Replikë me Xhufin/ Rrëfimi i të mbijetuarit në kampin e Tepelenës: Enveri do na çonte në Siberi

0
595

BalkanWeb.com

Piktori e shkrimtari Lek Previzi, i vetmi që është gjallë nga moshatarët e tij që përjetuan kampin e tmerrshëm të Tepelenës, dëshmon për herë të parë se cili ishte plani sekret i Enver Hoxhës me të gjitha familjet e izoluara, para se të hapej kampi, dhe si zhdukën me buldozer e traktor njerëzit që vdisnin.

Prej Previzit kemi skicat e para, dhe të sakta se çfarë ndodhi atje, të cilat shpëtuan nga djegia. Previzi me këtë rrëfim i jep përgjigje të drejtpërdrejtë historianit Pëllumb Xhufi, duke i quajtur deklaratat e tij ndërhyrje të pandërgjegjshme

-Siç jeni në dijeni, nga deklaratat e bëra në media, historiani Pëllumb Xhufi ka folur për kampin e Tepelenës referuar një dokumenti të CIA-s, që ai kamp s’është ashtu siç është konsideruar, i tmerrshëm, si do ta vlerësonit rastin e Xhufit?
Një ndërhyrje fare e pandërgjegjshme. Si historian dhe intelektual duhej të ishte treguar kryesisht human. Sepse kampet e internimit kanë ekzistuar në forma të ndryshme. Por ai i Tepelenës ka qenë më i keqi, sepse ishte një kamp i mbyllur me tela me gjemba, që funksionoi gjashtë vjet, 1948-1954 ( fundi i vitit 1953). Mjafton fakti që ishte kamp i mbyllur, ku shumica ishin pleq, gra e fëmijë, familje të tëra, të privuar nga liria. Nuk po flasim për trajtimin, mungesat, vuajtjet, sëmundjet e vdekjet. Që nënkuptohen.

Xhufi na qenka bazuar mbi një dokument të CIA. Ku ka ditur CIA se ç’bëhej nën diktaturë në Shqipëri. Patjetër kanë marrë një përgjigje nga Ministria e Brendshme e kohës, që s’kishte si të shkruante ndryshe, ndërsa realiteti ishte krejt për dreq. Pra Xhufi tregon, siç vinte nga trungu komunist, se nuk ka ndjenja humane, gjë që s’i lejohet një intelektuali. Nga ana tjetër, ai tregon një prirje për të justifikuar atë që njihet si diktatura më e egër e kampit komunist të Europës Lindore. Kjo e papranueshme nga një historian i vërtetë. Krahasimin për Auschwitzin ai e ka marrë gabim. Ai është simbolik, për të treguar se edhe në Shqipërinë e vogël ka pasur një kamp të keq, të tmerrshëm. Por jo në një krahasim madhësie dhe krimesh si kampet e Gjermanisë.

Kampi i Tepelenës i përgjigjej një popullsie prej një milion shqiptarë, ndërsa kampi i Auschwitzit i përgjigjej një popullate europiane qindra milionëshe, se aty u internuan nga gjithë vendet europiane). Vetëm viktimat e atyre kampeve ishin sa gjashtë herë popullsia e Shqipërisë. Por për Shqipërinë e vogël, kampi i Tepelenës cilësohet si tmerr i madh, që kurrë s’kishte ndodhur në Shqipëri, e veç diktatura komuniste e krijoi për të mbyllur aty vetë pafajësinë, që ishin familje të tëra të ndershme e paqësore shqiptare e kryesisht fëmijët, që aty iu flijuan idhullit të komunizmit. Zoti Xhufi të gjitha këto i ka mohuar, duke treguar se meriton fare atë titull të historianit. Urojmë të zhvishet nga skoriet ideologjike me të cilat e ka mbuluar e kaluara komuniste, siç kanë bëre kolegë të tij shqiptarë e të huaj. Duke fituar kështu përmasat e një historiani të vërtetë. Si duket nuk e ka lexuar librin e zi të komunizmit të gjashtë intelektualëve francezë ish-komunistë, ku diktatura komuniste shqiptare me diktatorin e saj, radhitën ndër më të egrat. Kjo do të ishte detyrë e një historiani të kërkojë të vërtetën dhe jo të përrallisë pa përgjegjësi e ndjenja humane.

-Ju e keni njohur atë kamp, çfarë kujtoni?

Atë që kujtoj e kam treguar në vizatimet e mia të gjendjes së kampit që janë më të sakta se çdo fotografi, që në rastin konkret ishte detyrë e vetë Shtetit komunist që t’i kishte si dokument. Sa për vizatimet e mia rezulton se s’ka pasur të tillë në asnjë lloj kampi të Gjermanisë as të Rusisë sovjetike, as të shteteve të tjera komunistë. Unë ato vizatime i kisha bërë për veti, si kujtim, dhe s’më ka shkuar mendja kurrë t’i bëj publike. Kjo u bë nga Fondacioni gjerman Konrad Adenauer dhe ISKK, me drejtor Agron Tufën. Ishin ata që e krahasuan kampin e Tepelenës me Auschwitzin, sigurisht në formë simbolike, sepse dihej se tmerret e Auschwitzit s’ishin kryer në Shqipëri, me gaze e furra, por si vend i vogël ky krahasim ishte i natyrshëm. S’ka më krim se sa të ja presësh e mohosh lirinë njerëzve të pafajshëm e t‘i kthesh në viktima. Këtë duhet ta kishte mirë parasysh Xhufi e mos të kalonte në thënë absurde, për të shfajësuar diktaturën e xhaxhit të tij.

-Si ishte gjendja në kamp, flitet për vdekje të panumërt fëmijësh, saktësisht çfarë mund të na thoni për këtë?
Së pari të dihet se kampi i Tepelenës, përfshinte tre qendra të tjera para se ai të krijohej në ish-kazermat italiane. Këto ishin Turani, Veliçoti dhe Memeliaj, ku të internuarit ishin sjellë nga Berati më verën 1948, me 40 kamionë të ushtrisë. Kushte miserbale, primitive në baraka të vjetra pa dyer e dritare, drejt në çimento. Pa asnjë strukturë higjienike sado të thjeshta. Vetëm bukë misri 500 gram për njeri që vinte nga Berati e thërrmoqur dhe e pjekur keq, që mykej shpejt. Ujët të pijshëm me nga një tas në ditë. Ujë për larje hiç fare, veç një rreke e qelbur që kalonte aty. As mjek, as infermier, as ilaçe. Plasën sëmundjet infektive si kolerë, e filluen vdekjet masive, ndër fëmijë e pleq. Nga dëshmitarët, në tre këto qendra vdisnin nga shtatë vetë në ditë. Tmerri arriti kulmin në një natë në Turan ku vdiqën 33 fëmijë kërthiqe. Lemeria e nënave dhe krejt kampit. Komanda s’kishte fuqi për asgjë, veç të hapte varre e digjte teshat e fëmijëve. Si duket bëri raport në Ministri, ku erdhën disa oficerë me dy mjekë. Vunë duart në kokë nga tmerri që panë.

Kështu kjo bëri që në tetor 1949 të internuarit të grumbulloheshin në ish kampin e ushtrisë italiane, poshtë kalasë së Tepelenës. Por ky kamp ishte i rrethuar me tela me gjemba dhe i mbyllur. Konditat ishin me të mira se të kampeve të tjera, se kishte ujë, për pirje e larje. Buka u kthye në gruri dhe u jepej nga një lugë çorbë në ditë. Por infeksioni i sëmundjeve vazhdonte dhe vazhdonin vdekjet. Ku varroseshin në fushën para kampît, që u mbush plot. Por një ditë kalon me makinë, për në Gjirokastër, idhulli i Xhufit, xhaxhi Enveri, i cili kur merr vesh ç’ishin ato varre, dha urdhër të zhdukeshin. Komanda lejoi transferimin e varreve dhe një pjesë u transferuan sipër urës së Bençës, por shumica mbeti aty. Dhe u zhdukën me buldozer e traktor, duke e mbjellë me tërshërë. Këto Zoti Xhufi s’ka patur ku t’i merrte vesh. E ç’historian na mbahet, pa shpirt human. As ka pasur mundësi edhe vete CIA, të informohej, veçse nga sigurimi e ambasadorët e diktaturës, që CIA kërkonte shpjegime.

U zgjata pse e shoh se s’dihet asgjë për kampet, e zoti Xhufi ka të drejtë të përrallisë ashtu. Kampi Tepelenës njihet si një kamp i mbyllur, me familje, pleq, gra e fëmijë, e kaq mjafton për ta quejt të tmerrshëm. Saqë megjithëse i mbyllur, bëhej apeli dy herë në ditë, në mëngjes pa dalë drita dhe në mbrëmje, në ora tetë të mbrëmjes që ishte ora e fjetjes. Njerëzit ishin vetëm me rrobat e tyre (siç tregohet në vizatimet e mia). Shteti nuk siguronte as shtresa as veshje, që në kampet gjermane siguroheshin. Kishte njerëz që flinin mbi dërrasat, dimën e verë. Ushqimi nga një lugicë çorbe ujore, me fasule, oriz, bollgur të skaduar e krimba, mbeturina të depove. Punë e rëndë e detyruar, nga 15 deri 50 vjeç për gratë, dhe 60 vjeç për burrat. Transport si kafshë lëndësh drurore, shtylla, trupa lisash, pllaka guri e tjera materiale të rënda, gjithë ditën nga mëngjesi deri në mbrëmje. Shtoi se unë vetë u infektova aq rëndë sa më dërguan urgjent në spitalin e Gjirokastrës, në verë, 1952.

Ku qëndrova pesë javë, që infeksioni s’hiqej, dhe mjekët u detyruan t’i kërkojnë drejtorisë përdorimin e një ilaçi të jashtëm që mbahej veças dhe s’jepej pa autorizim. Shifra të sakta ne s’mund të japim, se s’mbante kush shënime. Kjo është detyrë e shtetit që i ka pasur listat e te internuarve, siç e tregon fakti i apelit që bahej çdo mëngjes, nga një regjistër, që mbanin në dorë kapterat e apelit, pra që e kishte komanda. Zoti Xhufi, si historian, të kishte kërkuar në Ministrinë e brendshme e në degën e Tepelenës, e tjera degë, listat përkatëse që të dilte në të tilla konkluzione e jo në deklarata bajate e keqdashëse, për të mohuar një të kaluar kriminale të regjimit diktatorial, ku ishte rritur dhe edukuar, që për ma tepër paskej qenë i afërt me vetë xhaxhin e tij, Enverin.

-A ishte urdhër direkt i Enver Hoxhës me perspektivën e një gjenocidi të pashembullt ky kamp, pse u mbyll aq shpejt, çfarë ndodhi?
Që ai kamp (dhe kampët e tjerë) të jetë krijuar me dijeni të plotë të Enverit, kjo s’ka asnjë dyshim. Supozim të një sulmi nga ana e Amerikës, asnjë prej nesh nuk do të kishte shpëtue gjallë, të kositur nga armët e kriminelëve të sigurimit e policisë, vrasës të regjur. Shtoj diçka interesante, se kur nisën internimet, më maj 1945 në Berat për familjet e veriut e në Krujë për ato të jugut, u hap një fjalë së shteti komunist po i mblidhte të internuarit për t’i çuar në Siberi. A ishte fjalë kote, thashetheme, apo diçka e propozuar, kjo s’dihet. Por që u fol u fol. Gjoja anijet ruse që do ta bënin atë punë, u bahej kontroll nga autoritetet turke, kur kalonin Bosforin, e kështu ajo punë nuk u realizue.

