SOLIDARITET PËRBALLË KËSAJ FATKEQËSIE NATYRORE

0
693
Tërmeti Durrës

Foto: Gazeta Telegraf

Frank ShkreliNga Frank Shkreli

Tërmeti që goditi rëndë Shqipërinë, me pasoja viktimash dhe dëme të mëdha materiale, është pa dyshim, një fatkeqësi natyrore ekstreme. Fatkeqësi të tilla shkaktojnë, në minimum, ndërprerje të jetës normale, e në ekstremitet humbje jete, tronditje fizike dhe shpirtërore, për të mos thenë edhe tmer në radhët e njerëzve të prekur nga tragjedi si tërmeti që goditi Shqipërinë dje në mengjes heret.

Por, raste siç është tërmeti që goditi kryesisht Durrësin dhe Tiranën, por edhe zona të tjera në Ballkan në një nivel më të ultë, janë momente kur njerëzit e prekur nga tërmeti e sidomos ata që, fatbardhësisht, mund ti kenë shpëtuar rreziqet prej tij – duhet, që para të gjithëve, të bashkohen në solidaritet për të ndihmuar njëri tjetrin.

Sipas ekspertëve, nuk dihen dhe është vështirë të shpjegohen emocionet që njerzit mund të ndjejnë pas një fatkeqësie siç është tërmeti i fundit në Shqipëri. Por emocione të tilla, që sipas tyre, i bëjnë njerëzit ta ndjejnë veten pjesëtarë më të ngushtë dhe me lidhje më të forta me njëri tjetrin dhe me komunitetin në të cilin jetojnë, përball një fatkeqësie të tillë natyrore, duke i bërë më solidarë dhe më të gatëshëm që të ndihmojnë të afërmit e tyre.

Pikërisht si në këtë foto botuar të martën në portalin e gazetës Telegraf të Tiranës, ku, sipas gazetës, aktivistë dhe vullnetarë janë mbledhur në ambjentet e Teatrit Kombëtar për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshëmbathje për familjet e prekura nga tërmeti. Simboli i rezistencës tashmë është kthyer në një simbol solidariteti për të gjithë të prekurit, raporton Telegraf. Ata i ftojnë të gjithë qytetarët të cilët kanë mundësi të vijnë vullnetarisht dhe të ofrojnë ndihma në mënyra të ndryshme, shkruan gazeta në faqen e saj të internetit. Kjo është fryma e vërtetë e solidaritetit, ndjenja se së bashku do e tejkalojmë edhe këtë sfidë, se së bashku do të ja arrijmë!

Akte të tilla si kjo para Teatrit Kombëtar në Tiranë, në përgjigje të një fatkeqësie natyrore siç është tërmeti — tregon, në të vërtetë, një vizion tjetër të organizimit shoqëror, se si duhet organizuar dhe si duhet të veprojë shoqëria në rrethana të tilla, për t’i shkuar në ndihmë atyre në nevojë, e të prekur nga tërmeti. Kur njerëz të thjeshtë, pra, bëhen bashkë për të ndihmuar dhe shpëtuar njëri tjetrin dhe për të rindërtuar komunitetet dhe shtëpitë e tyre, me ose pa ndihmën e strukturave shtetërore. Është një ndjenjë sa njerëzore aq edhe e thjesht se fatin e kemi të përbashkët, se jemi përgjegjës për mirëqenjen e njëri tjetrit, sidomos në përballimin e tragjedive natyrore si kjo e pasojave të tërmetit të rëndë që goditi Tiranën dhe në Durrësin.

Në të vërtetë, fatkeqësi të tilla natyrore shpesh na ofrojnë mundësinë të “çlirohemi” nga “fatkeqësitë” e përditshme, por ndoshta më pak të dukshme të jetës moderne: siç janë zhvillimet politike grindavece që mbizotërojnë jetën e njerëzve dhe pasojat e tyre shpesh shkatërruese për shoqërinë, individualizmi i tepëruar, banalitete të llojlojshme që kanë prekur negativisht shoqërinë në përgjithësi, si dhe mungesa që të ndihemi pjesë e përbashkët e një shoqërie, komuniteti ose madje edhe shteti.

Mjafton të shikosh pamjet pas tërmetit si kjo më lartë për të realizuar efektet e tmershme që ka lenë pas tërmeti prej 6,3 ballësh në shkallën Richter, për tu bindur se çfarë pasojash shkatërrimtare ka pasurlënë pas ky tërmet në jetën e njerëzve dhe dhimbjet që ndjejnë familjet e viktimave të këtij tërmeti.

Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara po i ndjekim pasojat e tërmetit me dhimbje të thellë dhe me lutje për një rimkëmbje sa më të shpejt të plagosurve rëndë nga tërmeti, me ngushëllime të thella për familjet e viktimave të kësaj fatkeqësie natyrore. Individë dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan si Federata Pan-Shqiptare Vatra, politikani shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj dhe të tjerë, kanë njoftuar tanimë solidaritetin e tyre me viktimat e tërmetit në Shqipëri, duke shpallur përpjekjet e tyre, në ditët e ardhëme, për mbledhje fondesh, për të ndihmuar sado pak të prekurit nga kjo tragjedi. Anëtari i Këshillit të Bashkisë së Nju Jorkut Mark Gjonaj, bëri një deklaratë për Zërin e Amerikës, ku shprehu dhimbjen për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Zoti Gjonaj i bëri thirrje komunitit shqiptaro-amerikan që të ndihmojnë banorët e zonave të Shqipërisë që u goditën nga tërmeti. Ndërsa VATRA fton Komunitetin që me 30 Nëntor, Ditën e Shtunë, në Orën 12.00, të mblidhemi në Vatër për çeljen e Fushatës.

Në shumë raste nepër botë kur ndodhin fatkeqësi natyrore si kjo, ndërhyrjet më të para vijnë nga individë dhe grupe njerëzish — banorë vendas, për të ndihmuar njëri tjetrin, persona si këta që kanë mbledhur ndihmat më të nevojshme tani për tani, para Teatrit Kombëtar në Tiranë. Bashkpunimi dhe solidariteti, jashtë përkatësive politike, në këtë nivel, në raste të tilla, është tepër i nevojshëm për tu përballur me sfidat e para dhe të menjëhershme të pasojave të tërmetit, qofshin ato materiale ose shpirtërore, dhe për zgjidhjen kolektive të problemeve të përbashkëta, si rrejdhim i fatkeqësisë.

Uroj që bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, të prekur rëndë nga ky tërmet shkatërrimtar, të mos u mungojnë solidariteti dhe mbështetja urgjente, së pari nga individët më të afërm, nga shteti që ka përgjegjësi morale dhe politike për mbrojtjen dhe mirëqenjen e tyre, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar, nga i cili shumë vende, fatbardhësisht, duket se kanë ofruar tanimë ndihmesën e tyre për zhdukjen sa më të shpejt të pasojave të rënda të tërmetit në Shqipëri.