Rrustem Bruqi, ndjenja më e pastër e krenarisë kombëtare

1
1305

Shkruan: Florim Zeqa, 22.08.2018

Rivarrimi i vonuar i heroit

Me datën 08.08.2018, në fshatin Isniq, në një ceremoni modeste dhe pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, u bë rivarrimi i heroit Rrustem Bruqi dhe tre dëshmorëve; Miftar Bajraktaraj, Isa Balaj, Naim Bajraktaraj pranë lapidarit të dëshmorëve në qëndër të fshatit.

Sikurse varri i heroit Rrustem Bruqi që ishte mbetur në harresën e të gjithëve, i paprekur (i pa vizituar) tani e 20 vite më parë në oborin e Xhamisë së fshatit, edhe ceremonia e rivarrimit u anashkalua nga institucionet e shtetit!
Nuk është hera e parë dhe as e fundit që bartësit e institucioneve shtetërore harrojnë dhe anashkalojnë heronjët dhe dëshmorët e lirisë sonë.

Sikurse ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit të Kosovës dhe dëshmorëve të lirisë të bëhej në fushatë zgjedhore, me siguri liderët shtetëror dhe partiak do të gjenin kohë për pjesëmarrje, mirëpo, në këtë kohë të nxehtë vere, më të preferuara për politikanët janë plazhet e bukura dhe jahtet luksoze….
Në këtë kontekst pa përgjegjësi nuk mbetët as LDK-ja që la në harresë veprimtarët më të devotshëm të saj, luftëtarët e vijës institucionale që ranë në altarin e lirisë.

Zhgënjimi i familjarëve

Të vetmit jemi ne familjarët që kohë-pas kohe sjellim lule të freskëta dhe shuajmë mallin më Rrustemin,…jemi të indinjuar thellë në institucionet komunale dhe ato shtetëtore të cilët trajtimin e heronjëve dhe dëshmorëve të lirisë po e bëjnë në mënyrë selektive; përveqse i ngatërrojnë (qëllimshëm) heronjët me dëshmorët dhe viktimat, dikujt i ndërtohen lapidare dhe komplekse memoriale më paratë e taksapaguesve, ndërsa dikush tjetër po harrohet dhe anashkalohet nga kujtesa shoqërore siq është rasti më Rrustem Bruqin e shumë të tjerëve që ranë heroikisht dhe ballë-përballë më forcat serbe, …më lehtë e kam përballuar varrimin e vëllaut 20 vite më parë, sesa sot rivarrimin, përfundon rrëfimin Dr. Sylë Bruqi (vëllau i dëshmorit) veprimtar dhe pjesmarrës i luftës çlirimtare (mjek në radhët e UÇK-së).

Harresa institucionale e heroit

Padyshim, harresa e heroit të lavdisë dhe krenarisë sonë kombëtare në radhë të parë është politike, pastaj harresë e qytetarëve të komunës së Deçanit dhe e mbarë Kosovës.
Megjithatë, përgjegjësia më e madhe morale bie mbi institucionet komunale dhe ato shtetërore, që dëshmorët dhe martirët e shtetit të Kosovës i trajtojnë sipas përkatësisë së tyre partiake.
Meqë është i veqantë dhe i papërseritshëm heroi i kombit Rrustem Bruqi, trupi i tij do të prehet i qetë vetëm përkrah bashkëveprimtarit dhe bashkëluftëtarit të tij Sali Çekaj dhe jo vetëm kaq,…u takon autoriteteve komunale që t’i sigurojnë një vend të përshtatshëm për ngritjen e shtatores në qëndër të qytetit të Deçanit, e jo t’i ndajnë herojnët sikurse deri më tani sipas përkatësisë familjare apo partiake.

Sa i përket ndërtimit të shtatores së heroit Rrustem Bruqi, kryesia e SHHK “Sali Çekaj” në Zvicër është në pritje të lejimit të hapësirës nga autoritetet komunale, të cilët edhe pas 20 viteve nuk e siguruan një vend për shtatoren e heroit kombëtar!
Nëse i referohemi pjesëmarrjes dhe sjelljes së autoriteteve komunale në ceremoninë e rivarrimit të Rrustem Bruqit, me ç’rast shpërfaqën mungesën e respektit dhe mirënjohjes ndaj heroit të kombit, duke mos e folur as një fjalë të vetme për veprimtarinë e bujshme dhe heroizmin e Rrustem Bruqit, …konfuzioni që shfaqen me rastin e vendosjes së buqetave me lule (nuk e kishin idenë, a t’i vendosin të këmbët apo të koka), lenë shumë për të dëshiruar, ngase këta pushtetarë që nuk kanë ide se si nderohen dëshmorët, nuk mund të kenë as vizion për të ardhmen e shtetit dhe mirëqëjen e qytetarëve.

