SQARIM PËR LINDITA NIKOLLËN

0
1810

AV. XHABIR ZEJNUNI

Pas denoncimeve të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, lidhur me vizitën e komunitetit LGBT në gjimnazet e Tiranës, ku ata kanë tentuar të zhvillojnë orë “edukative”(!), ka reaguar edhe Ministria e Arsimit.

Në një deklaratë për mediat, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Zonja Lindita Nikolla, shprehet se “Kjo po ndodh duke u bazuar në strategjinë kombëtare për Barazi Gjinore dhe Planin e Veprimit 2016-2020, Planin Kombëtar të Veprimit të Qeverisë Shqiptare për personat LGBTI 2016-2020 si dhe nga rezoluta për LGBTI. Prej dy vitesh, në shkollat e vendit po trajnohen mësues, por edhe komuniteti i prindërve mbi të drejtat e njeriut, bulizmin dhe dhunën”.

Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në zbatim të REKOMANDIMEVE, por edhe detyrimeve që burojnë nga këto strategji dhe plane veprimi, po vijon konkretizimin e këtyre nismave në bashkëpunim me organizatat jo qeveritare (OJQ) për informim dhe ndërgjegjësim të mëtejshëm të target-grupeve të ndryshme.

Zonja Ministre.
Një SQARIM për Ju në lidhje me termin REKOMANDIM. Në BE, rekomandimi është një ndër BURIMET e të drejtës PA EFEKT SHTRËNGUES (sipas nenit 288 të Traktatit Funksional të BE-së), që i drejtohet SHTETEVE ANËTARE dhe që përmban një FTESË për t’ju përmbajtur një lloj sjelljeje.

Që do të thotë se çdo SHTET ANËTAR i BE-së, mund të përdorë diskrecionin e tij në bazë të kushteve të veçanta, për t’ju përshtatur apo jo juridikisht një rekomandimi të BE-së. Shtrohet pyetja: Bën pjesë Shqipëria në BE?! Përgjigja, është JO.

Nuk bëhet fjalë për rregulloret, të cilat sipas nenit 288 të Traktatit Funksional të BE-së, “Janë akte juridike të aplikuara në mënyrë gjenerale, të kushtëzueshme në të gjitha elementet dhe direkt të aplikueshme në të gjitha vendet anëtare të BE-së”. Edhe në rastin e rregulloreve të BE-së, ato vlejnë për shtetet anëtare.

Sa për dijeninë Tuaj, rekomandimi 2010(5) i Këshillit të Ministrave të Shteteve Anëtare të BE-së, i drejtohet këtyre shteteve anëtare që “Të marrin masa për të luftuar diskriminimin e formuar mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor”.

Për këtë qëllim, BE-ja i rekomandon shteteve anëtare që:
1. të riparojnë çdo diskriminim direkt apo indirekt të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor;
2. të vigjëlojnë për adoptimin e masave legjislative për të luftuar çdo diskriminim të bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor;
3. të vigjëlojnë që viktimat e këtij diskriminimi të vihen në dijeni për rrugët e ankimimit gjyqësor përpara autoriteteve gjyqësore;
4. të frymëzohen në legjislacionin e tyre, në politikat dhe praktikat e tyre, në parimet dhe masat tek shtojca e këtij rekomandimi;
5. të sqarohen, me çdo mjet dhe aksion të nevojshëm, që ky rekomandim dhe shtojca e tij të përkthehen dhe shpërndahen në mënyrën sa më të mundshme.

Edhe në shtojcë, rekomandimi i referohet vetëm SHTETEVE ANËTARE. Atëherë. Pse Zonja Ministre Ju i bëni referim rekomandimit të BE-së tek VKM-ja Nr. 390, datë 25.05.2016, kur rekomandimi 2010(5) i drejtohet vetëm shteteve anëtare të BE-së, kur edhe për vetë ata shtete ky rekomandim NUK është kushtëzues? Harruat Ju se Shqipëria, është vend KANDIDAT për në BE që nga viti 2014, por akoma nuk është vend anëtar?

Tek hyrja e VKM-së, shkruhet se “Në këtë kuadër, vëmendje dhe angazhim i veçantë po i kushtohet zbatimit të Rekomandimit të Këshillit të Europës 2010(5), i cili përcakton mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor (OSIGj-SOGI), për të garantuar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut të personave LGBTI”.

E para. Rekomandimi nuk është detyrimisht i zbatueshëm. E dyta. Edhe nëse do zbatohej rekomandimi, si mund ta zbatojë këtë rekomandim të Këshillit të Europës një vend si Shqipëria, e cila nuk është akoma shtet anëtar i BE-së, por vetëm vend kandidat?!

Në shtojcën e këtij rekomandimi, tek pjesa e IV me titull “E drejta e respektimit të jetës private dhe familjare”, tek neni 18 shkruhet kështu: “Shtetet anëtare duhet të sigurojnë shfuqizimin e çdo legjislacioni diskriminues, sipas të cilit konsiderohet vepër penale marrëdhënia seksuale mes të rriturve të dakordësuar të të NJËJTIT seks, duke përfshirë dispozitat që krijojnë një dallim mes MOSHËS së pëlqimit për akte seksuale mes të njëjtit seks dhe mes heteroseksualve; duhet gjithashtu të merren masat e duhura për shfuqizimin, amendimin dhe aplikimin në përshtatshmëri me parimin e mosdiskriminimit, të çdo dispozitë të së drejtës penale, që mund t’i japë rrugë një aplikimi diskriminues”. Bëhet fjalë për një normë drejtuar shteteve anëtare dhe jo kandidate. Kjo normë, kërkon shumë faqe për ta interpretuar, që për momentin nuk po e bëj këtu(…..)!

Disa pyetje për Ju Zonja Ministre.
Jeni dakord Ju që kjo normë e rekomandimit në fjalë të adoptohet edhe nga Shqipëria?
Nëse po, i parashikoni PASOJAT Ju?
Apo mos vallë sipas Jush, fëmijët e politikanëve janë të “imunizuar” nga fenomene të tilla (…)?!