Territori i Kosovës se sotme, si pjesë e pandarë e trojeve Arbërore në qendresën kundër pushtuesve osman

0
447

Dr. Besim Morina, Çikatovë e Vjetër

Kjo kumtesë u mbajtë, më 24 Nëntor 2018 në Aarau të Zvicrës, në Akademinë përkujtimore në 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut organizuar nga Misioni Katolikë Shqiptarë në Aarau

Teritori i Kosovës së sotme, në të kaluarën, ishte pjesë e Dardanisë antike. Dardania përfshinte, në veri Novi Pazarin – Nishin, gjithë trevën e Kosovës së sotme, Maqedoninë Veripërëndimore me kryeqëndër Shkupin. Deshmitë historike dhe arkeologjike, e dëshmojnë kontinuitetin e shqipatrëve në Kosovën e sotme.

Dokumentet historike, na tregojnë se pushtimet rasiane ne territorin e Kosovës se sotme kanë filluar ne fundin e shekullit XII. Ky pushtim nuk kishte te bënte vetëm me territorin, konkretisht me shfrytëzimin e popullsisë dhe pasurisë tokësore dhe nëntokësore, por edhe me uzurpimin e tempujve fetarë, të cilët me shekuj u takonin popullsisë autoktone, arbërore. Pushtimi rasian me ndjekjët dhe uzurpimët e tyre, i kishin sjellur popullsisë, kishës arbërore, vështërsi të shumta. Kundër kësaj gjëndje të vështirë dhe uzurpimeve, ne vazhdimësi kishte reaguar Selia e Shënjtë. Por, mjerisht gjendja ne terren mbeti e pandryshuar.

Dihet se para pushtimit osman, në teritorin e Kosovës së sotme, zotrimet e tyre i kishin shtrirë edhe familjet bujare arbërore, si Balshajt, ne qytetin e Prizrenit, Pejës e deri në Kriva Rjekë dhe Novobërdë, pastaj Kastriotet, prej Rodonit deri në Prizren, dhe Dukagjinët, në drejtim të Prizrenit, Pejës dhe Gjakovës.

Në kohën e mbërritjes së osmanëve në Ballkan, Arbëria ishte një vend i krishterë i përbërë nga 43 seli Episkopate, gjë qe tregon për një organizim të mirëfilltë te krishterimit në trevat arbërore. Natyrisht, se pjesë përbërëse e këtij organizimi kishtar, ishte edhe territori i Kosovës se sotme. Andaj, si e tillë popullata e këtij territori jo vetëm qe nuk ka ndenjur duarkryq para rrezikut te pushtimit osman, por ka qenë pjesëmarrëse aktive ne luftimet për mbrojtjen e vendit të tyre.

Dokumentet e kohës qe paraqete prof.dr.Jahja Drançolli se popullsia arbërore e Kosovës se sotme, ishte pjesëmarrëse ne betejat antiosmane të organizuara nga koalicioni i popujve të Ballkanit, te njohura si, Beteja e Parë e Kosovës dhe Beteja e Dytë e Kosovës.

Beteja e Parë e Kosovës (1389), ishte një nga përpjekjet më të vendosura të popujve ballkanikë, për ta ndaluar ekspansionin e mëtejmë osman në Gadishullin Ballkanik. Për këtë betejë është shkruar e folur mjaftë. Por, unë dua të përmendi rolin e princit shqiptar Mhill Kopiliqit, nga fshati Kopiliq i Drenicës, i cili mbeti edhe heroi i Betejës, duke arritur qe të vrasë Sulltan Muratin I.

Për serbët sikur edhe është shprehur studiuesi anglez Noel Malcolm, “Beteja e Kosovës është bërë një lloj totemi apo hajmalie për identitetin serb, duke marrë një rol politik të veçantë antishqiptar, prandaj edhe kuptohet se cila është arsyeja e shtrembërimit te fakteve historike”. Duhet theksuar se historianët serbë të shekullit të kaluar nuk kanë mohuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë Betejë. Por pas shpalljes së pavarësisë të shtetit shqiptar më 1912 dhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1913, historianët serbë filluan të mohonin pjesëmarrjen e shqiptarëve të krishterë në betejën e Kosovës.

