ku rrimë, vetëm ankesa e gjykime dëgjojmë për Malë Rezilin. Për besë, kishte qenë aq mjeshtër e aq i zgjuar, sa të mos binte kurrsesi në grackë. I tërë kolektivi more betohej në kryet e Malës; në vigjilencën e tij komuniste; në moralin socilalist e vetqeverisës të tij; në punën e ndërgjegjshme dhe të palodhshme….” – shtoi menjëherë Neziri.

“Ama ç`vigjëlencë, e ç`moral të poshtër kishte ai!” – ia shkrepi, duke u ngritur në gjunj, poetushi ynë. Kishte marrë prap guxim nga zoti Nezir. E unë, vetëm e shikova, me çudi.

“Ke të drejtë në një aspekt, nëse nuk teprohet!” – ndërhyri përsëri, madje i gjallëruar Dash Bungu. – “Ai kishte krijuar miq të shumtë dhe në pozita të ndryshme. Në saje të tyre arriti të mbulojë dëmet e shkaktuara. Mandej, nëse bëhemi realistë, ate e ndihmoi pamasë plani i punës së ndërmarrjes sonë, nëpër të qarat e të cilit Mala diti për mrekulli të hidhte rrënjë. Aq më e çuditshme duket kjo punë për një fshatar me një shkollë fillore, sepse ne rojtarët e rinj, e kemi kryer shkollën e mesme të pylltarisë. Atij, një numër jo i vogël i gjyqtarëve, i ndihmuan hapur. Ia aprovuan shumicën e vendimeve, me të cilat shkoi një pjesë e konsideruar e dëmit në sektorin shoqëror dhe u mbulua. Në anën tjetër, këto vendime zgjidhën një sërë kontestesh pronësore me të ashtuquajturat parcela “spor”[9], pronarët e të cilave posedonin njëfarë të drejte mbi to. Kjo e rriti sipërfaqen e sektorit shoqëror në hektarë dhe në sasi të materialit ndërtimor, për gati një të katërtën e sipërfaqeve të dëmtuara, sepse këto prona ishin mjaft të ruajtura. I ruanin edhe pronarët privatë, sepse i konsideronin të vetat, por edhe bashkëpunëtorët tanë, sepse përpiqeshin për rikthimin e tyre. Për këtë, e donte ndërmarrja Malën. Sidoçoftë, kolektivi ynë ka krijuar një komision ratifikues, për shqyrtimin e tërësishëm të punës së tij dhe të ndërmarrjes, i cili po lufton për transformim e tërësishëm të punës”.

“Sa do ta zgjidhte punën ky farë “komisioni”?! Pse lidhur me këtë nuk u shkrua asnjë artikull gazete?” – pyeti i pakënaqur vëllai i vogël, të cilit, kjo pjesa e fundit e bisedës nuk i kishte pëlqyer.

“Lere ti çështjen e këtij komisioni, se do ta kryej punën e vet!” – ia bëra me nervozizëm, vëllait tim, sepse prap më shqetësoi. Kisha frigë se mos më shkonte kot, kjo përpjekje. Vëllai, e ndërroi qëndrimin dhe u mbështet për muri. – “Po si është e mundur të jetë kështu?! Po habitem!” – iu ktheva të ftuarve të mi, me dridhje të duarve.

“Pse të habitesh, ore vëlla?” – ndërhyri Nezir Tupani. – “Ratifikime të tilla kryen e tërë bota. Tek ne, një gjë e tillë është e mundur vetëm pas vdekjes së personit të caktuar. Kjo është rregull e pashkruar, por numër një, e këtyre proceseve të ndërrmarjes sonë! E ndërrmarrja e Pylltarisë, është ndërmarrje serioze!” – u shpreh ai, i kënaqur.

“Çfarë procesesh janë o Nezir, se nuk e kuptova mirë?!” – pyeta me plot interes. – “<Retifikimet>, ti e the. Po ç`ka janë <retifikimet>?!”

“Ratifikimet[10], e thashë. Këngë e gjatë është kjo, o Harun Sokoli!” – dhe e ngriti edhe një gotë, duke e cakrruar me ne. – “Por, për mos e zgjatur, janë vlerësime të tërësishme të gjendjes dhe përgaditje e ndryshimeve që duhet të bëhen, në një mjedis, ne një ndërmarrje, apo në tërë shoqërinë. Pra, priten ndryshime thelbësore!” – përfundoi ai.

“Hajt se kjo punë është temë e gjatë e nuk ndalet kurrë!” – u kthye Dashi.

