PROF. DR. ZYMER UJKAN NEZIRI – FIGURË EMBLEMATIKE NË FUSHËN E STUDIMEVE TË EPIKËS LEGJENDARE DHE HISTORIKE, NJË SHEMBËLLTYRË FISNIKE E NJERIUT VEPRIMTAR E ATDHETAR, NJË EMËR I NDERUAR PREJ STUDIUESI TË PËRKUSHTUAR

0
590
Prof. Zymer Ujkan Neziri

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri

Shkruan: Xhemail Peci
Xhemail Ali Peci

Sprovë për të gdhendur portretin e Prof, Dr. Zymer Ujkan Nezirit:
Në 75 vjetorin e lindjes (6 nëntor 1946)

Kronikë e kohëve të vrullshme

Jeta e tij është dëshmi e mbushur me atdhedashuri, vepra e tij është përplot përkushtim dhe dashuri për albanolgji. Ndërkaq, 75 vjetori i lindjes së tij na ka zënë në befasi! Për një jetë të mbushur me veprimtari të parreshtur atdhetare, dhe për një jetë të mbushur me veprimtari të ngjeshur studimore, me vëllime të tëra librash e me projekte madhore, me fjalime përkujtimore nëpër tribuna e me nderime të panumërta për personalitete kombëtare, nuk kemi ende një biografi të mirëfilltë studimore!

Vepra e tij është sa dhunti po aq edhe dëshmi për një trashëgimi aq të pasur kombëtare. Ai nga mendja e tij dhe nga dora e tij na ka falur një thesar të pashterrshëm të trashëgimisë sonë kulturore, e cila pret të sheh dritën e botimit në tërësinë e vet epike. Ai ka gati gjysëm shekulli që udhëton me këtë thesar, të cilin e ka mbajtur gjithmonë në mendje, të cilën e ka mbledhur me një dashuri proverbiale, dhe të cilin e ka gjithmonë, sa në mendje po aq edhe në zemër. Krenar për thesare dhe visare të tilla të trashëgimisë sonë shpirtërore, ai ka rendur në rrugën e atyre që u falën me gjithë qenien për vijimësinë e kluturës sonë iliro-arbërore.

Në 75 vjetorin e veprimtarit dhe intelektualit të përmasave të tilla, Instiuti Albanologjik i Prishtinës, ku ka përjetuar shumë dhe ku ka punuar shumë, deri tani do të duhej t’ia kishte botuar veprën e tij të plotë, duke përfshirë edhe dorëshkrimet që rrijnë nëpër skeda e nëpër sirtarë, gati për të parë dritën e botimit.

Në 75 vjetorin e këtij veprimtari të pandalshëm dhe të këtij epikologu të devotshëm, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Kosovës, deri tani do të duhej t’ia kishte botuar të plotë veprën e tij studimore, e cila do të nderonte çdo Ministri, dhe të cilën do ta lakmonte çdo Akademi në botë.

Gjithsesi, Republika e Kosovës, për të cilën ai dhe shokët e brezit të tij vepruan e punuan pa u ndalur, dhe për të cilën qëndruan si shkëmb në këmbë, do të duhej ta nderonte, të paktën me një Mirënjohje Publike me sfond të mirëfilltë Republike.

Në anën e breznive orëmira

Të shkruash për Zymer Ujkan Nezirin, është një kënaqësi e veçantë, por gjithsesi edhe një përgjegjësi sepse është e vëshirë të përfshihet e gjithë veprimtaria e tij në një shkrim të vetëm.

Shkrimi për të është si edhe vetë takimi me të: gjithmonë një ndjenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për njeriun që nuk u dha e nuk u mposht, por edhe për studiuesin që u mishërua e u poq me historinë dhe me epikën legjendare të kombit të tij.

I lindur dhe i rritur në gjirin e një familje me ndjenja të theksuara dhe të dëshmuara atdhetare, i edukuar dhe i arsimuar në frymën e zgjimit të ndërgjegjës kombëtare, Zymer Ujkan Neziri është një shembull i rrallë prej një njeriu fisnik e bujar, një veprimtar i pandalshëm dhe një shembëlltyrë fisnike në qëndrimin e tij atdhetar, me devotshmërinë dhe me krenarinë e tij të ligjshme për genin shqiptar, por gjithsesi edhe në një studiues gjithë pasion e përkushtim, gjithë dhunti e dashuri për të bëmat heroike të të gjithë atyre që lan gjurmë gjaku për lirinë e truallit amtar.

