REBUS JURIDIK!

0
534

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në një intervistë që dha pas zgjedhjes (ose emërimit!) në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Shoku Gent Ibrahimi, pyetjes së gazetares në lidhje me problemin e plotësimit të sistemit të drejtësisë se “Është parë mbushja e kësaj zbrastie me kuadro që vijnë nga jashtë, që kanë përfunduar shkollën jashtë”?, ai ju përgjigj si vijon: “Për këtë ka një JO të madhe. Shkolla e Magjistraturës është porta ekskluzive për tek sistemi shqiptar i drejtësisë. Çdo kush mund të ketë mbaruar në Oxford, Harvard, por duhet të kalojë edhe Shkollën e Magjistraturës”.

Saktë. Pasi një po sado e vogël nuk do pritej nga ai! Arsyeja dihet tashmë!
Neni 148/a i Kushtetutës (të ndryshuar me Ligjin Nr. 76, datë 22.07.2016) disponon në par. 3 se “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi”.

Grada shkencore në drejtësi, është DOKTORATURA.
Si ka mundësi atëherë që kandidati për Prokuror të Përgjithshëm duhet të ketë kryer Shkollën e Magjisraturës në Shqipëri ose Doktoraturën?
Kurse për kandidatët e sistemit të drejtësisë, kemi vetëm një alternativë: Shkollën e Magjistraturës!

Pse të mos kenë të drejtë edhe ata studentë, që kanë mbaruar studimet jashtë Shqipërisë për drejtësi dhe që kanë kryer edhe doktoraturën atje që të integrohen në sistemin e drejtësisë shqiptare?

Madje pse jo edhe me anë të sistemit të KOOPTIMIT, i cili edhe pse mund të duket si anti-demokratik në pamje të jashtme, sjellë që të mbulohen menjëherë boshllëqet në sistemin e drejtësisë, me ata studentë cilësorë që kanë mbaruar jashtë Shqipërisë studimet për drejtësi, por që nuk kanë përvojë të gjatë pune. Ka edhe nga ata persona që kanë përvojë të gjatë pune në drejtësi në vendet ku ata kanë studiuar. Por, këta të fundit, vështirë se mund të pranonin që të bënin pjesë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Arsyet janë të shumta(…)!

Pse u dashkan pritur atëherë edhe tre vite të tjera për të plotësuar vendet bosh në drejtësi, kur ato vende mund të plotësohen nga studentët që kanë studjuar jashtë Shqipërisë?

Çfarë tagri mund të ketë një person, i cili ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës (dhe një Master në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), Budapest, në periudhën 1994-1995) dhe që është krenar se ka punuar për Sorosin, të cilin tashmë e njohin të gjithë(!), të pengojë që në sistemin e drejtësisë të hyjnë studentët që kanë studjuar jashtë Shqipërisë. Përfshirë edhe ata në Oxford dhe Harvard, ku edhe janë doktoruar?

Këtë rebus juridik, mund të zgjidhë vetëm Kryetari i KLP-së!
Por, Shoku Gent Ibrahimi duhet (apo mund!) justifikuar, pasi ky rreth vicioz ku ndodhet (zh)drejtësia shqiptare, i shërben dikujtë.

Dhe jo vetëm krahut politik që e ka zgjedhur atë.
(…)!!!

Shënim: I drejtë problemi që ngre Xhabir, duhet të rregullohet ligji, e kjo bëhet nga politika. Juristët që kanë kryer studimet jashtë, duhet të kenë të drejtë të konkurrojnë e të mësojnë ligjet shqiptare, gjithashtu, me një kualifikim paraprak, që mund të jetë shkolla e Magjistraturës…