SHQIPTARËT DHE SENATORI BOB DOLL

0
118
Bob Dole

Xhelal Zejneli

Robert Joseph “Bob” Dole lindi më 22 korrik 1923 në Russell, Russell County, Kansas. Vdiq më 5 dhjetor 2021. Është politikan amerikan me ndikim. Plot 11 vjet i udhëhoqi republikanët në Senatin amerikan. Gjatë karrierës 36-vjeçare në Kapitol Hil (Kongresi i ShBA-së) u bë një prej ligjvënësve dhe liderëve partiakë më me ndikim në Senatin amerikan. Me  fjalë të tjera, 8 vjet ishte në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa 27 vjet ishte senator. Plot 79 vjet i shërbeu me besnikëri ShBA-së.

Bob Doll e mbrojti çështjen e Kosovës në nivelet më të larta të Amerikës. Kishte raporte miqësie me presidentin Ibrahim Rugova. Në vitin 1990 e vizitoi Kosovën. Gjatë kësaj vizite historike, ai u takua me liderët politikë si dhe me intelektualët shqiptarë.

Ishte ndër të parët dhe ndër zërat e rrallë që paralajmëroi se në Kosovë po afrohej lufta. Në vitin 1998, përsëri e vizitoi Kosovën. Me t’u kthyer në Uashington e alarmoi opinionin amerikan dhe nivelet politike më të larta të ShBA-së se Serbia është duke u përgatitur për të kryer masakra dhe gjenocid në Kosovë. I bëri thirrje administratës së Klintonit që kundër hienës Serbi të veprojë në mënyrë energjike.

Senatori Doll mbështeti luftën e myslimanëve (boshnjakëve) në Bosnjë dhe Hercegovinë. Mbështeti edhe luftën e kroatëve kundër agresionit serb. Ia doli ta bindte Senatin amerikan që ta mbështeste presidentin Bill Klinton (William Jefferson Clinton) për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë, përkatësisht kundër Serbisë. Ushtroi ndikim mbi presidentin Xhorxh Bush (George Walker Bush) për ta shpallur pavarësinë e Kosovës.

Në shenjë respekti të përjetshëm nga kombi shqiptar, në vitin 2020 iu ngrit në Prishtinë busti. Pas përmendoreve të presidentit Bill Klinton dhe të ish-sekretares së Shtetit Medlin Olbrajt (Madline Albright), kjo është përmendorja e tretë në Kosovë për miqtë e përjetshëm amerikanë.

*   *   *

Bob Doll mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore në radhët e ushtrisë amerikane, në Divizionin e 10-të Malor. Më 14 prill 1945, në luftimet në Castel d’Aiano në malet e Apenineve në jugperëndim të Bolonjës (Itali) u plagos rëndë nga ushtria gjermane. Humbi njërën veshkë, ndërsa krahu i djathtë iu paralizua përgjithmonë. Qëndroi 39 muaj në mjekim spitalor.

Pas kësaj ndoqi studimet e drejtësisë në Universitetin e Arizonës dhe në Universitetin e Kansasit. Në vitin 1948 u martua me Phyllis Holden. Nga kjo martesë lindi vajza Robin Dole. Më 1972 u ndanë. Në vitin 1975 u martua me senatoren amerikane Elizabeth Dole nga Karolina e Veriut.

Në vitet 1961-1969 përfaqësoi Kansasin në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Në vitet 1985-1987 dhe 1995-1996 ishte udhëheqës i shumicës në Senat.

Në vitin 1976,  ishte kandidat i republikanëve për nënpresident të ShBA-së, por humbi bashkë me kandidatin për president, republikanin Xherald Ford (Gerald Ford). Zgjedhjet i fitoi demokrati Xhimi Karter (Jimmy Carter) dhe nënpresidenti Uolltër Mondej (Walter Mondale).

Në vitin 1996, Bob Doll ishte kandidat i republikanëve për president të ShBA-së. Nuk arriti të fitojë. Fitues doli demokrati Bill Klinton.

*   *   *

Senatori Doll është një nga senatorët e parë amerikanë që i mori me seriozitet thirrjet e protestave të shqiptarëve në Kosovë të viteve 1980-1990 e më pas, të cilët sistematikisht  shtypeshin nga regjimi i Beogradit. Duke u njohur me situatën e rëndë në Kosovë, Doll u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim të Senatit për mbrojtjen e shqiptarëve. Me dhjetëra herë mori pjesë në demonstratat e shqiptarëve në Uashington dhe në Nju-Jork. Për luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, Dolli ka shkruar edhe në kujtimet e tij.