Që në takimin e parë me të, Zymer Ujkan Neziri linte një përshtypje sa të veçantë po aq edhe të rrallë, me një bisedë që shpaloste mirësi dhe gatishmëri, si për të këshilluar ashtu dhe për të ndihmuar. Fjala e tij me peshë dhe mendimi i pjekur shkencor, bujaria dhe fisnikëria e shquar e fisit, atdhedashuria e trashëguar prej votrës së mbushur me këngë kreshnikësh, si dhe prej sofrës së shtruar nga ata që gjithmonë e kanë gatuar ndjenjën e lirisë së bashku me atë dritës së diturisë, janë vetëm disa prej tipareve që e shquajnë këtë shembëlltyrë të veçantë prej njeriu dhe krijuesi.

I dënuar disa herë me burg për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, i përjashtuar nga puna për shkak të bindjeve dhe idealeve të tij politike, si dhe për shkak të përkrahjes së lëvizjeve atdhetare në Kosovën e okupuar nga forcat ushtarake e policore jugosllave, i ndaluar për të punuar në profesionin e tij për shkak se nuk kishte pranuar për t’i dënuar demonstratat e përgjakshme të Pranverës së Madhe të Vitit të Madh 1981, i ndaluar për të udhëtuar jashtë shtetit e me pashaportë të konfiskuar nga regjimi i kohës, Zymer Ujkan Neziri – ashtu si edhe paraardhësit e tij, ishte rreshtuar drejt dhe kishte qëndruar me një dinjitet për t’u admiruar, duke mbajtur me krenari të ligjshme prej shqiptari të dëshmuar dhe prej intelektuali të formuar, anën e breznive orëmira.

* * *

Zymer Ujkan Neziri zbret në thellësinë e shekujve, flet me lahutarët e këngëve epike, gërmon biografitë e tyre, shënon emra e përjetëson ngjarje, regjistron data dhe beteja, gjurmon trungun e gjenealogjisë së heronjve dhe të dëshmorëve, takon bashkudhëtarët e epeve kreshnike, bashkon këngëtarët me luftëtarët, nderon pushkët e bardha dhe lartëson lahutat e varura ndër muret e kullave kreshnike.

Njohës i thellë i traditës dhe i historisë, i epikës dhe lirikës, i frymëzuar për të përjetësuar visaret shpirtërore të kombit të vet, si dhe i përkushtuar për të shpalosur thesaret e sofrës së madhe të kreshnikëve, ai dëshmon për të kaluarën tonë por edhe me të drejtë këshillon që ato t’i ruajmë për ardhmërinë tonë.

Me dashurinë e tij të veçantë për të mbledhur epikën legjendare, si dhe me përkushtimin e tij të rrallë për ta nxjerrur atë në dritë, Zymer Ujkan Neziri dëshmon se ka pi ujë në gurrën e pashterrshme të frymëzimeve që pinjojve të breznive orëmira ua ka falur epika e kreshnikëve.

Ai i risjellë në kujtesën tonë, ai i rizbulon, ai na kujton rishtazi lahutarët me moshën e këngëve të tyre sa mosha e tokës mëmë. Ai i fton ata nga e kaluara e largët, i tubon ata në dritën dhe në ditën më të afërt të nderimit e të përkujtimit, dhe duke i tubuar një nga një, ai e shtron kështu sërish sofrën e kreshnikëve, ku lahutarët me plisat e bardhë si borë mbi vetull dhe me zërin e lotoreve tona (siç i ka quajtur poeti kombëtar Gjergj Fishta lahutat-lacromatoriumet tona) ujëvarat e bjeshkëve përcjellin nëpër çdo shekull.

Zymer Ujkan Neziri me punën e tij gjithë përkushtim, ngre në piadestal homerët e truallit tonë arbëror, lahutarët e pavdekshëm. Ai dëshmon kështu me dhuntinë dhe me dashurinë e tij për epikën kreshnike si dhe për të bëmat historike të levendëve të lirisë së Shqipërisë, të cilët përcëlluan gjurmë vetëtimash në qiellin shqiptar, suferinë dhe tramundanë.

Duke nderuar lahutarët me këngët e tyre kreshnike, Zymer Ujkan Neziri ka nderuar dhe ka lartësuar njëkohësisht zhgunat e atyre malësorëve “që e banë dekën si me le”, e që me majat e opingave të tyre “tek bënin treqind kryengritje në katërqind vjet”, Europës tinzare i shkaktuan tërmet.

Duke shkruar për viganin e penës dhe viganin e pushkës

E veçanta e shkrimeve të Zymer Ujkan Nezirit është fakti se rëndom kur shkruan për ndonjë figurë të njohur, qoftë letrare apo historike, ai i shkon deri në fund gjurmimit të rrënjëve të figurës për të cilën shkruan. Ai shkruan jo vetëm me pasion, por gjithsesi edhe me erudicion. Ai gjurmon kështu në autobiografitë e protagonistëve të shkrimeve të tij, dhe se duke gjurmuar kështu deri në lashtësi biografitë e heronjve të penës apo të heronjve të pushkës, ai gjurmon njëkohësisht autobiografinë e popullit të tij.

