SKANDALOZE: LDK-PDK BLLOKOJNË LIGJIN E VOTIMIT NË MËRGATË

0
431
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

IDRIZ ZEQIRAJ

Emigrimi politik i shqiptarëve ka filluar në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe ka vazhduar me emigrimin ekonomik në vitet `60-a e këtej. Masivizimi i ikanakëve shqiptarë nga Kosova, në drejtim të botës së zhvilluar ka ndodhë në vitet `90-a, nga presioni serbo-sllavë dhe varfëria.

Përllogaritja, qoftë edhe e thjeshtë, rezulton se, të paktën, gjysma e shqiptarëve ballkanas, përfshi edhe Kosovën, punojnë e jetojnë, që nga Perëndimi evropian e deri në Kanada, Amerikë dhe Australinë e largët. Edhe pse larg vatrave lindake, me mendje e zemër; janë pjesë e Atdheut, të ndarë në 6 (gjashtë) shtetet ballkanike.

Përtej gjysmë-shekulli emigracionit shqiptar vazhdon t`i mohohet e drejta e ligjshme dhe elementare e votës. Ndërkohë që ekzistojnë të gjitha mundësitë e organzimit të zgjedhjeve, qoftë lokale apo qendrore.

Mënyra e organizimit të zgjedhjeve në Mërgatë, është e thjeshtë dhe pa komplikime të natyrës teknike apo politike. Në shtetet ku janë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Kosovës apo të Shqipërisë, mund të monitorohen pa problem. Madje, edhe atje ku mungojnë rezidencat diplomatike, organizimi i zgjedhjeve mund të realizohet nga mërgimtarët, përmes organizimeve të tyre jashtë-partiake, siç janë klubet, shoqatat e deri ke subjektet politike.

Tashmë, në të gjitha qendrat e mëdha dhe të mesme, pra, qytete, ka kuadro shqiptarë të angazhuar në komuna, qoftë si deputetë, këshilltarë komunalë vendor apo për të huaj. Ata janë profesionalë në organzimin e zgjedhjeve, fort të përkushtuar për ligjin zgjedhor, drejtësinë dhe ndërshmërinë zgjedhore. Përndryshe, çdo anim partiak, do ta shuanin karrierën e tyre politike, në shtetin ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Numërimi i votave, në prani të anëtarëve të komisionit dhe të monitoruesëve, me shoqërim të Procesvebalit përkatës, do të shërbente si bazë e rregullësisë zgjedhore dhe e vërtetësisë së votimit të pa hile. Tek mërgimtarët, në përgjithësi, dominon ndjenja e së drejtës. Jeta në shtetet me demokraci të zhvilluar dhe emancipim shoqëror të avancuar, ka ndikuar në arsyetimin e shëndetshëm, të logjikshëm të tyre. Dhe, ky ndryshim është përmbajtësor, në raport me shqiptarët residentë në Kosovë.

LDK-PDK maltreton dhe provokon Mërgatën,
me bllokimin e ligjit për votim lehtësues

Komisioni për Legjislacion, Mandate dhe Komunitete, në mbledhjen e fundit, më 3 nëntor 2020, ka diskutuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, për plotësimin e ndryshmit të Ligjit për zgjedhjet. Sepse Projekt Ligji aktual për Diasporën, përkatësisht, Mërgatën, e vështirëson, më saktë, e pamundëson votimin e bashkatdhetarëve. Ndërsa ligji i propozuar Komisionit në fjalë, nga Lëvizja Vetëvendosje, e lehtëson votimin e Mërgatës.

Ligji ekzistues është idiotesk, i cili, qëllimshëm, e parathotë dështimin, mohimin e votimit të Mërgatës. Ligji është shumë i komplikuar, skajshëm maltretues për mërgimtarët dhe tejet i kushtueshëm. Të dy rrugët, mënyrat e votimit, janë stërmunduese:

1) Votimi me postë, paraprakisht, përcjellja e aplikacionit për regjistrim në Kosovë. Pastaj, plotësimi i formularit votues dhe dërgimi postar, veç e veç, për çdo anëtar të familjes! E gjithë kjo është shumë e kushtueshme dhe, sipas një përllogaritje, rezulton se dërgimi i 15 mijë formularëve, u kanë kushtuar bashkatdhetarëve tanë fisnikë 450 mijë euro! Votimi me postë nuk garanton as siguri dhe as fshehtësi të votës. Është, thjeshtë, votim manipulativ dhe krejt formal, për mënyrën e menaxhimit. Kujtoni adresimin në ambasadën e Vjenës, me stafin etnikisht të pastër – made in – “PDK”!

2) Udhëtimi për Kosovë, enkas, për të votuar, kulmon me kushtueshmëri të lartë. Është llogaritur se për 10 mijë votues, të ardhur nga Mërgata, të jenë shpenzuar, të paktën, 5 (pesë) milion euro. Dhe, ky është një krim ekonomik, të cilin mund ta bëjnë vetëm kriminelët në pushtet, saktësisht, ata të ngulmojnë të mos e aprovojnë ligjin lehtësues të votimit në Mërgatë.