Për Betejën e Dytë të Kosovës, kemi dokumente të shumta, të cilat tregojnë për rrjedhën e ngjarjeve. Derisa Huniadi i afrohej Fushë-Kosovës, mejdan i vjetër i vitit 1389, sulltan Murati II ishte nisur nga Sofja dhe i doli në pritë. Kjo betejë e cila u zhvillua tri ditë nga data 17-19 tetor 1448, përfundoi me disfatën e plotë të ushtrisë së krishterë.

Një pjesë e madhe e burimeve të kohës, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh edhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Fushë-Kosovë, gjë që u mirëprit nga Murati II, i cili duke iu drejtuar veçanërisht përfshirjes së shqiptarëve, mezi priste te hynte në luftë. I këtij mendimi është edhe Malcolm, duke shtuar se ”ardhja e forcave të mëdha të freskëta shqiptare, nën komandantin karizmatik, beteja do te kishte marr kah tjetër”.

Përveç të dhënave për epilogun tragjik të aleancës së krishterë, janë ruajtur hollësi edhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës. Që këtej del se një pjesë e trupave, pasi kishte marrë rrugë për në jug, jo shumë larg Fushë-Kosovës, u ndeshë me Skënderbeun që ishte nisur t’i bëhej shokë lufte Huniadit. Edhe pjesës tjetër të trupave, që ishte nisur në drejtim të Hungarisë, u buzëqeshi fati, sikur pohon edhe vet Huniadi, meqë në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vuçitërrnës, u përpoqën me dukë Bogdanin (i cili ka gjasa te jetë nga e njëjta familje qe na vjenë edhe Pjetër Bogdani i madh B.M.), përmes të cilit pa vështirësi do t’i shmangeshin rrezikut nga trupat osmane që u shkonin pas.

Për ne janë shumë me rëndësi faktet të cilat i përmend Huniadi. Prezenca e priftit shqiptar katolik, në malet e Çiqavicës, të cilat e ndajnë territorin e Drenicës dhe te rrafshit të Kosovës. Fakti se prifti shqiptar i njihte shumë mirë rrugët e ngushta nëpër malet e Çyqavicës, tregon se ai kishte shërbyer aty për një kohë të gjatë, përndryshe nuk do te kishte mundësi qe te njihte aq mirë terrenin.

Në të vërtetë, osmanet u premtonin lirinë, popujve të cilët i pushtonin. Mirëpo, ky premtim nuk u hapi dyert e kështjellave, askund ne territorin e Kosovës se sotme. Dihet mirë se nën sundimin osman të krishterët qenë subjekt i një shfrytëzimi të egër. Gjithashtu, të krishterët, sipas sheriatit, nuk kanë qenë të barabartë me myslimanët, por njerëz të rangut të dytë, të cilët quheshin më emrat fyes, “kaurr” dhe “raja”.

Se Kosova e sotme është pjesë e qëndresës arbërore kundër pushtimit osman, tregojnë edhe dokumentet e kohës, në të cilat përshkruhet qëndresa e popullit shqiptar në luftë kundër osmanëve në mbrojtje të vendit. Kështu, qyteti i Shkupit, me gjithë rezistencën e organizuar, u pushtua nga osmanlinjtë në vitin 1392, pushtuesit u sollën me mjaft vrazhdësi në shenjë hakmarrje për rezistencën e bërë. Osmanlinjtë e shndërruan këtë qytet në bazë të madhe ushtarake, nga këtu, dërgoheshin ushtritë në drejtim të Bosnjës dhe në veri kah Rasha dhe Hungaria.

Studiuesi i mirënjohur, Farlati na njofton se dioqeza e Shkupit ishte vazhdimisht nën kontrollin dhe shtypjen turke. Dokumente e kohës tregojnë se si turqit, kishën e Mitropolisë në Shkup e shndërruan në xhami. Dokumenti tjetër thotë se kisha i që kushtuar shën Prenës.

Qyteti i Novobërdës, disa herë ishte objekt i sulmeve osmane, në vitin 1412, 1440-1441, kur pas rrethimit te gjatë u pushtua përkohësisht, dhe së fundi në vitin 1454 kur sulltan Mehmeti II rrethoi qytetin dhe pas bombardimit me topa të mëdhenj, e pushtoi me 1 qershor 1455. Kur qyteti i Novobërdës e përjetoi tragjedinë me të madhe, nga Mehmeti II Pushtuesi, pjesë e plaçkës ishte edhe “kisha sase”, ndërsa Kishën e Zojës, e lanë pa kulm dhe pa kumbunare. Kjo gjendje e mjerueshme dëshmohet edhe nga një dokument i Papa Piu II i vitit 1458.

