Politikanët e tërbuar pas pushtetit e rrezikuan të ardhmen e shtetit!

0
709
Hashim Thaçi - Behgjet Pacolli

Shkruan: Florim Zeqa, 04.01.2019

Shkaku pse njerëzit e ndershëm, me ndërgjegje të pastër dhe të guximshëm nuk mund ta gjejnë vetën në asnjë parti politike në Kosovë, është fakti se, të gjitha partitë politike, kush më shumë e kush tjetër më pak janë të financuara nga kompanitë e inkriminuara, janë të kontrolluara nga nëntokat kriminale dhe luftojnë vetëm për pushtet dhe privilegje personale, për të përfituar benefite për veti dhe klanet mafioze e jo për t’u shërbyer qytetarëve.

Liderët e shantazhuar partiak, rrezik për shtetin

Partitë e konsumuara politike nën drejtimin e liderëve të shantazhuar partiak, shtetin e Kosovës e kanë shndërruar në objekt pasurimi, ndërsa qytetarët i kanë shndërruar në skllevër e shërbëtor të tyre.

Të gjitha partitë politike pa dallim, pushtet dhe opozitë vetëm thirren në demokraci, por asgjë nuk kanë të përbashkët me vlerat demokratike, etikën dhe moralin njerëzorë.
Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin e stërgjatjes së fazës së tranzicionit politik, mungesës së zhvillimit ekonomik dhe mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë.

Si pasojë e kësaj situate, partitë shtetndërtuese u shndërruan në rrënuese të shtetit, partitë e dala nga lufta u shndërruan në shkelëset më të mëdha të vlerave të luftës dhe gjakut të dëshmorëve.

Pasi në krye të shtetit erdhën njerëzit e pamoralshëm, pa etikë dhe pa trashëgimi të pastër dhe pa trung të fortë familjarë, pa histori të mirëfilltë dhe pa integritet personal, të cilët shumë shpejtë i harruan idealet mbi të cilat u ngriten në karrierë politike, duke u shndërruar në kusarë të tërbuar pas pushtetit dhe pasurimit të paligjshëm.

Së fundmi, politikanët e tërbuar pas pushtetit kanë hyrë në vallen e keqpërdoruesve të pushtetit, duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e shtetit.

Në rrethanat krijuara nga varfëria dhe mungesa e përspektivës zhvillimore, edhe njerëzit e mirë i kanë futur në botën e krimit, shkaku i varësisë së skajshme nga partitë e inkriminuara.

Privilegjet e pushtetit kriminal po vazhdojnë t`i gëzojnë edhe anëtarët e familjeve më emblematike si ajo e Adem Jasharit dhe ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Kur familjet e mëdha, me fuqi të madhe ekonomike, reputacion të gjërë dhe kredibilitet të pakontestueshëm kombëtar bien pre dhe bëhen pjesë e pushteteve të inkriminuara, fundosen shpresat dhe thyhet morali i familjeve me gjëndje të rënduar socio-ekonomike!
Kjo situatë paradoksale, ka bërë, që njerëzit e thjeshtë për të siguruar kafshatën e gojës për familjet e tyre të lakohen më lehtë para pushtetarëve të inkriminuar.

Kësisoji, ata që nuk iu nënstruan të keqës edhe në rrethanat më të vështira, gjatë periudhës së luftës dhe pasluftës, 20 vjet më pas u kanë mbetur vetëm dy rrugë; dorëzimi para të keqës ose të largohen përgjithmonë nga vendi i tyre!

Kjo u vjen nga kushtëzimet në forma të ndryshme nga ana e pushtetarëve, qoftë me; punësime, regjistrime në shkolla e fakultete, shërimin në spitale, marrjen e statusit të veteranit apo invalidit të luftës e deri tek asistenca e thjeshtë sociale.

“Kompromisi i dhimbshëm”, produkt i klasës politike mercenare

Me këtë klasë politike në pushtet deri në fund të vitit 2019, do të kemi më pak shtet e më shumë kriminalitet, do të kemi tkurrje territoriale dhe zvogëlim të popullatës shqiptare në Kosovë.

