Poezi nga Milazim F. KADRIU

0
772

Milazim F. KADRIU

PRITJA

Ishte pritje e gjatë,
heshtje,
përbuzje e vaj
pa shpresë.

Pritjes i erdhi fundi,
pushoi heshtja,
u ngjall shpresa,
jehoi kënga.

ECËM PA U NDAL

Nëpër terr, furtunë e rrufe
kemi ecur pa ndalur,
me shpresën se një ditë
do ta shohim dritën,
dhe rrezet e diellit
do të na ngrohin përsëri,
hap pas hapi,
me vendosmëri
arritëm.

SHIHJA…

Edhe pse ishte robëri
Në sytë e të rinjve
Shihja jetën
Shihja të vërtetën.
Shihja ardhmërinë
Shihja besueshmërinë
Shihja gatishmërinë
Shihja lirinë.

OXHAQET

Shtëpitë u rrënuan
Oxhaqet mbetën
Tymi ngrihet lart
Xhelatët u tretën
Prapë tymojnë oxhaqet
Në kullat tona
Dëgjohet kënga e lirisë
Kënga dhe jehona.

ATA QË PËR LIRI U FLIJUAN

Ata na i hapën shtigjet,
nëpër të cilat na vijnë rrezet e diellit.

Ata na sollën pranverën e lulëzuar,
bilbilat të lirë për të kënduar.

Ata nuk kursyen asgjë nga vetja,
që për ne të jetë e ëmbël jeta.

Ata që për liri u flijuan
Nuk vdiqën, pavdekësi fituan.

NJËMIJË E NËNDË QIND E NËNTËDHJETË E NËNTË

Luftë, furtunë, tmerr e gjak…
Acar e stuhi
Qëndresë e krenari.

Ngadhënjimi mbi armikun shekullor
Dëshmorët tanë lisa të pa rrëzuar
gjerdan në kohë e të paharruar.

IU PËRGJIGJA THIRRJES SË ATDHEUT

Iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se ishte thirrje e zërit të nënës,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se ishte urdhër i fjalës së babës,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se ishte kujtim i gjyshit plak.

Iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se më kujtoi dhimbjen e gjyshes plakë,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se mu kujtuan vuajtjet e poshtërimi,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,
se më thirri gjaku, fara dhe fisi.

DIKUSH DUHET TË VDISTE

Dikush duhej të vdiste,
ai që gjithherë ka qenë zgjuar,
çdo herë ndenji zgjuar,
për ti zgjuar të fjeturit.

Përherë ishte në marshim,
në marshim drejtë lirisë,
edhe kur u bë martir,
eci para nesh, në shtigje zjarri,
ai që vdiq e mbeti i gjallë,
për ne djalë pas djali.

Dikush duhej të vdiste,
vdiq ai që me kohë kishte kuptuar,
se jeta e robëruar është luftë,
dhe vdiq për të qëndruar.

Ky është çmimi i lartë,
që s’mund ta paguaj kushdo,
vetëm djemtë që janë pagëzuar,
që në lindje të diellit, heronj.

DËSHMORËVE

Koha juaj
ka veç lindje,
kurrë nuk perëndon.

Gjeneratat që vijnë
nuk ju lënë pas dore,
pas krahësh nuk ju lënë.

Jetoni në ne,
moshën që plaket,
brezat ndërrohen,
kurse ju prapë aty,
si amanet,
në roje të dheut të atit.

TASH KA DRITË

Nëpër qiellin e nxirë
Një rreze e bardhë kaloi
Zemrat tona i ngrohu
Dielli me rreze i mbuloi.

Këto rreze të diellit
Ngrohën tokë e qiell
E në qiellin e kaltër
Shqiponja fluturoi

Më pas fluturuan zogjtë tjerë
Nga qielli u zhduk errësira
Yjet shihen ditën,
E natën e bëjnë të shndritë.