Poezi të zgjedhura nga Naxhije Doçi

0
1286
Naxhije Doçi

Naxhije Doçi

ME YJET BISEDOJ

Në natë të heshtur mal kujtimesh të krisura
vetëm me yjet mund të bisedoj lirshëm
të tjerët në shtegtim veçantie
spektrin ylberor në përqafim.
Pagjumësinë ma solli ëndërra krahështrirë
për shtjella hovesh me rreze agmie praruar
meloditë në tela lire komponuar.
Në ligjerim me yllësinë
se si fashitet përmallimi i etur
frymëzimi shtohet i flakëruar
në thurje vargëzimesh të dëlira
për copëza të shkuara jete
edhe për gjallërimin në vijimësi
mbushur përplotë me realitete,
gjurmohen krenaritë nëpër buçimë stinësh
galerive me etjen e hulumtimit rrëzëllues,
shpërthejnë dashuritë e parrëfyera
si edhe shumë sekrete.
Këndi i punës përkushtim i stisur
thjeshtësi e qëndisur adhurimi,
rrallë ngjanë të ndërrohet vendi nga pakujdesitë
se sikur gëdhin i zemëruar ngazëllimi
sikur kufizohet edhe magjia nga gurgullimi.
Aty stolis në renditje ndodhitë
si një ditar hirësie me buzëqeshje agu
që të mos mbesin nën hije
hirësitë me peshë të dëshmuar
për trungun tim purpur i pashuar.
Në skalitje fjalësh me aromë shtigjesh
etja nga thellësi e dallgëzuar buron,
aty ku zë vend guximi i patrazuar
uratat për ardhmërinë e ndritur
për pranverën e derdhur
në bulim të pritur
vonuar nga enigma shterpë
nga mëkatët me rënkim memecërie.

Prishtinë


SHQIPONJË ME FLETË

(Artistes-Tinka Kurti)

E Madhja jonë,
motër moj,
Tinka Kurti
në dheun mëmë shqiponjë me fletë
bekuar me urata zemre.
Flakërimit të derdhur nga thellësia
për artin kulmor në rrugëtim jete,
në altar fisnikërie
“Mjeshtër i Madh i Punës” të vlerësuan,
“Nderi Kombit” të dekoruan.

Yll i pashuar në Orbitën e praruar
të kujtojmë përherë ashtu si edhe je
ujëvarë në matje kohësh hënore
oqeanin e merituar në përqafim,
në ngazëllim shpresash
imazh krenarie,
brerore motesh në rrëzëllim baladash
me fjalën perlë në grishje të agut
për shtegun e mirësisë
sa edhe vetë pakapshmëria
e përthëkimit.

E qëndrueshme nder sfida durimi
me etje të pashuara
në frymëzim brezash
komponimit të dëlirë në melodi vargu,
zemrën ag i derdhur për rriskun e jetës
për ardhmërinë e përmbushur,
mbi nënqiellin e dashurisë.

Ti shëmbëllimë e jehut të pamposhtur
më 1998, në Tiranë
në një organizim të rangut ndërkombëtar
për herë të parë u pamë,
rrëzëllim i ndritur përqafimi
nga përmallimi.
Në rrjedha ndalimi ishte takimi,
në të dy krahët
Kosovë e Shqipëri
enigma tis trishtimi nga liria e vrarë.

Mëmëdheu krahështrirë
me lashtësi të derdhura në gji
pellazgji, iliri e shqiptari
dhe historish të bujshme në vazhdimësi
me tela gjemborë ndarë e përçarë
nga bindjet me epshe të kota
të fqinjëve grabitçarë.

Mike krejt fisnike
Tinka Kurti
me ritme të dehura haperimi
edhe nëpër stinorët e modelit blu
e rëndë dhembja të ta them me fjalë,
thellësi e mbështjellë me ftoftësi të ngrirë
për lajmin e hidhur që mori dhenë
që dridhi ndjenjësinë e çdo shqiptari që e dëgjoi
për amshimin e Dritës së Syve tuaj,
të ZEFIT tënd
në moshën e flakërimit më të mirë.
Hapësirës së heshtur
barrë e rëndë sa një muranë
mbi krahët tuaj të ronitur
mbi ballin tënd reliev i shtuar.

Megjithatë,
jeta edhe legjendë e stisur
nëpër damarët e kreshpëruar
andaj e fortë në përballim sprovash,
në mbijetim të dhembjes
me buçimë të krisur
e Madhja jonë,
motër moj,
Tinka Kurti!


LAVDI PËR PAVDEKËSINË

(Bac Adem Demaçit)

Vështirë të shkruhet nekrologji për ty
Simbol i rezistencës për liri të Kosovës
Bac Adem Demaçi,
I përjetshëm kujtimi
lis i palëkundur i shekullit,
Lavdi për pavdekësinë!

Ti nuk ke vdekur në 26 korrikun 2018
fanar ndriçues nëpër galeritë e etura
krahasimesh të derdhura me pishtarë të globit,
vetëm jetë ndërrove
për të rrëzëlluar në altarin e madhështisë,
përherë i gjallë në zemër të shqiptarisë.

Ikonë shenjtërie yllësinë në përqafim
përbetuar në tokë e qiell
urtësinë sublime komponimit të dëlirë
në përthëkim hartash të Dheut Mëmë
shkapërderdhura përdhunshëm
nëpër gojë guçedrash,
ligjërimin e lashtë shqip.

Bac Adem Demaçi
Ti mendjendritur në kohën e duhur
përkushtimin gur e mur pikturuar në flamur
në thyerje heshtinash të nemitura
që edhe nëpër thepisje egërsish
të mbijetojmë
krahëhapur si etni të gjallërojmë,
thekshëm të vezullojmë
mbi gjurmët hyjnore të rrënjës.

Për Ty udhërrëfyes flokëthinjur
me kokën lartë,
për madhështinë tënde shëmbëllim
krenarinë deri në pakufi.
Ndër breza të trashëgimisë
fjalët tuaja ujëvarë cemi, krua në gurgullimë
që dashurinë vlerë hirësie
për atdheun e lashtë me emër
ta kemi thellësisht me zemër,
qëndresën kalitur në flatra shqiponje
haperimit për njëjtësinë,
drejtësinë e pakursyer për njerëzinë.

(Poezi – Vendi i dytë-Festivali Kombëtar i letërsisë
dhe Ditët e Diasporës – Podujevë – 18.08.2018
)


PRIZRENI ME BEDENA GURI

Flakërimë e derdhur fisi e plisi
shëmbëllimit historik të dëlirë
në më të bukurin vend
të dheut tim krahështrirë
në Prizrenin e zambakëve të bardhë
e të besës
perlë me bedena guri kurorëzuar,
lashtësi e ruajtur në shtresime
rrezesh të ylberta praruar.

Uratat nuk pushuan kurrë
për urtinë mitike me shkreptimë
jehut deri në kup të qiellit.
As për madhështinë e bekuar
nuk pushuan kurrë përbetimet,
koherencë e përtërirë.
Fjalët në rrëzëllim qëndrese
me peshë të derdhur reflektimi
për pagëzimin e merituar
në folenë e përthekimit të mbarë
galeri e trashëguar.

Zigëzakeve me stisje pengu
kujtim përvëlues për djepin e përmbysur,
për baladën e trazuar
dhe këngën e mohuar
nga kapërthimet shterpa,
për tërë bezdinë e shtrirë
nga verdhësitë e përtej diellit
me përtypje rrugësh.

Kohëve ritmike në haperim
sërish vrulle guximi
me rrjedha magjike gufimi
në qytetin e shpresës së pashuar,
në Prizrenin me ura guri harkuar
Lumbardhin melodik në përqafim.
Sërish flakërimë e dehur
për frymim të lirë
nëpër gjurmët e etura,
për ëndërrën në rrugën e diellit
ngazëllimit të përtërirë.

Prizren – 22.09.2018


POET I VIZIONIT TË DËLIRË

(Milazim Kadriu)

Vështirë të radhiten fjalët
në plotëninë e jehut të dëlirë
nga lajmi sterrë
që edhe në pikë të verës se si na ngriu
për amshimin e shkrimtarit fjalë-artë,
qiri i ndezur që nuk shuhet kurrë
Milazim Kadriu.
Dhembja e trand edhe heshtjen e nemitur,
peshon rëndë mbi testamentin e lënë
në kronikë guri.

Luftëtar i fisnikërimit të dëlirë,
i mirësisë së derdhur e i bujarisë së përtërirë
Milazim Kadriu,
e zjarmuar më përngjanë lamtumira e shpejtuar
në përqafim yjesh
universit krahështrirë.
Kishe ende kohë për buzëqeshje dielli
mbi shtigje e kreshta të gjeografisë së etur
të vendlindjes,
në Llapin e dashurisë së pashuar,
në Kosovën me jeh trimërie mbuluar
shpresash të dehura për bulëzim pranvere
edhe nëpër shkallëzimet e moteve me furtunë.

Gjithësesi që kishe ende kohë
për të gjurmuar
për dritësirë të plotësuar
në madhështim vlerash me peshë të ndritur në histori
për gjuhën shqipe e për shqiptari,
hartat e ndara për t’i bashkuar
për të cilat luftove me pushkë në dorë,
me fjalën gravurë e gëdhendur
në gur e mur
jehut të derdhur me flamur.

Çka të rëndis përpara në telat e lyrës plakë
për ty poet i vizionit të dëlirë
vlugut të paepur për dritësirë?
Në cilat ujëvara t’i freskoj rimat
e vargëzimit tuaj
në stilizim jehu koponuar
haperimit me kohën?
Eh, edhe sa shumë frymëzime të tjera
të mbetën pa shkruar.

Mësimdhënës i përkushtimit fanar
në edukim brezash
me forcën hyjnore si hirësi
secili ligjerim i thënë për ty
frymon i flakëruar.
Pusho i qetë
në parajsën e merituar!

Prishtinë – 13.07.2019


NËNA TEREZE SHQIPTARE-SHËN TEREZA

(Idhull i dashurisë së Zotit mbi dhé)

Gonxhe Anjezë Bojaxhiu
agmi e purpurtë shëmbëllimi
që në lutjen e parë të hirësisë.
Në pikturimin e madhështisë së ngjeshur
ujëvarë e dehur e krenare
me rrënjë e gjak shqiptare,
e lindur në zemër të Dardanisë së lashtë
në Shkupin e vrullit të ndezur prore
nga prindër skofiarë me palcë e asht
Drane Barnaj (Bojaxhiu)
nga Novo Sellë e Gjakovës
e Kolë Bojaxhiu
i thellësisë së fisme mirditore.

I përflakur viti 1910
kur u linde ti
ngjizje e jehut të ylbertë
shkrirë në dëlirësi ndjenje,
kohë me epshe të trishta demonësh,
heretikësh të lëbyrtë
me mllefe të përdredhura
në udhëkryqin epik të Ilirisë
kur rrokullisej gur e dhe
me trandje apokaliptike.
Gonxhe me ëndërra rinie si magji
jehut kumbues për diellin
që të bëhesh mësuese e popullit
për edukim brezash me urtësi,
imazh i blertë në përmasa trungu.
Vargëzimi rrëfim i pëlcitur thellësie
përflakur frymimit shqip
në komponim melodish me shpresa.
Megjithatë,
jeta nëpër kahjet e veta
me sfida të shumta e me kthesa,
etje e pashuar pafajësie
në rrjedhë mrekullie.
Gonxhe Bojxhiu – Nëna Tereze
Nënë e Shenjtë-Qirinj i ndezur
me zemër të madhe sa krejt bota,
sublimë koherente e rrallë
me besimin shkëmbor të patundur,
legjendë e gjallë.

Nëna Tereze
lajmëtare e ndritur
me besë e fe
idhull i dashurisë së Zotit mbi dhe.
Misionare e mirësisë për njerëzit
me mbi gjysmë shekulli veprimi
jasht fokusimit të dheut mëmë
kurrë nuk pushove së thënit me krenari:
“Atdheu im është një vend i vogël
me emrin Shqipëri”.

Nëna Tereze,
Nënë e mëshirimit të pamposhtur,
Nobelistja e Madhe
për Paqe në Botë,
të varfërit e skajshëm
të Kalkutës,
të Indisë dhe të krejt globit
i afrove,
të sëmurët i shërove
në shtim shpresash për jetën,
për kuptimësinë e të qenit njeri.
kjo dhunti e papërsëritur e Zotit.

Prishtinë – 10.09.2019


RETROSPEKTIVË NËPËR KOHË

Në kujtime
retrospektivë kohëve në fluturim
enigmë e fshehur
me ritme të shpeshtuara zemre.
U linda në kullën e gurtë të bajrakut
rrëzë Gardhinës plakë
me pirgje shekujsh në pamundësi numrimi
dhe gjysh e stërgjysh rënë ndër beteja
për tokë dhe rrënjëthella mëtimi,
përmallime të zjarrta kam për ta.

Gjuhën ma mësoi shqiponja e moteve
me bekimin e zotave të mij të parë
pasha tokë e qiell!
Gjyshja në sofrën e shtruar të bujarisë
përbehej me hirësinë e falënderimit
edhe pasha bukë e kripë e dritë e diell!
Është vullnet i shkruar i Zotit,
thënie kur qesh lindur unë,
me refrenin pastë fat në jetë
më bekuan.

Sirtarëve të përmallimit
nuk kishte krismë pushkësh në traditë
kur gëzoheshin edhe trerët e kullës
për përtëritjen e mirëfilltë të rrënjës.
Në shpirtin virgjëror vetëdije e tronditur,
shtiza e bajrakut në pritje të dorës së trimit
për beteja të reja
që nuk kishin kurrë të ndalur.

Prishtinë