Çuditërisht, ligji në fjalë, edhe pse fort i argumentuar nga Lëvizja Vetëvendosje, dy partitë “lidere”, në këtë rast, PDK dhe LDK, më sakt, klani Mustafa, në konspiracion të pistë mes tyre, bllokojnë ligjin, që lehtëson votimin e Mërgatës. Ky veprim kriminal e rrugaçëror, shkelë të drejtën legjitime, për votim të gjysmës të popullësisë të Kosovës. Dhe, sa herë janë koordinuar këto dy parti, i kanë sjellur vetëm të këqija Republikës të Kosovës, si: Asociacionin, alias, “Zajednicën”; Hashimin – president; Demarkacionin, me humbjen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës dhe pisllëqe tjera, duke konsumuar nene penalizuese, deri në tradhti kombëtare.

Përsa i përket bllokimit që PDK i bënë ligjit që lehtëson votimin për Mërgatën, e kuptojmë, sepse është zhytur në krime dhe hajni zyrtare, për dy dekada radhazi. Prandaj, mërgimtarët e refuzojnë qeverisjen e saj.

Por, habitë fakti pse LDK, përkatësisht, klani Mustafa, bllokon ligjin për lehtësimin e votimit të bashkatdhetarëve në Mërgatë, duke lënduar elektoratin, besnikë dhe fisnikë, të LDK-së të Presidentit Rugova?!

Pse LDK-PDK bllokon ligjin që lehtëson votimin e Mërgatës?

Ka disa arsye të veçanta, por, të parën e kanë të përbashkët PDK dhe LDK:

1) Frika e epërsisë faktike elektorale nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka tërhequr vëmendjen dhe simpatinë e mërgimtarëve. Kjo simpati rrjedhë nga premtimi i VV-së, për ta luftuar korrupsionin, hajninë zyrtare dhe ndëshkimin e zyrtarëve, abuzues të pushtetit, me qëllim të çkapjes të shtetit të brishtë, tashmë, edhe të prishtë të Kosovës.

Prova e parë e VV ishte krijimi i Komisionit, me juristë të pavarur dhe me integritet, për – Vettingun në Drejtësi -. Por, qeveria pasuese, Hoti, me ministër të Drejtësisë Selim Selimin të AAK-së, e zhbëri Komisionin në fjalë, duke e zëvendësuar me juristë militantë e dilitantë partiakë, të cilët janë vetë në listën hetuese të krimit korruptiv!!

2) Klani brenda Kryesisë të LDK-së është i shantazhuar nga PDK-ja, përkatësisht SHIK-u i saj. Andaj votimi kundër ligjit të lartcekur, dirigjohet nga PDK-ja.

3) Klani Mustafa u organizua, skajshëm, për rrënimin e dy Degëve kryesore të LDK-së në Mërgatë, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër. Në Zvicër ia arriti ta përçajë e ndajë Degën e atjeshme. Ndërsa në Gjermani klanorët e Mustafës dështuan, sepse veprimtarja numër një të Mërgatës, Donikë Gërvalla, me kryesinë e saj simpatike, rezistoi, duke denoncuar batakçillëqet e klanorëve uzurpatorë të LDK-së, të katapultuar në krye të partisë, pa u provuar fare me votën e fshehtë demokratike.

Hakmarrja e klanit ndaj Degës së LDK-së në Gjermani, tashmë, është e njohur për opinionin, si tërheqja zvarrë e kryetarës Donikë Gërvalla, në hollin e sallës ku mbahej “Konventa” e partisë dhe mbyllja e derës për 9 (nëntë) delegatët e ligjshëm, në Kuvendin maskaradë “Zgjedhor” të 8-të të LDK-së!

4) Votimi i bashkatdhetarëve në Mërgatë, sjell obligimin e përfaqësimit në strukturat e LDK-së në Kosovë. Dhe, veprimtarët e Mërgatës duan ligjësimin e udhëheqjes, tashmë, të kërkuar nga liderja shpirtërore e LDK-së, Vjosë Osmani, duke u përballur me konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik. Shumica nga klanorët, nuk do t`i mbijetonin votimit normativ rugovian. Një e vërtetë e pademantueshme.

LDK-PDK mosmirënjohëse, ndëshkuese,
injoruese dhe refuzuese e Mërgatës

Me bllokimin e ligjit, i cili lehtëson votimin e bashkatdhetarëve në Mërgatë, të propozuar nga Levizja Vetëvendosje, PDK-LDK, (klani Mustafa), dëshmohen si bukëshkalë e mosmirënjohës ndaj mërgimtarëve tanë, për kontributin unik të tyre, të dhënë për Republikën e Kosovës. Frikë nga demokracia, drejtësia dhe etja e shfrenuar për pushtet të pakufizuar – ky është emëruesi i përbashkët i PDK-LDK, në aleancën e tyre të pistë konspirative.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, në bashkëpunim më LDK-në rugoviste dhe spektrin tjetër politik të Kosovës, duhet të ngulmojë ta çajë bllokadën paradoksale e neveritëse, të forcave errëtake, të cilat provokojnë shqiptarët e kudondodhur, me urrejtjen primitive për bashkatdhetarët e Mërgatës tonë.

Ligji që lehtëson dhe mundëson votimin e mirëfilltë në Mërgatë, duhet të kalojë, gjithësesi, në Parlamentin e Republikës të Kosovës, duke i dhënë fund një padrejtësie dhe anomalie idioteske e kriminale, ndaj mërgimtarëve të lënduar, aq pamëshirshëm, nga bijtë bastardë, pushtetarë të dhunshëm.