Të gjithë duan të ikin nga ky vend

0
1075

Nga Dionis Xhafa

Vendi ynë ngjan tanimë si një shtet ku bandat kryejnë aksione sikur të ishin në Amerikën Latine dhe një kazan i vërtetë i krimit, ku mundet të gjesh gjak, shpata, hekura, inat e vrer. Shkurt, një vend i madh krimi. Krimi është në rrugë dhe disa herë qëllon edhe në institucione. Dhe krimin po tentojnë ta kapin si në rrugë edhe në institucione, por sërish këtu nuk ia vlenka të qëndrosh. Njerëz që kërkojnë të arratisen. Plot 200 mijë shqiptarë që duan të ikin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregon se jemi në gjendje katastrofike. Një numër i tillë kërkesash për të ikur është vërtetë dramatik. Shto këtu kërkesat për azil për në Gjermani, apo shtet tjetër europian. Ky vend ka marrë fund, dëgjohet të thuhet vërdallë.

Po si shpjegohet që të gjithë duan të ikin? Si ka mundësi që është një valë kaq e madhe njerëzish që përpiqen të largohen nga ky realitet i përditshëm shqiptar? Vërtetë ata qenkërkan mërzitur kaq shumë me vendin e tyre? Kaq në majë të hundës ua ka sjellë atdheu, sa duan të ikin? Si shpjegohet ikje kaq masive? Sigurisht që vështirë se gjendet një person, i cili ta thotë njëqind përqind të saktë se përse ikin shqiptarët. Por se gjenden disa përgjigje lidhur me enigmën e madhe se përse ikin shqiptarët.

Sigurisht që ndikojnë papunësia tejet e madhe dhe gjithashtu edhe diferencat ekonomike të skajshme. Ndikon ambjenti ku pa frikë është si të thuash depresiv e shumë i zezosur. Por se mbi të gjitha është edhe ajo se këtu mundet të luftosh vetëm për mbijetesë dhe vështirë të jetosh sikundër jetohet në perëndim. Kjo sepse rrogat janë si në Afrikë, kurse çmimet si në Europë. Është kundërvënie e frikshme kjo. Por se gjenden shumë përgjigje se përse të gjithë duan të ikin, por ndoshta më së miri secili e di vetë arsyen se përse dëshiron të ikë nga ky vend. Ikin shumë e sidomos rinia, duke mos parë shpresë e jetë në një atdhe të kërrusur. Gjithsesi jetojmë në një realitet të frikshëm dhe ky është fakt. Dyqind mijë persona që duan të ikin. Sa shumë. Sa tmerr. Sa llahtari. Vërtetë shumë.

2. Njëzetë mijë dollarë për të ikur në Kanada

Që gjendja politike, ekonomike dhe sociale në këtë vend është ajo se e dërrmon çdokënd këtë mundet ta thotë secili që ka vendosur të jetoj këtu, e sidomos ata që nuk i kanë njoftësitë “e larta”. Për ta kuptuar sesa thellë iu është ngulur thika në palcë njerëzve në këtë vend, e dëshmon në mënyrë tragjike fakti i rëndë se kishte nga ata shqiptarë që kishin paguar nga 20 mijë dollarë për të ikur drejt Kanadasë. Kjo në fakt rezultoi se ishte agjenci që i mashtronte njerëzit se me kaq para mund ti çonte në shtetin kanadez. Por se me rëndësi është shuma tejet e madhe dhe thuajse marramendëse në raport me rrogat e shqiptarëve, thjesht e vetëm për të ikur.

Edhe këto para me siguri që mund t’i kenë marrë borxh tek të afërm apo ndonjë stërmundim për t’i mbledhur do ketë qenë. Si ka mundësi që t’i paguajë shqiptari i kohës moderne, i shekullit të XXI-të 20 mijë dollarë vetëm për të ikur që këtu? Si është e mundur kjo? Një shumë kaq e madhe e paguar me vetëdije të plotë, vetëm për të ikur nga një vend në tjetrin, që fundja brenda këtij rruzulli tokësor ndodhen të dyja vendbanimet? Aq më tepër që ky këtu është vendi yt, ke njerëzit e tu, tokën tënde.

Por se njerëzit as që duan t’ia dinë për mëmëdhe. Ata dëshirojnë arratisjen nga ky vend i skëterrë, pasurinë e të cilit duket sikur e kanë marrë peng. Nuk duan t’ia dinë më. Shqiptarë të ngopur me mashtrime elektorale, varfëri dhe që përballen me një realitet të përditshëm që ngjan depresiv. Duan të largohen me çdo kusht. Edhe duke marrë borxhe. Kjo sepse këtu nuk rrihet. Po ikin nga sytë këmbët. Kjo sepse atdheun e morën peng. Shqipëria vijon të grabitet. Padrejtësia ngre krye mbi drejtësi. Të gjithë duan të ikin. Atdheun e morën peng.