SINDROMË STOCKHOLMI “MODEL SHQIPTAR”!

0
1507
Demarkacioni Kosovë - Mal i Zi

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në një status në FB, Zoti Ramush Haradinaj shkruante dje si vijon.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.
Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja per ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.

Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë.
Urime Kosovë!

Pasi lexova këtë status, shkrova një koment modest.

Zoti Haradinaj.
Lexova statusin Tuaj shumë evaziv.
Çfarë do thotë sipas Jush më konkretisht “Aneks-marrëveshje për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi”?
Që t’i jepen Malit të Zi 8890 hektarë tokë nga Kosova?
Mos vallë “Vulosja e rishikimit të Çakorrit dhe Zhlepit”, do thotë që të cungohet akoma më shumë Kosova. Nuk imagjinoj se si do kishin reaguar malazezët nëse demarkacioni do ju kishte hequr atyre 8890 hektare tokë për t’ja dhënë Kosovës. Që në fakt, do ishte kthim i territoreve të grabitura para një shekulli (…)!

Sidoqoftë, populli malazez do vërshonte nëpër sheshe për të protestuar në këtë rast.
Kurse populli kosovar, rrin urtë dhe nuk bën zë. Ndryshe, nuk ka heqje vizash për të lëvizur lirisht nëpër Europë. Dhe heqja e vizave, duhet të shoqërohet më parë me heqje territoresh për t’ja dhënë Malit të Zi. Më jep, që të japin!
Pastaj, diçka i duhet dhënë edhe Serbisë. Pse jo më vonë edhe Maqedonisë!
Kurse për Shqiperinë nuk ka probleme demarkacioni falë All’ahut.
Ndërsa për t’i falur pak DET Greqisë, mendon Rama!
Komplimenti Kosovë.

SQARIM.
Kjo marrëveshje, nuk do ketë KONFIRMIM kufijsh, por do ketë RISHIKIM dhe KORREKTIM të këtyre kufijve. Kanë ndryshim thelbësor të madh këto terma. Nuk besoj se ky rishikim apo korrektim, do bëhet në favorin e Kosovës. Pasi kështu Mali i Zi nuk do merrte mundimin fare të bënte këtë marrëveshje, duke qenë se nuk ka në mend të lëshojë as edhe 1 cm territor të tij (…).

Vura re se shumë komentues në këtë status, e vlerësonin këtë marrëveshje si HISTORIKE, duke u nisur nga përfitimi i momentit që ata do kishin, i cili është liberalizimi i vizave. Por, pak ndokush shprehte dëshirën e zjarrtë se më i preferueshëm do ishte pushtimi
turk se sa ai serb! Edhe pse duke i falur toka Malit të Zi nga ana tjetër! Duke harruar ata se pushtuesit janë të gjithë njëlloj.

Dikush më pas, hodhi një video ku me pak fjalë vërtetohej “shkencërisht” se Shteti shqiptar nuk ka ekzistuar kurrë dhe se këtë shtet e krijoi Turqia në vitin 1912. Dhe në fund, shprehej dëshira e zjarrtë e bashkimit sa më parë me Turqinë. Por, duke qenë se nuk e kemi Turqinë në kufi, kjo dëshirë përkthehet në pushtimin “paqësor” të Kosovës nga Turqia!

Por, harrohet një fakt. Shtetet e sotme, shumica janë krijuar në shekullin e 19-të. Nëse Shqipëria nuk ka pasur një shtet të mirëfilltë, ky fakt nuk do të thotë se nuk ka pasur një popull dhe KOMB shqiptar autokton, i cili ka jetuar në një territor të caktuar. Dhe ky territor nuk është vetëm ai i Shqipërisë së sotme (bashkë me Kosovën), por edhe ai i Shqipërisë ETNIKE, që do thotë i asaj Shqipërie, ku para lindjes së Krishtit kanë lindur dhe kanë jetuar paraardhësit tanë iliro-pellazgë. Pra, nuk jemi ardhacakë në tokat tona.

Të thuash se turqit kanë sunduar me PAQE për 500 vite dhe se ata kanë krijuar shtetin shqiptar, është një idiotësi dhe keqdashje e pa kufi.
Ashtu siç është edhe një akt papërgjegjshmërie të shprehësh dëshirë kaq të zjarrtë për t’u bashkuar me Turqinë. Më saktë, të pranosh si pushtues Turqinë në vend të Serbisë!

Por, nëse kjo dëshire kaq e zjarrtë ekziston me të vërtetë tek ndokush, atëherë askush nuk ja ndalon atyre këtë dëshirë bashkimi. Lë të shkojnë e të bashkohen me Turqinë në Turqi. Askush nuk jua ndalon. Ky bashkim, bëhet akoma më i lehtë, pasi Turqia nuk ka sistem vizash me Kosovën. Ashtu si edhe me Shqipërinë.

Nuk kuptoj me të vërtetë këtë dashuri kaq të madhe për të pasur Turqinë brenda në Kosovë dhe nga ana tjetër të ketë një dëshirë kaq të madhe po ashtu për të shëtitur perëndimin PA viza. Pse jo, edhe për të jetuar në perëndim! Por, gjithmonë me Turqinë në zemër dhe në Kosovë!

Kësaj i thojnë të HASH bukën e kaurrit dhe të bësh DUANË e turkut. Është shumë i theksuar SINDROMI i STOCKHOMIT tek populli shqiptar.
Jo vetëm ndaj pushtuesve të huaj, por edhe ndaj pushtuesve vendas në të dyja anët e kufirit shqiptar.

Rasti i dytë, më duket shumë problematik për shumë arsye dhe ja vlen të studjohet në veçanti (…).
Mistere shqiptare.