Poezi nga David Boseta

0
1447
David Boseta

Ne jeten time gazetareske, kame patur gjithmon si objektiv vleresimin e punes se njerzeve krijues.
Tani kohet kane ndryshuar! Kontaktet jane ma te mundesheme, ne ç’do cep te botes.
Pata kenqesin kure po lexoja krijimet e Shkodranit David Boseta.
Po kushe eshte ky Shkodran qe shkruan me kaqe pasion?

David Boseta
Lindur në Shkoder në vitin 1976.
I martuar, me dy fëmijë.
Me profesion Inspektor logjistike në një kompani private sigurimi – Shkoder.

Emigron për disa vite duke lënë në mes studimet e larta në degën Gjuhe-Letersi,
megjithatë nuk shkëputet asnjëherë nga pasioni i tij letersia e në vecanti poezia.
Pjesëmarrës në disa evente poetike brenda dhe jashtë vendit.
Në pritje të botimit të librit të parë me poezi.

Anëtar i Shoqata e Shkrimtarëve – Shkoder.
Anëtar i Shoqata në Mbrojtje të Drejtave të Njeriut – Me qendër në Gjermani.
Anëtar i bordit drejtues në Levizja për Ribashkim Mbarëkombëtar – Me qendër në Tiranë.
Njohës i katër gjuhëve të huaja.
Me kete raste kame kenaqesin te ju uroje ne rrugen e bukur te krijimtaris. Gjin Musa,gazetar.

Per lexuesit e “Fjales se Lire” po ju sjedhim nji cikel nga krijimtaria e autorit ne fjalë.


Ishin netët kur trishtimi im nuk fliste shqip,
po, është e vërtetë,
e kam njohur dhe unë vetminë
rrugëve të një kryeqyteti të huaj
ku ëndërrimtarët nuk flinin asnjëherë
por ëndrrat zhytur në alkool i dehnin,
se veç të dehur mund të krijonin shpirtrat bohemë.
Ishin netët kur jetoja larg,
larg teje e dashur,
larg miqve të mi,
larg vendit tim,
larg,
larg,
larg,
larg cdo gjëje që për mua kish kuptim.
E, në një natë të tillë
ndërsa endeshim fillikat
me duar në xhepa, unë dhe trishtimi
dëgjoj diku një melodi,
një saksofon që shqyente errësirën
dhe një kitarë që e ledhatonte si fëmijë
kryeveprën

LILY WAS HERE…
Hap derën e atij lokali që ndante errësirën nga drita
shkoj drejt banakut, drejt të vetmit ishull shpëtimi
gjeta “tokë” gjeta jetë
mbi atë oqean trishtimi.
Marr një birrë
pastaj edhe nje tjetër
e shumë të tjera më pas
derisa dikush turbullt më tha:
Pi miku im, mbyte trishtimin,
nesër do jetë ditë e re,
kurrë mos e humb besimin…
Ishin netët kur…
LILY WAS HERE më shëroi shpirtin.

MENDO – Njeriut që donte të më vriste
Para se të më drejtosh armën, mendo,
mendo, që, të vrasësh dikë
ke vrarë më shumë se një,
mendo që po merr dy jetë njëkohësisht
timen dhe tënden, fatkeqësisht.
Mendo, që Zoti nuk të emëroi Noter
të vulosësh fatin e jetës time,
mendo, se nuk do qajë veç nëna ime.
Mendo…
Unë do tretem në dhé, si shumë të tjerë,
ndërsa ti,
do kalbesh për së gjalli në një qeli të mjerë,
por duhet të dish edhe diçka tjetër
mua, mbase më vret
si njeri por kurrë jo si poet
sepse,
un do vazhdoj të shkruaj
edhe kur të mos jem,
emri im do jetë mankthi i ëndrrave të tua,
nëse do arrish të flesh ndonjëherë…
Para se të më qëllosh
mendo,
që nuk më vret

