PROCESI QË IMITON DEMOKRACI

0
846

PARATHËNIE E LIBRIT: Shefqet Dibrani “DEMOKRACIA E IMITUAR 1”, publicistikë, St. Gallen 2018.
ISBN 978-3-9524932-0-5. / Libri është i formatit B5, me lidhje të fortë dhe ka 430 faqe

Shefqet Dibrani

Dyvëllimëshi “DEMOKRACIA E IMITUAR”, hap kolonën e vëllimeve “MANDATI I KONTESTUAR”, që është një projekt më i gjerë, përmes të cilit pretendojmë t’i shpjegojmë arsyet e mandatit të kontestuar?! Jo vetëm kaq, por do të qesim në pah një luftë permanente që ka bërë Isa Mustafa, jo vetëm kundër individit, por kundër një procesi, dhe me këtë do të shpjegohen edhe mënyrat se si është keqkuptuar demokracia tek ne!
Leqendis, është folje kalimtare e cila ka kuptimin e dobësimit nga dikush tjetër ose nga vetvetja. Kjo folje kalimtare mund të përdoret edhe atëherë kur e bëjmë dikë të vuajë për një gjë të paarritur, pikërisht atëherë kur individi tronditet shpirtërisht dhe pa masë për një gjë të parealizuar. Pra e kemi ne një lodhje të demokracisë, apo e gjitha kjo është një proces që imiton demokraci, përkatësisht një demokracia e imituar?!

E pasi tek ne nuk është ndërtuar sistemi demokratik, veprimtarët e diasporës i ka bërë të vuajë kjo demokraci e keqkuptuar, ky imitim mashtrues. Sido që të jetë, kjo leqendisje e autorit, paraqet shqetësimin e tij personal, njëkohësisht edhe të bashkëveprimtarëve, të cilët kanë pësuar nga konflikti i drejtpërdrejtë me Isa Mustafën. Eliminimi, do të nisë në vitin 1993, fillimisht me shkarkimin e ing. Nazmi Pecit nga kryetari i Fondit të Tre-përqindëshit dhe bashkë me të është shkarkuar edhe prof. Demë Jashari dhe disa aktivistë të tjerë, të cilët nuk i përkisnin vijës teknokrate të Isa Mustafës.

Më pas, konflikti është zgjeruar kundër ish-kryetarit të parë të Degës së LDK-së në Zvicër, mr. Shaip Latifit, e pastaj është bartur edhe në Zyrën e Kosovës në Tiranë, ku pësoi nënkryetari i LDK-së prof. Anton Kolaj. Ky cikël, do të përfundojë me puçin kundër kryetarit të Dytë të Degës së LDK-së në Zvicër, z. Hajdar Sadrija, që ndodhi në dhjetorin e vitit 1997. Vetëm pas përfundimit të luftës, Isa Mustafa, do të kthehet në Kosovë, ku menjëherë kishte filluar shtrirjen e ndikimit të tij. E ky ndikim bëhej duke imituar demokraci, sepse në esencë, rrënjët e këtij veprimi shkonin gjer në sistemin titist, produkt i të cilit është vetë Isa Mustafa. Pas vdekjes së dr. Ibrahim Rugovës, ambiciet u drejtuan për ta marrë “Kalanë nga Brenda”!

Këto konflikte të porositura kishin qëllim për ta dobësuar LDK-në, e përmes këtij dobësimi është bërë keqkuptimi i demokracisë e cila është manifestuar me çrregullime të mëdha shoqërore e politike, që për pasojë, ka ngecje dhe devijim edhe sot e kësaj dite.

Padyshim “Leqendisja, përkatësisht dobësimi i demokracisë”, është vetëm një DEMOKRACI E IMITUAR, e cila mund të interpretohet si kontestim i demokracisë së konsoliduar, që strukturat e LDK-së në krye me Isa Mustafën, po e bëjnë kundër bashkëpartiakëve të tyre, ndërsa këtë ndëshkim e ka paguar ma së shumti Dega e LDK-së në Zvicër, andaj në këtë kolonë janë përmbledhur, shënimet dhe komentet e publikuara, qofshin ato personale ose si deklarata dhe reagime të Degës së LDK-së në Zvicër, bashkë me shënime të tjera përcjellëse, siç janë procesverbale e letra nga mbledhjet e shumta, të cilat paraqesin qëndrimin politik të Degës së LDK-së në njërën anë, kurse në anën tjetër shpjegojnë intrigat e sistemit të nëntokës ku rrënjët e veprimit e kanë pushtuar LDK-në, ndërsa aventurën e tyre e kanë zgjeruar kudo, duke iu bërë gozhdime publike intelektualëve të cilët nuk nënshtrohen, nuk përkulen dhe nuk thyhen.

Padyshim, përpjekja publike, për t’ia kthyer Degës së LDK-së në Zvicër, namin intelektual dhe vlerën kulturor që i ka munguar për vite me radhë, jo vetëm që do të ndeshet në një refuzim primitiv i cili nuk ka zgjedhur mjete për ta realizuar qëllimin, por autorit dhe kryesisë së degës do t`u kthehet në bumerang.

Në dyvëllimëshin e parë të kësaj kolone janë përfshirë mendime dhe analiza të cilat pasqyrojnë pikëpamjet publike individuale të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, por në të njëjtën kohë pasqyrojnë edhe probleme kolektive, prandaj do të nxjerrim në pah, (edhe nga ky prizëm), arsyen themelore pse Kryesia Qendrore e LDK-së e paska kontestuar një proces të rregullt zgjedhor, që ka ndodhur në Degën e LDK-së në Zvicër.
Sidoqoftë, përballja me gazetarët ishte një sfidë tjetër, në kohën kur përveç aktivitetit politik duhej përballuar me punën dhe mbajtjen e familjes. E ne, me sukses e kemi përmbyllur edhe këtë etapë, ku duhej përshtatur politikave të redaksive të cilat përmes kësaj forme synonin t’i realizonin qëllimet e tyre, prandaj mund të ketë mendime të ndryshme për çështje të njëjta ose aty këtu edhe kundërthënëse.

