Ploja shekullore e dhunës dhe e terrorit

0
1419
Jahja Lluka

Shkruan: Jahja Lluka

Le të ndalemi pakëz te praktika e projekteve/programeve serbe, te terrori sistematik mbi popullin shqiptar në periudhën e viteve 1876-1878. Territore të tëra të krahinës së Nishit, të Toplicës e të Kosanicës, por më vonë edhe të Sanxhakut (Pazari i Ri), janë invaduar nga shteti i parë serb, i nisur në vitin 1844, por që shtrihej vetëm në rrethinën e Beogradit.

Dhuna dhe terrori serb është zbatuar në këtë kohë për të shpopulluar këto krahina që banoheshin në masë të madhe nga shqiptarët. Ndërkaq, të dhënat e kësaj kohe flasin me fakte se “territoret etnike shqiptare, sipas lordit Broughton (1809), shtriheshin në një gjatësi prej 39 gradë me 43 gradë të gjerësisë veriore dhe në 17 gradë me 20 gradë të gjatësisë lindore, duke përfshirë në këtë mënyrë një sipërfaqe gjeografike prej 62. 500 kilometra katrorë” (IHK,1977, fq. 10). Ja se çfarë pohon komisari i Komisionit për Kufizimin e Serbisë, anglezi John Ross, lidhur me gjendjen demografike në këto krahina: “Pothuajse të gjithë banorët e Sanxhakut të Nishit ishin shqiptarë të besimit mysliman. Pasi që u pushtua nga Serbia, popullsia e tëra iku në drejtim të Vilajetit të Kosovës. Rreth 60. 000 deri në 70. 000 refugjatë shqiptarë u koncentruan në Kosovë”.

Pushteti serb i asaj kohe, më 3 janar 1880, nxori Ligjin për viset e reja të kolonizuara. Fakte të shumta të dy shekujve të kaluar argumentojnë dendësinë e krimit, ashtu si edhe dendësinë e banimit në territore kompakte që u serbizuan me një politikë shpopullimi barbar dhe u kthyen në të ashtuquajturën “Serbi Jugore”! Të përmendim edhe një tjetër fakt: shkencëtari austriak Carl Sax, argumenton se në rrethin e Leskovcit, të Kurshumlisë dhe të Prokuples kishte 58. 000 shqiptarë në periudhën para pushtimit serb. Deri në vitin 1900, pothuajse të gjithë shqiptarët u detyruan me dhunë e terror t’i braktisin vatrat e tyre. Në Luftën e Parë Ballkanike kishte një valë të paparë të dhunës e të krimit mbi shqiptarët, që u bë jo vetëm nga Serbia, por nga e tërë Aleanca Ballkanike.

Ka të dhëna që flasin se në Kosovë, përkatësisht në Gazimestan, në periudhën janar-maj të vitit 1913, janë likuiduar mbi 5. 000 shqiptarë etnikë. Shkrimtari serb Ivo Andriq, i cili ka fituar edhe çmimin Nobël për letërsi, më 1 janar të vitit 1939 përpiloi një elaborat, që parashihte zgjidhjen e problemit të Kosovës në ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. Terrori dhe serbizimi i tokave shqiptare nuk mbaron as me shkatërrimin e Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene (SKS). Ideologu i politikës serbomadhe, dr. Vasa Çubriloviq, pasi kishte përpiluar elaboratin famëkeq “Shpërngulja e shqiptarëve”, të 7 marsit 1937, përpiloi edhe një program famëkeq që mban datën 3 nëntor 1944, me titull: “Të drejtat e pakicave në Jugosllavinë e re”.

Në një nga paragrafët e këtij teksti, lidhur me shqiptarët, thuhet: “Kosova dhe Metohija duhet ta ndërrojë me themel gjendjen e vet etnike. Pasi që janë në pyetje shqiptarët në ‘Serbinë e Vjetër’ dhe në Maqedoni, duhet që edhe etnikisht ta zotërojmë territorin e Kosovës dhe Metohisë” (Çubriloviq, 1944, fq. 12 ). Kështu, duke sugjeruar se si të bëhet spastrimi i territoreve, Çubriloviqi thotë: “Zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e pakicave”.

