Qukapiku

0
739
Q - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Q

Dea Halimi
Dea Halimi

Unë dhe mami, të lodhura, arritëm deri në Grykë të Gërmisë. Ndalëm pak te liqeni, të sodisim valët e qeta të ujit, në të cilat binin hije pemësh, me kurora të lulëzuara. Kjo krijonte një pasqyrë magjike, nëpër të cilën, siç ndodh në ëndërr, hyn e del në një botë tjetër, në botë përrallore. Me një përshtypje mahnitëse ecëm deri te këndi i lodrave për fëmijë. Fryente një erë e freskët dhe e luta mamanë, të luhatesha pak në shilarth. Qeni LulAlba vërtitej pandërprerë rreth shilarthit.
– Ik, mund të të godas dhe do të lëndohesh. Ik – a nuk më dëgjon, LulAlba. Ik, – i flisja qenit tim të vogël. Fjalët e mia për LulAlbën papritur ndërlidhen me një ritëm tjetër të thekshëm – tak, tak, tak… Në këtë çast shpërtheu dhe lehja disa herë e qenit, para se të sulej nga vinte ajo trokitje e thekshme – tak, tak, tak!
– Dëgjoje, mami! Ç`është kjo?
– Qukapiku është, zemër. Vetëm ai çukit kaq shpejt, – tha mami.
Qeni LulAlba ia mësyu trungut, ku tashmë shihej nga çukiste qukapiku, ai zog që ka sqep të gjatë e të fortë, me të cilin godet lëvoren e drurëve që të nxjerrë krimba e kandrra për t’u ushqyer.
– Qenka zog kaq i bukur, mami. Dua të blej një, siç është ky, me sqep të fortë e me pupla të gjelbra e të verdha e të ndritshme, ta mbaj në kafaz e ta shikoj çdo ditë…
– Qukapiku ka nevojë për hapësirë, për lisat, për qiellin e për shumëçka tjetër. Ai nuk mund të jetojë i mbyllur, – tha mami.
– Pse jo? Unë kam parë plot zogj në kafaze, – thash unë.
– Ke parë kanarina, ndonjë papagall apo zog tjetër, por jo qukapik.
– Dua ta kem, mami, – zbrita nga shilarthi me lot në sy.
– Eja më shpesh në Gërmi dhe këtu secilën herë mund ta shikosh qukapikun, – më tingëlloi në veshë zëri i një vajze, e cila deri atëherë luhatej në shilarthin përbri meje. Ajo kishte një fustan të bukur me lule të kuqe dhe eci deri te trungu në të cilin çukiste qukapiku.
– Me kë je ti këtu, – ia bëra.
– Me motrën e madhe. Çdo ditë vijmë në Gërmi dhe kënaqemi me bukuritë e natyrës.
– E sheh shpesh qukapikun?
– Po… – tha, – por jo vetëm këtë qukapik të gjelbër. Ka këtu disa lloje; me pupla të zeza, të larme dhe me pupla të kuqe flakë.
Qenushi LulAlba vërtitej pandërprerë rreth meje.
– Qenushi yt është ky?
– Po.
– Qenka shumë i dashur… Ke dalë të shëtisësh me të?
– Kam dalë ta shikoj qukapikun nga çukit trungjet. Dy ditë më parë mësuesja na foli për shkronjën Q dhe unë desha ta gjej një qukapik, emri i të cilit fillon me atë shkronjë… – Unë kam ca ushqim për qukapikun. Do t`ia afrojmë? – tha ajo.
– E si e bëjmë këtë?
– Disa krimba i kam në qesen që e mbaj në dorë. Qukapikët i duan shumë krimbat. Do t`i fusim në çarjet e lëkurës së lisit e ata do t`i gjejnë e do t`i gëlltisin me shije.
E shikova mamanë çfarë do të më thoshte.
– Mirë Dea, mirë, – më tha mami.– Ia lini krimbat qukapikut shpejt e shpejt e të kthehemi në shtëpi.
– Do të shihemi prapë këtu, – e shikova vajzën me të cilën pak çaste më parë u njohëm.
– Më thërrasin Qëndresa, – qeshi e pa vonuar ikëm t`ia linim krimbat qukapikut në çarjet e lëkurës së lisit