Shembull i gjallë i një përkushtimi dhe i një admirimi të tillë, është shkrimi për biografinë e shkrimtarit Ramiz Kelmendi, si dhe për kreshnikun e kombit – Zhuj Selmanin.
Nuk është rastësi pse në shpalosjet e biografive të tilla, Zymer Ujkan Neziri ka përzgjedhur një penë si atë të Ramiz Kelmendit, një pushkë si atë të Zhuj Selmanit.

Zhuj Selmani, një nga Kryekapedanët e Shqiptarizmës

Në një përzgjedhje të tillë për lakmi, në shijen e tij estetike prej studiuesi të përkushtuar, ai ka bashkuar penën dhe pushkën, shtegun e lirisë me shtegun e dritës, frëngjinë e kullës me prizmin e penës, të djeshmen me të sotmen, trimërinë me mençurinë, heroiken me fisniken, të bukurën me të madhërishmen.


Prof. Dr. Zymer Neziri

Ramizi ka rrënjë të lisit të gjakut… Burrat e mëdhenj si Akademik Ramiz Kelmendi nuk vdesin kurrë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!

Nuk ka dyshim se në përzgjedhjen e tillë të tij, Zymer Ujkan Neziri priret nga fakti se Ramiz Kelmendi është një figurë emblematike e letërsisë dhe e gazetarisë shqiptare, një shkrimtar i rrallë i cili ka më shumë vepra të shkruara se sa vite të jetuara mbi supet e tij. Ndërkaq, Zhuj Selmani është njëri prej figurave më të dashura atdhetare për shqiptarët. Ai është një prej kreyekapedanëve të shqiptarizmës dhe pa dyshim, njëri prej kryeheronjve më të dashur të kombit.

Në shkrimet biografike të Zymer Ujkan Nezirit, shkrimtari është ai që e dëshmon dashurinë dhe përkushtimin e tij me fuqinë e fjalës në majë të penës së tij briliante, kurse luftëtari është ai qe e dëshmon atdhedashurinë e tij me grykë të pushkës.

Në shkrimet e tij biografike, autori dëshmon se i pari – shkrimtari, e përhapë dritën e diturisë duke i thurur himn Rugovës, kurse i dyti – luftëtari, e përhapë dritën e lirisë duke iu falur me shembullin e tij përjetësisë.

Që të dy, ndonëse në kohë të ndryshme, mishërohen me vendlindjen e tyre, dhe se duke u mishëruar me vendlindjen, ata mishërohen me atdheun. Për të dy, ndonëse në kohë të ndryshme, Rugova është Mona Liza e kombit.

Shkrimtari, ka pasur rastin ta shohë Mona Lizën në Muzeun e Luvrit, dhe se në majën e penës së tij të denjë, ai ka dëshmuar me një qëndismë mëndafshi se “dy sy si të Mona Lizës” do ta ndiqnin gjatë gjithë jetës.

Heroi, ndërkaq me aktin e flijimit të tij nga më të rrallët që njeh historia e një kombi – duke hedhur veten në erë bashkë me armiqtë të cilët e kishin rrethuar, bie që Rugova të jetë e lirë, që bukuria e saj të mos cenohet, sepse me bjeshkët e saj krenare, me fushat dhe malet, me krojet dhe rrëketë e ujëvarave, Rugova është shamibardha e Shqipërisë.

Nga përzgjedhja e këtyre dy shkrimeve biografike të penës së Zymer Ujkan Nezirit, vetvetiu shtrohet pyetja: Vallë, çfarë mund të kenë të përbashkët në dy kohë të ndryshme, luftëtari dhe shkrimtari, që të dy të një djepi?!

Mbi çdo gjë, të përbashkët ata kanë të vërtetën e madhe se për të dy, Rugova sot e mot është Mona Liza e kombit, dhe se për dallim nga Mona Liza e Leonardo da Vinçit, Rugovën nuk e zë dot asnjë muze, e rrjedhimisht as edhe cilado hartë e demarkacionit qoftë ajo.
Gjuha e nëntekstit të këtyre dy shkrimeve biografike dalë nga pena e cila u falet dhe u përfalet aq denjësisht përjetësimeve të të bëmave epike, dhe se kjo gjuhë është mëse e qartë: Rugova është nuse e stolisur me petkat e epikës kreshnike!