“Më mirë të dalim në teren, sa nuk jemi vonë, e ta kufizojmë hapsirën që ta kemi caktuar!” – tha Neziri, sepse mund të bëhej mbrëmje. – “Ne e dimë se familja juaj nuk ka prerë kurrë në sektorin tonë, prandaj ua kemi caktuar një pjesë të madhe mali. Do të punoni pak për ne, e shumë për vete. Ti e di se ndërmarrja jonë ka mbjellë me gëllenj një sipërfaqe të madhe. Po, mali është rritur prapë dhe i ka mbuluar. Ju do ta pastroni atë pjesë, duke ndarë drutë e zjarrit në një anë e të hollat në anën tjetër. Të parat ua llogaritim dhe do të paguani taksën përgjegjëse, të tjerat janë të lira. Kështu e kemi vendosur, burrë i dheut, në mbledhje, prandaj erdha bashkë me Dashin. Tash, na lejo të ikim! Për të mirë e në gëzime të ardhshim. Na ke pritur si miq shtëpie dhe nuk do ta harrojmë!” – i dha fund Nezir Tupani. Nuk e kisha marrë me mend një përfundim të tillë, edhe po të ma hiqnin kokën. Aq më pak më shkonte mendja se ky farë civili mund të ishte funksionar i ndërmarrjes së pyjeve. U zura pisk, sa mezi i luta të pinim edhe nga një gotë.

“Për të mirë e në gëzime!” – uroi pas tij edhe Dashi, duke ngritur gëllënkën e fundit të rakisë. U falën me filozofin tonë, të cilin e kishin lënë të hutuar e të befasuar sa nuk dihet, dhe dualëm.

Kur arritëm te dyert e oborrit, Neziri më ndali:

“Shiko, shoku Harun! Ne po shkojmë në punën tonë, e nuk po ngjitemi fare në male. Ne i besojmë familjes suaj, posaçërisht ty. Fillo të hapësh malin prej kufirit të tokës suaj e deri ku ta shohësh të arësyeshme. Kur të përfundosh, na thirr edhe njëherë. Atëherë, do t`i numrojmë drutë! Vetëm që prerjen ta bëni të pastër, ashtu si duhet, rrafsh me tokë, pa i dëmtuar gëllenjt e mbjellur. Aty ku e leni këtë vit, mund të filloni vitin tjetër. Vetëm që të mos kemi telashe në këto anë!”– më shpjegoi me zë të ulët.

E kuptova nga e folura e tij se ishte vetë Inspektori.

“Shumë bukur!” – u shpreh Dashi. – “Familje më të rregullt se ju nuk njohim!… Jeni një familje më njohur në këto treva!” – e më rrahu krahun, para se të përshëndeshim. Shkuan.

Nuk më mbet tjetër, pos t`i përcjell me fjalët më të mira. Edhe pse nuk e kisha ende të qartë si do të rridhnin punët, e kuptova se ishim bërë mjaft të favorizuar. Por nuk shkuan dy ditë e mora një mësim të papritur nga një mik i shtëpisë. Kështu që, problemin e zgjidhëm fare mirë. E para, nën turrat e rremave pati vend për disa qerre drunjësh të zjarrit. E dyta, çdo javë sillja nga një qerre në shtëpi, të përzier me rrema. E treta, më e rëndësishmja, kur e thirra Dash Bungun, e prita me të gjitha të mirat e zotit. Fatlumturisht, “filozofi” ynë nuk ndodhej në shtëpi, sepse kishte shkuar në provime të fakultetit. Kisha shumë frigë për ta filluar bisedën me te. I frigohesha acarimit dhe nuk isha i sigurtë nëse e dinte veprimin tim. Ndonëse fshatarët e tjerë, më të zotë, kishin djegur hektarë të pyjeve, e unë i druaja pjesës sime të fajit.

“I pashë drutë…” – filloi Dash Bungu, pas një kollitje të përsëritur dhe sa nuk më kërcei zemra prej kraharorit. I thashë vetes, ja u bëre gazi i botës. Fqiu yt ka mbaruar shtëpi trekatëshe me lëndët e maleve të shtetit, ndërsa ty do të nxjerrë në rrugë Sokol Islami, për pak qerre me dru. Po të doli nami për të keq, prite pastaj të zezën!

“I pashë drutë dhe i numrova… A di çka, shoku Harun! Ne nuk kemi nevojë të dalim në mal. Do të paguash për 5 qerre taksë, dhe mbaroi puna. Tërheqjen e tyre të fundit mund ta bësh që tani. Ne e dimë se e keni pisk edhe për dru, edhe për të holla. Thamë me vete: sa ishte gjallë Malë Rezili, nuk u ka rënë të shesin asnjë barrë dru në qytet. Kështu që vendosem t`i lejomë edhe nja dy-tri qerre për në qytet.”

