STUDIUESI I PËRKUSHTUAR ËSHTË I HESHTUR, I TILLË VJEN E SHKON

0
513
Gjergj Gashi - Martirët shqiptarë

Në përkujtim të studiuesit Gjergj Gjergji – Gashi

Nga Sinan GASHI

Nëse heshtja si modesti është ose ka qenë cilësi e studiuesve, atëherë ajo i shton edhe karakterin e punëtorit të madh, që në heshtje dëshmon diçka të madhe, tepër me interes shkencor e studiuesit e hulumtuesit Dr. sc. Gjergj Gjergjit –Gashit (1.V.1948 – 26.IX.2016).

Ky studiues, që shpesh në punimet e veçanta ose në vepra të plota është nënshkruar si Gjergj Gashi, ka dëshmuar se është një studiues i tillë dhe njëkohësisht një hulumtues i përkushtuar, i cili i solli shkencës historike shqiptare vepra me vlera të pakontestueshme, sa edhe hulumtime ku pak kush mund ta kryente atë punë. Hulumtimet në shumë arkiva, brenda dhe jashtë Kosovës, e më kryesorja në Arkivin e Romës dhe të Vatikanit, kanë bërë që të njihemi me shumë fakte, dëshmi e detaje të jetës shqiptare me travaja, duke u saktësuar ato me dëshmi dokumentare zyrtare, të ruajtura mirë.

Gjergj Gashi, duke qenë me një përgatitje superiore të shkollimit (ka mbaruar dy fakultete, për teologji dhe filozofi, në Romë), ai veç kishte paranjohuri të mjaftueshme se si duhet dhe bëhen këto punë, aq më tepër kur dihet e dhëna se ai nuk u kënaq me kaq, por kreu studimet postdiplomike dhe mori titullin e magjistrit të shkencave historike në qershor të viti 1981, me titullin “Il conceito della persona umana in Luigj Stefanini”, kurse pas gjashtë vjetësh pune studimore të përkushtuar, mori edhe gradën e doktorit të shkencës, pasi mbrojti në universitetin “Urnaniana” të Romës temën “Cenni starici sui martiri di Stublla bassia Znagora esiglati dia Turchi neglli anni 1846 – 1848”.

Kjo tezë e doktoratës, me gjithsej 800 faqe, ruhet në Bibliotekën e Misoneve në Romë. Dr. Gashi, në thelb të studimeve dhe interesimeve të tij ka Kosovën, atë të shekujve të shkuar, si dhe shtrinë interesimet edhe në hapësirat gjithëshqiptare, përkatësisht ato elemente që dëshmojnë madhështitë kombëtare, të cilat deri tashti kanë qenë të fshehura nëpër skuta të arkivave të errëta ose qëllimisht janë mënjanuar.

Në pesë veprat e botuara (“Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846 – 1848”, vëllimi I, Ferizaj 1994, “Kosova – altari i Arbërisë” vëllimi I, Elbasan, 1997, “Kosova- altari i Arbërisë”, vëllimi II, Elbasan, 1987, “Kosova- altari i Arbërisë” vëllimi III, Tiranë, 1996, “Vatikani dhe Arbënia”, Elbasan, 1998,etj.), njëzetedy shkrime historike e dokumentare të tjera si dhe gjashtë monografi në dorëshkrim (“Manastiri”, “Janjeva”, “Tirana 1865 – 1991”, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe Arbëria me shenjtorët dhe simbolet e shenjta”, “Martirët e Arbërit 1622 – 1941”, “Veshjet iliro – shqiptare” e të tjera), ai shkrin një aftësi tejet të vlertë dhe i dhuron shkencës historiografike thesar të paparë deri më tashti.

Veprat, ato që largojnë hamendjet

Studiuesi dom dr. Gjergj Gashi, pasi të shfletojmë veprat e tij, sikur lë përshtypjen se qëllimi i tij është vërtetësia, e cila kërkon pak fjalë e shumë dëshmi. Madje të tillat i kanë munguar historisë shqiptare, e cila, akëcilin para dite e bën hero e pas dite tradhtar dhe anasjelltas! Veprat e tij pra janë përplot dokumente nga ato origjinale të cilat vetëm përmes interesimit të tij shohin dritën e jetës dhe sqarojnë gjithçka reale që ka të bëj me fatin tonë që nga hershmëria e deri te ditët e sotme.

Ajo që të bën të rrëqethësh, janë dëshmitë e panjohura për ato periudha të gjata shekujsh të vuajtjeve dhe persekutimeve të popullit tonë nga sundimtarë të ndryshëm, të cilët, sa kanë manifestuar gjenocid, aq edhe vazhdimisht kanë manifestuar formën e përçarjes, qoftë përmes feve, qoftë përmes mënyrave të ndryshme pushtetare. Këto dëshmi, po e zëmë, janë shënuar dhe u janë dërguar konsullatave të jashtme nga priftërinjtë atdhetarë Lazër Mjedja e Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu.

Ja një fragment dëshmimi:
“Madje duhet të kihet parasysh se një punonjës malazez i policisë, njëfar Cakiç, i afërm i zëvendës guvernatorit gjakovar, po me të njëjtin emër, në këtë çështje mban fajin kryesor. Të premten heret Klerikun e lidhur këmbëzbathur, e çuan për në Pejë të shoqëruar nga një eskort (një oficer dhe 40 ushtarë). Të burgosurit i kishin lidhur dy nga dy.”

