Qeveria e “re” e praktikave të vjetra!

0
502
Isa Mustafa - Avdullah Hoti

Shkruan: Florim Zeqa, 30.04.2020

Praktika e keqe e drejtimit të qeverisë nga partia humbëse e zgjedhjeve zanafillën e ka nga pas lufta, kur LDK-së rugoviane në vitin 2001, si fituese e zgjedhjeve me 48 përqind të votave, i imponohet nga bashkësia ndërkombëtare që ta pranoj mandatarin nga partia e dytë, që ishte PDK-ja me vetëm 26 përqind të votave të qytetarëve.

Binomi Thaçi-Mustafa, projektues të shkarkimit të ‘Qeverisë Kurti’

Tashmë nuk ka asnjë dilemë, që projektuesit e shkarkimit të qeverisë Kurti ishin binomi Thaçi-Mustafa, të cilët tjetërsuan pamëshirshëm vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Binomi fatkeq për vendin Thaçi-Mustafa e shfrytëzuan gabimin e parë për ta ndëshkuar kryeministrin Albin Kurti përmes “bombës së kurdisur” të quajtur Agim Veliu, e cila u finalizu shpejtë dhe në formën e prerë të mocionit për shkarkim nga LDK-ja në mes të pendemisë “Covid-19”.

Vërtetë mocioni për shkarkimin e qeverisë do të kishte kuptim sikur LDK-ja të tërhiqej në opozite dhe vendi të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme menjëherë pas pandemisë, me ç’rast do të matej forca reale e LDK-së pa Vjosa Osmanini si dhe do të verifikohej mbështetja e vërtetë e zonjes së nderuar tek elektorati i këtij subjekti politik.

Në anën tjetër, poashtu do t’i hiqej meraku edhe Albin Kurtit për synimin e 51 përqindëshit te votave, gjë e cila është e pamundur në rrethanat aktuale, kur i kemi më pak se 50 % (më 6 tetor 2019 vetëm 44 %) të daljes së votuesve në zgjedhje.

Rënja e papritur dhe në kohë pandemie e ‘Qeverisë Kurti’, ka hapur dilema të shumta për të ardhmen e shtetit.

LDK pas asnjë fitore nga viti 2004, kthehet sërish në pushtet

Fitorja e fundit e LDK-së në zgjedhjet nacioanle ishte ajo e vitit 2004, në epokën e Ibrahim Rugovës me mbi 45 përqind të votave të qytetarëve. Edhe pse në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ishte shumë afër fitores historike, por nuk e shijoj fitoren shkaku i shantazhit nga brenda që iu bë kandidates për kryeministre, zonjes Vjosa Osmani e cila u votua në mënyrë plebishitare nga elektorati rugovian.

Edhe përkundër humbjeve të vazhdueshme të LDK-së, humbësit serik në krye me Isa Mustafën paradoksalisht dhe në mënyrë totalitare po vazhdojnë ta drejtojnë këtë subjekt politik. Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se, nga pozicioni i humbësit, LDK-ja po kthehet gjithnjë në pushtet.

Është hera e dytë, pas vitit 2014 që LDK-ja nga pozicioni i humbësit të zgjedhjeve, përmes pazareve të fshehta me Hashim Thaçin po e merrë timonin e ekzekutivit të vendit.

Të mos flasim për partinë e vogël si AAK-ja, e cila poashtu si humbëse apsolute e zgjedhjeve e ka drejtuar dy herë qeverinë; në vitin 2004 (100 ditë) dhe vitin 2017 (afro dy vite).

Nga partitë aktuale, PDK-ja është partia e vetme që nga viti 2007 për 12 vite rresht (së fundit herë përmes koalicionit PAN) e mbajti pushtetin në Kosovë.

Mungesa e përvojes në qeverisje dhe vetëkënaqësia e pushtetit iu kthyen bumerang LVV-së së Albin Kurtit

LVV-ja, edhe përkundër se doli dy herë radhazi subjekti më i votuar në vend, nuk po arrinë të qeverisë me vendin. Përderisa herën e parë, në vitin 2017 u mund në zgjedhje nga koalicioni parazgjedhor PAN, herën e dytë me 2019, pas vetëm 45 ditë qeverisje, u mund në prapaskenë nga marrëveshja e fshehtë politike e binomit Thaçi-Mustafa.

Për herën e fundit, duhet pranuar faktin, se përgjegjës për humbjen e pushtetit është edhe vetë lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili nuk arriti ta menaxhojë situatën e parë konfliktuoze në qeveri me ‘bombën e kurdisur Agim Veliu’.

Tani kur jemi në prag të krijimit të qeverisë së “re” përmes koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe pakicat tjera, vendi do të përballet me një situatë të re destabilizuese dhe të paparashikuar nga pas lufta.

Fillimi i mbarë i ‘Qeverisë Kurti’ kishte ngjallur shpresat e qytetarëve për ndryshim. Shteti i së drejtës, që ishte proklamim paraelektoral dhe premtim elektoral për luftimin e të gjitha të këqijave dhe në veqanti luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit dhe krimin në përgjithësi, u rrenuan nga brenda dhe nga jashtë, por edhe nga vetëkënaqesia e pushtetit nga ana e Albin Kurtit pa e shijuar ende mirë pushtetin.

Vetëdijësimi i qytetarëve, kusht i domosdoshëm për ndryshim

Pas rënjes së ‘Qeverisë Kurti’, qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijesohen akoma më shumë për t’ia dhënë goditjen përfundimtare kësaj klase politike të korruptuar dhe tejinkriminuar në zgjedhjet e radhës, për ta sjellë në pushtet një brez ri të politikanëve përgjegjshëm, të pa korruptuar dhe pa inkriminuar që janë shtetas dhe banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës, për ta kthyer shpresën dhe besimin për jetë në shtetin e Kosovës, në mënyrë që të ndalet trendi i largimit nga vendi i të rinjëve dhe gjitha shtresave të popullsisë.

Është e vështirë të kthehet shpresa për jetë në Kosovë, përderisa fituesit e zgjedhjeve kthehen në humbës apo ansjelltas, kur humbësit kthehen në pushtet.

Akoma më e vështirë bëhet kthesa pozitive në vendin tonë përderisa të mençurit dhe të ndershmit anashkalohen dhe linçohen, ndërsa injorantët avancohen në pozita të larta shtetërore, kurse hajdutët dhe kriminelët në vend që të përfundojnë në burg, ngriten në majat e pushtetit!

Nuk e kam as idenë më të vogël, se çfarë e mirë e pret këtë vend në qeverisje po nga të njëjtit njerëz që thyen shpresat e qytetarëve dhe lëkundën themelet dhe tkurren territorin e Republikës së Kosovës.

Nuk i dihet se çfarë epilogu do të merrë prioriteti i parë i qeverisë së “re” në dialog me Serbinë! A do të mbetemi më pak se shtet apo më shumë se autonomi, siç e kishte projektuar Serbia millosheviqiane qysh në fillim të viteve të ’90-ta!?