Takimi me Merkelin dhe fati europian i negociatave

0
582

Nga Mero Baze

Kryeministri Edi Rama dhe kancelarja Angela Merkel duket se kanë tejkaluar problemin gjerman të votimit të rekomandimit për hapjen e negociatave, përkundër problemeve që vetë partia e kancelares Merkel ka brenda saj, apo lobimeve të opozitës shqiptare tek ndonjë deputet i veçantë. Takimi në tërësi ka krijuar siguri për votën gjermane, dhe mbi të gjitha i ka dhënë fund spekulimeve se çështja e integrimit mund të bllokohet përmes lobimit.

Por nga ana tjetër, ky proces po tregon se Shqipëria do të vazhdojë të përballet me euroskepticizmin, si fenomen që vjen prej lodhjes nga zgjerimi i Europës dhe që nuk është një problem që vjen nga standardet e Shqipërisë.

Në këtë pikë, konsumimi i betejave politike kundër hapjes së negociatave janë të pavlera, pasi janë të pakonsiderueshme në Perëndim. Tanimë i vetmi vend skeptik mbetet Franca, jo për shkak të Shqipërisë, as se ka Basha ndonjë mik francez, por për shkak të vizionit të Macron, i cili e shikon zgjerimin me dyshim.

Pra edhe nëse Shqipëria ia del t’i marrë të gjitha votat e vendeve anëtare dhe nëse dështon në Qershor për një votë, kjo nuk është as meritë e qeverisë nëse ndodh, dhe as fitore e opzitës, nëse një vend e shtyn votimin për dhjetor. E gjitha tani është më shumë problem europian, se sa shqiptar. Gjermania ishte vendi me më shumë luhatje brenda shumicës në pushtet në këtë pikë, duke shtuar dhe lobimin e PD, por ky problem duket që nuk ka ndikuar fare në vendimin e kancelares.

Si problem shqipar ajo u miratua nga Komisioni Europian, i cili bën vlerësimin profesional të situates, dhe këtu mbarojnë debatet për arritjen e standardeve apo meritat e Shqipërisë.
Ngrefosja se negociatat do të bllokohen me lobistë, është po ashtu naivitet dhe takimi Merkel-Rama e tregoi këtë.

Ndaj është mirë që beteja kundër negociatave të pushojë dhe opozita, edhe pse nuk e dëshiron këtë, të bëjë sikur do, që të paktën të mos i quhet humbje kur të çelen negociatat. Topi nuk është më në fushën tonë, por në secilin Parlament të Europës. Mos të bëjmë kot si tifozë, në një stadium, ku nuk kemi akoma biletë për të hyrë.