Në epikën legjendare, nuk ka dyshim se figurat e Mujës dhe të Halilit, bashkë me atë të Gjergj Elez Alisë, janë nga më heroiket e më të dashurat për gjithë brezat atdhetarë. Por, rapsodi popullor askujt nuk ia ka falur dyvargëshin madhështor sikur Zhuj Selmanit:

Kah len dielli e praron hana,
Zhuj Selman nuk ban mo nana!

Një dyvargësh si këtë nuk e kanë as epet e Homerit, nuk e kanë madje as tre poetët e zbritur prej qiellit nga Zoti, siç do të shprehej me të drejtë Naim Frashëri për tre krye-poetët e letërsisë së lashtësisë së Persisë: Firdusin, Enverin dhe Hafizin.

Vetëm epika legjendare kushtuar Zhuj Selmanit të Rugovës kreshnike, e ka një dyvargësh margaritar si këtë. Sepse, vetëm me një dyvargësh si ky, gjeniu popullor do të mund të dëshmonte dashurinë tij të pakufishme, respektin më të thellë dhe ndjenjën e mirënjohjes së përjetshme, bashkë me dhembjen dhe dashurinë për aktin më sublim të njërit prej kryeheronjve të Termopileve shqiptare.

Një e veçantë tjetër e dikursit krijues të Zymer Ujkan Nezirit, është fakti se ai biografitë e protagonistëve të shkrimeve të tij, i gatuan dhe i shkruan për një kohë të gjatë, i mbanë ata në mendje dhe në zemër, dhe pret rastin solemn për t’i nxjerrur në dritë.

Kundruar nga ky prizëm, do theksuar se ai do ta nxirrte në dritë biografinë e shkrimtarit Ramiz Kelmendi mu në 80-të vjetorin e lindjes së tij. Ndërkaq, kronikën e kryefigurës së kohëve kreshnike kushtuar Zhuj Selmanit, do ta shpaloste me rastin e përurimit të shtatores së tij në Pejë.


Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri:
Edhe një jetë tjetër po të kisha, epikës do t’ia kushtoja

Me shkrimin e tij për biografinë e Ramiz Kelmendit, Zymer Ujkan Neziri është bërë burim frymëzimi për veprën studimore në VI vëllime, kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i letrave shqipe, II – E Bukura dhe e madhërishmja në penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit, IV – Ramiz Kelmendi dhe porosia e tij e madhe (Faik Konica), V – Ramiz Kelmendi për shkrimin dhe shkrimtarët, VI – Ramiz Kelmendi dhe pagëzimi më i bukur në letrat shqipe (Londër, 2014), prandaj shpreh sërish ndjenjën e respektit më të thellë e të mirënjohjes pa kufi, për këshillat dhe ndihmesën e tij të vazhdueshme.

Gjithashtu, e theksoj me krenari se Zymer Ujkan Neziri, ia ka falur Rugovës epitetin më kuptimplotë, një epitet i cili Rugovës kreshnike i rri në gjoskin e saj si një emblemë ilire: Rugova është magje e gjakut. Rugova është vetë Nëna Noke (e bija e atdhetarit të devotshëm Ibish Adem Ibërdemajt, nga Shtupeqi i Vogël, një nga trimat rugovas rreshtuar në anën e kombëtarëve), nëna heroine e tetë fëmijëve, e cila ia kthente sofren bujare fatosit të maleve shqiptare, Mehmet Shpendit. Rugova është Kaje Gajla e Bege Maliqja e pushkëve kryengritëse.