“Hajde për të mirë e gjithmonë bashkë!” – shkrepa unë si reja me breshër. Më dukej sikur të ma kishte sjellur pasurinë e tërë fshatit në oborr. E t`ia shtruam pijes në të katërdhjetë e pestat. Paj, kokën do ta kisha dhënë se Dash Bungu del më i mirë se i pari. U nxe Dashi midis pijes dhe hapi dritaren. E t`ja krisi me qifte nja dy herë hava![11] Kur u qetësua pak vala e gotave, si i nxënë pak në faj, pyeti:

“More burrë, sonte mungon studenti juaj? Ku se pamë njëherë me sy?!”

“Ka provimet në Prishtinë! Nuk vjen na tri-katër javë!” – i thashë me gëzim, megjithëse më sillj toka rreth e rrotull, nga pija.

“Ishte djalosh i mirë, por nuk kishte haber, në disa punë!” – shtoi pas pak.

“Ashtu asht qebesa!” – ia miratova. – “E kanë dëmtuar pak librat!”

“Po kështu e kanë disa shkollarë. E shohin jetën nëpër syze e nuk ia dinë ngjyrat e sakta… Jeta më vonë i sprovon edhe ata!” – shpjegoj Dashi.

“Sigurisht!” – ia vërtetova. – “Vie dita e përplasen vetë me realitetin!”

Pas një heshtje të shkurtër, mendja më shkoi te çështja e Malë Rezilit. Kisha dëshirë të dija pak më shumë lidhur me atë farë “ratifikimi” të tij.

“More burrë!” – i thirra. – “Po më vie keq të të pyes, por, një njeri të mençur si ty, ndoshta nuk është e tepërt ta pyesish. Nuk e kuptova mirë herën e parë, pse zhvillohej ai farë “ratifikimi” në ndërmarrjen tuaj. Më intereson ta di çfarë roli ka “ra-ti-fi-ki-mi”, me dosjen e tij?”

“Me ta thanë vllaznisht, është krejt formal!” – më shpjegoi ai. – “Kjo le të mbetet vetëm midis nesh! Ndërmarrja jonë kishte nevojë të gjëjë një fajtor për të mbuluar gabimet. Kështu, vdiç Mala e u hap dosja mbi Malën. Po të mos e bënte vetë ndërmarrja, kush e di ku do të shkonte puna. Kështu, krijuam një komision reformues dhe ia besuam çështjen. Tash, kjo punë mbyllet në një dosje që mbanë një emër e mbiemër, të cilit, në fund të fundit, nuk ka kush çka t`i bëjë! Ai i shkreti, ka shkuar në tjetër botë!”

“Po sikur thatë se drejtori është vënë në maje të thumbit!” – e pyeta prap.

“Kjo ka të bëjë vetëm me emrimin e sërishëm si drejtor. Sikur të mos bënte njëfarë autokritike, nuk do të zgjidhej përsëri. Do ta transferonin diku tjetër. Kështu, atij i thuhet: ti e ke pranuar fajin; gjendjen e di; punëtorët i njeh; shkolla dhe përvoja nuk të mungojnë; urdhëro e nxirre prej krizës këtë ndërmarrje për këto katër vjetë të tjera! A e kuptove pse ndodhë e gjithë kjo poterë?!” – mi rrahu supet miqësisht Dashi.

“Për zotën, i kuptova fort mirë! Madje të gjitha! Ai që mbaron vegshin, mbaron edhe vegën!” – shtova i bindur.

“Taman[12] kështu! Prej të mençurit, mësohet! Çështje e hollë është politika. Ajo fillon prej fshatit, ku udhëheq ti, e deri në Kryesinë e Kuvendit Ekzekutiv Federativ. Format ndryshojnë, por, teknika është e ngjashme!”

“Të lumtë goja! Për zotën, më ke hy në zemër, si shtatë herë vëlla! Një gjë po ta them: derën time e ke të hapur si në gjysmë të natës, si në pikë të ditës!” – dhe ia zgjata dorën.

Ai e kuptoi fort mirë fjalën time. Mu afrua te veshi e më tha:

“Dora dorën e lanë, por të dyja bashkë e lajnë fytyrën! Edhe ti je në midis të zemrës sime! E imja është e jotja, dhe e jotja është e imja, pos nderit të familjes! Në qoftë se ta hedh dikush, më bie mbi fytyrën time!”…

Pas pak, u ngrit e shkoi, me përcjellje të përzemërta. Kur erdhi pas disa ditëve student Rifati në shtëpi, ende pa i ngrohur mirë duart, na tregoi se Latifi e kishte nxjerrë pensionin e babës së tij!

