Sot është ditëlindja e kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu

0
418
Gjergj Kastrioti - shtatore

Gjergj Kastrioti – SKËNDERBEU

Për këtë burrë mund të thuhet:

Ai ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.

Ludwig (Levetid) Holberg, Adskillige store Heltes og berømmelige Maendssear Orientalske og Indianske. Tomus I. Kiøbenhavn, 1739.

Përshtati dhe përktheu shqip nga një danishtja e vjetër gotike, Arben Çokaj.


Blerim Latifi në Facebook:

“Ai u lind me 6 Maj, në Ditën e Shën Gjergjit, prandaj i dhanë emrin Gjergj. Ishte aq i pathyeshëm në beteja dhe për këtë e krahasuan me Aleksandrin e Madh. 25 vite ishte tmerri i osmanëve, të cilët, pas vdekjes, ia morën eshtrat për t’i mbajtur si hajmali të fatit ; ata luteshin para eshtrave të tij. Ai i bëri shqiptarët popull historik, duke u lënë trashëgimi besimin se e vetmja rrugë e tyre është ajo e civilizimit perëndimor. Sot historianët ndërkombëtarë e rendisin në mesin e 100 gjeneralëve më të mëdhenj të historisë botërore.”


Col Mehmeti në Facebook:

Mirë që ka nji mbamendje aktive për Skënderbeun, mirë që historia e tij e ruen statusin e saj si fanar identitar edhe sot e kësaj dite. Edhe «ditëlindja» që i festohet në rrjetet sociale le të shihet buzagaz si diçka e tillë. Por e vërteta duhet thanë ashtu siç âsht:
Nuk ka ditëlindje Skënderbeu e përpjekja me e fiksue 6 majin âsht – e thanun ma së buti – nji dëshirë fantazistësh.

Si për dhjetra monarkë, despotë, duka e kryezota të mesjetës, edhe Skënderbeu nuk ban përjashtim në kuptimin që nuk dihet ditëlindja e tij.
Njisoj si krejt historia e hershme obskure e derës bujare të Kastriotëve, edhe ajo me Gjon Kastriotin, të atin e Skënderbeut, âsht e tillë.
Dihet veç që ai dhe e shoqja e tij nga Pollogu, Vojsava, lindën nji karvan me kalamaj: 4 djem (Stanishi, Reposhi, Konstandini e Gjergji) dhe 5 goca (Mara, Jella, Angjelina, Vllajka dhe Mamica).

Për gjatë kohë ka qenë teper e zorshme me e përcaktue edhe përafërsisht vitin e lindjes së Skënderbeut. Në vitet ’20, Noli e fiksonte 1412-ën; në punimin e tij doktoral në Boston ai e revidoi vitin e masipërm dhe kambënguli për 1403-ën. Në vitet ’60, Noli kishte bindjen që Skënderbeu ka lind edhe para 1400-ës.

Për fat të mirë, dy hagiografët kryesorë të kapedanit shqiptar – Frangu e Barleti – thonë se Skënderbeu ka vdekë në moshën 63-vjeçare. Se kjo ka qenë diçka e vetëkuptueshme për kohën e tregon edhe Kronika e Gjon Muzakës. Pa i shfrytëzue librat e Frangut dhe Barletit, fisniku shqiptar që jetonte në Itali thotë që Skënderbeu jetoi 63 vjet (“si chè visse circa anni sissante tre“).

Tash kemi nji burim relativisht të sigurt se kur ka ndërrue jetë kryekapedani shqiptar. Historiani bizantin, Giorgios Sfrantzes viziton Shën Maurën me 1468. Kur e evokon këtë vizitë, ai shkruen «…në muajin janar të po të njëjtit vit vdiq prej vdekjes natyrale sundimtari i Shqipërisë i quajturi Skënderbe» («καἰ τῶ ‘Ιανουαρίω μηνἰ τοῦ αὐτοῦ ἔτους καἰ ὁ τῆς ‘Αλβανιτίας αὐθέντις ὀνόματι Σκαντάρης τέθνικε φυσικῶ θανάτο…»),
Pra, me nji probabilitet bukur të naltë u përcaktue ma në fund edhe viti i lindjes së heroit shqiptar në mesjetë, pra 1405-a!

Kryezoti shqiptar nga dera e Kastrotëve nuk ka lind me 6 maj. Asht veç nji projeksion qesharak, që gjakon me e lidh emnin e tij me atë të shejtorit kristian – Shën Gjergj. Se ka pas eskatologji kristiane që janë sinkretizue me besimet pagane të shqiptarëve mesjetarë, kjo dihet bukur mirë. Fjala vjen, ajo që ishte miti popullor për Martin e Madh u fuzionue ma vonë me ramien e Kostandinopojës më 1453 – dita e martë u skalit si dita e zisë në ish-commonwealthin bizantin. Çka ishte në thelb pagane u vesh me eskatologjinë kristiane: janë të numërta përrallat e besimet popullore sesi malësorët shqiptarë nuk laheshin të marteve, nuk punonin e as nuk kryenin ndonji punë.

Por kjo nuk âsht rasti me 6 majin, ku kurrë nuk u kremtue “ditëlindja” e Skënderbeut. Pse? Sepse nuk ka lind me 6 maj…