Akademia e Atdhetarisë si Akademi e Përjetësisë

Prandaj, të lindesh e të rritesh në një familje atdhetare e cila e ka shtruar gjithmonë sofrën bujare të traditës e të mikpritjes shqiptare, të rrjedhësh nga një familje fisnike e mëmëdhetare nga katundi Shtupeq i Vogël (i krahinës legjendare të Rugovës), të nisesh në jetë rrethuar me këngë kreshnikësh e me të bëma kreshnikësh flijuar për lirinë e shenjtë të mëmëdheut, të vësh hapat e parë në shkollë me plisin mbi kokë e me etjen e pashuar për të nxënë sa më shumë dritë, dije dhe dituri, pra ta kryesh shkollën fillore si në vendlindje – në Siparant (Zahaq) ashtu edhe në Pejë; të dëgjosh për trimërinë dhe mençurinë e atyre që u shkrinë për lirinë dhe dritën e këtij trualli e të këtij kombi martir; të gjakosh për atdheun ashtu si babai, gjyshi e stërgjyshi, dhe në të njëjtën kohë ta shikosh atdheun rrethuar me vargojtë e robërisë së Serbisë e të Malit të Zi; të dëgjosh për tribunin e vegjëlisë Haxhi Zeka e për trimat në za të Rugovës, si Kapedan Sejfa i Najës (i cili përbën në vete një kronikë të përgjakur të kohëve kreshnike, sepse me zjarrin e pushkës dhe me zjarrin e zemrës, kapedan Sejfa i Najës mbrojti Pejën dhe popullin e saj nga hordhitë barbare të Brigadës së Bokës së Kotorrit, ashtu siç kishte mbrojtur edhe Cafo beg Ulqini, qytetin e tij bregdetar dhe popullin e tij); të rendësh në shtegun e dritës e të lirisë duke pasur për krah edhe vëllain Ymerin (tribunin e ardhshëm demokrat) dhe duke qenë i frymëzuar nga prijatarë të shumtë atdhetarë, të kesh sa privilegjin po aq edhe krenarinë të lindesh e të rritesh si pjesë e Rugovës kreshnike, të shkollohesh në Pejë (shkollën fillore më 1960 dhe gjimnazin më 1964), në Prishtinë (Shkollën Normale, më 1966), në Prizren (studimet e larta në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, në Shkollën e Lartë Pedagogjike, më 1969), të rikthehesh sërish në Prishtinë e të vazhdosh dhe të mbarosh studimet e shkallës së dytë në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës (1971), të vazhdosh me etjen e pashuar për sa më shumë dije dhe dritë mësimet dhe studimet e larta të shkallës së tretë, në Degën e Letërsisë të Fakultetit Filozfik të Prishtinës (në vitet 1972 -1974) dhe të mbrosh magjistraturën me temën ‘Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë’(1979), duke pasur për mentor akademikun Rexhep Qosja, dhe të ngadhënjesh sërish përmbi sfidat e politikës meskine e të mbrosh më 1995, po në Fakulttein Filozofik të Prishtinës, disertacionin e doktoratës me temën ‘Poezia legjendare e Rugovës’, duke pasur për mentor sërish akademikun Rexhep Qosja; të studiosh dhe njëkohësisht të punosh përkohësisht duke përhapur dritën e diturisë e flakën e atdhadashurisë (në vitet 1967-1971) në dy shkolla fillore (Zllakuqan dhe Klinë), si dhe në katër shkolla të mesme (Lipjan, Pejë, Prizren dhe Prishtinë) e të largohesh padrejtësisht nga puna në Klinë, Lipjan dhe Pejë, për shkak të veprimtarisë atdhetare në Lëvizjen Studentore të vitit të vrullshëm 1968; të pranohesh më 1971 pas mabrimit të studimeve themelore, në Degën e Folklorit dhe të Etnologjisë së Institutit Albanologjik të Prishtinës, dhe të përjashtohesh më 1973, sërish aq padrejtesëshit nga poltronët e politikës së kohës, prapë po për të njëjtën arsye, pra për shkak të veprimtarisë atdhetare në Lëvizjen Studentore të vitit të hovshëm 1968; të rreshtohesh drejt në kahun e duhur të historisë dhe të arrestohesh tri herë (më 1967, më 1968, më 1981), të veçohesh e të përjashtohesh pesë herë nga puna (më 1968, më 1969, më 1970, më 1973, më 1990); të ndalohesh nën masat drakonike që të mos udhërosh për tridhjetë vjet jashtë shtetit (1968-1978 dhe 1981-1999); të detyrohesh të punosh jashtë vullnetit tënd dhe jashtë profesionit, si përkthyes dhe lektor në Bankën e Kosovës (1977-1990), të bëhesh halë në sy për armikun dhe shpresë për të shtypurin, të regjistrosh në mendjen tënde emra të shumtë sa dhe të nderuar luftëtarësh kreshnikë, emra heronjsh dhe dëshmorësh si dhe emra levendësh që për lirinë e shtrenjtë të mëmëdheut e vunë gjithmonë krenarinë mbi lumturinë; të jesh