Shkodra, aty si sot, përpara se me ardhë qejtë…

0
713

GJERGJ JOZEF KOLA · 15 PRILL 2018

ESSE

Shkodra, aty si sot perpara se me ardhe qejte.
ose
Mbi qejte kafshues me kater dhe dy kambe.

Në qytetin e veriut, Taraboshi u thij sikur të ishte nji vullkan, që ka plasë në heshtje dhe ulërima e qenve të zgjidhun e shoqnoi me nji kakofoni shkretinet.
Sikur te mos mjaftonte kjo edhe tre lumejt përreth dolën përjashta dhe morën rrugët e shpijat përreth. Të keqen e madhe e plotësuen dy kamshat anonime, që hapen faqe virtuale dhe kafshonin njerzit nga tana anët.

Ndërsa epidemia në qytet u duk se po merrte përmasa biblike, ligjvënësit mbyllen sytë simbas parimit “nji qen që nuk me kafshon, nuk më prish punë”.

Viktima të panumerta mbushnin rrugët e qyteti, njerëz të pafajshëm, qytetarë me taban kafshoheshin nga qejtë realë me katër kambë dhe qejtë virtualë me dy kambë.

As drama e Stefan C. ‘Zjarrfiksat’ që u çfaq si premierë në teatrin e qytetit nuk arriti me e lokalizue apo kanalizue problemin e qejve 2 dhe 4 kambësh. Përpjekje të tjera si ato te Arben Ç te “Fjala e Lirë” me thirrjen e tij, që shqiptarët të braktisin vizitat në Vatikan dhe në Mekë, e t’i kthehen punës, nuk i dhanë zgjidhje problemit të qejve të zgjidhun të rrugëve të paligje. Miku jem i fëminisë Astrit Gj. i vetmi që në lagjen tonë e urrente futbollin, e sot asht ndoshta pikërisht për këtë menaxher i ekipit të Vllaznisë, shkoi dhe bleu nji sulmues në Afrikë, si me dashtë me ja vu qytetit në qafë, për “mos marrje msysh” porse edhe kjo nuk dha asnji rrezultat që pritej. Simfonia qe pregatite muzikanti Gjon SH. me i dhanë sadopak frymë qytetit, nuk u çfaq për mungesë fondesh. Piktori Alfred T falenderoi nga ana e tij Zotin publikisht, për vaksinimin se simbas tij, sikur të mos ishin të vaksinuem kishin lehë njerzit si deputetet. Peticioni publik mbipartiak i qytetares Alma K.P. u prit me entuziazem pozitiv dhe thirrje histerike negative.

Vetëm kur epidemia arriti pikën ma të naltë thuejse pandemike, atëherë njerëzit panë nji simbiozë të çuditshme në mes të dy dhe katër kambshave. Fytyrat e virtualeve anonime kishin nisë me marrë fytyrën e zgjatun të qenve të zgjidhun. Në çdo profil faqeje, ku deri dje kishte qenë nji gjymtyrë njerzore si identifikim, tash dukej nji turi i zgjatun qeni. Tek katërkambshat e rrugeve nisen të çfaqeshin tipare njerzore, në vend të lehjes u artikuluen fjalët e para, si pasthirrma. Kori i qenve me dy dhe katër kambë, nisi me dhanë koncerte në mes te qyteti dhe qytetarët e ndershëm e me kulturë u strukën shpijave me avulli të naltë. Nji rikthim i shpejtë tek “In das Land der Skipetaren” të Karl Mayt kishte mbushe rrugët e qytetit.

Shirokasit nisen nga ana tjetër e liqenit me thanë 9 javët e shën Rrokut si pshtimi i fundit ndaj lukunisë së qejve, por dhe kjo nuk dha rrezultatin që duhej megjithse Shiroka ishte ba lagje e qytetit.

Nisi kështu simbioza e qejve anonimë dhe njerëzve kafshues virtualë, e kur ajo çfaqi shenjat e para të përshtatjes, ra nji shi i pafund për nji natë të tanë dhe Taraboshi u pastrue nga hini, që e kishte mbulue si nji vullkan i shpërthyem në heshtje. Në mëngjez heret, makinat e ligjit dhe të pushtetit grumbulluen qejtë e zgjidhun dhe i futën në qejtore, njiherësh mblodhën shpi në shpi anonymet virtualë qenfolës dhe i mbydhën në çmendina…

U vërtetue ajo që njerzit kishin shekuj që thoshin: Ne na pshton vetem nji mrekulli.

Keshtu qyteti i veriut, mbas shumë kohësh mori frymë thellë dhe e pa të ardhmen në sy.