Politika sharlatane nuk përmend kulturën dhe artin, piktorët lihen anash, artistë pse duhet të votoni?

0
420
Ilir Muharremi, books

Ilir Muharremi, kritik i artit

Asnjëra parti në programin e saj nuk e përmend se kultura duhet të jetë prioritet, edukim gjithëpërfshirës edukativ, plotësim shpirtëror dhe domosdoshmëri në përditshmërinë e të rinjve.

Institucionet duhet të kenë një refomë sidomos ato të artit Teatrot, Galeritë, Muzetë, sallat koncertrale. Muzetë dhe Galeritë te kenë kurator profesional, kritik arti të cilët sinqerisht do e kritikojnë kulturën dhe programet e ofruara nga menaxhmenti të cilat gjithmonë burojnë nga menxhamenti jo profesional. Pastaj piktorët profesional duhet të gëzojnë atelietë e tyre sikur që e ka Shkupi e shumë vende tjera në rajon. Piktorët janë lënë anash krejtësisht. Ata menaxhohen vet dhe fitojnë vet e nuk paguajnë fare tatim për shitjen e pikturave. Pse të pagujanë kur shteti asgjë nuk ofron për ta?

Asnjë parti politike nuk përmend rikualifikimin dhe rikoncetimin e fonksionit të Muzeut, rikonstruksionin dhe rikonceptimin e funksionit të Bibliotekës Kombëtare, rehabilitimin dhe rifunksionalizimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Po ashtu edhe Teatrin Kombëtar, kinematografinë e cila vërtetë është në mjerim dhe çdo ditë e më shumë po lihet në duar të idividëve privat. Kjo tipologji investimesh do të ndikojë drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së ofertës kulturore dhe në edukimin e publikut të gjerë. Asnjëra nga partitë politike nuk e përmend këtë.

Kultura te ne ka mbetur mbrapa si hallk kryesore e shtetit, dhe këtë hallkë nuk duan ta përmirësojnë në programet e tyre. Pse t’i votojmë?
Asnjëra parti nuk sjellë ndonjë panoramë të përgjithshme të asaj çfarë ka ndodhur gjatë shumë viteve të menaxhuara nga partitë politike.

Teatri, dhe nuk duhet të ekzistojë vetëm një Teatër Kombëtar por të hapet edhe ndonjë teatër eksperimental të funksionojë.

Çdo qeveri që ka ardhur nuk e ka pasur prioritet artin dhe kulturën në vend. Ka ardhur koha, që Kosova të ndryshojë mendësi. Arti dhe kultura çon përpara një komb, jep vizion për shtetin, ekonominë, juridikun dhe nëse nuk investon në art dhe kulturë do të mbetemi të fundit të Europës. Në momentin, që ne do të fillojmë të investojmë në art dhe kulturë do të ecim edhe më përpara.

Të mblidhen aktorët me piktorët, skulptorët, shkrimtarët, dramaturgët, etj, të bëhen bashkë dhe të jenë një grup të mos përçahen nga politika, që dikujt i bën një favor dhe i jep diçka dhe shikon secili interesat e veta.

Nuk kemi intelektual e politikanë të mirëfilltë të cilet do mblidhen bashkë për të mirën e kulturës ose nuk i kanë grushtet e forta. Jemi si arra kur i gjuan kaqoli.

Nuk përmenden as sfidat që u përdoren në institucione kulturore, arritjet, ose koorigjimet. Vallë kultura nuk po ekzistojka te ne? Ose ministrat e kulturës duhet të jenë artist e jo njerëz që duan ta menaxhojnë artin. O politikanë kemi nevojë shumë për art, ta zhvillojmë atë në vendin tonë.

Aq shumë ka sfida të grumbulluara me vite dhe nuk janë disa sidomos ato juridike statusi pra krijuesve dhe përformuesve në institucionet e kulturës. U rriten rrogat e aktorëve, por artistët e artit pamor nuk gëzojnë status të tillë, ata janë anash dhe askush nuk u kujdes për ta. Nuk kanë hapësira, atelie të financuara nga shteti dhe nuk ekzistojnë hapësira ose lagje ku do të promovohen vetëm pikturat dhe të gjitha ato nga arti pamor. Pse duhet t’i votojnë partitë politike?

Nuk u kthyen artefaktet tona që ndodhen në Serbi. Beogradi i ka grabitur ato artefakte dhe i ka në posedim, krejt çka partitë tona kanë bërë, e kanë lënë në duart e Beogradit të vendos vet me vullnet për t’i kthyer. Kjo çështje as që është diskutuar nga kultura jonë.
Dikur një projekt që u fol shumë nga ministrat, Teatri i Operës dhe Baletit, ka ngecur te gurthemeli. Ende nuk u ndërtua. Ky projekt ende nuk po trajtohet me seriozitet dhe kurrë nuk është trajtuar me seriozitet. Janë shpenzuar mjete për këtë projekt, edhe për të hapur një gropë të madhe për themelet e kësaj ndërtese dhe absolutisht asgjë nuk është bërë. Nuk ka një racionalitet as financiar, as ekonomik dhe as artistik sesi duhet të realizohet dhe të jetë i qëndrueshëm ky objekt.

Pse duhet t’i votojmë? Realizimin e planit për objektin e vështirëson edhe mungesa e komunikimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës. Nuk u gjet zgjidhja. Vetëm broçkula flasin bile tash as që flasin më për këtë objekt. Pasi qenka mungesë e buxhetit dhe moskuptim ndërmjet komunës atëherë qeveria duhet të intervenoj në rritjen e buxhetit të ministrisë së kulturës. Themelet po i vjetrohen ndërsa kulmi çdo ditë po bëhet më i ri.

Pse për art nuk flitet fare nga politika ku është problemi?

Janë të pa kulturuar dhe nuk lexojnë, nuk janë rritur me shfaqje, vizitë në Galeri, janë të prapambetur etj. Arti është në një mjerim të plotë, si asnjëherë tjetër. Faji është edhe te populli, popull i pa kulturuar si mund të flasë për kulturën. Andaj, politika nuk e adreson fare artin. Arti duhet të ketë porosi përrallore dhe propagandë të fuqishme dhe krijohet bindja se në Kosovë nuk ka artist pasi nuk po përmendet fare arti. Vërtetë për keqardhje. Duhet të merren me veprat bashkëkohore, qoftë në letërsi, artet figurative apo kinematografi. Duhet të përqendrohen tek prodhimtaria ditëve të sotme, pasi aty ka një boshllëk shumë të madh, atëherë duhet kritikuar artistët dhe shtrohet pyetja se kush t’i kritikoj derisa pak kemi njohuri për artin.

Një shtet pa art është i vdekur dhe i prapambetur. Diktatura në Shqipëri ishte gijotina e artit, pra që priste kokat, kjo e sotmja në Kosovë, është diktatura e parasë. Arti po bëhet biznes. E arti i parasë është më i keq dhe më i pandergjegjshëm. Pse e them këtë? Vet shteti e urren artin dhe e menjanon, vetë shteti e ka abandonuar artistin e ka lënë të humbur në udhëkryq. Sot arti në Kosovë është vetëm fjalë e jo vepër. Mendoni piktorët dhe aktorët ku janë sot? Në mjerim. Funksionohet mbas klaneve dhe i miri mbetet i vetmuar.

Një vend pa art nuk ka jetë nuk frymon mirë. Andaj, artist pse duhet të votoni?