Lazër Mjedja po ashtu, në një raport që i kishte dërguar në Romë Kardinalit Von Rosuum, Prefektit të Kongregacionit Shenjtë, në gusht të vitit 1919, jep të dhëna për luftën në Gjurgjevik, nën udhëheqjen e Sadik Ramës. Ndoshta në një vepër të tërë jepen të dhëna për konvertimin e dhunshëm në ortodoksi në Pejë dhe rrethe, si në Malësi, Krasniqe, Gash, Rugovë, Plavë e Guci, për të ardhur në vazhdimësi në shtetrrethimin serb të asaj kohe të Astrazubit dhe Banjës së Malishevës, me 18 fshatra, si dhe përshkrimin e golgotës së 1913-ës.

Autori, kur e sheh të nevojshme, ia bashkëngjit veprës punimet ngjasore, për forcim dëshmie, siç është rasti i veprës së Lumo Skendos (alias Mit’hat Frashërit), botuar në frëngjisht ”L’affaire de l’ Epire (Le martire d’un peuple)”, i cili më parë ishte botuar në Sofje të Bullgarisë, më 1915.

Fotografi të vjetra ilustruese dhe krijime gojore si dëshmi autenticiteti

Në të gjitha veprat e Dr. Gjergj Gashit janë dhënë ilustrime fotografike të kohës, të cilat kompletojnë të vërtetat e pamohueshme sa edhe qartësojnë para syve tanë diçka që nuk mendohet normale se mund të ngjasë. Po ashtu, mu për qëllimin e njëjtë, teksteve u janë shtuar në disa raste edhe krijime gojore, këngë folklorike, për ta dhënë përjetimin emocional të krijuesit – pasqyruesit të kohës për masakrat dhe manifestimin e tyre në shtresën gjithëpopullore.

I pangishëm vetëm me vërtetësinë e realitetit historik, studiuesi Gashi përdor të gjitha format e mundshme dokumentare, të cilat gjithsesi e plotësojnë njëra – tjetrën, si vërtetësi rrëqethëse e kohës.

Ja se si përshkruhet në dy strofa, masakra e
Karadakut, nga një krijim autentik i kohës:

N’Selanik kur paskan ardhë,
Ni kanxhalloz para u ka dalë,
Mirë p’i kqyr ket grup shqyptarë,
N’tirq e n’herka, n’plisa t’bardhë,
Gratë me zhguna, me lidhsa n’ball…

Ose më poshtë,

Ni prej tyne s’po jet i gjallë
T’gjithë të smutë e tuj i kallë,
T’gjithë të smutë e tuj u kallë eti
Tuj dek t’shkretit e tuj hedh n’deti.

Assesi nuk mund të portretizohet një studiues kaq i përkushtuar me vetëm këto fjalë përshkruese, por mendohet të jenë të mjafta për ta vënë në skenë aktualizimin e këtyre vlerave që tashti janë dhënë brenda librave dhe kanë marrë dhenë, si dhe aktualizimi i atyre që janë në dorëshkrim dhe presin ndonjë botues që t’i futë në mesin e lexuesve të të gjitha gjeneratave, ngase e meritojnë të shpërfaqin të vërteta të shumta, të mosnjohura, për madhështitë e gjenezës sonë dhe fatit tragjik-heroik të tij.

Pak fjalë për studiuesin Gjergj Gjergji – Gashin

Dom dr.sc. Gjergj Gj. Gashi
(1.V.1948 – 26.IX.2016)

Gjergj Gjergji – Gashi është i lindur në Stubëll të Epërme të Vitisë (Kosovë), më 1 maj 1948. Pas fillores në vendlindje, gjimnazin klasik e kreu në Suboticë, kurse fakultetin filozofik në Romë, më 1971 dhe atë teologjik, pas katër vjetësh, më 1974. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Universitetin “Urbaniana” në Romë, ku magjistroi në qershor 1981, kurse në nëntor po të atij viti, po aty, mori gradën shkencore të doktoratës.

Ka punuar meshtar në Gllogjan, Prizren, Pejë, Shkup, Tetovë, Ohër, Kumanovë, Veles, Elbasan, Kalabri, Romë (Latina Grottaferrata) e në vise të tjera. Në Elbasan, më 5 tetor 1991 themeloi “Caritasin Shqiptar”, me prof. Dr. Argjir Panaritin kryetar dhe gjen. Kristaq Ferro sekretar.

Dr. sc. Gjergj Gashi, për respektin që ka gëzuar në Shqipëri, është shpallur qytetar nderi i Himarës, Starovës dhe Pogradecit.

Përurimin e veprave të tij i kanë bërë së bashku Akademia e Shkencave të Shqipërisë, më 18 nëntor 1999, në bashkëpunim me Institutin Historik të Tiranës, Muzeun Kombëtar, Universitetin e Elbasanit dhe atë të Shkodrës.

Dr. Gashi, punimet e shumta në periodik, për modesti, i ka nënshkruar me pseudonimet Mërgimtari, Gj. Gashi, Luan Stublla, Arben Stublla, Prift Shqiptari, etj.

Ishte edhe themeluesi i Muzeut etnografik në Stubëll të Epërme, ku edhe vdiq më 26 shtator 2016.