SHEQET DIBRANI QENKËSH KATANDIS NË GJENDJE PËR KEQARDHJE [3]

0
575
Ibrahim Kelmendi

Ibrahim Kelmendi

Në vazhdimin e tretë me ngjan se është rëndi ta falënderoj Shefqet Dibranin për ca (dez)informime që i paskësh prezantuar, se si është bërë atëherë lufta speciale e shërbimeve jugo-sllave kundër emigracionit patriotik, çfarë shpifjesh e sloganesh janë sajuar. Fatkeqësisht ka hezituar t’i konkretizon emrat e pjesëtarëve të atyre shërbime, që i sajonin dhe i përhapnin në terren, që të ngjallnin huti dhe të nxisnin grindje dhe armiqësi. Ndërsa për t’i fsheh ata (me gjasë edhe veten e tij), drejton gabimisht gishtin ndaj meje. Unë këtu e tani po i konkretizojë ca prej tyre, që atëherë ishin bartësit më kryesorë të asaj lufte speciale, të nxitjes së grindjeve, në emigracion: Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Xhafer Shatri, Emin Fazlia, Xhafer Durmishi, Nuhi Sulejmani, Xhevat Ramabaja, Milaim Zeka dhe të tjerë të dorës së dytë. Kurse në SHBA ishin krerët e Legalitetit, Ballit, Lidhjes Kosovare, Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Broçkullat e radhës të Shefqetit: “qysh në atë kohë (dmth. në vitin 1984 – sqarim im) veprimtaria patriotike e shqiptarëve në mërgim është zhvilluar në kundërthënie të mëdha, në konflikte dhe veprime të shumta kriminale (…) Njëra palë luftonte për supremacinë ruse mbi Evropën Perëndimore, e tjetra për suprimacinë Jugosllave mbi Ballkan?!”

Fjalinë e fundit shkrimtaruci Shefqet e ka bërë të yndyrshme, me mendim se ka bërë vlerësim gjenial. Merre me mend, çfarë shpifje monstruoze ia pjellë truni! As nuk konkretizon kush ishin palët, as nuk ofron ndonjë citim, për të argumentuar se kush qenkësh angazhuar për supërmaci ruse në Europë e kush për supërmaci jugosllave në Ballkan. Duhet me pas tru me volum të trurit të peshkut, me mendua se aq pak veta po angazhoheshin për këto lloj dominimesh, kur të dy ata ZiK-ka (“organe”), fund e krye, nuk kishin asnjë shkrim pro jugosllav as pro rus. E kundërta ishte e vërejtët: kishin përmbajte ekstreme anti jugosllave dhe anti ruse.

Jam i sigurt që Shefqeti e di se ka shpif, por mendja e peshkut ia thotë, se ky lloj diskualifikimi është në modë dhe i krijon reputacion patriotik e demokratik!

Shpifja pasuese, e stilit tipik UDBesk: “Vetëm gjatë këtij viti (1984) Ibrahim Kelmendi, dhe suita e tij, akuzoheshin për përçarje, për burgosjen e Zijah Shemsiut, i cili pastaj vdiq nga torturat në Burgun Qendror (CZ), në Beograd, për konfliktin e armatosur në muajin tetor 1984, në St. Gallen dhe për konfliktin tjetër në qytetin Heerbrugg, më 09.11.1984, ku për pasojë mbet i vrarë i riu Qemal Kastrati.”

Përherë argatët e luftës speciale i plasonin dezinformatat e tyre me “akuzoheshin”, pa ofruar asnjëherë konkretizime, nga kush akuzoheshim. Ndërsa kurajë nuk posedonin e nuk posedojnë as tani, të akuzojnë vet, duke ofruar argumentime konkretizuese. Po sikur Sami Kurteshi, i burgosuri i atëhershëm, dhe bashkëveprimtarët e familjarët e të ndierit Qemal Kastrati t’i demantonin këto shpifje të Shefqetit, sigurisht, ky AUTOR “elastik” do mbrohet, se ka shkruar që “akuzoheshin”, por jo që ka akuzuar vet. Ky soj shpifësish nuk kanë fije karakteri fisnik, të paktën të shpifin me takt!

