SINTAKSA E TË SHKRUARIT

0
1249
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Në ligjërimin e përditshëm me gojë ose me shkrim, rrallë komunikojmë me fjali të veçuara. Zakonisht, mesazhet tona përmbajnë një varg fjalish ose periudha të strukturuara sipas rregullash të caktuara gjuhësore dhe logjike. Për këtë në gjuhësinë e sotme flitet edhe për një njësi gjuhësore që qëndron mbi fjalinë. Kjo njësi është teksti, që nga madhësia mund të jetë një paragraf ose edhe në vepër e tërë. Studimi i lidhjeve sintaksore dhe kuptimore midis fjalive dhe periudhave të një teksti ka çuar në lindjen e nje disiplinë të re, që quhet gjuhësi e tekstit. “Gjuhësia e tekstit hulumton ndërtimin e tekstit si rezultat i parimeve semantike, stilistike dhe pragmatike.”

Lindja dhe zhvillimi i gjuhësisë së tekstit Gjuhësia e tekstit është një disiplinë relativisht e re e gjuhësisë. Ndonëse elemente të gjuhësisë së tekstit shkojnë deri në retorikën antike, që nga Greqia dhe Roma e Lashtë, në Mesjetë e deri më sot, diskutimi modern për këtë disiplinë i përket shekullit XX. Gjuhësia e tekstit ka një histori të shkurtër, për sa u përket modeleve gjuhësore.

Ashtu siç shprehen në vitin 1997, Antos/Tietz që prej 25 vjetësh, gjuhësia e tekstit u përket nëndisiplinave gjuhësore. Gjatë kësaj kohe, ajo ka marrë në një formë të re tradita të vjetra dhe i ka çuar më tej (p.sh. teoria e gjinisë, retorika, stilistika, argumentimi dhe narracioni). Dhe Teun van Dijk-u thekson se gjuhësia e tekstit është zhvilluar si një disiplinë ndërdisiplinore e shkencave të veçanta si poetika, retorika, psikologjia, pedagogjia, teologjia, historia dhe jurisprudenca.

Në të gjitha këto fusha, studiohen tekstet nga këndvështrime të ndryshme dhe me qëllime të ndryshme. Në teologji studiohen tekstet fetare, në jurisprudencë studiohen kuptimet e teksteve ligjore dhe përdorimi i tyre, në histori bëhen përpjekje për ndërtimin e teksteve konstante historike dhe variacioneve të llojeve të tekstit. Ndërsa psikologjia kognitive studion aftësinë mendore të njerëzve, nga ana teorike dhe empirike-eksperimentale, shkenca e letërsisë merret vetëm me analizën e teksteve dhe gjuhësia me analizën e teksteve dhe sistemeve të gjuhës.

Përpjekje për karakterizimin e dukurive të tekstit ka pasur shumë kohë para lindjes së një shkence për tekstin. Një linjë e rëndësishme e traditës së gjuhësisë së tekstit shkon deri në retorikën e antikitetit grek. Sipas Kirsten Adamzik-ut, retorika ka një lidhje të ngushtë veçanërisht me qasjen komunikative-pragmatike të gjuhësisë së tekstit, pasi interesimi për të folurit është një rizbulim i qasjeve të retorikës, e cila shihej si një ars bene dicendi, pra si një teori dhe praktikë e të mësuarit të komunikimit të efektshëm.

“Me interes të veçantë për gjuhësinë e tekstit janë pesë fazat e përpunimit të materialit / të temave, të cilave iu referohen në trajtimet e reja për tekstin. Fazat e përpunimit të temave janë:
1. Inventio – gjetja e mendimeve të përshtatshme për temën;
2. Dispositio – renditja e ideve dhe ndarja logjike e fjalës në paragrafë, ku duhet të përdoren mjete të ndryshme;
3. Elocutio-shprehja gjuhësore që iu përputhet mendimeve të gjetura në inventio;
4. Memoriatio – të mësuarit përmendsh të fjalimit;
5. Actio et pronuntiatio-deklamimi i fjalimit me gjeste shoqëruese dhe normat përkatëse.”