Plot 80 vjet më parë u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë – si ndikoi ajo në fatet e vendit?

0
223
Themelimi i PKSH

Ruben Avxhiu, Illyria

Plot 80 vjet më parë u themelua Partia Komuniste (pastaj e Punës dhe tani Socialiste) e Shqipërisë. Pak ngjarje kanë pasur më shumë pasoja dhe ndikim në historinë e vendit sesa kjo, Mund të thuhet që pasojat vazhdojnë edhe në ditët tona.

Kjo pikturë ka bërë në art, atë që Enver Hoxha dhe enveristët e bënë në librat e historisë: rishkruan historinë e asaj mbledhjeje duke shpikur një rol që Enver Hoxha nuk e pati, duke ndryshuar pozicionet rreth tavolinës, rolet e pjesëmarrësve, duke fshirë fytyrat e shumicës që u dënuan e u shpallën armiq, apo u bë e papranueshme që të përmendeshin. Këtu përfshihen edhe dy jugosllavët, Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha, që e kthyen Enverin nga një pjesëmarrës aksidental të mbledhjes në figurën kryesore të partisë.

Mund të thuhet se hapi i parë i Hoxhës drejt pushtetit dhe mbretërimit në Shqipëri për gati gjysëmshekulli ishte pikërisht fitimi i zemrës dhe simpatisë së dy jugosllavëve, të cilët për shkak të inferioritetit të komunistëve shqiptarë dhe përçarjes së tre grupeve themeluese (të Shkodrës, Tiranës, dhe Korçës), u bënë arbitra dhe drejtues jozyrtarë e të pazgjedhur të Partisë se re Komuniste shqiptare.

Pa praninë e këtyre “ambasadorëve” nga jashtë, grupet rivale do të kishin vazhduar inatet dhe nuk është çudi që Shqipëria të kishte përfunduar me dy, në mos me tri parti komuniste, ashtu si na e do zakoni.

Pa Mugoshën dhe Miladinin, nuk dihet nëse një figurë aq manipuluese dhe mbizotëruese si Enveri do të kishte dalë në skenë e do të kishte pasur kohë të forconte aq shumë pozitën drejtuese.

Është shumë më e mundshme që përveç luftës civile që ishte pjesë e pandashme e luftës antifashiste në Shqipëri, të kishte ndodhur edhe luftë ndërpartizane. Kjo do të bënte që Fronti të mos ishte aq i fuqishëm dhe që krahu i majtë shqiptar të mbetej po aq i përçarë në linja ideologjike e krahinore sa krahu i djathtë.

Ndryshe nga çfarë ndodhi në kampin e majtë, e djathta shqiptare nuk pati arbitra apo figura të jashtme që të qendronin mbi palët e të mund të harmonizonin qendrimet e të bashkonin tytat e armëve të focave në mos demokratike, të paktën anti-komuniste shqiptare, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, republikanë e legalistë, të majtë jokomunistë e të djathtë të ngjyrave të ndryshme, sidomos nacionalistë.

Ndoshta, ndryshe nga e majta internacionaliste, e djathta, për nga natyra, e ka më vështirë të pranojë një ndërmjetësues të jashtëm, një pajtues të palëve që vjen me kredencialet ideologjike të ngjashme.

Mirëpo, sot, 80 vjet pas ngjarjes që e këputi në dysh historinë moderne të Shqipërisë mund të thuhet se problemi i shqiptarëve mbase nuk ishte thjesht themelimi i një Partie Komuniste me miq në Jugosllavi, e aleatë e padronë në gjysmën e kontinentit që u kuq nga socializmi, por që të djathta nuk pati “8 nëntorin” e saj.
Nacionalistët e antikomunistët shpresuan në vitet e fundit të luftës se një ndërhyrje nga jashtë – mbase “anglezët” – do të krijonte një situatë më të barazpeshuar në Shqipëri, si u krijua në Greqinë fqinje ku lufta civile vazhdoi deri në 1949, por kjo nuk ndodhi.

Britanikët e amerikanët që hynë në Shqipëri, ndryshe nga jugosllavët, jo vetëm që nuk mund të detyronin shqiptarët të bashkoheshin në një front, por ishin edhe vetë të pavendosur e të përçarë.

Vetëm pas luftës, kur filluan të planifikojnë një ndërhyrje nga jashtë në Shqipëri, amerikanët treguan pak nga arroganca e padurimi që duhej të ishte treguar që nga fillimi ndaj mosmarrëveshjeve të antikomunistëve shqiptarë duke i detyruar të bashkoheshin.

Ironia që ky 80-vjetor vjen në një kohë kur e djathta e shkërmoqur në Shqipëri po përçahet edhe njëherë tjetër nën ethet luftës së radhës ndërvllazërore, është vërtet therrëse. Është vërtet e pamundur të kthesh kohën e të shohësh rrugën se si erdhën deri këtu, pikërisht nga pirgu i madh i mësimeve të panxëna të historisë.

http://www.illyria.com/nje-8-nentor-per-te-djathten-shqiptare/