SALIU PO VJEN… POR SI PO VJEN?!

0
156
Sali Berisha - foltore
Arben Çokaj
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Përpjekja e Saliut për të marrë Partinë Demokratike, është një përpjekje për veten e tij, që të lajë veten ashtu siç din ai. Të vijë në pushtet dhe me ardhjen e republikanëve në pushtet në SHBA me 2024 – që shpresojnë – ai të paguajë miqtë e tij atje dhe ta heqë kufizimin, që administrata Biden i ka dhënë, duke e shpallur atë non-grata.

Saliu po del me dy shqiptaro-amerikane në fushatë, bjondia Mariela Shkurta, që e ndjek në secilën dalje, e cila duket se është spostuar këto ditë dhe po zëvendësohet nga Floriana Garo, dhe Evi Kokalari, që po bëhet pjesë e fushatës së tij herë pas here. Tani nga Basha iku edhe Floriana Garo, dhe iu bashkua Saliut, edhe pse vjehrra e saj doli kundër foltoreve të Saliut. Janë disa vajza që duan pushtet dhe po e shohin të ardhmen e PD-së me Saliun në krye, dhe nuk janë vetëm ato.

Në dekorin e Saliut po dalin pas shpinës së tij në secilin takim, vajza të reja e të bukura, që po i japin një iluzion bukurie kësaj fushate gjithnjë në rritje të Foltoreve të Saliut. Duket se Saliu do e marrë PD-në, por Lulzim Basha nuk po lëshon pe, ai nuk po bindet të tërhiqet dhe t’ia japë vulën atij. Duhet të shohim si po rrjedhin ngjarjet, pasi ka zëra, që thonë se edhe Luli është në lojë, dhe i ka kundërshtitë e tij vetëm sa për sy e faqe. Pasi kundër Saliut, ai e di, se nuk ia del dot!

Në politikë nuk është e lehtë të kuptohen konjukturat, aq më tepër për politikanët e sprovuar e me përvojë. Sali Berisha ka treguar se di të marrë pushtet, edhe kur ai nuk i ka numrat. Kjo i bën shumë demokratë e të tjerë, që të besojnë te ai. Shumë mbështetës të Saliut nuk i shohin krimet dhe arrogancën e autoritarizmin e tij, ata shohin karizmën: Saliu di të tërheqë masat dhe të marrë pushtet. Kjo u intereson atyre. Edhe unë besoj, se po nuk e ndalën, Saliu do e rrëzojë Bashën, pastaj edhe Ramën…

Protesta të fuqishme e të pandalshme mund të priten në pranverë, nëse Saliu e merr drejtimin e PD-së tani në dhjetor. Destruktiviteti është një nga elementët kryesorë, që Saliu di të përdorë me mjeshtëri, dhe në rrëmujën e vorbullën, që ai krijon, ai ka aftësinë të dalë në krye. Dikush mendon se Saliun do e ndalojë SPAK. Unë nuk e besoj këtë. Saliu është uragan, me mbështetjen e madhe publike që ka, ai nuk pyet për asgjë. Kur nuk mund ta ndalin hyrjen e tij në Kuvend me ligjin për dekriminalizimin, atëherë do e kenë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, që ta ndalin edhe në këtë përpjekje të tij, për të marrë PD-në dhe për të ardhur në pushtet, ndoshta edhe me zgjedhje të parakohëshme.

Saliu favorizohet shumë nga vendimi i Biden për t’ia lënë Afganistanin talebanëve. Me këtë ai kupton se duhet të tregohet i fortë, për ta konsideruar, pasi amerikanët njohin vetëm forcën. Dhe vendimin për shpalljen e tij non-grata, ai nuk e konsideron si vendim të SHBA-ve kundër tij, por si vendim të sekretarit Blinken, i nxitur nga qarqe të lidhura me Soros. Prandaj ai po bashkëpunon me njerëz të fushatës së Trump dhe po frymëzohet nga sjellja politike e presidentit Trump. Po mundohet të bëjë një lojë Trumpiste në Shqipëri, me shpresën që po erdhën republikanët në pushtet, ky të marrë mbështetjen e duhur prej tyre. Mundet të jetë një ëndërr në beze, por ky po shpreson ashtu. Të shohim si po i del.

Nëse Rama ka ndikuar me miqtë e tij amerikanë, George Soros etj. në vendimin për shpalljen e Saliut non-grata, ai ka nxitur një kancer, e ka aktivizuar Saliun, që të ngrihet e të luftojë për jetë a vdekje, për të pastruar fytyrën e tij. Dhe nëse Saliu ka sukses deri sa ta rrëzojë Ramën me shpurën e ministreve të tij nga pushteti – gjë që është e mundur, kjo do të tregojë se Rama nuk është treguar fort i zgjuar me këtë, që ka bërë.

Por nëse PD çahet dhe opozita dobësohet dhe e humbë fuqinë, duke humbur edhe zgjedhjet e 2025-s, atëherë Rama merr mandatin e 4-rt, dhe ky duket ka qenë edhe synimi i tij: Përçaj e sundo. Rama e ka treguar veten të zgjuar, përballë kundërshtarëve të tij politikë dhe ka marrë pushtet absolut në Shqipëri, e kjo i ka dhënë atij edhe një farë vetëkënaqësie të ligjshme. Por si i thonë shkodranët: “Të hyftë vetja në qejf!

Unë kam frikë te një bumerang. Nëse Saliu nuk ndalet, nëse nuk gjendet rruga për ta ndalë fuqinë e tij shkatërruese. A kemi ne si shtet fuqi për ta bërë këtë, për ta ndalë Saliun?!

Kjo mbetet për t’u parë në ditët dhe muajt në vijim!