Senatori Doll luajti rol të jashtëzakonshëm për ta mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës. Ishte një ndër figurat më të rëndësishme të politikës amerikane që u vu në përkrahjen të çështjes së Kosovës. Ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai i sensibilizoi ligjvënësit e tjerë që të kërkojnë nga Senati dhe nga Kongresi amerikan që kasapit të Ballkanit – Sllobodan Millosheviqit t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnjën e Hercegovinën.

I dërguari i presidentit Klinton, Doll si dhe presidenti Rugova luajtën rol të rëndësishëm lidhur me bisedimet për “Planin e paqes” për Kosovën. Plani ishte  propozuar në mars të vitit 1999 nga pesë Fuqitë e Mëdha perëndimore dhe Rusia.

Më 5 mars 1999, 19 ditë para fillimit të sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, i ngarkuar si ndërmjetësues nga presidenti Klinton, Bob Doll u takua në Shkup me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës për të nënshkruar një marrëveshje paqeje për Kosovën.

Për raportet ndërmjet Dollit dhe shqiptarëve ka shkruar edhe shtypi amerikan. Sipas disa mediumeve amerikane, Doll ka qenë ithtar i shqiptarëve, të cilët ndërkaq kanë kontribuar në fushatat e tij.

Senatorin Doll e kanë quajtur hero të shqiptarëve dhe mik të përjetshëm të shqiptarëve. I afërt me të ka qenë biznesmeni dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, me prejardhje nga Presheva, Xhim Xhema, i nderuar me medaljen “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Xhema qysh para tridhjetë vjetëve ka qenë i lidhur ngushtë edhe me ish-kongresistin republikan të Nju-Jorkut, kryetar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane – Xhozef Diogardin (Joe DioGuardi). Me Dollin ka bashkëpunuar edhe veprimtari shqiptaro-amerikan Elmi Berisha, si përfaqësues i posaçëm i presidentit Rugova në ShBA.

*   *   *

Senatori Doll i shërbeu kombit amerikan si ushtar, si luftëtar, si ligjvënës dhe si burrë shteti. Për këtë arsye është nderuar me medalje dhe me dekorata të shumta. Është veteran i dekoruar i Luftës së Dytë Botërore.

Më 17 janar 1997, presidenti Klinton paraqiti “Medaljen e Lirisë Dole” (Medalja Presidenciale e Lirisë), nderi më i lartë civil në ShBA;

Nga presidentë të ShBA-së i janë dhënë medaljet ”Zemra Purple” dhe “Ylli i Bronzit”;

Kah fundi i vitit 2002 Rugova e emëroi senatorin Doll përfaqësues të lartë të Kosovës në ShBA, me titullin “Ambasador Nderi i Kosovës në Uashington”. (Takimi i fundit i Rugovës me Dollin ka ndodhur në Uashington më 4 shkurt 2003);

Në shtator 2005, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e nderoi me çmimin “Duart e Shpresës”;

Në vitin 2008, senatori Doll mori një çmim prestigjioz bashku me senatorin demokrat, kundërkandidat i republikanit Riçard Nikson (Richard Nixon) në zgjedhjet presidenciale të vitit 1972, Xhorxh Mekgavern (George McGovern, 1922-2012);

Në maj 2017 presidenti Bujar Nishani e dekoroi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “…ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri…”;

Në janar 2018 iu dha “Medalja e Artë e Kongresit” (Congressional Gold Medal), në Capitol Hill, Kongresi i ShBA-së;

Në mars 2019 – “Medalja e Artë e Kongresit – Kolonel Nderi i Ushtrisë Amerikane”. Në ceremoninë e ndarjes së medaljes kanë qenë të pranishëm gruaja e Dollit, Elizabet Doll (Elizabeth Doll), sekretari i Shtetit Majk Pompeo (Mike Pompeo ), përfaqësuesi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Joseph Dunford, kongresistja Debbie Dingell, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku etj.

Është amerikani i tretë të cilit i ndahet kjo dekoratë nderi. Para tij, dekoratë nderi nga Ushtria Amerikane i ishte dhënë presidentit të parë të Amerikës Xhorxh Uashingtonit (George Washington) si dhe eksploruesit të famshëm amerikan Uilliam Klark (William Clark).