E vetmja gjë e bukur, por gjysmake në ceremoninë e rivarrimit të heroit Rrustem Bruqi dhe tre dëshmorëve ishte nderimi i togut të FSK-së, me vetëm një minutë heshtje pa protokol shtetëror dhe të shtëna armësh siq e kërkon rregullorja e një ushtrie për ish luftëtarët e saj!
Ky shkrim le të shërbejë si thirrje në ndërgjegjën e liderëve shtetëror dhe partiak, në ndërgjegjën e çdo qytetari të komunës së Deçanit dhe gjithë Kosovës, se heronjët dhe dëshmorët nuk janë të asnjë partie politike, feje apo rajoni, por janë të të gjithëve, janë të shtetit të Kosovës.

Andaj përkujdesja ndaj vlerave më sublime të lirisë sonë, përkatësisht heronjëve dhe dëshmorëve është shprehje e respektit ndaj veprës madhore të tyre, dashurisë ndaj atdheut dhe shprehje e nivelit kulturor të shoqërisë kosovare në përgjithësi.

Kush ishte Rrustem Bruqi!?

Rrustem Bruqi, u lind më 28 gusht të vitit 1958, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, nga babai Beqiri dhe nënë Ajshja.
Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, të mesmen në Deçan, ndërsa fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës
Studimet për të riun isniqas ishin vitet e kthesës së madhe në rrugëtimin e tij jetësorë. Rrustemi si student i drejtesisë ishte vënë në ballë të demostratave të vitit 1981.

Me 16 dhjetor 1986, Rrustem Bruqi pranohet si praktikan në Gjykatën Komunale të Deçanit, ndërsa me 17 tetor 1988, më ndihmën e Salih Çekajt, filloi punën si Gjyqtarë në Gjykatën për Kundërvajtje në Deçan.
Suspendimi i Autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë më 1989, zgjoi edhe ndjenjën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Rrustemi ishte në ballë të Demostratës së 28 marsit të vitit 1989 në Deçan, ku u vra nga ana e policisë serbe, shoku dhe miku i pandashëm i Rrustemit, Agim Kukleci.

Ishte pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve politike në Deçan, filluar nga tubimet masive kunder ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989.
Rrustem Bruqi së bashku me Sali Çekajn morën pjesë në tubimet e fshatarëve dhe puntorëve, ku me tërë energjitë e tyre bënin thirrje për mos pranimin e ndryshimeve kushtetuese që cenonin pozicionin e favorshëm kushtetues të Kosovës së atëhershme.
Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrustemi i bashkangjitet kësaj lëvizje mbarë popullore. Ishte njëri ndër themeluesit e LDK-së në Deçan dhe kshillit koordinues të partive politike për këtë komunë.

2 korriku dhe 7 shtatori i vitit 1990, patën ndikim shumë të madh në veprimtarinë atdhetare të Rrustem Bruqit.
Në mesin e pesë juristëve që përbënin grupin për hartimin e Statutit të Komunës së Deçanit në përputhje me Kushtetutën e Kaçanikut ishte edhe Rrustem Bruqi.

Me themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ishte pjesë aktive e saj. Ishte pjesë e grupit të Deçanit në krye me Sali Çekajn, ku ai së bashku me Ismet Mehmetaj bëri përgatitjen e djemëve nga Isniqi për t’i dërguar në ushtrime në Shqipëri. Rrustem Bruqi bëri përgatitjen e bazave ku u vendos armatimi që solli Sali Çekaj nga Shqipëria pas ushtrimeve në vitin 1991.

Në vitin ’93, grupi i Deçanit në krye me Sali Çekajn u futën në Kosovë, Rrustemi fillimisht erdhi në Belle, ku së bashku me Ismet Mehmetaj muarën një sasi të armatimit dhe e sollën në bazat e grupit në Isniq, ku më pastaj, me ato armë u kryen shumë aksione kunder policisë serbe.

Gjurmëve të veprimtarisë atdhetare të Rrustem Bruqi ishin venë punëtorët e sigurimit serb (UDB-ja), me ç’rast u detyrua të mërgoj në Gjermani, ku menjëherë angazhohet në degën e LDK-së në Gjermani, me ç’rast Rrustemi takohet më shokun e idelat Sali Çekaj.
Rrustemi së bashku më Saliun, në mergim organizuan dhe sensebilizuan diasporën shqiptare për nevojën e grumbullimit të ndihmave materiale për Kosovë.

Po ashtu Rrustemi ishtë njëri nga themeluesit dhe aktivistët e Shoqatës Humanitare “Agim Kukleci”, e cila vepronte në botën perëndimore në Mergatën Shqiptare.

Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, Sali Çekaj dhe Rrustem Bruqi bashkëpunuan ngushtë me njëri-tjetrin duke dhënë kontribut të madh në fuqizimin e grupit të Deçanit me logjistikë dhe aspekte tjera organizative.
Me fillimin e luftës çlirimtare, Rrustemi e la familjen në Gjermani dhe iu bashkangjit formacioneve ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes të udhëhequr nga Ahmet Krasniqi.