bashkëudhëtar me kreshtabardhë dhe bashkëmendimtar me atdhetarë të devotshëm; të jesh jo rrallë prijatar dhe t’u prish demonstratave në ballë; të duash flamurin, gjuhën, truallin dhe kombin, artin dhe kulturën e këtij kombi; të mos harrosh kurrë djepin që të lindi e të rriti e ta kujtosh atë gjithmonë me mall, me krenari dhe me atdhedashuri; të vihesh në ballë të kohës sa me guximin e trashëguar po aq edhe me mendimin e shquar; të jesh shembëlltyrë e rrallë dhe gjithmonë e gjallë e një qëndrese përplot ideale e përplot me rreze shprese; të jesh i zgjuar por edhe i matur, të jesh veprimtar guximtar por edhe një veprimtar që zjarrin e atdhedashurisë e ke mbajtur gjithmonë të valë; të sfidosh vendosmërisht robërinë dhe të gjakosh lirinë me çdo çmim, të jesh i rreshtuar drejt gjatë gjithë veprimtarisë atdhetare e të jesh i pozicionuar gjithmonë drejt në krahun e duhur të historisë së mirëfilltë kombëtare, të jesh ashtu sikurse dhe të parët tu – trima e të mençur, pra të jesh sikurse ata trim i mirë e me shokë shumë; të kesh një dashuri proverbiale për fjalën e shkruar sikurse edhe për fjalën e folur shqipe, ta flasësh atë me aq maturi e me aq urti si dhe ta shkruash atë me aq hijeshi e me aq dashuri; të jesh shpesh mes dallgëve të trazuara të jetës por të mos ndalesh e të mos zbrapsesh as edhe për një çast të vetëm; të jesh jo rrallë i ndaluar e jo më pak edhe i përjashtuar nga puna nga Jagotë dhe Janusët e shumtë; të jesh i rrethuar prej zgaqëve dhe poltronistve të kohës, dhe të mos dorëzohesh as edhe për një çast të vetëm; të qëndrosh pip në këmbë-vertikalisht e kombëtarisht, burrërisht e shqiptarisht pa t’u dridhur qerpiku; të qëndrosh, të kundërshtosh, të rezistosh, të militosh, të veprosh për të mirën e atdheut dhe të kombit; të mësosh, të ligjërosh, të shënosh, të bashkosh e të lartëosh vlerat më të larta të trashëgimisë kulturore; të njohësh aq mirë lirikën sa dhe epiken e një kombi, të ulesh gju më gju në sofrën e madhe të kreshnikëve e të nderosh sa dhe të lartësosh me shembëlltyrën tënde aq fisnike lahutën hyjnore; të hysh me aq modesti mes burrave me moshën e lisave e të nderosh me aq madhështi majën e plisave, të admirosh aq shumë e të bashkosh aq shumë degët e shkëputura të një trungu të lashtë pikërisht nëpërmjet këngëve epike si dhe nëpërmjet lahutarëve-kreshtabardhëve të këtij kombi; të hysh në oda e nëpër shkolla, të hysh gjithmonë me ballin lart e të dalësh gjithmonë i nderuar, të hysh në gjirin e popullit e të dëgjosh sa urtinë po aq edhe trimërinë e tij, ta shënosh atë e ta shpalosësh atë me krenarinë e ligjshme; t’u biesh kryq e tërthorë anëve të atdheut e të takosh lahutarët që e kanë mbajtur dhe e mbajnë akoma gjallë prushin e Skëndërbeut – ashtu si dikur poetët antik prushin e Tirteut; të ngjitesh majave dhe maleve, të ulesh fushave dhe logjeve, të rendësh sërish bjeshkëve dhe kreshtave për të mbledhur copëza margaritarësh nga tabani i mirëfilltë i kulturës popullore, të pish ujë në gurrat e tyre të kthjellta e të frymëzohesh sa dhe të rinohesh gjithnjë e më shumë me to e nga ato; të kthehesh paq aq vitesh ndalesash e ndeshtrashash sërish aty ku e ke pasur vendin dhe ku e ka pasur mendjen e zemrën, pra të kthehesh paq aq shumë vitesh ndalimi e pengimi – sa të padenjë po aq edhe të padrejtë, të kthehesh tek vatra jote e kahmotshme në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe ta dëshmosh veten në mënyrën më të denjë në fushën e studimeve akademike, duke botuar njësitë studimore në vëllime të shumta të këtij Instituti; të ligjërosh me aq dije, me aq përkushtim, me aq takt dhe me aq elegancë në Prizren e në Prishtinë, në Tiranë e në Tetovë, në Shkup, si dhe jashtë trojeve shqiptare; të dëshmosh veten si një prej mbledhësve më të mëdhenj e më të përkushtuar të folklorit (krahas Thimi Mitkos, Spiro Dines, Nikolla Ivanajt, Bernardin Palaj, Zihni Sakos, Qemal Haxhihasanit, Anton Çettës, Demush Shalës etj.) duke nisur rrugëtimin tënd që nga viti i largët 1967, duke u përqëndruar kryesisht në epikën historike dhe në epikën legjendare, e duke mos u ndalur as sot e as mot: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në