PRESIDENTI I KOSOVËS, ISA MUSTAFA (5)

0
1115
Isa Mustafa

ME SHKAS:

Nëse LDK-ja do ta kushtëzoj VV-në për postin e presidentit të cilin do t’ia rezervojë Isa Mustafës, atëherë vendi ynë e ka rastin historik që të futet në Librin e Rekordeve Guinness!

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Viti 1990, jo vetëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës, por në përgjithësi për popullin shqiptar, ishte vit i sfidave, vit i konsolidimit, vit i orientimit, vit i unifikimit dhe i transformimit të koncepteve nga e majta titiste dhe qe besa edhe marksiste-leniniste, drejt së djathtës eurodemokratike. E nëse ne edhe sot nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë defektet që i shoqëruan ato sakrifica dhe përpjekje do të thotë se nuk jemi në gjendje për ta ndryshuar Kosovën, e cila ka nevojë më shumë se kurrë.

Intelektualët, veprimtarët dhe luftëtarët nuk duhet t’i friksohen të kaluarës së tyre, qoftë ajo edhe e zymtë dhe me gabime, vetëm të mos jenë gabime të porositura nga shërbime antishqiptare. Gabimet falen, por jo edhe tradhtia kombëtare, as nuk duhet të falet pasuria e krijuar mbi gjakun e luftëtarëve dhe dëshmorëve, sikurse as karriera politike e fituar mbi gjakun e familjarëve për t’i shërbyer nomenklaturës titiste në strukturat politike, sidomos brenda vet LDK-së.

Ka ardhur koha që ta shikojmë njëri tjetrin në sy, ka ardhur koha që t’i trajtojmë veprimet e gabuara dhe t’i qortojmë konceptet tona ideologjike me syrin kritik. E nëse as sot nuk durojmë vlerësime reale, atëherë mund të konstatojmë se ne nuk jemi futur as në proces, prandaj e kemi të tashmen kaq të ngatërruar, mbase duke mbuluar e korrigjuar të kaluarën, ne po mashtrojmë të tashmen dhe po varrosim të nesërmen me pak shpresa për t’u përmirësuar.

Për ndryshimin substancial të një shoqërie nuk mjaftojnë vetëm distancimet antikomuniste e sharjet kundër marksist-leninistëve idealist, sepse në këtë berihaje kanë livadhisur të gjithë titistët e bashkëpunëtorët e sitemit paraprak. Ata i jepnin zjarre konfliktit përmes mediave që vetë i kontrollonin. Fyerjet dhe konfliktet e asaj kohe janë me përmasa tragjike, pasi ato bëheshin me përmasa urrejtjesh gjeneralizuese, pasojat e atyre konflikteve po manifestohen edhe në të tashmen e bërë lëmsh, ku mos durimi politik ka sjellë kaos e turbullira të shumta, ndërsa strukturat titiste, të cilat janë mjaftë aktive po i ngrohin duart në këtë zjarr.

Në kuadër të ndryshimeve konceptuale, gjatë vitit 1990, zgjerimi dhe masovizimi i LDK-së ishte i paparë, thuaja se nuk pat mbetur asnjë qytetar po u anëtarësuar. Për fat të keq nuk ka pasur seleksionime as kontroll të duhur, pse të mos dihej kush po hynë dhe me porosinë e kujt ka ardhur. Gjatë atyre viteve është manifestuar, (herë më heshtur, e herë më vrazhdët), një kundërshtim pa zgjedhur mjete ndaj ish grupeve ilegale që vrullshëm dolën nga burgjet e Serbisë. Ky konflikt u bart edhe në Evropën Perëndimore, ku lufta e klasave ishte më e hapët dhe më e drejtpërdrejt, e cila bëhej kundër veprimtarëve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, gjë që kurrë nuk u arrit një pajtueshmëri edhe për gjërat kapitale nëpër të cilat kalonin proceset.