Diskualifikim tjetër, i këtij ustai për prodhim të mjegullnajës: “Janë këto arsye të forta pse kurrë në jetën time s’kam dëshiruar me u takuar me një njeri, akuzat kundër të cilit vetëm sa shtoheshin, ideologjia e tij bëhej agresive dhe lufta antiamerikane e padurueshme dhe qe besa edhe me pasoja.”

I pabesi Shefqet betohet: “qe besa”, sepse do t’i zënë vend shpifjet e tij. Ky mistrec nuk ka kapacitet të gjykon, se unë nuk kisha potencial të bëjë luftë antiamerikan, “qe besa edhe me pasoja”, edhe po të gjykoja se do të duhej të bëjë luftë antiamerikane. Ky farë paremiciumi do ta zmadhonte edhe kritikën time aktuale kundër sekretarit të shtetit Pompeu dhe këshilltarit të presidentit Trump, Bolton, këtyre serbofilëve pasionantë, si luftë antiamerikane, dhe jo si kritikë racionale! Ndërsa sa për takimin e tij më mua, ka qenë zgjedhje e tij të mos takohemi, por këto (pseudo)arsyetime që i ka ofruar, nuk janë të sinqerta. Arsyet e sinqerta i fsheh, për arsye që ai i di, por edhe që mund të aludohen, nëse analizohen shpifjet që e ka rreshtuar, si kjo e radhës: “është përfolur se ka dorë zinxhirore në vrasje të rënda të figurave publike e politike që nuk i përkisnin ideologjisë së tij neofashiste.”

Merre me mend, herë më akuzon për ideologji marksiste-leniniste, tani për ideologji neofashiste, duke ofruar provë konkrete, se nuk ka njohuri kujt i thuhet ideologji, dhe prandaj nuk di as të bëjë dallimin mes tyre. Vërtet i pa përgjegjshme, prandaj plason këso shpifjesh kaq monstruoze!

Krejt rastësisht, Shefqeti ofron motivin e tij subjektiv, përse po shpif: “Gjatë nuk iu kam besuar edhe aq këtyre akuzave, por ATENTATI publik i Ibrahim Kelmendit, kundër meje, për të më shkatërruar publikisht duke më fyer e shantazhuar vetëm disa ditë para se të mbahej promovimi i Trilogjisë në gjashtë vëllime me 2892 faqe, ku askund nuk përmendet emri i tij, është KRIM i llojit të vet, është ndërhyrje në jetën private të NJERIUT, POETIT e SHKRIMTARIT, të gjitha me shkronja të mëdha, është ATENTAT i llojit të vet.”

Këtij tashmë, me këtë mendësi kaq destruktive, edhe hija e tij i ngjan në lugat. Secili ka mundësi ta lexon reagimin tim ndaj recensionit të Xhemal Ahmetit. Nuk përmbajnë ATENTAT dhe as që kisha informim për promovim të “trilogjisë” se tij. Por, kot ky informimi im sqarues, meqë vërtet paska pësuar goditje traumatike për shkak të dështimeve karrieriste në LDK, dhe i duhem edhe unë si armik, meqë nuk i mjaftojnë gjithë ata që duhet t’i ketë “gozhduar” në “libra” me 2892 faqe!

Këtë pjesë të parë të fejtonit të tij, Shefqeti e përmbyll me diskualifikimin: “Jo krejt kot Ibrahim Kelmendi, akuzohet për veprime subversive, përçarëse, vrasëse që për pasoj ua ka nxirë jetën shumëkujt dhe gjithsekujt. Në rastin e Shefqet Dibranit, lirisht mund të themi se Ibrahim Kelmendi, nuk e ka pasur asnjë arsye për ta mbrojtur Isa Mustafën…”

Për keqardhje, se si m’u thye mua në dorë, ky farë Shefqeti, që qenkësh bërë për ta vajtuar Rahoveci!

Ndërsa redaktorin e tekstit, që e ka dekonspiruar veten e tij përmes fjalisë “Në rastin e Shefqet Dibranit, lirisht mund të themi se Ibrahim Kelmendi, nuk e ka pasur asnjë arsye për ta mbrojtur Isa Mustafën”, e lus, për hir të Shefqeti, të bëjë redaktim më racional.

***

Citimet i kam huazuar nga portali:
https://www.fjala.info/fejton-lufta-e-shenjte-ideologjike-e-ibrahim-kelmendit-1/