E gjithë kjo vjen për shkak të dinamikës së ngjarjeve dhe të kohës për të cilën po flasim, por në asnjë mënyrë si qëndrim i standardeve të dyfishta, që jemi mësuar t’i shohim në këtë kohë të demokracisë së leqendisur, të lodhur dhe të dezorientuar, e cila është keqkuptuar tej mase, përkatësisht kemi të bëjmë vetëm me një demokraci të imituar. Pavarësisht qëndrimeve të redaksive, ky dyvëllimësh kompleton edhe më tej njohjen e autorit për zhvillimet e gjithmbarshme në këto rrethana. Gjithsesi ne jemi të vetëdijshëm se pa këtë hapësirë të gazetës dhe mediumeve të tjera, shumë qasje nuk do të bëheshin të ditura e bashkë me to edhe qëndrimet kolektive të Degës së LDK-së në Zvicër. Prandaj iu shpreh mirënjohje gazetës “Kosova Sot”, dhe platformave elektronike: “InfoPress”, “Te Sheshi” dhe “Gazeta e re”, të cilat janë bërë pjesë e këtij vëllimi.

Kolona “MANDATI I KONTESTUAR”, po nis me dyvëllimëshin “DEMOKRACIA E IMITUAR”, që është ndërtuar nga temat të cilat i kanë trajtuar gazetarët, prandaj edhe mozaiku, shpesh kundërthënës janë pjesë e dinamikës dhe konceptit të atyre. Por, në libër janë përfshirë vetëm ato pjesë që kanë të bëjnë me përgjigjet e mia, për të ndërtuar strukturën dhe konceptin e librit, andaj për ndonjë shkëputje nga konteksti kërkoj mirëkuptim, ndërsa autoreve dhe autorëve u shpreh falënderimet e mia të sinqerta.

Së këndejmi është strukturuar një akuzë publike, për kryesinë qendrore të LDK-së në Prishtinë, po veçmas kundër Isa Mustafës, i cili bart mëkatin kryesor, pasi ai ka ndikuar në shthurjen e vlerave demokratike, e në anën tjetër ka instaluar luftën e bërrylave, ka kultivuar sjelljen vulgare dhe shprehjen perverse, e cila tashmë është betonuar në fjalorin politik të LDK-së. Shkatërrimi i LDK-së po vazhdon, kjo frymë ka ndikuar edhe në prishjen e harmonisë demokratike brenda LDK-së. E për fat të keq, ai ka gjetur personalitete publike që po e mbështetin këtë veprim i cili e ka dëmtuar imazhin demokratik të LDK-së, imazh ky që është kultivuar me mund e sakrifica nga elita intelektuale e Kosovës, nga gjenerata të tëra, të cilët në ato rrethana ishin mobilizuar për ta nxjerr Kosovën nga kthetrat serbe.

Pjesën e dytë e këtij vëllimi e dallon vetëm viti kalendarik (2017), por esencialisht është koncept i njëjtë, por me tema dhe trajtesa të ndryshme. Ndërsa në kolonën “Mandati i kontestuar”, do të përfshihen komente dhe analiza të tjera autoriale, të cilat kanë për qëllim për të shpjeguar pse ishte gjithë ai vrer, gjithë ai mllef dhe gjithë ajo urrejtje e Isa Mustafës dhe klanit përreth tij, për të kontestuar procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër, përkatësisht pse kanë refuzuar votën e diasporës, e cila u dëshmua përcaktuese, në zgjedhjet për pushtetin lokal.

Kjo seri e librave publicistik fokusohet në gjëra konkrete dhe të detajuara për të shpjeguar rrjedhën e procesit zgjedhor në Degën së LDK-së në Zvicër, në njërën anë, dhe në anën tjetër për të zbërthyer edhe enigmën e nëntokës të cilën gati për tre dekada po e bëjnë kundër LDK-së struktura të udhëhequra nga vet Isa Mustafa. Kjo fushatë dukej sikur e orkestruar nga servilët klandestinë të cilët veprimtarinë e tyre e kanë ushtruar si dallaveraxhi sigurimesh, xheparosha e lojërash me çibrita nëpër klube nate a stacione hekurudhore, pa harruar t’i përmendim mashtruesit që kanë hapur Call-Centre, gjithandej nëpër Kosovë, e deri tek shpifarakët nëpër Bahnhofe të Zvicrës.

Kategoria tjetër, kryesisht janë individ me deficite sociale e mendore, që shfrytëzojnë skemat sociale për shkak të invaliditetit të tyre mendor. Sidomos kjo shtresë me kalimin e kohës është bërë agresive dhe e padurueshme?! Ata nuk kanë lënë intrigë pa futur në veprim për të realizuar qëllimin e tyre, për ta shkatërruar Degën e LDK-së në Zvicër.

Ma në fund, përmes këtyre librave, po shpresojmë se më mirë do të zbërthehet arsyeja e kontestimit të procesit zgjedhor, bashkë me kontestimin e mandatit të kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër, rast ky që mund të klasifikohet si veprim për ta dëmtuar demokracinë dhe për ta përmbytur shpresën për t’u bërë ma mirë? Pavarësisht nga kjo gjendje, ne po e mbyllim këtë kaptinë me urimin për një Demokraci të konsoliduar e jo Demokraci të IMITUAR, siç po imitojnë struktura të caktuara që kanë kapur LDK-në?!

AUTORI