Reflekse mbi aktualitetin politik në Kosovë pas Kuvendit IX zgjedhor të LDK-së

1
729
LDK - Kuvendi IX zgjedhor

Abdulla Mehmeti

Miku i mirë Arben, ta dërgoj këtë përmbledhje me tri shkrime, për katandisjen e LDK-së, partisë më të madhe të shqiptarëve në Kosovë.
Analizat Tuaja në mbrojtje të figurës së Ibrahim Rugovës i kam lexuar me kujdes.
Nuk kam lexuar nga askush tjetër argumente më të fuqishme, sidomos me deshifrimin e idesë madhore të Rugovës për Pavarësinë e Kosovës shtet në vete, në raport me idetë e “papjekura” politikisht për kohën, të Demaçit dhe Hotit, për “bashkim kombëtar” në ato rrethana, pa i shpjeguar mundësitë dhe rrugët. Ju përgëzoj për këtë qasje tepër të pjekur politike dhe atdhtare!
Të fala me respekt!

“Matematika e lartë” politike që nuk kalon përtej hundës!

Abdulla Mehmeti *)

Nëse edhe intelektualëve të formuar dhe atyre që pretendojnë se janë politikanë të moderuar, u duket matematikë e lartë zgjedhja e kryetarit aktual të LDK-së, për herë të tretë, në përjashtim të atyre që janë të kapur dhe kanë vetëm interesa personale për pushtet, nuk do të përbëjë çudi nëse në një të ardhme të afërt do të kërkojnë t’u ngrihet përmendore Rahman Morinës, Millosheviqit apo kriminelëve të ngjashëm, kinse për strategji dhe interesa më të larta, për shpëtimin e Kosovës nga rreziku serb!
Kush e solli në këtë gjendje partinë më të madhe politike, promotore të Pavarësisë së Kosovës, që edhe pas tridhjetë vjet veprimtarie dhe qeverisje të mos e krijojë elitën e politikanëve të saj të ri, liderë të së ardhmes, por të ketë nevojë edhe sot të vishet me arrnat e ish regjimit komunist jugosllav, të okupatorit serb?!
Nga debatet që përcjell unë, shumë njerëz që shiten për atdhetarë, duke e ngrënë sapunin për djathë, shihet qartë se haram e hanë bukën e Kosovës.
Ata që e sabotuan dikur ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia, e sabotuan dje Luftën Çlirimtare të Kosovës, me dashje apo nga naiviteti, pa dallim cilës parti politike i takojnë, sot po e sabotojnë hapur ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Testimi i parë u bë nga Beogradi me krijimin e “Grupit të Miqësisë” mes Serbisë dhe Shqipërisë, në nivel të dy Parlamenteve të këtyre shteteve!
Diplomacia ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane, nuk shpenzon pambarim nerva dhe para për trapat e politikës, që edhe nënën e tyre e shesin për interesa personale dhe pushtet!

(5 gusht 2019)

Regjimet totalitare duhet të dënohen për krimet kundër njerëzimit, jo kriminelët të rikthehen në pushtet!

Nga shkon LDK-ja dhe ku dëshiron ta çojë Kosovën me udhëheqës të përfshirë në krime të ish regjimit komunist serb-jugosllav?
Sipas parimeve demokratike dhe rekomandimeve që dalin nga dy Rezolutat e Këshillit të Evropës 1096 (1996) dhe 1481 (2006), edhe partitë tjera politike do të duhej të shkunden nga themeli, të pastrohen nga personat e përfshirë në krime kundër shqiptarëve nga ish regjimi komunist serb-jugosllav (përmes agjenturave të tyre), si dhe në korrupsion e krime të rënda kundër qytetarëve dhe shtetit të pavarur të Kosovës.
Kjo nuk është çështje individuale, për hakmarrje dhe inate, por çështje e vlerave dhe parimeve demokratike.
Ata që kanë gjak shqiptari nuk mund ta tolerojnë këtë llum të kalojë mbi rrëketë e gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës!
Po të ishte Kosova shtet ligjor dhe me demokraci të konsoliduar, partitë politike që promovojnë frymë neokomuniste dhe zgjedhin udhëheqës të përfshirë në krime nga ish regjimet totalitare komuniste, sipas:
Rezolutës 1096 (1996) së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbi masat për shpërbërjen e trashëgimisë së sistemeve totalitare ish komuniste; dhe
Rezolutës 1481 (2006) së Këshillit të Evropës për nevojën e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste;
– do të rishqyrtohej veprimtaria e mëtejshme, apo do të ndalohej me ligj partia politike që ndërmerr veprime dhe aktivitete në kundështim me këto Rezoluta dhe me parimet universale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut;
– do të dënoheshin personat e përfshirë në krime me veprimet e tyre në ish sistemet komuniste totalitare; dhe
– do të ndërmerreshin masa ligjore ndaj personave të cilët në cilëndo formë e tolerojnë, përkrahin dhe mundësojnë rikthimin në pushtet të këtyre personave dhe të kësaj fryme, me këtë edhe të ish sistemit totalitar komunist.
Kjo që ndodh sot në Kosovën e lirë dhe demokratike, me asgjë nuk i ngjan një filozofie politike progresive, por thjesht është një marrëzi e llojit të veçantë, e cila cilësohet si filozofi e nënshtrimit ndaj krimit të organizuar.
Nuk mund të mbrohet dhe ndërtohet shteti demokratik dhe ligjor nga shkelësit e parimeve themelore të demokracisë, me njerëz të dyshuar për krime, të cilësuara të tilla me Rezolutat e Këshillit të Evropës dhe akte të tjera ndërkombëtare për dënimin e krimeve të regjimeve komuniste totalitare!