sepse un kam, më shumë se një jetë…


Zilja e citofonit rënkonte trishtueshëm në apartamentin e një shqiptari, në katin e tretë të një pallati, diku në New York. Kjo zile më kujton sorrat e Shkodres – ishte mendimi i parë i përgjumur që i shkapetej brënda kafkës ende të dehur.
– Po, kush jeni?
– Jam postieri, kam një letër për ju – Përgjigjet zëri metalik nga dera kryesore.
– OK, mund ta lini në kutinë e postës ju lutem.
– Jo zotëri nuk mundem, më duhet firma juaj.
– Ok po zbres.
I zbriti shkallët si sonambul, mori letrën pa ja hedhur sytë fare, u ngjit lart, e la mbi tavolinë dhe u lëshua i këputur në divan, ku vazhdoi aty ku e kishte lënë në mes ëndrrën me kinezë.
Diku nga mesdita i doli gjumi. Me zor drejtoi qafen e mpirë prej gjumit të parehatshëm në divan. Zgjati dorën mbi tavolinë, kapi celularin, asnjë thirrje, asnjë mesazh, askush nuk ishte kujtuar për të.
Ndërsa ngrihej, këmba i preku diçka metalike në tapet, një kapëse flokësh femre. Domethënë mbrëmë këtu kish qenë me një femër. Nuk mbante mend asgjë, i kujtohej mjegullt që mbrëmë kish dalë në një pub, si natë e premte që ishte. Prej vitesh ndiqte atë ritual të rëndomtë, dilte, pinte, dehej e nuk dinte si kthehej në shtëpi, shpesh here taksixhive u tregonte adresën në kartvizitë pasi nuk ishte në gjendje as të fliste. Hapi portofolin, numëroi ato pak pará që i kishin mbetur duke sharë me vete. 600 dollarë, kishte shpenzuar 600 dollarë në një mbrëmje të vetme e koka ende i vinte vërdallë nga alkooli i konsumuar.
Pastaj, sytë i shkuan te letra, e kapi me të shpejtë, lexoi dërguesin e shtangu në vend. Letër nga Shkodra, letër nga nëna.
Ankthin dhe padurimin e letrave të tilla e njohin shumica e shqiptarëve të cilët kanë provuar emigrimin.
E hapi me të shpejtë me duart që i dridheshin dhe u lëshua në divan, këmbët se mbanin dot ndërsa lexonte;
I dashur bir, në rradhë të parë uroj që kjo letër të gjejë shëndosh e mirë. Uroj të jesh mirë me shëndet e të ushqehesh mirë, se nuk ka kush të gatuan. Kam merakun tënd bir, uroj të kesh gjetur punë. Unë jam shumë mirë bir, mos mbaj merak për mua.
Dëgjo bir, bashkë me letrën të kam dërguar faksin e biletës tënde. Duhet të vish në përvjetorin e vdekjes së babait tënd, meqë në vdekjen e tij nuk munde të jesh…
E, kur të kesh mundësi telefonoi shokëve të tu bir, atyre që më pyesin gjithmonë për ty. Atyre që mbajtën në krahë arkivolin e babait tënd dhe i dhane lamtumirën e fundit, kur ti nuk ishe. Sepse, ne jemi të ardhur në këtë qytet bir, nuk kemi të afërm…
Letra i ra nga duart, nuk mundte dot më të vazhdonte leximin,,,
Nëna i kishte blerë biletën nga Shqipëria duke menduar qe djali nuk kishte pará. Nëna e shkretë kishte paguar 1200 dollarë biletën e tij, duke lënë pa blerë ilaçet e saj, kishte kursyer në ushqimet e saj për kushedi sa kohë, ndërsa ai,,,
Ai një natë më parë kishte shpenzuar 600 dollarë me një të panjohur.
Shokët, nëna i përmend shokët, ata me të cilët ishte lindur e rritur, ata me të cilët kish bërë gjithcka të bukur, ata, të cilët kishte 8 vite pa iu bërë të paktën një telefonatë…
Mes lotësh e ngashërimesh pá në pasqyrë një fytyrë që nuk e njihte, fytyrën e tij të vërtetë. Hipokrizia mendjemadhësia dhe indiferenca i lexoheshin fare qartë në atë surrat paliaçoje.
Shau, mallkoi veten me zë duke i dhënë një grusht në pasqyrë surratit të tij. Si ka mundësi që paskam qenë kaq i keq? Si ka mundësi që ajo nënë më do ende? Ato shokë ende pyesin për mua…
Rrëmoi në një sirtar ku gjeti pashaporten e tij, mori të gjitha kursimet e nxitoi nëpër shkallë duke veshur xhaketën me lot në sy.
Ecte shkujdesur rrugëve të New York-ut në atë ditë vjeshte me shi, pengohej mes kalimtarëve të cilët nxitonin ne drejtimin e kundërt të tij.
Rrugëve të New York-ut, këtij qyteti mashtrues ndërtuar me gjak e ëndrra emigrantësh, rrugë të cilat nuk do i shkelte më kurrë…
(kjo është historia e një të riu shqiptar i cili sot jeton në Shkodër. Mbase jo në një qytet si New York-u por ama në qytetin e tij, ku bashkë me nënën përkrahu çojnë lule të freskëta te varri i babait. Në qytetin ku kafen e pi me shokët e tij të vërtetë, me miqtë e tij më të mirë. Sot ky djalë punon në ndërtim nga mëngjesi në darkë, lodhet shumë, paguhet pak por, ndihet i lumtur)

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar