POLITIKA PUTINISTE DHE ERDOGANISTE SI SHPATA E DEMOKLEUT MBI BALLKANIN PERËNDIMOR

0
755

Frank Shkreli

Kohët e fundit, anëtarë të Kongresit Amerikan, në grupe dhe individualisht, kanë vizituar disa vende të Ballkanit Perëndimor, me qëllim për të parë së afërmi situatën politike dhe ushtarako-ekonomike në atë rajon dhe për të biseduar me udhëheqësit e atyre vendeve mbi shqetësimet e vazhdueshme amerikane dhe të Evropës Perëndimore, në lidhje me influencën e Rusisë dhe të Turqisë, jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perendimor por edhe më gjërë. Në këtë frymë ishte edhe vizita e Zëvëndës – Presidentit të Shteteve të Bashkuara në fillim të gushtit që kaloi, në Podgoricë, në kuadër të mbledhjes së nivelit të lartë të Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vizita e Z. Pence në Mal të Zi, Estoni dhe Gjorgji, pasoi vizitën që bëri më heret Presidenti Trump në Poloni dhe në Gjermani. Më heret, përfaqsues të lartë të administratës amerikane, si Sekretari i Mbrojtjes Xhim Mattis dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Reks Tillerson ishin dërguar në Evropë për të qetësuar shqetësimet e shprehura nga vendet afër kufijve me Rusinë dhe njëkohsisht për t’i siguruar ato se Washingtoni mbështet Aleancën e NATO-s si dhe sovranitetin e vendeve ish-sovjetike, por që ende nuk janë anëtare të saj, siç është Gjorgjia.

Mund të thuhet pra se i gjithë ky aktivitet diplomatik, mbrenda disa javëve nga ana e Shteteve të Bashkuara, kishte për qëllim të zhdukte çdo dyshim të vendeve anëtare të NATO-s dhe të tjerëve, se Washingtoni është i zotuar si gjithmonë për mbrojtjen e përbashkët, në rast të një sulmi, të vendeve anëtare të NATO-s, ashtu siç parashikohet në nenin 5 të aleancës. Për më tepër, gjatë vizitës së tij në Evropë, përfshirë Malin e Zi, Zëvendës-presidenti amerikan Pence, përveç se foli për marrëdhëniet bilaterale dhe politikën mbrojtëse, ai theksoi edhe vlerat e lirisë, të demokracisë dhe tolerancës fetare, duke inkurajuar vendet ballkanike që të lidhen me perëndimin dhe të kundërshtojnë përpjekjet ruse, për të përçarë aleancën NATO, e cila e konsideron Rusinë si një kërcënim të sigurisë dhe paqës në kontinentin evropian.

Në vazhdën e këtyre vizitave të zyrtarëve më të lartë amerikanë kohët e fundit në rajonin e Ballkanit, ishte ajo e Senatorit republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, njëkohsisht edhe Kryetar i Komisionit të Senatit Amerikan për Sigurinë Kombëtare. Gjatë takimeve të tij në Beograd me zyrtarët serbë, Senatori amerikan u bëri thirrje autoriteteve serbe që të mos i japin statusin diplomatik personelit rus në atë që Moska e cilëson si një “qendër humantitare” ruse, shumë të përflur në Nish të Serbisë, por të cilën shumë ekspertë dhe agjenci perëndimore të shërbimit të fshehtë, thonë se është një çerdhe spiunazhi. Ligjvënsi amerikan i tha Presdientit të Serbisë, Vuçiq, se akordimi i statusit diplomatik personelit në qendrën ruse në Nish, do të ishte, “Një shenjë shumë e keqe” dhe nuk do t’i shëbente interesave të Serbisë, sidomos sa u përket investimeve perëndimore në atë vend.

Qendra “humanitare” ruse në Nish — për të cilën kam shkruar edhe më heret e që është hapur në vitin 2012 – sipas shumë vërejtësve të çështjeve të Ballkanit, në të vërtetë, shërben si një qëndër spiunazhi kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe sidomos kundër interesave perëndimore në atë rajon, por përdoret edhe si qëndër propagande për të influencuar opinion publik në favor të politikës dhe diplomacisë së Rusisë në rajonin e Ballkanit. Senatori Xhonson u tha bashkbiseduesve në Beograd se nëqoftse Serbia dëshiron investime nga perëndimi, “Ajo duhet të tregojë shënja se preferon stilin qeverisës të demokracive perëndimore dhe tregun e lirë dhe jo llojin e agresionit që, fatkeqsisht, po demonstron aktualisht Vladimir Putin-i i Rusisë”.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Senatori Ron Xhonson komentoi mbi gjëndjen në Ballkan dhe mbi marrëdhëniet ruso-amerikane, duke theksuar se, “Është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të tregojnë interesim më të madh ndaj këtij rajoni, duke marrë rolin udhëheqës”. Tani është një kohë e përshtatëshme që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian dhe në radhët e demokracisë Perëndimore”u citua të ketë thënë, për ndryshe shtoi ai, rajoni,“Shumë lehtë mund të bie nën influencën ruse”. Senatori Xhonson u shpreh gjithashtu se Rusia po bën çdo gjë të mundur për të destabilizuar autoritetet vendore, me qëllim për të parandaluar animin e tyre drejtë Perëndimit”, duke thënë se ne duam që vendet e Ballkanit të, “Anojnë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja”.

Gjatë vizitës së Senatorit Xhonson në rajon, ai vizitoi edhe Prishtinën, ku u takua me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin në detyrë, Isa Mustafa. Senatori amerikan i siguroi udhëheqsit më të lartë të Kosovës, sipas një njoftimi për media, se, “Administrata e presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqën dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Ndërkaq, dhe përballë kësaj situate, shtetet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, duhet të vendosin — ndërkohë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin janë në nivelin më të ultë ç’prej shembjes së Murit të Berlinit, por njëkohësisht edhe duke marrë parasyshë përkeqsimin e marrëdhënieve të Turqisë së Erdoganit me Perëndimin, e sidomos me Gjermaninë – se kah do t’ia mbajnë ato, siç u shpreh Senatori Xhonson: nga Lindja a po nga Perëndimi? Distancimi i dukshëm i Turqisë nga Perëndimi, nën regjimin e Presidentit Erdogan, mund të nevojitë një pozicionim të ri nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,edhe në marrëdhëniet me Ankaranë.

Nuk ka dyshim se influenca e stilit të qeverisurit nga Putini dhe Erdogani në rajonin e Ballkanit, minon demokracinë dhe inkurajon disa prej të “fortëve”të Ballkanit që të ushtrojnë një pushtet autoritar në disa prej vendeve të rajonit, duke shkelur dhe duke abuzuar me të drejtat e njeriut dhe me normat demokratike.

Prandaj, vendet ballkanike duhet të vendosin njëherë e mirë nëse modeli udhëheqës për ‘ta është ai perëndimor, a po preferojnë modelin e Putinit dhe Erdoganit: njëri dëshiron ringjalljen e perandorisë sovjetike e tjetri ringjalljen e perandorisë otomane, në kurriz të popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Ndërsa pretendojnë integrimin e plotë ekonomik dhe politik me Evropën, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të flirtojnë njëkohësisht me udhëheqës të tillë, si Erdogani e Putini, të cilët kanë minuar demokracinë, jo vetëm në vendet e tyre, por kudo që atyre u “shkelë” këmba. Ndërkohë që marrëdhëniet e Turqisë me Evropën sa vinë e keqësohen dhe ndërsa lidhjet midis Putininit e Erdoganit po përmirësohen, qoftë edhe në sipërfaqe — shpejt do të vijë koha që udhëheqsit shqiptarë në Ballkan duhet të vendosin se kah do t’ia mbajnë, drejtë Perëndimit apo drejtë Lindjes?

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati duke folur të mërkurën në Shkollën Verore të Këshillit Kombëtar të Integrimit në Tiranë, me të drejtë u shpreh se, “Topi është në fushën tonë”, ndërsa theksoi se, “Nevojitet të forcojmë më tej konsensusin kombëtar, diologun politik që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”.

Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta kuptojnë para se të jetë vonë, se Putini nuk është Gorbaçovi dhe Erdogani nuk është Ataturku, madje as Demireli.