Prokuroria që po i plas buzën Sali Berishës!

0
426
Adriatik Llalla

Mero Baze Nga Mero BazeTemA

Adriatik Llalla nuk do të paraqitet në seancën e gjykimit në Kolegjin e Apelimit në datën 16 Maj, kur jepet dhe vendimi përfundimtar për të, lidhur me rezultatet e Vettingut. Ai ka paraqitur një arsye shëndetësore bindëse, pasi po kurohet nga epilepsia dhe po trajtohet në Gjermani.

Natyrisht kjo nuk e pengon Kolegjin të marrë vendimet e veta, por fenomeni na kthen pas në kohë, në kohën që zoti Llalla është zgjedhur kryeprokuror dhe po ashtu vuante nga kjo sëmundje. Në seancën dëgjimore me Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ai ka pasur një krizë të tillë, që ju fsheh shtypit dhe opinionit publik, pasi do të duhej të ishte një arsye e fortë për të shmangur zgjedhjen e tij.

Por në fakt u bë fat i tij dhe një arsye më shumë për Sali Berishën, ta zgjidhte atë. Edhe pse sëmundja e tij kronike është problematike në një detyrë gjithë stres dhe ngarkesë të lartë siç është Kryeprokurori, Berisha duke qenë dhe mjek, bëri sikur nuk e pa këtë kartelë. Njësoj bëri dhe me Bujar Nishanin disa muaj më parë.

Instikti i tij i parë si mjek, për të dominuar mbi të sëmurët, duket se ka triumfuar në zgjedhjet e tij në politikë.

Më pas njeriu më i afërt i djalit të tij, u bë dhe partner në bizneset jashtë detyre të Adriatik Llallës, dhe piramida e prokurorisë u plotësua me njerëz, që më parë kishin dhënë prova të forta besnikërie.

Besim Hajdarmataj ishte prokurori i Tropojës që ka mbyllur pa autorë, gjithë dosjet e vrasjeve të Haklajve në Tropojë dhe me dënime maksimale gjithë dosjet në ngarkim të tyre, çka ishte një arsye e fortë që Sali Berisha ta konsideronte si njeri që ka dhënë prova të forta pro tij, duke e transferuar pas ardhjes së Llallës në Prokurorinë e Përgjithshme, në Tiranë.

Është kjo arsye që Hajdarmataj e ka marrë pa short dosjen “Llalla” për të mos e prekur atë me dorë dhe në disa raste ka dëshmi se ka shmangur transkripte të bisedave të Llallës me njerëz nën hetim për raste të rënda me ndjeshmëri politike.

Në sistemin e kapjes së prokurorisë, Berisha ka përdorur mekanizma thuajse kriminalë, zhytje në korrupsion me njerëz të afërt të rrethit të tij familjarë, që ta kenë nën kontroll, ose prova të dukshme besnikërie për vrasje në emër të tij, siç kanë qenë shumica e vrasjeve në Tropojë.

Duke ndërtuar këtë sistem të kapur përmes inkriminimit në korrupsion, në profesion dhe deri në kartelë shëndetësore, Sali Berisha prodhoi më në fund një prokurori, e cila ka thyer rekorde botërore, duke mos thirrur as për ta marrë në pyetje një Kryeministër që vret e lavdërohet se vrau, dhe dukë lënë jashtë burgut çdo kënd që ka vrarë për të.

Por e keqja nuk ka përfunduar këtu. Duke qenë garanti i kësaj tip prokurorie, ai e ka dëmtuar atë më tej dhe duke mos e përdorur vetë. Kjo prokurori, që kishte dhënë garanci për Sali Berishën, më tej ka vazhduar dhe është implikuar qoftë dhe për interesa të veta me mafian e drogës, me garantimin e rrugëve të kokainës dhe blerjen e pafajësisë.

Shkërmoqja që po i ndodh këtij sistemi para syve të tij, duket se është një arsye që po e trondit Sali Berishën. Për herë të parë ai po shikon se është i pafuqishëm të mbrojë një piramidë, e cila ka tejkaluar mëkatet që kanë shërbyer si garanci për të, dhe është kthyer në një problem për shoqërinë shqiptare.

Dhe duket se i ka plasur buza. Nëse e shikoni pamjen e tij sot në Kuvend, ishte buzëplasur njësoj si disa ditë pas 21 Janarit, kur mendonte se duke mos pasur në dorë prokurorinë mund të arrestohej. Tani i ka plasur buza përsëri duke parë se prokurorinë nuk e ka më në dorë. Por as pushtetin për ta mposhtur atë!