METI REXHEPI
Pikërisht, më 23 prill 2021, për Ditën Ndërkombëtare të Librit, doli nga shtypi libri me qasje kritike, eseistike, estetike dhe publicistike THURJA E MODELIT i autorit gjilanas Mehmetali Rexhepi. Libri u shtyp nga shtypshkronja LENA në Prishtinë, e drejtuar nga Hajdar Fejzullahu me stafin e tij punues. Redaktor i dorëshkrimit ishte poeti dhe kritiku me prirje dhe kompetenca e dije teorike-letrare-artistike Ramadan Musliu, tashmë i ndjerë. Recensues të librit janë poetët dhe studiuesit letrarë: Nehas Sopaj dhe Isak Ahmeti.
Redaktor për radhitjen teknike të këtij publikimi është prof. Lulzim Latifi. Njërin nga tekstet e shkurta e përgjithësuese të hyrjes, i vendosur në fund të librit, nga shqipja në frëngjisht e përktheu poeti dhe studiuesi Shefik Shkodra. Skulptura artistike në ballinë është përzgjedhur nga opusi i piktorit dhe skulptorit prof. Avni Xh. Behluli, dizajnimin grafik të kopertinës e bëri Rrezart Fejzullahu.
Shkrimet e këtij libri në nëntë ciklet e tij, shtjellojnë kryesisht vëllimet e sapo publikuara të tetëmbëdhjetë autorëve tanë bashkëkohës, disa të njohur dhe të tjerë jo aq të afirmuar. Kjo mënyrë qasjeje për autorët e përfaqësuar në këtë libër, nuk del jashtë interpretimeve të llojit poezi, prozë dhe të diskurseve studimore e publicistike. Përpos tjerash shkrimet e këtilla në këtë libër, marrin shkas nga aktet e karakterit përurues të tyre… Një natyrë e këtillë e shkrimit vlerësues, lë të kuptohet se aty-këtu, tek autorët nuk ka munguar paksa dora përkëdhelëse e shkrim-vlerësuesit për atmosferën përuruese, mirëpo, gjithnjë pa e cenuar kriterin themelor të vlerës…
Autorët: Shefik Shkodra (është trajtuar në tri sfera, si studiues, si poet dhe si publicist), Sabit Rrustemi e Sarë Gjergji me nga dy, përkatësisht Prend N. Buzhala me pesë shkrime eseistike. Pra, tërë ky vëllim prej mbi katërqind faqesh strukturohet në tridhjetë artikuj, duke i përfshirë këtu edhe katër shënime të karakterit përkujtimor, homazhe për figura me ndikim në sferat letrare-artistike, të mendimit e të veprimit kombëtar e botëror…
Qasjet e këtilla kritike, eseistike, estetike dhe studimore të Mehmetali Rexhepit, mëtojnë vijimin e hullive teorike-letrare në kulturën e diskurseve kritike-estetike të letrave shqipe, jo aq të begatshme dhe, përtrollitin shqyrtime jashtë ngjyrimeve ideologjike e dogmatike. Këto qasje këndvështrimesh e shqyrtimesh, me ngërthesa përmbajtjesh ideore, kutesh, stilesh e porosish të gjuhës poetike, rrokin një periudhë, mbi dhjetë vjeçare, që nga viti 2011, deri te kjo arritje e thurjes të një modeli kritik-estetik, pleksur me diskurse shkencore, që mësyjnë shkrirje ndërdisiplinore në sfera të ndërsjella: arti imagjinarja-pamja-përfytyrimi dhe mendimi. Figura dhe ideja për figurën…
Për zbërthime ngërthesash të tekstit figurativ, kritikut dhe estetit Mehmetali Rexhepi, i duheshin huazime formulash e çelësash edhe nga sferat e dijeve ontologjike, sintezat filozofike dhe përgjithësimet për artin jashtë klisheve tradicionale, duke iu shmangur lëvrimeve tautologjike… Arti dhe disiplinat simotra të dijes kanë fushë-shtrirjet e veta, por edhe fushë-kryqëzimet e përafërta, që e pllenojnë mendimin interpretues eseistik dhe estetik për akëcilën paraqitje të ngërthyer figurative.
Kritikës të mjedisit e klimës tonë, e cila po merr goditje të vazhdueshme nga qasjet e saj subjektive, kundërthëniesh përkitazi tautologjisë e preferencave të autorëve, veprave dhe ligësive komprometuese; i duhet tejkalimi i rutinës me gjerësi erudicioni, rreptësi argumenti dhe çiltërsi qëllimi… Vetëm si të këtillë, autori i këtyre shkrimeve të sistemuara në librin THURJA E MODELIT, e kuptoi misionin e parashtruar… Çfarë? Kuvendimin me autorë, marrje prej tyre e dhënie për ta… Por çka tjetër? Mos duhej t`ua dëftonte udhët autorëve për gjetje të caqeve, sikurse bënte soc-realizmi?
Lexuesi vlerësues, përkatësisht Mehmetali Rexhepi përftoi nga kultura e kësaj natyre të shkrimit dhe, me forcën e tij sprovuese të kënd-qasjeve e të kënd-shqyrtimeve, modeloi kësisoj një diskurs të theksuar të sinqeritetit kundruall prurjeve të ca penave tona… Pra, nga shkrimtarët e trajtuar, disa sish, mund t`iu afrohen majave të artit letrar kombëtar, por të tjerë mëtojnë ngjitje mal-brezave…
Ndoshta ndonjëri mund të mbetet në rrëzën e malit…? Sido qoftë autori i këtyre shkrimeve eseistike të renditura në librin THURJA E MODELIT, nuk mëtoi një renditje për konfigurimin e hierarkisë së vlerave të autorëve veç e veç në letrat shqipe. Kështu, niveli i shkrimtarit, jo në çdo rast, sprovon nivelin e studiuesit e të kritikut. Kufijtë e depërtimit të shkrimtarit në esencat njerëzore zgjerohen ose tkurren, aq sa mund t`i shtrijë idetë përvetësuese shkrimtari për lexuesit.
Megjithatë, udha e kritikut letrar kurdoherë është akullnajore…
Gjilan, më 25 prill 2021