Kështu regjimi komunist i Xhufit vendosi ta krijojë Siberinë në Shqipëri, ku kjo masë iu mbështet Tepelenës si zonë e mbyllur mes maleve. Qëllimi i Enverit ishte për të asgjësuar familjet e mëdha e të tjera familje të ndershme e patriote, duke i degraduar në puntorë krahu, skllevër e bujk-robër. Fëmijët e tyre të lindur e rritur në atë kampe të mos kishin asnjë të drejtë veç të punës denigruese të bujqësisë e në miniera. Mjafton fakti se alamet profesorësh që ishin diplomuar e doktoruar në universitete me të mira të Europës jo vetëm që i kishte pushkatuar e burgosur, por edhe ata që kishin shpëtuar i internonte e çonte me prashit misër e hap kanale në fushat e bujqësisë. Ky sipas Xhufit paskej qenë trajtim i mirë, ku mirë do të kishte qenë ta provonte vetë atë trajtim që t’i kthehej truri në vend.

-Pse kampi i Tepelenës konsiderohet më famëkeqi në diktaturë, krahasuar me kampet e tjera, për shembull z. Xhufi ndërmend kampin e Maliqit?
E thamë se aty ndodhën vdekje të shumta për konditat miserable, mungesë ushqimi deri të vdekur nga uria, sëmundje infektive, të ftohtit, punët e rënda. Veçse të merret vesh mirë, se aty s’ka pasur tortura në kuptimin të saktë, as është pushkatuar e varur kush. Ka pasur një tentativë ikje, ku personi është kapur e burgosur, e ka vdekur në burg. Një tentativë tjetër kanë ikur pesë vetë njëherësh, por jo shqiptarë, malazez, të cilët janë ndjekur e vrarë maleve. Trajtimi më i keq i Tepelenës ishin punët e rënda, si kafshë bartës, së cilës i nënshtrohesh të internuarit të aftë për punë, siç kemi shpjeguar.

Para se të krijohej Tepelena, nga kampi Turanit, nja gjashtë të rinj, që ishin çuar të rregullonin një rrugë ushtarake, ku gjetën rastin të ikin, e vetëm njeri mbeti i vrarë, dhe të tjerët arritën të dalin në Jugosllavi e prej aty ne Amerikë e Belgjikë. Një ngjarje tjetër është arrestimi i pesë të rinjve nën 15 vjeç, që u dënuan me nga dhjetë vjet burg politik. Pasi u liruan u internuan, dhe me vonë u dënuan përsëri me nga dhjetë vjet të tjerë. Ky ishte sistemi i ngritur nga Enver Hoxha, që ata që ishin të damkosur si armiq të dënoheshin përjetësisht. Një e metë e madhe e Zotit Xhufi është kur bën krahasimin me kampin e Maliqit, që quan kamp internimi. Kampi i Maliqit ka qenë kamp i të burgosurve politikë, krejt burra. Aty kushtet ishin të tmerrshme, me punë në baltë për hapje kanalesh vigane, ku pati të pushkatuar, të varur, të vdekur në llucë nën këpucët e policëve kriminelë, e vrasje gjoja për tentativë ikje. Pra, krahasimi s’hyn fare.

Kampi i Tepelenës, quhet i tmerrshëm sepse aty u mbyllën shumica familje, me pleq, gra e fëmijë. Prandaj ky kamp është krahasuar simbolikisht me Auschwitzin e kjo s’i lejohet e nuk i ka aspak hije zotit historian Xhufi që ta hedhë poshtë. Kushte të mira apo të këqija, ai ishte një kamp i mbyllur që u mohonte lirinë jetën mijëra qenieve njerëzore, të pafajshme, ku fëmijët janë pafajësia e sublimuar. Këtë zoti Xhufi s’e ka patur fare parasysh ose s’ka dashur ta përmendë sepse shkonte në turpin e regjimit komunist prej ku ai vinte. Ka komunistë të nivelit intelektual që kanë arritur të pranojnë gjenocidin shqiptar të zbatuar nga diktatura e Enver Hoxhës me shokë, ku themi që edhe zoti Xhufi duhet të arrijë të kuptojë, të reflektojë e të dënojë krimet e komunizmit në Shqipëri, ku kampi i Tepelenës është i damkosur me të drejtë si i tmerrshëm e Auschwitz i Shqipërisë. /Mapo