Shënohet 18 vjetori i Betejës së Kaqanollit

0
1010

Nga Milazim Kadriu

Me një manifestim rasti më 15 shtator 2016 do të shënohet 18 vjetori i njërës ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së, jo vetëm në Llap por në tërë Kosovën, betejë kjo e njohur si “Beteja e Kaqnollit“, e cila ishte beteja e parë frontale në Llap, që e zhvilloi UÇK kundër forcave të okupatorit serb. Ishte kjo beteja e parë ku timat dhe trimëreshat e lirisë, të rreshtuar në radhët e UÇK-së në ZOLL u ndeshën me forcat barbare serbe dhe zhvilluan luftime për tri ditë me radhë, duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake.

Gjatë betejës më 15, 16 dhe 17 shtator 1998 ranë edhe shtatë dëshmorë : Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam dhe Selim Rekaliu, si dhe u plagosën disa luftëtarë tjerë.

Në shenjë përkujtimi për dëshmorët e rënë në këtë betejë dhe heroizmit të luftëtarëve të lirisë në vendin, ku u zhvillua beteja pranë lapidarit pritet të marrin pjesë familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar dhe qytetarë liridashës të kësaj ane, ku do të bëhen homazhe dhe do të vendosen kurora lulesh, si dhe do të evokohen kujtime për dëshmorët dhe betejën e lavdishme të UÇK-së.