Ky defekt ideologjik i ka pasojat e veta, dhe me sa di, askush nuk ka hulumtuar për të gjetur shakun ose defektin e këtij procesi. Tash kthehemi tek maksima e njohur se “Pa e njohur historinë e sëmundjes nuk mund të përcaktohet diagnoza”! E ato konflikte, edhe sot e kësaj dite nuk janë shëruar, andaj nuk ka pajtueshmëri. Derisa në këto vite LDK-ja është marrë kryesisht me të majtën agresive të LPK-së, vazhdimisht e ka harruar të majtën titiste, e cila iu fut përbrenda. Shikuar në retrospektivë, shpifjet e programuara kundër udhëheqësve të LDK-së, veçmas kundër Elitës Intelektuale, janë të pafalshme, sepse duken si të koordinuara për ta pushtuar LDK-në, qoftë vetë e qoftë struktura titiste, të cilat përfaqësohen nga Isa Mustafa, i cili në emër të Kolegjit RIINVEST, bëri puç në LDK, ku bashkë me të ashtuquajturin “Brezi i Republikës”, janë shndërruar në klientelë kriminale në dëm të Kosovës.

Pra, brendapërbrenda konfliktit këtyre dy blloqeve, (LDK – LPK), që ishin në një konflikt të përhershëm, me lehtësi janë përbiruar strukturat e shërbimit sekret serb, të cila kanë pasur sukses për ta nxitur dhe zgjeruar mospajtueshmërinë. Sot, struktura të atij sistemi, që nuk ishin pjesë udhëheqëse e as publike në LDK, po udhëheqin me Kosovën, pasi në mëshirën e tyre flitet se është drejtësia dhe siguria, po ashtu ky rrjetëzim është shtrirë edhe në sistemin bankar e trustet pensionale, nëpër Organizata Joqeveritare dhe kudo ata udhëheqin me mediat, prandaj me lehtësi publikojnë shpifje dhe rrena, dështojnë sistemin arsimor dhe çdo hallkë të shtetit, vetëm e vetëm për ta bërë Kosovën një shtet të dështuar, gjë që po kundërmon edhe luftë antiamerikane, e cila do t’iu kushtojë proceseve.

D.m.th. në LDK nuk është aplikuar mënyra e seleksionimit, kjo gjë nuk ka ndodhur as në LPK, e me këtë as në UÇK, dhe në asnjërën nga partitë e formuara pas përfundimit të Luftës, prandaj jemi në krizë të thellë dhe kjo vjen në saje të këshilltarëve dhe analistëve, të cilët për këto njëzet vjet vazhdimisht kanë programuar dështime sipas urdhrave dhe misioneve të dyshimta. E shoqëria jonë nuk është e gatshme për të pranuar një Vetting, një verifikim brenda sojit, për të kaluarën e komplikuar të mjaftë udhëheqësve, të cilët tashmë janë me fajësi për gjendjen e krijuar dhe nuk ngurrojnë për të shprehur haptas ambiciet për t’u bërë edhe President i ardhshëm i Kosovës.

Një gjë dihet se gjatë viteve të nëntëdhjeta, jashtë proceseve patën mbetur farkuesit e vëllazërim – bashkimit dhe struktura udhëheqëse të LKJ-së, të cilat sot, formalisht mund të përfaqësohen nga Isa Mustafa, dhe një garniturë sojnikësh të kësaj natyre të cilët kanë zënë poste udhëhqëse në mekanizma të ndieshëm shtetërorë, për të prodhuar, sa herë të duan kriza, pasiguri dhe kaos në politikën e brendshme në Kosovë. Por, Isa Mustafa, i asaj kohe, si askush tjetër iu pat mbetur besnik idealeve të tija komuniste dhe nuk dihet asnjëherë nëse ai e pat dorëzuar librezën e LKJ-së, para se të emërohej Ministër për Ekonomi dhe Financa, por askush nuk mundet ta thotë si arriti Isa Mustafa edhe këtu të përbirohej pa dhënë llogari, pa u vetë-rrëfyer, prandaj edhe refuzimi i sotëm për ta krijuar Qeverinë me Albin Kurtin, nuk lidhet aq me me postin e Presidentit, siç duket në të parë, por Isa Mustafa ia ka frikën Modelit Kroat kundër Kryeministrit Sanader1?!

Isa Mustafa, ka interes për ta ruajtur të kaluarën e tij përplot hipoteza, dhe krejt natyrshëm edhe pasurinë, të cilën e kanë krijuar, (siç flitet), të bijtë dhe klientela e tij. Prandaj një veprim i mundshëm i VETVËNDOSJES, për ta zbatuar modelin kroat edhe kundër ish Kryeministrit nga radhët e LDK-së, e bënë Isa Mustafën qyqe, kontrovers, andaj është kontradiktor dhe hujli me shumë e për shumë pikëpamje, me të cilat vetë u deklaruan se paskan arritur pajtueshmëri të plotë programore2.