Grupi i Deçanit i vuri bazat e njësive ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri, si në Tropoj, Viqidol, Papaj, nga ku u trajnuan ushtarët dhe u furnizuan me armatim dhe gjëra të tjera formacionet ushtarake në Kosovë.
Në Maj të vitit 1998, nga Viçidoli, Rrustem Bruqi së bashku me Saim Tahiraj i futën në Kosovë 36 kuaj të ngarkuar me armatim të llojeve të ndryshme, që për destinacion kishin fshatrat Isniq dhe Beleg.

Rrustem Bruqi së bashku me grupin e Deçanit dhe disa oficerëve që vepronin në Kosovë i vuri bazat e para ku u dislokuan brigadat 131,133,134 nën komandën e kol. Tahir Zemaj.
Rrustem Bruqi mori pjesë direkte në disa luftime dhe beteja. Në Betejën e lavdishme të Logjës, në luftimet ballë për ballë më forcat serbe, bie heroikisht në fushën e nderit më 6 korrik 1998, rreth orës 14 e 30 minuta. Varrimi i të cilit u bë një ditë më pas, në oborrin e Xhamisë së fshatit Isniq.

Edhe pse, i nderuar për veprën jetësore “Hero i Kosovës” nga ish presidentja Atifete Jahjaga, trupi i Rrustem Bruqit qëndroi padrejtësisht në oborrin e Xhamisë deri me 8 Gusht 2018.

I tillë ishte Rrustem Bruqi, aktivist dhe veprimtar i palodhshëm i LDK-së që nga themelimi i saj, anëtar i komisionit për financim (3%), kryetar i komisionit për çeshtje strukturore dhe anëtar i komisionit për informim pranë degës së LDK-së në Deçan, anëtar i këshillit për pajttimin e gjaqeve në Deçan, bashkëluftëtarë i Saim Tahiraj dhe bashkëpunëtor i ngusht i Sali Çekaj.

Në fund, ia vlenë për të përshendetur iniciativën e banorëve të fshatit Isniq, kryesinë e fshatit, kryetarin Musa Musshabanaj dhe luftëtarin e lirisë, bashkëluftëtarin e Rrustem Bruqit, veprimtarin e vijes institucionale Bekë Osmonaj, për këtë hap të madh, të nxjerrjes së heroit kombëtar nga hapësira e kultit fetar.

Në rivarrimin e Rrustem Bruqit muarën pjesë personalitete të njohura të jetës politike dhe ushtarake, oficierë të karrierës, bashkëveprimtar e bashkëluftëtarë të heroit, intelektual dhe gazetarë të ardhur nga rrethi i Deçanit e mbarë Kosova.
Çdo fjalë e thënë dhe çdo varg i shkruar mbetët i varfër në krahasim me veprën madhore të Rrustem Bruqit. Vazhdimi dhe çuarja në vend e amanetit të tij, mbetët detyrim yni i përhershëm.

1 KOMENT

  1. NDERIMI i te RENEVE te KOMBIT eshte sa krenari dhe detyre.
    LAVDI vepres se “Heroit te Popullit” Rustem Bruqia Bir i ISNIQ te Decanit-HERO i KOSOVES”

    I nderuari Florin Zeqia ju pershendes per kete shkrim te shkelqyer, ne nderim te asaj figure te shquar te Luftes Çlirimtare te Kosoves, sa veprimtar nje jete sa jetoi. Rustem Bruqia biri i fsahtit Isniqit, ne komunen e Deçanit, qe do te kryente nje veprimtari atdhetare per organizimin e Luftes Çlirimtare per pavaresine e Kosove nje jete. deri ne renien si bien trimat ne ate lufte per Pavaresi te Kosoves. Ai krah Sali Çekes se mirenjohur, do te vihej ne udheheqie te asaj lufte sidomos ne zonen e Deçanit.

    * Mua me beri pershtypie ne kete shkrim, mefshtesia po e quaj e organeve qeveritare pas clirimit te Kosoves, kete figure te shquar, edhe pse shpallur “Deshmor i Kosoves”, nuk u vendos ne “Vorezat e Deshmorrve” per nje kohe te gjate, si thoni ju, dhe me 8 Gusht 2018 eshte rivarosur ne ne Deçan, me nderimet e posaçme ne Vorrezat e deshmoreve, te asaj krahine me emer si Deçani. E nenvizova kete fakt te vendosies te kesaj figure me vonese ne Vorrezat e deshmoreve, se nuk eshte rasti i vetem per aty ne Kosove, po ka raste, ani se te vecnata, deri dhe ketu ne atdheu MEME. Figura te njohura te te ketij rangu, te pa vena ne vendin e merituar. Kjo terheqie vemendje le te vleje per organet kopetente ne dy anet e shteteve tona.
    – Amanetin s’e tretë dheu – thote populli.

    Faleminderit banoreve te fshatit Ikshiq te Decanit, sa drejtuesve te organeve,interesuar.
    I perjetshem kujtimi te Reneve te KOMBIT.

    Pasuesi Veteran – 82 vjecari – bir i Dangellise Naimjane”
    Dhimiter M. Xhoga (Guri Naimit D. ne media)

Komentet janë mbyllur.