Mal të Zi; të mbledhësh me një dashuri proverbiale e me një fuqi kolosale rreth e qark Rugovës kreshnike, poezinë epike legjendare (1979-1988) duke e financuar vetë dhe pa ndihmën e askujt (‘material që përmban 15 vëllime të veçanta dhe që vlerësohet ndër koleksionet më të mëdha arkivore të shekullit të kaluar mne këngë të Eposit të Kreshnikëve’) e që numëron mbi 100 mijë vargje; të realizosh si bartës i projektit gjithashtu koleksionin e dytë, të incizuar dhe të shkruar, ‘po ashtu në 15 vëllime këngësh të kreshnikëve, nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Serbi’ si ‘dëshmi e Eposit të Kreshnikëve për UNESCO’; të hulumtosh pa u ndalur jo vetëm nëpër arkivat e Tiranës, por edhe në ato të Harvardit (Koleksionet e profesorit amerikan Millmen Peri si dhe Koleksionin e ndihmësit të tij Albert Llord) e të Vjenës, duke realizuar projektin ‘Dorëshkrimet shqip të folklorit të Maksimilian Lambercit’; të fillosh të publikosh që nga viti 1969 ‘rreth 400 zëra bibliografik për folklorin, letërsinë, etnologjinë historinë etj.’ ; të botosh ‘studime dhe artikuj për letërsinë gojore’ në : ‘Gjurmime albanologjike’ (Prishtinë), ‘Kultura popullore’ (Tiranë), ‘Çështje të folklorit shqiptar’ (Tiranë), ‘Seminari Ndërkombëtar…’ (Prishtinë), dhe në organe të tjera shkencore dhe informative brenda e jashtë vendit (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Rumani, Itali, Japoni, Poloni, Austri, SHBA si dhe në proces botimi: Bosnjë e Hercegovinë-SHBA, SHBA, Hungari-Austri, Kinë); të botosh një sërë veprash, si: vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, V (1997); antologjia ‘Këngë të kreshnikëve’, (1999, 2001, 2003, 2009, 2011, 2013); monografia ‘Poetika e krahasimit. Figura e krahasimit në këngët tona lirike të dashurisë’ (2004); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, I: ‘Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike’ (2006); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, II: ‘Epika gojore dhe etnokultura’ (2008); vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, I (2009); vëllimi ‘Epika legjendare e Rugovës’, II (2011); përmbledhja ‘Studime për folklorin’, III: ‘Eposi i Kreshnikëve’ (2018); të jesh ‘bashkëpërgatitës për shtyp i veprave të Institutit Albanologjik të Prishtinës: libri ‘30 vjet të Institutit Albanologjik: 1967-1997’ (1997), bashkëredaktor; në përmbledhjen e kumtesave ‘Rëndësia e veprës së Gustav Majerit për studimet albanologjike’ (1998), ‘Pajtimi i gjaqeve 1990-1991’ (1999, 2001). ’Rëndësia e veprës së prof. Eqrem Çabejt për studimet albanologjike’ (2003), ‘Anton Çetta, figurë poliedrike e kulturës shqiptare’(2011); të kesh në dorëshkrim ‘edhe disa monografi e vepra studimore: ‘Studime për folklorin’, IV, ‘Haxhi Zeka në traditën gojore’, monografi, ‘Epika legjendare e Rugovës’, monografi, ‘Rugova në vështrim etnologjik’, monografi, ‘Ligjërata për Eposin e Kreshnikëve’, si dhe koleksionet: 12 vëllime këngësh nga krahina e Rugovës: ‘Këngë të kreshnikëve dhe balada’, dhe koleksioni në 15 vëllime këngësh të kreshnikëve, nga pesë vende të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët, i realizuar sipas projektit 2012-2014-2016, për dosjen e Eposit për UNESCO, Arkivi i IAP-it, Prishtinë.’; të marrësh ‘pjesë me kumtesa, kryesisht nga fusha e studimit të epikës sonë gojore, në shumë tubime shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Poloni (3), Bosnjë e Hercegovinë-SHBA, SHBA, Hungari-Austri, Kinë.’ ; të marrësh pjesë e të shquhesh me fjalën tënde duke lënë përshtypje të veçanta si për thellësinë e mendimit ashtu edhe për mprehtësinë e gjykimit, në projekte të organizimit të konferencave dhe simpoziumeve shkencore ndërkombëtare; të jesh professor i ftuar nga universitete të Europës: ‘Më 2004 ka qenë profesor mysafir në tri universitete të Polonisë (Varshavë, Torunj, Poznanj) dhe në Itali, në Universitetin e Kozencës, ku ka mbajtur ligjërata nga fusha e epikës gojore. Nga kjo fushë, më 2005, ka mbajtur një ligjëratë në Paris, në Qendrën Saint Denis, si dhe, më 2008, ka mbajtur një ligjëratë edhe në Vjenë, në Qendrën Lalish, po