Ndërsa ne po i kthehemi atyre ngjarjeve, nëpër të cilat kaloi Kosova, atëherë kur LDK-ja nisi për t’i themeluar Degët e saj edhe në Diasporë. E në kuadër të atyre zhvillimeve ne nuk kemi qëllim për t’i trajtuar aspektet politike, as shtrirjen dhe organizimin e mirë a të keq, madje nuk po flasim as për rolin dhe ndikimin e LDK-së në vendet e Evropës Perëndimore, por do t’i theksojmë vetëm ato raste pikante, që lidhen me veprimtaritë antidemokratike dhe antiinstitucionale të Isa Mustafës, i cili tashti po udhëheqë Partinë, që e themeloi Dr. Ibrahim Rugova, kurse dikur e urrente dhe e pengonte në udhëtimet e tij drejt Amerikës.

Por duhet theksuar se ai masivizimi i përshpejtuar, që i ndodhi LDK-së edhe në Diasporë, ishte si rezultat i përçarjeve disavjeçare që ekzistonin brenda vet LPK-së, e në anën tjetër dukej si nevojë për t’u ndryshuar, por padyshim ndikoi edhe retorika e miqësisë me Amerikën dhe vendet e Evropës Perëndimore, që patën efektin e tyre pozitiv.

ORGANIZIMI PËR VETËFINANCIM

Fillimisht “Fondi Humanitar i LDK-së”, që u themelua më 02 dhjetor 1990, në qytetin St. Gallen, ishte organizim i brendshëm i LDK-së. Gjatë vitit 1991, u pa nevoja që ky fond të merr karaktere më gjithëpërfshirës, pasi në ato procese ishin të angazhuar shqiptarët etnikë nga të gjitha trevat dhe nga e gjithë hapësira gjeografike. Gjatë kësaj kohe, në Komisionin Qendror të këtij fondi u futen edhe aktivistë jashtë strukturave të LDK-së, pra edhe përfaqësues të LPK-së, e me kalimin e kohës “FONDI HUMANITAR I LDK-së” u shndërrua në “FONDI HUMANITAR GJITHËKOMBËTAR”. Sa i përket veprimtarisë së Fondit, përveç komunikatave e shkresave publike, ka pasë përpjekje për t’u ndërtuar edhe sistemi i kontrollit, e në anën tjetër duhet theksuar se ishte hera e parë, që u kërkua nga mërgata të mos mblidhen para me kapuç.

Me themelimin e “FONDIT HUMANITAR GJITHËKOMBËTAR”, praktikisht u ndanë financat partiake nga ato shtetërore, duke pasur synim për t’u kanalizuar përmes llogarive bankare dhe natyrisht edhe përmes sistemit të kontrollit dhe përgjegjësitë të menaxhoheshin më mirë. Tashmë, pjesë e “FONDIT”, ishin të gjitha grupimet dhe organizatat politike e kulturore, duke i mbuluar trojet sipas shtrirjes gjeografike, dhe sado që do të ketë pasur gabime ka qenë një frymë mobilizuese e të të gjithëve e cila nuk qëndroi gjatë dhe nuk u përserit më kurrë, madje për fat të keq as gjatë Luftës së UÇK-së në vitet 1998-1999.

Në vitin 1991, LDK-ja, e pat organizuar referendum për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mbi 99% të qytetarëve u përcaktuan “për pavarësi”, por këtij referendumi nuk iu pat bashkangjitur Isa Mustafa dhe as klani titist që shpresonte në LKJ-në e mbetur në kornizat për një Serbi unike. Sado që ai referendum nuk pati efekte ndërkombëtare, brendapërbrenda shqiptarëve krijoi një unifikim substancial. Në tetor po të atij viti, LDK-ja e themeloi Qeverinë e Kosovës, e cila vepronte në ekzil dhe udhëhiqej nga Bujar Bukoshi – kryeministër3.