“Pensionin e Malës, a?!” – e pyeta unë, sikur nuk dija asgjë.
“Të Malës pra, se të kujt mendove!” – e përplasi hidhërimin e tij.
“Po a nuk ishte ai farë ra…ra…ratifikimi, në proces?” – e pyeta sërish.
“Ishte, ishte, por vetëm sa për të mbyllur një etapë!” – shpjegoi Rifati.

“Ç`thua more?! Po a se dëgjove Dash Bungun çka foli atë ditë?!”

“Lere Dashin o bacë, se ia kalojke pararendësit të vet! Idiot më të madh nuk kam parë në këto anë!” – shpërtheu revoltën e tij.

“Për injorancën tënde, qebesa, po! Për pak sa nuk na lë pa pikë druri! E me çka po nxehesh?!” – iu kërcënova, pak më seriozisht.

“Nuk u lë pa dru ai, sepse është koha juaj! I tërë ndryshimi qëndron se në vend të Malës, është Dashi. Prap këndohet e njëjta këngë! Ku ta di, ndonjë ditë, rastësisht, përmbytet kjo botë dhe u zë përfundi! Vetëm se atëherë mund të mos këndohet avazi[13] i vjetër! Përndryshe, prap do ta keni ju, në duart tuaja!” – tha plot zhgënjim e heshti.

Kështu, e mbyllëm këtë çështje në shtëpinë tonë…

Plaku, filloi të adaptohet me të reja e nuk flaste, si dikur. Strukej rreth oxhakut e mendohej. Vëllai, vazhdonte studimet. Të tjerët, më dëgjonin edhe më tutje, plot kujdes. Erdhi koha dhe u bëra “zot i shtëpisë”…

Kjo gjë që ua tregova unë, ishte një përrallë e bukur për reformat e një ndërmarrje; e ndërmarrjes së pyjeve dhe të vet sistemit…

Flitej shumë, prej fshatit tonë e në kryeqytet! Ndoshta, kështu ia bënte vetë shteti. Kush e di. Siç thuhet: përralla në shkallë…

E ku është e mira!…

Morinë, 21.03.1985,

Edhe një shkëputje nga autobiografia:

Edhe ky tregim ishte shtypur me “Panasonic-Writer”, i cili dihet se ishte marrë nga veglat e pushtetit serbo-sllav dhe shqiptar. Këtë gjë e kam vënë në fund të tregimit paraprak “Mbi majet e artit” dhe po e plotësoj.

Tregimi është dashur përsëri të daktilografohet në Kronbühl, më 1996, si dhe të korigjohet më vonë. Tregimi ishte ironiko-satirik. E mendova se ky tregim nuk do të kuptohej aq lehtë. E mora nga vendlindja dhe e dërgova në perëndim, me ikjet nga pushteti, gjoja “me qëllim të punës”. Të tjerat i lashë në Morinë, Gjakovë, Kosovë.

Po e them edhe njëherë se i kisha më shumë se 1500 faqe A4, prozë, romane, e shënime, të cilat, në pjesën dërmuese ishin fshehur nën podrumin e dhomës sime, në një strehim nëntokësor, të punuar me beton, e dërrasat e vedosura mbi te. Mbi to, ishte i shtrirë tepihu dhe gjërat e tjera apo orenditë. Gjatë luftës së UÇK-së, shtëpia ime ishte plaçkitur apo ishte djegur e tëra, deri në themele. Nëpër rrënoja, i gjeta tre shufra të gjata hekuri, pikërisht në strehimore. Me to ishin shpupuritur fletët e djeguara, deri në hi.

Kush ka qenë aty, mendoj se Njësia Speciale e Beogradit, mund të thotë. A janë marrë disa shkrime të mia me vete apo jo, këtë mund ta dinë vetëm ata!…

Nga fjalët e bëra me komandantin e njësitit të Morinës, disa herë radhazi, kishin “shpëtuar” thesarret e shtëpive disa anëtarë të njësisë së Morinës, p.sh. Demirët, por, vetëm të miat shkuan kot! Ato qenë shkrime! Kush ishte kundër tyre, nuk po e shqyrtoj! Por, më dhimbsen shumë si pjesë e pandarë e imja!…

Një gjë po ua them: pas burgosjes në shtëpi; disa herë të ndaljes me këtë qëllim (patrullim, sikur dinte të bëjë vetëm milicia jugosllave!), në qytet apo në fshat; si dhe të burgosjes në rrethinën e Mariborit të Sllovenisë, më 1984-1985, etj. e vërejta se disponimi armiqësor i pushtetit serbo-titist e kishte arritur kulmin e vet. Duhet të ruhesha edhe prej të mijve, sikurse prej të tjerëve. As vëllezërit e mi nuk e dinin ku shkuan fletët e shkruara; as gruaja e fëmijët e mi, deri në luftën e UÇK-së.