dhe në Universitetin e Vjenës. Më 2011 ka qenë përsëri profesor mysafir në Universitetin e Turunjit, Poloni. Më 2007 ka ligjëruar në Universitetin e Durrësit; më 2012 në Universitetin ‘’Vitrina,‘’ Tiranë; më 2013, në Universitetin e Tiranës, si dhe më 2014, në Universitetin i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ dhe më 2015, në Universitetin e Gjirokastrës Eqrem Çabej.’; të jesh anëtar: ‘i Shoqatës Ndërkombëtare të Etnologjisë dhe të Folklorit /Societé Internationale d’Ethnologie et de Folklore/SIEF. Po ashtu është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Epike/The International Association of Epic Studies/ dhe pjesëmarrës në themelimin e saj, në Pekin, më 18 nëntor 2012, dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.’ ; të jesh i nderuar me një varg çmimesh dhe mirënjohjesh: ‘Është nderuar me mirënjohje (2008) në 40-vjetorin e Demonstratave të vitit 1968. Është fitues i çmimit ‘Pjetër Bogdani’ (2009), të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për veprën ‘Studime për folklorin’, II. Më 2012 është fitues i Medaljes së Artë, për punë kërkimore-shkencore, nga Instituti Biografik Amerikan, Karolina e Veriut, SHBA.’; të nderosh e të përkujtosh, të lartësosh e të përjetësosh në manifestime të shumta shokët e një ideali që nga Isa Demaj (Isa Demaj-jeta dhe veprimtaria atdhetare’-2000), Avdi Kelmendi, Selman Lajçi, Metush Krasniqi, Meriman Braha etj., të shkruash me aq pietet për Drenicën kreshnike e të bësh një ndër krahasimet më të bukura e më të qëlluara mes flijimit të Oso Kukës, Zhujë Selmanit e Adem Jasharit me familje; të gërmosh në thellësitë e shekujve e të gdhendësh monumente të papërsëritshme për levendët si Zhuj Selmani e Zhukë Haxhija, të risjellësh në kujtesën kolektive kombëtare Gardën Krutane të Vranakontëve e të Kont Uranëve të Rugovës kreshnike, si Nikë Deda, Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Bajram Rama, Selman Muça, Rexhë Avdija, Adem Isufi, Jashar Haxha, Çelë Shabani, Kadri Bajri, Sali Jaha, Sylë Mehmeti, Rizë Zymeri, kreshnikun e dyluftimeve epike Adem Isufin e Isuf Smajlit; të nxjerrësh nga pluhuri i harresës simotrat e Shote Galicës Kaje Gajla e Bege Maliqja; të përkujtosh si një Nestor i rrallë Betejën e lavdishme të Nokshiqit në 140 vjetorin e saj, të përkujtosh masakrat e panumërta që kanë bërë mbi trupin tonë shoevnistët serbë e malazezë në lukuninë e tyre të çmendur për të zhvatur llokma të majme nga tokat tona stërgjyshore; t’ua thuash me aq zgjuarsi të vërtetën e madhe atyre që guxuan dhe dhuruan të tetë mijë hektarët e vijës kufitare si dikur në pazare të Europës plakë – duke ua përkujtuar se gjaku nuk bëhet ujë; të ngritesh në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarit dhe të së drejtës së tij legjitime e demokratike; të ligjërosh e të bashkosh mendjet dhe zemrat në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë e në Tetovë; të ngjitesh në Rugovë e të jesh gjithandej nëpër Kosovë, të gërmosh arkivave të Vjenës e të lartësosh lahutarët edhe në mes të Harvardit, të kesh një dashuri proverbiale – një dashuri vërtet fishtjane për epikën legjendare, do të thotë, siç thoshte Ramzi yt dhe Ramizi im, se para së gjithash e mbi të gjitha, e ke nderuar një komb të tërë, se duke ju bërë krah atij e ke lartësuar ate, por edhe e ke bërë këtë komb krenar për t’ju nderuar edhe juve; do të thotë – siç do të thoshte Ramizi ynë, para së gjithash e mbi të gjitha, se ia ka ngritur zanin Rugovës, se i je bërë krah Shqipëri-Kosovës, se ke hyrë ballëlartë e krenar në portën triumfale të Akademisë së Atdhetashurisë – si Akademi e Përjetësisë; do të thotë para së gjithash e mbi të gjitha, se je i bekuar me ndjenjën e theksuar të madhështisë së atdhedashurisë, si ndjenjë e përjetësisë së bërjes së shqiptarit dhe e bërjes së Shqipërisë, sot e mot!
Urojmë që të kesh gjithmonë ditëlindje prof. dr. Zymer Ujkan Neziri!
Të rrosh sa gjuha e bukur shqipe, sa vetë këngët epike!
Shëndet, mirësi e mbarësi, suksese e lumturi: pa kufi!
Qoftë gjithmonë e nderuar, dera atdhetare e familjes fisnike dhe bujare: Neziri!
Ua paçim hua, në jetë të jetëve!