Se si e solli Bujar Bukoshi, për ministër Isa Mustafën, janë dy tre versione, por secili lakohet nga klanet e ish sistemit komunist jugosllav, të cilët vinin e dilnin, qoftë në LDK ose në Qeveri, në misione të caktuara. Gjatë vitit 1992, derisa LDK-ja kishte kompetencat kryesore mbi “Fondin Humanitar Gjithëkombëtar”, dhe pasi i kishte premtuar anëtarësisë, se të gjitha mjetet do të kalojnë në kompetencë të Qeverisë së Kosovës posa të formohet. Vërtetë kështu është vepruar, sepse vetë kryetari i Degës mr. Shaip Latifi, i pat bartur kompetencat bankare tek Isa Mustafa, përkatësisht personat e autorizuar nga ai, ku deri atëherë ishin grumbulluara rreth 9 milion franga zvicerane.

E çfarë ndodhi më pas, Isa Mustafa do t’i heqë të gjithë emrat nga fondi, do ta prodhojnë një alibi me administratën bankare, kështu që do të ndërrohet banka dhe misioni i Fondit. Qeveria e Kosovës pat themeluar “Fondin e 3%”, ndërsa lufta e shtrigave kundër LDK-së nisi në pranverën e vitit 1993, kur u shkarkua Kryetari i Fondit të Trepërqindëshit, ing. Nazmi Peci, bashkë me stafin udhëheqës, ndërsa nga presionet e hapura të dr. Bujar Bukoshit dhe të mr. Isa Mustafës, në vjeshtën e vonë të po atij viti, u detyrua të tërhiqet edhe kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, mr. Shaip Latifi.

LUFTË E ASHPËR KUNDËR DR. RUGOVËS DHE DEGËVE TË LDK-së

Lufta kundër LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, që bënte komunisti Isa Mustafa, që u bë Ministër për Ekonomi dhe Financa, pa e dorëzuar librezën e LKJ, do të jetë shembulli ma anakronik i asaj kohe, i asaj qeverie, dhe i asaj shoqërie. Pas vdekjes së Presidentit Rugova, Isa Mustafa bashkë me Vjosa Osmanin, ishin këshilltar të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Atë e dështuan këshilltarët e tij, prandaj Isa Mustafa, arriti pa qenë fare anëtar të bëhet edhe kryetar i LDK-së dhe më pas edhe Kryeministër i Kosovës.

Në Evropën Perëndimore, Viti 1993, njihet edhe si luftë e shtrigave kundër Degëve të LDK-së në Diasporë. Menjëherë posa u spastruan paratë nëpër bankat perëndimore, dhe kur u themelua “Fondi i 3%”, Isa Mustafa, në një afat rekord, arrit t’i shkarkojë mbi 2600 aktivistë. Ashtu siç ka bërë me LDK-në, e pat ndërruar strukturën udhëheqëse, ua hoqi nënshkrimet nëpër banka të gjithë atyre që nuk iu besonte, dhe më kurrë s’ka dhënë raport para Degëve të LDK-së, në Zvicër dhe Gjermani.

Skandali më i madh ishte kur shkarkoi një Inxhinier dhe solli nga klientela e tij një të dëgjueshëm që nuk kishte më shumë se shkollën e mesme. Tamam historia përsëritet kur Isa Mustafa në vitin 2015, në dy degët e LDK-së, në Zvicër dhe atë në Gjermani, do t’i shkarkojë intelektualët dhe themeluesit, për t’i vendosur analfabetët e dëgjueshëm që ishin “Poroznik” nga klientela e tij, dhe çuditërisht nuk pati reagime, madje as për epilogun kundër Donikë Gërvallës në Degën e LDK-së në Gjermani.

Periudha e Bujar Bukoshit, si kryeministër i Qeverisë së Kosovës në Ekzil, zyrtarisht llogaritet (05.10.1991–01.02.2000)4. Isa Mustafa gjatë të gjitha atyre viteve është sjell po me të njëjetn logjikë, siç po vepron tashti edhe me themelimin e “QEVERISË KURTI”. Ai as atëherë nuk merakosej se i bëhej vonë, ai e dinte se me ato para që i mblidhte, mbi 90% vetëm nga anëtarësia dhe simpatizantët e LDK-së, mbahej gjallë e tërë jeta paralele në Kosovë, respektivisht me ato para është “bërë financimi i arsimit dhe është investuar edhe në shëndetësi, si dy shtyllat kryesore (për të emituar rezistencën paqësore, shënimi im) civile dhe të kohezionit demografik shqiptar në Kosovë5.