Me këtë klasë politike në pushtet, përveq humbjes territoriale do të ndodhë fuqizimi i mëtutjeshëm i pakicës serbe me shtimin e kompetencave ekzekutive të Asociacionit të komunave serbe në brendi të vendit dhe zgjerimit të autritetit të kishave dhe manastireve serbe gjithandej Kosovës nën mbikëqyrjen e rreptë të UNESCO-s dhe lidhjes së drejtëpërdrejt me Beogradin, gjë e cila e dërgon pashmangshëm Republikën e Kosovës drejtë zhbërjes si shtet i pavarur dhe sovran!

Duke pasur në krye të shtetit të njëjtit politikanë të pasinqertë, të korruptuar, të tejinkriminuar dhe të dëmshëm për qytetarët, lehtësisht mund të ndodhë mashtrimi i radhës si “kompromisi i dhimbshëm” në emër të liberalizimit të vizave dhe kinse “normalizimit të madhënjeve” me Serbinë, shtetin që nuk e njeh dhe as pranon ekzistencën e shtetit tonë-Republikës së Kosovës.

Të pabesëve nuk iu zihet besë

Si t’u zihet besë atyre që i vunë flakën parlamentit në emër të mbrojtjes së territorit, e që më pas me dorën e tyre i falen Malit të Zi mijëra hektarë tokë, i falen përjetësisht Çakorrin, Kullën e Bjelluhën pa e marrë liberalizimin e vizave dhe pa e marrë asnjë milimetër tokë nga Mali i Zi!

Kushti i radhës mund të jetë akoma më i dhimbshëm, që Kosova ta bëjë marrëveshjen e planifikuar nga Serbia dhe të imponuar nga BE-ja, nga e cila Kosova do të dali e dëmtuar për mijëra kilometra katrorë, me humbjen e resurseve natyrore, pasurive kryesore nëntokësore (Trepça, Ujmani, etj) si dhe ndarjen e sovranitetit të shtetit të mbetur në disa pjesë; në Kosovën shqiptare (me Prishtinën e zgjeruar me komunat shqiptare), atë serbe (AKS-në e zgjeruar me enklavat, kishat dhe manastiret serbe) si dhe pjesën turke (pjesën e Prizrenit të erdoganizuar me mbetjet turkofile gjithandej Kosovës)!

Ky nuk është defetizëm, por rrezik real nga i cili kanoset sovraniteti i Republikës së Kosovës nga armiqt shekullorë (Serbia dhe Turqia).

Popullata shqiptare dhe qytetarët e vendit i kanë akoma të freskëta copëtimet e një shekulli më parë dhe copëtimin e vitit të kaluar me bekimin e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës.

Ide të tilla mund të shfaqen sërish nga zyrat e mercenarëve të Prishtinës dhe Tiranës, të cilët për ruajtjen e kolltuqeve të tyre, as që i bëjnë hesap trojet shqiptare!

Mbetët në dorën e qytetarët të vendit që të përcaktohen, se a do të pranojnë të japin përseri territor, që të lëvizin pa viza apo të sakrifikojnë vizat për mbrojtje të territorit të vendit të tyre!?

Ndryshe, armiqt tonë shekullorë, sa për këtë lidership të shantazhuar dhe këtë klasë politike të korruptuar dhe tejinkrimunar edhe përgjysmë mund e do ta ndajnë këtë Kosovë të vogël e të pa zot shtëpie.

Andaj ju bëj thirrje vëllazërore të gjithë qytetarëve të vendit tim, mos ju besoni politikanëve të shantazhuar, mos besoni në ato që i thonë për konsum të brendshëm politik, por shiqoni veprimet e tyre, …shiqoni pasuritë e tyre të paligjshme, shiqoni jetën e tyre prej “Sheikëve” në Kosovën e varfër, shiqoni si janë shkëputur nga interesat e popullit e shtetit!

Logjika e thjeshtë e thotë të vërtetën lakuriqe; ai që të tradhëton njeherë, të tradhëton përseri dhe me qindra herë!

“Sheikët” e politikës kosovare po tentojnë që përmes “patriotizmit folklorik” dhe pabesive në prapaskenë si në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, t’ia falin Serbisë gjakatare mijëra kilometra katror në emër të “normalizimit të mardhënjeve ndërfqinjësore” dhe kinse të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.

Nuk duhet lejuar që fati i shtetit dhe qytetarëve të mbetet në duart e politikanëve të tërbuar pas pushtetit, këtyre “Sheikëve” të trullosur pas pasurive qindra milionëshe.