Thesarët që i shpëtuan me bure të plastikës, sikurse e ruanim turshinë e lakrat e rasojit edhe ne, nuk e di saktësisht se ku e morrën vesh ata që t`i “shpëtojnë” gjërat e tyre. Unë kam biseduar vetëm me Komandatin dhe me askend tjetër!…

Siç e tregon niveli i këtij tregimi, edhe më mirë do të kishin qenë të shkruara faqet e tjera. Do t`i kisha korigjuar nga pak edhe ato dhe do të qenë maft faqe.

Ka qenë më vështirë të mos e gjësh rininë e djalërinë e shkuar me shkrime, në vend se t`i gëzoj ato vite me “gjëra të tjera”, p.sh. si të gjithë djemtë! E nuk mund të ipeshe pas “gjërave të tjera”, kur ishe dhënë pas shkrimit të prozës dhe punës konspirative të lirisë e të bashkimit të kombit shqiptar.

Në të vërtetë, këto dy prirje, kërkonin shumë më tepër se kohën “e lirë”. Rininë e djalërinë e kam shndërruar në shkrime të prozës, por edhe ato mu dogjën!…

@ b.a.m


[1] Edhe këtë fjalë e lëmë se „është prej turqishtes“: sjellje. Por fjala është e krijuar prej dy fjalësh shqipe: si+fat (si, sikur, dhe fat=i fatit të sjelljes). Kjo fjalë kuptohet në shqipe dhe nuk është „e huaj“.

[2] Zor, zort, gegërisht, në vështirësi, „vetëm Zoti mund të të ndihmoj“. Pra, ajo është zort, prej Zotit, por ka rënë „t“-ja, në fund të fjalës.

[3] Gegërisht: dëshirën.

[4] E përdorur në popull, si fjalë e huaj, që do të thotë: i marrë. Ndersa „hy“ është si thirrje, piskamë, që do të thotë se është i çuditur me fjalët e një budallai, njeriut që nuk di çka thotë.

[5] Turqisht, nga hayvan= kafshë.

[6] Turqisht, zevahir= dukje, por xhevahir, nënkupton në të folmen tonë diamant, gur i çmueshëm, etj.

[7] Si duket, është prej gjuhëve të huaja e të Lindjes. Në turqisht, gjëndet fjala veriş=dhurim. Allish-verish, nënkupton marradhëniet me të tjerë, me dhënie e marrje; me ndërrimin e gjërave dhe të raporteve.

[8] Turqisht: lajme, kumt, njoftime. E folmja popullore është zhargon, me fjalë të huaja, në vend se të përdorë fjalë shqipe. Pra, për t`u shitur se është „më i madh“, si i pushtetit.

[9] Spor=e askujt, nuk është i këtij dhe as i atij. Për mendimin tim, është fjalë e dialektit gegë: “s`”=nuk; por=për. Pra, nuk i takon me ligj as këtij dhe as atij, por e merr shteti. Një çështje e pa zgjidhur me ligj nga ish pronarët e deklaruar, apo shteti e kërkonte me ligj dhe dëshironte t`ia hjek atyre pronën e ta marrë mbi vete. Në fakt, ky është qëllim i zhvatjes “socialiste e vetqeverisëse”

[10] Ratifikimi vjen nga fjalët ratifikoj dhe ratifikohet. Në të vërtetë, përdoret në relacion ndërkombëtar, por “socializmi vetqeverisës” i dha karakter të vetvetes, të mbrendshëm, ligjor. Ratifikimi jep fuqi ligjore një trektati a një marrëveshje nderkombëtare, të lidhur nga përfaqësuesit e plotëfuqishëm të një shteti me shtetin tjetër, apo të disa shteteve. Por “socializmi- vetqeverisës” i bënte shumë gjëra të nivelit të vet.

[11] Turqisht: në ajër.

[12] Turqisht: tamam=në tërësi; i kryer, plotësisht.

[13] Turqisht: avaz=zëri, zani.