KONFLIKTI ME LPK PRODUKT I KLANIT BUKOSHI & MUSTAFA

Isa Mustafa, përveç skandaleve me udhëtimet e Dr. Ibrahim Rugovës drejt Amerikës, ka dhënë kontribut të mëdha në përçarjen e diasporës, pasi aktivistët e Trepërqindëshit, në atë kohë nuk silleshin më si kolegë e veprimtarë të LDK-së, por arroganca e tyre shpesh ngjasonte me sjelljet e “poreznikve” të dikurshëm. Kundër LDK-së vepronin edhe struktura të LAPSH-it (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë), të cilët merreshin kryesisht me mbarëvajtjen e arsimit shqip. Tashmë Shkolla Shqipe në Perëndim, Komisionet e Trepërqindshit që mbaheshin kryesisht nga LDK-ja, sepse mbi 90%, kanë paguar vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së, edhe konflikti me LPK-në, bëhej me përmasa më të ashpra, pasi siç dihet dhe është thënë se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, u kishin dhënë miliona para të gatshme, “Dy Bosëve të LPK-së6, të cilëve edhe vetë LPK-ja ua ka pa sherrin. Gjithë këto pazare janë bërë në emër të Luftës7.

Sikur kjo nuk i mjaftoi Isa Mustafës, por eprori i titizmit kishte nisur një luftë shtrigash edhe kundër Eprorëve të karrierës, kundër të cilëve është përdorur shpata me dy tehe. Është thënë se gjatë vitit 1994-1995, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, kanë lëshuar një formular për t’i plotësuar ushtarakët, nëse ishin ata me dr. Bujar Bukoshin ose me Dr. Ibrahim Rugovën, kurse menjëherë pas lufte, rreth 2 milion marka ata ua kanë shpërndarë 50 FARK-istave të dëgjueshëm, duke i hequr nga listat të gjithë oficeret e padëshiruar, të cilët janë detyruan të mësyjnë mërgimin.

Nga këto fakte të ditura e të përfolura me dhjetëra herë, nëse Gjykata Speciale nuk i heton, ajo nuk do të vijë kurrë në një përfundim të dëshiruar. Tashmë dyshohet se edhe dëshmitarët e mbrojtur, kryesisht janë ish policë ose struktura të sistemit serb në Kosovë, të cilët janë në gjendje për të shpifur gjithçka, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë lëkurën e tyre.

(Vijon…)

St. Gallen, 11.12.2019.

R E F E R E N C A:
1. Wikipedia – Enciklopedia e lirë, Ivo Sanader; https://de.wikipedia.org/wiki/Ivo_Sanader
2. Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës, Radio Evropa e Lirë, 10 tetor 2019; https://www.evropaelire.org/a/30209306.html
3. Adem Beha: “MES STABILITETIT DHE DEMOKRATIZIMIT, (Zgjedhjet, partitë politike dhe demokracia brendapartiake në Kosovë), botues “CPC & FES”, Prishtinë, 2017, https://library.fes.de/pdf-files/bueros/kosovo/13962.pdf
4. “Krejt kryeministrat e Kosovës”, http://plisi.org/histori/krejt-kryeministrat-kosoves/
5. Po aty, Adem Beha: “MES STABILITETIT DHE DEMOKRATIZIMIT, (Zgjedhjet, partitë politike dhe demokracia brendapartiake në Kosovë), botues “CPC & FES”, Prishtinë, 2017, https://library.fes.de/pdf-files/bueros/kosovo/13962.pdf
6. MILIONAT QË I MORI XHAVIT HALITI NGA AHMETI KRASNIQI, Aktiv Press, 2017; https://aktivpress.com/milionat-qe-i-mori-xhavit-haliti-nga-ahmeti-krasniqi/
7. Zënka Haradinaj- Haliti, historia e “8 milionë markave që Zeka i kishte marrë nga Bukoshi”, Iliria.TV, https://iliria.tv/zenka-haradinaj-haliti-historia-e-8-milione-markave-qe-zeka-i-kishte-marre-nga-bukoshi/