Dihet se qyteti i Novobërdës deri me rënien nën sundimin osman, vazhdoj te ishte ndër qendrat më të mëdha të Ballkanit. Si rezultat i zhvillimit ekonomik, qyteti ka pasur jo vetëm shkëmbimin tregtar, por edhe atë kulturor, gjë qe nënkupton edhe shkëmbimin e ndërsjellët te meshtarëve. Rënia e qytetit te Novobërdës la mbresa të mëdha në Hungari, në Itali e në Dalmaci, meqë ky qytet, konsiderohej një ndër qe qendrat kryesore për mbrojtjen e krishterimit.

Pas Novobërdës, u pushtuan edhe qytetet tjera të cilat disi qenë mbajtur deri atëherë. Qyteti i Prizrenit u pushtua në vitin 1458, pas tij u pushtua Lipjani.

Edhe pas pushtimit, osmanët vazhduan me rrënimet e vendit. Le të përmendim, Kompleksin e Manastirit të Arkangjelit, buzë lumit Bistrica, i cili ka kryer funksionin e tij deri në fund të viteve pesëdhjeta të shekullit XV, rrjedhimisht deri në pushtimin osman. Me gurët e Manastirit të Arkangjelit, është ndërtuar Xhamia e Sinan Pashës, në Prizren. Si pasojë e pushtimit turk, selia e ipeshkvisë së Prizrenit mbeti e zbrazur afër dy shekuj.

Vuçiterna u pushtua përfundimisht ne vitin 1454, kurse Peja në vitin 1462. Edhe në këto qytete tmerri osman nuk përfundon me pushtimin përfundimtar te qyteteve. Kështu, në qytetin e Vuçitërnës kanë ekzistuar “varrezat latine”, ku janë varrosur “latinët”, tani më të zhdukura, edhe kisha e tyre katolike është shndërruar në xhami. Edhe në qytetin e Pejës, osmanët një kishë e shndërruan në xhami.

Dokumentet e kohës në Trepçë, përmendnin disa kisha, të cilat sot nuk u dihen as gjurmët. Edhe sot gjenden gërmadhat e Kishës se Shën Mërisë apo siç quhet ndryshe edhe si Kisha e Zojës së Bekuar (e përmendur në vitin 1303) në Trepçë, me fragmente afreskesh të cilësisë së lartë artistike, që gjendeshin në absidën e godinës.

Duhet ditur se për dallim nga Kisha Katolike, Kisha Ortodokse serbe nën osmanlinjtë gëzonte privilegje, që nga koha e sulltan Mehmetit II, i cili e kishte marr nën mbrojtje. Me një dekret të vitit 1557, Sylejmani përtëriu patriarkalen e Pejës, e cila ishte shuar në vitin 1459. Me këtë akt patriarkala u lirua nga varësia e patriarkales së Stambollit dhe njëkohësisht mbeti aleat osman.

Pushtimi osman, solli rrënimin e mjaft qyteteve të mëdha ne terë trevën arbërore, prishi thesaret më të çmuara të kulturës së kaluar të popullit tonë, rrëzoi përdhe dhe dërmoi veprat më të bukura të arkitekturës, pallatet madhështore, monumentet, kishat e katedralet dhe paralizoi për mjaft kohë jetën dhe gjallërinë e mëparshme ekonomike dhe shoqërore.

Duke e përkujtuar periudhën e lavdishme të popullit shqiptar, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ne përkujtojmë edhe shumë bijë dhe bija të popullit tonë të cilët me sakrifica të shumta arritën të ruajnë identitetin tonë kombëtar deri në ditët e sotme.

Për fund, le te flasë vet, porosia e Papa Palit VI, me rastin e ligjëratës kushtuar 500- vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: ”Zemrat e të gjithëve të zbutën e të hapën për të pranuar këshillat e Perëndisë dhe që e ardhmja e Kombit shqiptar bujar të jetë e denjë për të kaluarën e tij të lavdishme e për atë mision që Zoti në këtë shekull e ka shënuar”.

Zoti i bekoftë të gjithë ata qe kanë punuar dhe punojnë për te mirën e vendit tonë!