Suela, Sara dhe unë

0
1010
S - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën S

Dea Halimi
Dea Halimi

Sot, në orën e fundit, mësuesja Xake, na dha për detyrë të gjenim ndonjë fjalë, ndonjë tregim të shkurtër, ndonjë gjëegjëzë , në mënyrë që të ballafaqoheshim sa më shumë me shkronjë S.
-Nesër, – tha ajo, – do të flasim gjithanshëm për tingullin S, që është bashkëtingëllorja e njëzetë e gjashtë e alfabetit të gjuhës shqipe.
Fjalët e mësueses më tingëllonin në kokë gjatë tërë rrugës, ndërsa ecja për në shtëpi me dy shoqet e klasës e të lagjes, me Sarën e Suelën.
– Shkronja S, – tha Sara.
– S, me të cilën shkronjë fillon dhe emri im dhe emri yt!
– S apo syqenëz, S apo symëshqerrë, S apo Sfinksi, – ecja e flisja, kërkoja fjalë, që fillonin me këtë tingull.
Sara më mori për llëre dhe më ndali në mes të rrugës.
– Dea, – tha. – E përmende Syqenzën, Symëshqerrën, Sfinksin. A mund t`i veçosh këto që i flet, t`i shpjegosh apo t`i lidhësh me ndonjë ndodhi?
– Po dhe jo, – fola unë.
– Çfarë do të thotë kjo?
– Do të thotë se mund të them nga diçka për secilën fjalë, por më mirë dhe më me kuptim do t`i gjejmë në fjalorin e gjuhës shqipe.
– Ikim pra te ti, të shikojmë çfarë kuptimi kanë… – bëri duart grusht e kërceu e qeshur Suela.
Mbërrim në shtëpinë time dhe menjëherë e hapëm fjalorin.
– Ja, në Fjalor shkruan pikërisht siç më tregonte dhe gjyshja, Pra, Syqenëza është figurë e përrallave popullore shqiptare, që përfytyrohej si një plakë keqbërëse me dy sy përpara dhe dy prapa… – thash unë.
-Të shikojmë fjalën Symëshqerrë, – tha Sara.
Suela e mori Fjalorin nga unë dhe e kërkoi fjalën symëshqerrë. E ndali gishtin te fjala që kërkonte dhe pak me vështërsi lexoi, por ia doli me sukses.
-Symëshqerrë do të thotë vashë, djalë apo grua, që ka sy të mëdhenj dhe me shprehje të butë e të ëmbël… – na shikoi Suela.
– Moj, – ia bëra unë e buzëqeshur, – ti po na del një çupë symëshqerrë.
– Bën shaka ti, bën, por njëmend në shtëpi më thërrasin symëshqerrë. Unë hidhërohesha deri më tash, ngaqë nuk e kisha të qartë çfarë kuptimi ka ajo. Mendja gjithnjë më ikte se më thoshin sylopë!?
Shpërthyem në të qeshur të tria.
– Po fjala e tretë, cila qe ajo, – tha Sara.
– Qe Sfinksi… – ia bëra unë. E kërkuam fjalën dhe e gjetëm.
– Sfinks do të thotë Qenie që, sipas mitologjisë, përfytyrohej me krahë shpendi, me kokë e gji gruaje, me trup luani ose qeni e me bisht gjarpri dhe që u jepte udhëtarëve kalimtarë gjëza të vështira e i gëlltiste, ngaqë nuk i zgjidhnin dot.
– Eh, Dea. Të ikim tash unë e Sara, – tha Suela.
– Nesër do të kemi secila çfarë t`i shpjegojmë mësueses lidhur me fjalët që fillojnë me shkronjën S.
– S apo syqenëz, S apo symëshqerrë, S apo Sfinksi, – qesha unë e i përcolla deri te dera e oborrit.