Rigjenerimi i kapjes

0
654

Lumir Abdixhiku

Tri herë për tri ditë Presidenca e Kosovës lëshon fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quan organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me kësi qëndrimi ndaj BE-së Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putinit, Le Penit e Erdoganit

1

Në shkurt të këtij viti, në një shkrim parashikues mbi muajt në vijim, e të titulluar “A janë zgjedhjet afër?”, kisha shkruar mbi skenarin që do të shpinte, siç besoja atëherë, në zgjedhje të parakohshme, diku në muajin maj të vitit 2017. Pjesë të skenarit, si arsyetim, kisha përfshirë – pritshëm – çështjen e demarkacionit.

Dy muaj më pas, data e zgjedhjeve të reja është veçse e thënë; maj ose qershor. Arsyeja? Demarkacioni. Ndonëse motivet për shkuarje në zgjedhje të parakohshme mund të jenë të shumta (kryesoret veçse i kisha përmbledhur në shkrimin e dy muajve më parë), një, veç, është shkas i përdorur publikisht. Mungesa e mbështetjes për demarkacionin.

Mungesa e mbështetjes pra është evidente; e padiskutueshme më. Votat s’janë. Për shkak të kësaj mungese LDK-ja refuzon ta procedojë demarkacionin në Kuvend; procedimi është fund i qeverisjes së saj. Për shkak të kësaj mungese, PDK-ja kërkon të procedohet sa më parë propozimi në Kuvend – procedimi është nisje e garës për qeverisje nga ta.

Dhe në këtë vijë ngecjeje ishte shtruar dhe vizita e kryeministrit në Bruksel. Në një mision të pamundur LDK-ja kishte provuar argumentimin e fundit; atë të një liberalizmi të kushtëzuar për dy vjet. Misioni i pamundur kërkonte bindjen e të gjitha vendeve anëtare në BE. Por, në këtë fazë e në këtë kapacitet, Kosova as s’ka mekanizma e as kanale për bindje të shpejtë. Kosova s’mund në pak kohë t’i bindë të gjithë anëtarët në një mendje – mendje që kërkon në thelb lëshim pe. Rrjedhimisht, përgjigjja ishte negative. Demarkacioni duhej të procedohej sa më shpejt.

2

Në Kosovë ndërsa kishte nisur fushata hapur. PDK-ja kishte nisur paraqitjet në të gjitha mediat; flisnin në një gjuhë të njëjtë. E thoshin se kjo qeveri nuk është në gjendje të marrë vendime të mëdha; rrjedhimisht nuk ka arsye të jetë më.

LDK-ja, në gjuhë po aq të njëjtë, herë luste PDK-në për vazhdim të martesës, herë mohonte, siç mohon nga befasia dikush realitetin që i vjen papritur – divorcin me PDK-në. Nuk di çka është më tragjikomike në këtë vend. Arsyetimi i bashkimit të LDK-së me PDK-në që bëhet shpeshherë (herë për çështje madhore, herë për sakrificë e herë si gjoja dëgjim i komunitetit ndërkombëtar), apo lutja që sot LDK-ja i bën PDK-së për vazhdim të bashkëqeverisjes. Kjo e fundit kalon secilin nivel integriteti që një parti, po qe e madhe, duhet domosdo ta ketë.

Në këtë lutje madje të njëjtit përmendin dhe prishjen e marrëveshjes për president; pa e kuptuar se për president, për shkak të tyre, do të kemi për pesë vjet pikërisht njeriun që mban vulën e fajit të ngecjes për gjithë këta vjet. Ky fund, pikërisht, është produkti i bashkimit me PDK-në. Kështu ndodh gjithmonë. PDK-ja ka konsumuar secilin partner. Ka përdorur secilin për të shtyrë agjendat e veta të kapjes nëpër kohë; dhe, në fund, u ka dhënë një rrënim nga i cili partnerët s’janë rikuperuar asnjëherë. Naiv ose lakmitarë të mëdhenj janë ata që s’e kanë parë këtë skenar që nga fillimi i tij.