Skuadronet partizane-çetnike të Josip Broz Titos, vendosën më 8 shkurt të vitit 1945 shtetrrethimin ushtarak në Kosovë, “në emër të luftimit të nacionalizmit dhe të profashizmit te shqiptarët”. Për pak muaj u vranë dhe u likuiduan të paktën 45. 000 veta dhe mijëra të tjerë ikën në vende të ndryshme të botës. Në periudhën e Informbyrosë (1948), pushteti represiv partizan burgosi 436 shqiptarë, kryesisht njerëz të shkolluar dhe të cilët u etiketuan si agjentë të Shqipërisë, kurse OZN-a hapi 22. 048 dosje për shqiptarët.

Në periudhën e aksionit famëkeq të shpërnguljes dhe të mbledhjes së armëve vdiqën 100 veta, kurse u torturuan rreth 30. 000 veta (1956-1957). Orgjisë së dhunës e krimeve i parapriu një marrëveshje e fshehtë, në Split, ndërmjet kryetarit të Jugosllavisë, Tito, dhe diplomati turk, Kypriliu. Këta u morën vesh për riaktivizimin e Konventës turko-jugosllave, e cila ishte një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Stambollit, e nënshkruar qysh në vitin 1938 që parashihte shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Konventa parashihte që të shpërnguleshin 1 milion shqiptarë.

Përkundër premtimeve të pushtetit komunist jugosllav, as vitet e ’50-ta, ashtu si edhe vitet e mëhershme partizane të luftës, nuk e kishin ndryshuar gjendjen e popullit shqiptar në trojet e Jugosllavisë, përkundrazi, vetëm sa e kishin keqësuar. Edhe në këto vite fillon aksioni famëkeq i propagandës, i dhunës, i torturës, i agjitacionit të fshehtë dhe spekulues, aksioni i asimilimit të detyrueshëm, i ekspeditave ndëshkuese, i burgosjeve, i montimit të proceseve dhe, gjithsesi, aksioni i detyrimit me dhunë të shpërnguljes së popullatës shqiptare. Faktet dhe dokumentet e kohës dëshmojnë se kjo periudhë historike nëpër të cilën ka kaluar populli ynë është një nga periudhat e paimagjinueshme të luftës dhe terrorit serbo-jugosllav në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, jashtë Shqipërisë. Mund të quhet lirisht si periudhë e mbijetesës!

Për meritat, në këtë drejtim, pushteti federal jugosllav, i cili në opinion paraqitej si një pushtet i sistemit socialist, në të cilin sistem liritë dhe të drejtat e njeriut, liritë e kombeve apo të komuniteteve të ndryshme respektohen nga shteti si askund në këtë botë, e dekoron për meritat në fushën e studimeve njërin nga ideologët fashistë serbë të projektimit të dhunës kundër shqiptarëve dhe të pakicave, dr. Vasa Çubriloviqin.

Për fat të keq, kjo dekoratë këtij “shkencëtari” serb me titull akademiku, do t’i ndahet nga kryetari i shtetit, e që në atë kohë ishte një shqiptar: Sinan Hasani. Por, edhe për meritat e Çubriloviqit e edhe të Sinanit, prej vitit 1953 e deri në vitin 1965, nga trojet ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi, u shpërngulën për në Turqi së paku 452. 371 shqiptarë (“Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës 1877-1995”, Instituti i Historisë së Kosovës, Prishtinë, 1977 ). Mbi të gjitha, “vlerësohet se në Kosovë, prej vitit 1945 e deri më 1965, janë vendosur 12. 300 familje sllave, ose rreth 64. 000 persona me prejardhje sllave” (Jusuf Osmani, “Kolonizimi serb i Kosovës”, shtëpia botuese “Era”, Prishtinë, 2000).

Nuk ka dyshim që esenca politike-nacionaliste e Memorandumit serb të vitit 1985, buron nga tradita shekullore e përdorimit të shfrenuar të dhunës sistematike serbe kundër elementit shqiptar kudo. Pra, kemi të bëjmë me ideologjinë, me sistemet, me traditat nëpër të cilat mbillet e kultivohet jo urrejtja, por dhuna, krimi dhe praktika e krimit.

Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar