Testi negativ i politikës!

0
348
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 18.04.2020

Në kohën e pademisë, secili i testuar nga i ashtuquajturi “Coronavirus” i gëzohet testit negativ, madje edhe ata me pozitivitetin më të madh.

Në secilin vend, diku më shumë, e dikur tjetër më pak është politizuar “Coronavirus”-i, por siq është politizuar në vendin tonë, në Kosovën e varfër, askund tjetër në botë!

Nga ajo që e pamë deri më tani, “Covid-19” po del të jetë një test i vështirë për të gjitha e vendet e zhvilluara dhe sfidë e mundimshme për shoqëritë e civilizuara.

Përderisa në të gjitha vendet e prekura nga pandemia, janë ulur flamujt partiak dhe janë ngrirë raportet pozitë-opozitë, në vendin tonë po ndodhë e kundërta.

Si askund tjetër në botë, në Kosovë rrëzohet qeveria, ashpërsohet lufta për pushtet dhe përqahet popullata sikurse në kohë normale tani e 21 vjet më parë.

Për dallim nga vendet tjera të rajonit dhe më gjërë, ku debatet në televizione zhvillohen ekskluzivisht me ekspert shëndetësorë, për të analizuar mundësitë e tejkalimit sa më lehtë të kësaj pandemie, në vendin tonë, studiot televizive janë të mbushura me politikanë dhe analist (me pagesë) që trumbetojnë për arritjen e qëllimeve partiake në luftën për pushtet në kohë pandemie.

Për ta rritur rejtingun dhe shikueshmërinë, për t’i mbushur arkat me telefonata dhe klikueshmëri, studiot televizive janë në garë për t’i zënë “peshqit e mëdhenjë”.

Varësisht prej mediumit televiziv dhe mysafirit në studio, gjatë debateve po organizohen edhe sondazhe të porositura politike (partiake), të cilat fare nuk kanë të bëjnë me vullnetin e qytetarëve dhe realitetin politik.

E themë këtë për faktin e thjeshtë, se asnjë subjekt apo koalicion politik nuk mund t’i arrijë kuotat e larta të 80 apo 90 përqindëshit siq po nxjerren në këto sondazhe të porositura dhe sposorizuara nga subjektet respektive.

Edhe pse të gjitha subjektet politike dhe liderët partiak, i lansojnë sondazhet e fabrikuara, duke e nxjerrë veten si fitues apsolut në zgjedhjet e ardhshme, e kanë të qartë, se në rrethanat aktuale e kanë dëshirë dhe synim arritjen e 30 %-it e jo më shumë, për shkak se të gjitha partitë politike e kanë një histori dhe një elektorat standard që nuk levizin lehtë nga pozicioni i tyre.

E keqja është se, injoranca e anëtarëve të partive politike, me emocione, por të pa paguar, po armiqësohen mes tyre, duke e prishur vëllazërinë, miqësinë dhe fqinjësinë me njëri-tjetrin për interesa të milionerëve partiak, ndërsa këta të fundit sërish bëhen, kurse raportet sociale mbetën të pariparuara për kohë të gjatë.

Përderisa nuk do ta kemi një alternativë të re dhe serioze politike, me nisma dhe grimca të vogla politike, situata në skenën politike do të mbetet e pandryshuar. Pak rëndësi ka cila nga partitë aktuale renditet e e para, e dyta apo e treta, kapja e shtetit do të vazhdoj sikurse që do të vazhdoj edhe avazi i vjetër i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë.

Kap njëri, ç’kap tjetri dhe anasjelltas, Kosova do të mbetet edhe për një kohë të gjatë vrimë e zezë dhe oazë e krimit të organizuar në rajon.

Pavarësisht kohëzgjatjes së “Covid-19”-it, rezultatit të testimeve pozitive dhe negative, politika kosovare ka rënë në provim para qytetarëve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare duke e dhënë shëmbullin më negativ të mundshëm, të bërjes së luftës për pushtet në kohë pandemie.

Politikanët e papërgjegjshëm i kanë ngujuar qytetarët në shtëpi, ndërsa vetë dalin lirshëm, shkojnë në kuvend e qeveri, seli partiake dhe studio televizive, jo për interesat e qytetarëve, por për interesat e tyre meskine thuajse nuk kemi pandemi!

T’u thuhet turp është pak, ndëshkimi me votë do të jetë mallkimi më i madh për ta!