Në kthim të konsumimit PDK-ja po merr jo vetëm postin e presidentit, por edhe atë të kryeministrit. PDK-ja, si asnjëherë, do të mbajë të dy pozitat kyç në vend; në kohën më të vështirë të mundshme për vendin tonë. Kryeministri i ri ndërsa, siç proklamohet vetë, ka filluar një fushatë me moton e “Fillimit të ri”. E nuk di çfarë mund të jetë më ironike sesa titullimi i vazhdimit të PDK-së e SHIK-ut si një fillim i ri.

Kjo fushatë, në një tur dëgjimi, natyrisht paguhet nga paratë e taksapaguesve kosovarë – nga mjetet e Kuvendit. Në këtë fushatë, e në këtë fillim të ri, shfaqet shpesh cektësia e lidershipit të ri. Perlat si “papunësia mund të zvogëlohet veç me punësim” të japin figurën e një studenti mesatar që shpejt mund të jetë bartës i gjithë vendit tonë.

3

Në një skenë tjetër, jo të largët, ndodhte përplasja e hapur e presidentit me BE-në. Këtë javë, tri herë për tri ditë, Presidenca e Kosovës kishte lëshuar fletërrufe kundrejt Bashkimit Evropian. E quante organizëm monoton, pa lidership e vizion. Me kësi qëndrimi ndaj BE-së, Hashim Thaçi zë vend meritor në kampin e Putinit, Le Penit e Erdoganit.

Por Thaçi ka një hall të madh. Dhe ky hall po rritet sa më afër që vjen Gjykata Speciale. Sepse, veç një njeri në hall të madh e akuzon Evropën për fantazi rreth bashkimit, ani pse vetë e përmend bashkimin si kërcënim një ditë më parë. I pasigurt e me mendim të dy-trefishtë ai vazhdon të kundërshtojë veten në secilin qëndrim të tij.

BE-ja mund të mbahet përgjegjëse për shumëçka, në rend të parë për mostrajtim të barabartë të kosovarëve me rajon sa i përket lëvizjes së lirë. Por ama BE-ja nuk i ka faj Kosovës pse ndërmarrje multimilionëshe falimentohen nga militantë të partisë së tij. As për procese të kurdisura në tenderomani. BE-ja nuk i ka faj pse 9 kryetarë komunash të zgjedhur nga ai janë në ndjekje penale. BE-ja nuk i ka faj pse universitetet i ka mbushur me analfabetë, mediat me servilë, policinë me hajna, gjyqësinë me asi që s’kanë “kunkuru” hiç, spitalet me lindje nëpër pllaka, e diplomatët me akraba bashkëpartiakësh. BE-ja nuk i ka faj pse ai i lë 60% e të rinjve të papunë; 170 mijë kosovarë në varfëri, e çdo të dytin me ide për migrim. BE-ja nuk e ka kapur Kosovën. Kosova është kapur, rrëzuar e dërrmuar nga ai me miqtë e tij – nga asi në parti dhe të tjerë që pa takt i dhanë përkrahje për në Presidencë.

Në këtë kryengritje të tij, Thaçi po kërkon kaos e më shumë izolim. Sepse, veç në kaos e izolim një kapës me shokë si ky mund të mbijetojnë. Ai tashmë është i mbyllur. S’e takon e s’e pret askush. Vizitat e fundit të tij janë nëpër kafenetë e Prishtinës apo nëpër oda “bebërëse” me 124 pleq. Me fatin e vet do ta lidhë dhe atë të Kosovës. Kalimi nga dëgjues pa ide në kritikues pa takt sjell mu këtë kaos për të.

Kosova ka nevojë për politikanë që i hapin dyert e Perëndimit; jo për të atillë që i mbyll ato. Fatkeqësisht, mbyllësit e dyerve, për shkak të një skene të përçarë politike, janë më afër se kurrë të vazhdojnë për gjatë mbajtjen e secilit kontroll në vend.

abdixhiku@facebook.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.