POEZI QË NA KUJTOJNË TË KALUARËN POR EDHE TË SOTMEN E VENDIT TONË

0
933

Adem Zaplluzha “Portreti i lirisë”, botoi “ TREND “ – Prishtinë, 2017

Milazim F. KADRIU

Libri “Portreti i lirisë” i autorit Adem Zaplluzha është libri i 146 me radhë nga mbi 160 sa ka botuar deri më tash. Ky libër ka 71 poezi të ndara në tri cikle ( “ Më kujtohet kur i dëgjonim daullet “, “ Njerëzit kishin ikur nga vetvetja “ dhe “ Portreti i erës “ ), në të cilat poezi hasim tema të ndryshme por që kryesisht në këtë vëllim autori sjell poezi që pasqyrojnë historinë e kaluar të tashmen dhe të tashmen e vendit tonë.

Pas çdo libri të botuar Adem Zaplluazha ka premtuar vazhdimësi dhe kështu kaherë ka çimentua themelet e një krijimtarie të pasur të tij e që na premton akoma libra tjerë.

Ai në librat e tij poezitë i shkruan me plot guxim, ku shpreh ndjenjat e tij në një punë të palodhur gjë që këtë e ka dëshmuar kaherë.
Ndonëse në moshë të shtyrë ai nuk ndalet së krijuari dhe ka një elan pune po si të ishte në moshë të re. Mosha në krijimtari nuk ka rëndësi dhe këtë na e vërteton Adem Zaplluzha ngase ai çdo ditë gjen rrugën e shpërthimeve të reja në krijimtari.

Temat e poezive të Zaplluzhës janë nga më të ndryshmet dhe nuk ka temë që nuk e gjen tek poezitë e tij.

Kur vendosa të shkruaj për njërën nga librat e tij rashë në dilemë të madhe se për cilin libër të shkruaj, ai ka një mal librash të botuar dhe çdo vit sjell me dhjetëra tituj të ri, dhe u përcaktova për njërin nga librat e tij atë të 146 me radhë me titull “Portreti i lirisë”.
Zaplluzha është një poet me plotë dije dhe preokupime intelektuale të cilat shprehen në poezitë e tij e që janë shumë origjinale, në të gjithë librat e tij.

Ai në poezitë e tij ruan dashurinë dhe respektin për njeriun, vendin e tij dhe për çdo gjë tjetër dhe ai donë që në vendin e tij të ketë sa më shumë lulëzim por që fatkeqësisht nuk po ndodh ashtu si kemi dëshirë ne dhe autori dhe si e menduan ata që u flijuan për liri.
Vargjet e Zaplluzhës flasin për ndjenjat, për jetën, për respektin, për familjen, fëmijët, miqësinë dhe shoqërinë, dhe sidomos vargjet e këtij libri flasin për dashurinë e Atdheut, për lirinë e vendit që e pritëm aq gjatë por më në fund erdhi.

Ishte rrugë e gjatë,
Ne, megjithatë, ecëm deri në fitore
Cilës nuk i dihej fillimi
E as mbarimi.
……………
……………
Prej dritareve çeli një trëndafil.
Çelën rrënjët në njëmijë ngjyra,
Sa e bukur qenka liria
Kur lulëzon në sytë e virgjër të njomëzakëve.

( “ Sa e bukur qenka liria “ )

Andaj autori në këtë libër bënë ngjizjen e këngës për atdhe dhe nuk është rastësi që Zaplluzha i këndon vendit dhe lirisë së tij dhe përkujton të kaluarën e hidhur të popullit tonë, por që me të tashmen nuk është shumë i kënaqur sepse të gjithë e kishin menduar ndryshe ngase për lirinë që sot e gëzojmë është derdhur shumë mund e gjak. Andaj këtë nuk duhet harruar, ashtu siç nuk e harron autori dhe na e përkujton në vargjet e tija.

Kjo tokë është mësuar me vdekje.
Disa herë doli nga hiri.
Dhe po aq herë e mësoi fluturimin,
I ngjan feniksit dardan.

( “Ju mendoni se do gjunjëzohen lisat “ )

Thellimi i përvojës në krijimin e poezisë së Zaplluzhës vërehet në shumë aspekte. Ai vazhdon dialogun poetik në kohën e vetë, duke u përpjekur ta paraqes në tërë kompleksitetin e saj. Vargu i tij edhe kur tingëllon nga pak narrative, e ruan karakterin lirik notën subjektive .Uni lirik është përherë i pranishëm në poezinë e tij.

Ne nuk dimë të vdesim
Gjithmonë në çastin e fundit,
Ringjallemi nga hiri,
Qiellin e kemi atdhe të përhershëm.

( “ Ju thash se ne nuk e njohim vdekjen “ )

Zaplluzha dëshmon se i qëndron besnik vokacionit të tij poetik si poet i vendlindjes, dhe i njerëzve të saj, si poet i situatave ekzistenciale dhe i përjetimit dramatik të tyre, si poet me ndjeshmëri e figurshmëri të pasur, si poet i konstanteve dhe antitezave të fuqishme.
Vargjet e tij flasin mjaft, jo vetëm për frymën dhe orientimin tematik të poezisë, por edhe për nivelin e shprehjes dhe shkallën e realizimit artistik të saj.

Bota poetike e Adem Zaplluzhës është një botë gjithsesi interesante për shumëçka tërheqëse dhe origjinale. Ndonëse opusin e tij poetik e përbëjnë disa rrathë tematik, por poezitë e këtij vëllimi janë frymëzim i autorit nga ndjenja e dashurisë ndaj vendit, atdheut, luftës, lirisë etj.

Për një abetare ose libër tjetër
Si kokrra e bostanit këputej koka,
Pushteti i huaj kujdesej
Të mos i hapnim sytë asnjëherë.

Por nuk ja arriti.
Ne shkruanim fshehurazi nëpër mure
Të stallave emrin e atdheut
Dhe të flamurit të Gjergjit.

( “ Mbase ishte patriarku i gjuhës shqipe “ )

Autori jeton aktivisht me ngjarjet dhe problemet e kohës sonë dhe mban qëndrim aktiv të paanshëm të cilin e shpreh shpesh edhe përmes vargut të tij.
Në poezitë e tij ai përmend ngjarje dhe procese të mëdha nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, si janë okupimi – lufta – liria – pavarësia…

Në poezitë e Zaplluzhës të vëllimit “Portreti i lirisë”poeti frymëzimin e ka marr nga historia dhe vuajtjet sakrificat nëpër të cilat kemi kaluar me një shtypje të paparë që i është bërë popullit, mirëpo ishte vetëmohimi dhe pa përkulja e popullit për asnjë çast me synim gjithnjë në lirinë e vendit.

Edhe redaktori i librit Vangjush Ziko ndër tjera thotë: “…Adem Zaplluzha është një nga autorët bashkëkohorë që e ka bërë të vetën filozofinë e shkrirjes së zërit të bardit me atë të lirikut që lënë më një anë “aventurat intime shpirtërore”. Kjo nuk është një “mangësi” e talentit të vetë të spikatur, përkundrazi kjo është një “therori” e lirikut patriot, që realizohet në mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë sforcim apo artifis. Poezia e Zaplluzhës është një poezi misionare patriotike …”