(4 gusht 2019)

Kosova ka nevojë për LDK-në, jo për LKJ-në!

Një ish komunist i përbetuar jugosllav, kundërshtar i aspiratave për liri e pavarësi të Kosovës, po shpresoni ta shpëtojë sot Kosovën nga varfëria dhe krimi? Turp të keni!
Lidhja Demokratike e Kosovës definitivisht e ka humbur forcën për rikthim në identitetin e saj.
Në hapat e parë, kjo parti u sulmua nga brenda e jashtë, që të pushtohej përmes agjenturave të huaja, titiste, staliniste, juliste e të ngjashme, por pa sukses, përderisa ishte gjallë presidenti i saj Ibrahim Rugova dhe Fehmi Agani.
Këto agjentura, jorastësisht, në atmosferë të turbullt lufte dhe pas lufte, e likuiduan mizorisht Fehmi Aganin dhe helmuan Ibrahim Rugovën, për pushtimin definitiv të kësaj partie, në shërbim të interesave të veta, të Serbisë dhe Rusisë.
Kjo parti sot, e pushtuar dhe dominuar nga klanet e futura nga jashtë, me asgjë nuk e dëshmon se është në programin e saj dhe në tokë të bukës, edhe përkundër faktit, se ende janë gjallë një pjesë e intelektulëve që e krijuan dhe ngritën këtë parti, të cilët edhe mbajnë përgjegjësi historike për katandisjen dhe shkatërrimin e saj.
Me lënien e kësaj partie në duart e tipave si kryetari aktual Isa Mustafa dhe të përkrahësve, që e përçojnë amanetin e të parëve të tyre komunistë jugosllavë, kjo parti asnjëherë nuk mund t’u rikthehet rrënjëve të saj, por frymës titiste, ish lidhjes komuniste jugosllave dhe interesave serbe në Kosovë.
Stalinistët në pushtet, pavarësisht se kanë partitë e tyre të reja, nuk flenë rahat pa një LDK në frymën jugosllave, si nënë ideologjike të tyre.
Lënia e kësaj partie në duar të ish komunistëve jugosllavë është tradhti ndaj vlerave të demokracisë dhe idealeve të kryetarit të saj historik, Ibrahim Rugovës, shtrembërim i rrugës evropiane dhe proamerikane dhe një alibi e fortë për progandë ndaj saj nga ata që duan ta sundojnë përjetësisht Kosovën përmes hajnisë, korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar; jo në rrugën e saj evropiane, por në shërbim të strategjisë dhe interesave serbe, ruse, turke-iraniane, sa të jetë e mundur më keq e më zi.

(3 gusht 2019)

(Autori është kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup)

1 KOMENT

  1. Te ishe anetar ne Partine Komuniste nen okupim te RSFJ-se, ishte gje normale. Por mbrenda partise ka pase rryma te ndryshme qe luftonin… disa per kombin SHQIPTAR, disa kunder kombit SHQIPTAR.

    POR TE JESH ANETAR I NDONJE PARTIE KOMUNISTE NE GJERMANI APO ZVICËR NE KUSHTET E LIRISE ESHTE TMERR. Fatkeqesisht shum]e parti te vogla marksiste leniniste ekzistonin ne keto shtete…

Komentet janë mbyllur.