RETUSHIMI NUK ËSHTË NDRYSHIMI

0
465
LDK - Kuvendi IX zgjedhor

IDRIZ ZEQIRAJ

Kuvendi i 9-të “Zgjedhor” i LDK-së dhe mbledhjet serike që pasuan Kuvendin hiç demokratik, dëshmuan dilemën e madhe, krizën e thellë brenda partiake. Kapja që klani i konsoliduar dhe i stazhionuar i Isa Mustafës, që i ka bërë partisë, është po aq i rrezikshëm, sa edhe kapja e shtetit të Kosovës nga banda kriminale PAN.

Fakti, sa shqetësues, aq edhe shokues: 117 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm (KP), organi më i lartë i LDK-së, u mblodhën, për të zgjedhur kandidatin për kryeministër dhe Kryesinë e ngushtë. Mungojnë dy ish-nënkryetarët, madje, qëllimshëm, për t`a sfiduar Këshillin e Përgjithshëm. Ishin, pikërisht, nënkryetarët që dështuan mbledhjen në fjalë.

Çfarë duhet të bënte KP i LDK-së, nëse do të kishte, qoftë edhe pakëz gramë demokraci partiake? Gjithësesi, duhej ta vazhdonte mbledhjen, me çështjet e përcaktuara, duke mos i përfillur klanorët e munguar, qëllimshëm, duke i lënë, doemos, jashtë kryesisë së ngushtë, pra, assesi të mos jenë nënkryetarë të LDK-së.

Ndodhi e kundërta! Klanorët shantazhues e sfidues të KP, diktuan mbledhjen të nesërmen dhe vendosën gjithëçka siç ata deshtën. U riemëruan në postet ku ishin, u vunë në krye të Shtabit zgjedhor, kuptohet, përkundër vullnetit të KP dhe të anëtarësisë të LDK-së.

Vjosa Osmani e pranueshme për kryeministre, por, pengesë klanorët, të cilët stopojnë, frenojnë kuadrot e të gjitha niveleve të partisë. Në këtë rast, fenomeni – klan -, merr përmasën SOS! Heshtja e mëtejme toleruese, karshi klanit cinik e ironik, i cili ka ngulfatur partinë, do të ishte varrosje e shpresave të anëtarësisë të LDK-së, për rimëkëmbjen e partisë, keqas të përtokur nga klanorët.

Përmbyllja “zgjedhore”, me Kuvendin e 9-të farsë, duhet të shërbejë si paralajmërim i ndarjes të LDK-së. Fuqia klanore, manifestoi mujëshinë dhunuese të demokracisë, nënshtrimin e turpshëm të delegatëve, të Këshillit të Përgjithshëm, të anëtarësisë të LDK-së.

Përzgjedhja emëruese e Këshillit të Përgjithshëm, në dukje, zgjoi interes dhe shpresë për ndryshim. Por, Kryesia e riemëruar, me një retushim të zbehtë, shuajti çdo shpresë. Retushimi, assesi, nuk është ndryshimi. Dhe, ky retushim shuan, përfundimisht, shpresat e ndryshimit. Është rrjedhë logjike se nga klanorët nuk mund të pritet asnjë ndryshim. Sepse, ndryshimi duhet të fillojë me largimin e klanorëve, me shpronësimin e LDK-së.

Kushti i zi e monstrum 50+1, i klanit Mustafa, plus aklamacioni, sa jo ligjor, aq edhe i turpshëm, është alfa dhe omega e mbajtjes të klanit fuqiplotë në krye të LDK-së. Kur Fatmir Sejdiu në Kuvendin e 6-të, u bind se lista emërore e KP është e pa pranueshme, për besnikët e Ibrahim Rugovës, tentoi ta ribënte listën me anëtarë balancues. Por, ishte kreu i klanit të atërshëm, i cili e stopoi, rrjedhimisht, edhe e fundosi Sejdiun. Këtë lëvizje e ka kapur kamera, andaj, fakti është i pa demantueshëm. Kështu i ndodhi edhe Isa Mustafës në Kuvendin e 9-të, veçse me një kryeklanor tjetër. Ai nga shef i klanit, u bë vartës i klanit!

Duke qenë, jetësisht, i përkushtuar për afirmimin e vlerave demokratike të LDK-së, kam përcjellur, në vijimësi, kalkulimet intriguese brenda partisë dhe kam paralajmëruar prapaskenat klanore, brenda Kryesisë të LDK-së.

Gjithëçka, absolutisht, gjithëçka që kam denoncuar, për rreziqet që i kanosen LDK-së, kanë rezultuar të sakta. Kam thënë dhe përsëritur se SHIK-u i ka njerëzit e tij brenda klanit Mustafa dhe ata vazhdojnë ta mbajnë në pushtet PDK-në, duke e bërë hisedare LDK-në në të gjitha vendimet fatale për Kosovën, përfshi këtu “Zajednicen”, Demarkacionin, Hashimi-president, Kadriu-kryeparlamentar, pagesën e mbrojtjes të vrasësve të veprimtarëve të LDK-së dhe të FARK-istëve të Ibrahim Rugovës dhe pisllëqe tjera.

Brenda klanit Mustafa, ka partizanë të koalicionit LDK-AAK, krejt i barasvlershëm me koalicionin me PDK-në. Sepse Kosova është përgjakur. Autorësia u faturohet PDK-së dhe AAK-së, me organizatat e tyre terroriste SHIK dhe “Shqiponjat e Zeza”. Nëse LDK-ja, përkatësisht, klani brenda Kryesisë, koalicionon me AAK-në, LDK-në e bënë pjesë të krimit.

Referenca se një koalicion të tillë, pra, LDK-AAK, e ka bërë edhe Presidenti Rugova, është “arsyetim” rrugaçërorë i klanorëve. Sepse, Ai e bëri këtë, në atë kohë, për ta stopuar Ramush Haradinaj, me bandën e tij, në krimet serike vrastare në Dukagjin. Tashmë, janë kohë të tjera. Ramushi dhe banda e tij janë bërë milionerë të shumëfishtë, edhe pushtetin e kanë të bollshëm, andaj, janë në pauzim.

Prandaj, LDK-ja, gjegjësisht, klani Mustafa, në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim, nuk duhet të joshët për një koalicion të tillë. Përndryshe, një qasje e tillë kriminale, do të ishte përdhosje e rivrasje ushtarakëve të FARK-ut, e veprimtarëve të LDK-së, heronj të demokracisë si dhe provokim i rëndë, jo vetëm i shumë qindra familjeve të viktimave, por edhe i shqiptarëve të kudondodhur.