Tufë me poezi nga Pajtim Xhelo

0
424
Pajtim Xhelo - bregdet

Asgjë nuk ndryshoi

Sërish nisën zhurmët në qytetin tim,
Hedhur tej, thyerinë, heshtja dhe tmerri,
Jeta fshihet veç nga mbrëmja gjer n’agim,
Nën rrezen e parë, i largohet territ.
Pa më vjen mirë kur shikoj të harruar,
Kufijtë që vetmuan botën mbarë,
Edhe muret ndarës, tashmë të rrëzuar,
Do mbeten veç kujtim, si dhëmbja e parë.
Dhe për çudi asgjë nuk paska ndryshuar,
Edhe në burg bota s’e humbi lirinë,
Ata që sundojnë, tashmë vjetëruar,
Si minj nga tërmeti, nisën arratinë.
O njerëz, sa shpejt e keqja u harrua,
Si mysafir erdhi dhe iku nga ne,
Për asnjë ças nga askush nuk u mendua,
Se jeta do të shuhej mbi këtë dhe.
Pa më vjen mirë kur shoh në sytë tuaj,
Përbuzjen për vdekjen, që botën lakmoi,
Vjedhur, inatçore, tinzare, e huaj,
Iku e shpërfillur dhe veten mallkoi.
Njëlloj si më parë pash sonte qytetin,
Sytë e qeshur që ndiznin dashurinë,
Edhe yjet, si xixëllonja mbi detin,
Rrezatonin valëbregut lumturinë.
Mbi zemra na rënduan frika dhe tmerri,
Bërtisnin gjithëkah se jeta u shua,
Një hijefantazmë, që doli nga ferri,,
Dhe si dinosaur nga gjumi u zgjua.
Asgjë nuk ndodhi, as jeta nuk u shua,
Ajo shëtit sonte në qytetin tim,
Hijafantazmë, siç erdhi, u largua,
Njeriu është gjithnjë në rrugëtim.
O njerëz të mirë, kurrë mos mendoni,
Se jeta ndonjëherë nuk ka kuptim,
Çdo çast punoni, mësoni, dashuroni…
Një ditë le të mbetemi veç kujtim.

Pajtim Xhelo, 1 qershor 2020

Mes dy botësh

Në bangat e shkollës njoha mençurinë,
E drojtur, e heshtur, sy të kaltër s’kish,
Pas vitesh, sytë më grishën bukurinë,
Perdja e një skene qe hapur sërish.
Dy vajza, dy skena, dy kohë, dy botë,
Veç sipari për ato i njëjti qe,
Për një djalë të ri, o miq kush më thotë,
Cila nga të dyja do mbetej atje?
Herët, në rini, më nxiti mençuria,
As flokët të artë ajo nuk i kish,
Nuk ngjante si flladi, as si melodia,
Veç burim rubinmendimi ajo ish.
Mbaj mënd që dikur i dhash një manushaqe,
Po dot nuk guxova t’i thosha : ” Të dua! ”
Iu skuqën mençurisë buz’ e faqe,
Dhe në mendime më humbën fjalët mua.
Ishim të vegjël, guximi na mungonte,
Po sa hijeshi na jepte thjeshtësia,
Dhe fisnikëria që shpirtin tundonte,
Na largonte njëherësh nga marrëzia.
Na largoi dikur Atdheut kjo jetë,
Ashtu si trungu në degë veten ndan,
Rritet e lartohet krenar dhe i qetë,
Mbi shpinë frutat e fëmijëve mban.
Më pas, si djalli, më grishi bukuria,
Një herë sy të zinj, herën tjetër gri,
Hiret dhe nazet më shtytën kah marria,
Shpirtin ma dehën me të vjetër raki.
Pa nata këndonte dhe dita vallzonte,
Dritë nga yjet merrnin sytë e mi,
I thosha : “Të dua!” dhe fjala buronte,
Duke gurgulluar si në një magji.
Për të zbrisja hënën, për të ndizja yjet,
Flisja si aktor , shkruaja si poet,
Ndiqja bilbilat që këndonin në pyjet,
Dhe këngët e tyre i këndoja vet.
Erdhi një ditë kur më doli rakia,
Aktor, poet dhe këngëtar nuk kish më,
Në tjetër lirishte endej dashuria,
Në lëndinën e vjetër nuk kish asgjë.
I humba dy vajza, dy kohë, dy botë,
Mençuri e bukuri s’kish më aty,
Pa nuk u trishtova, as nuk derdha lotë
Një tjetër dëshirë lexohej në sy.
Dy botë : mençuria dhe bukuria,
Më patën falur të dyja dashuri?
Njera shpirtin, tjetra mendimet e mia,
Sikur dy kohët t’ishin në një tani?
Nisa shpirt e mendim në rrugë, i lodha,
Nuk pash bashkë bukuri e mençuri,
Mbeta anëdetit, më nuk brodha,
Në mëdyshje, kë të zgjedh as sot nuk di.

Pajtim Xhelo, 31 maj 2020

Më thanë se…

Mora vesh të kish lënduar dashuria,
Ftohur gjaku, si dimër, rridhte tani,
Kishe pritur të kalonte marrëzia,
Po çfar iku , nuk u kthye përsëri.
Syretuar shihje zjarrin që po fikej,
Ngarkuar qielli, po s’dërgoi shi,
As kur flakë nuk pat më ty nuk të ikej,
Me zë i flisje shpresës, mos kushedi…
Në këtë jetë braktisja nuk mungon,
Po dhe në tjetrën mund të jetë kështu,
Miku im i mirë, pse shpirtin mundon,
Veç përfytyrimit, asgjë s’ka këtu.
Paçka, mos i fol as shpresës, as mëshirës,
Në vatrën e shpirtit zjarrin mos e shuaj,
Ca thëngjij mbuloi me hi errësirës,
Për të ndezur zjarr të ri ata i ruaj.
Pa çeli të kthjellët sytë e retuar,
As qiell ‘ i ngarkuar nuk solli shi,
Dëboje në harresë dimrin e shkuar,
Në pranverë le të rrjedhë gjak i ri.
Më thanë se po ngrysje ditët trishtuar,
Anëdeti çapiteshe në vetmi,
Një këngë malli, dallg’ e valë trazuar,
Rrëshqiste tej, nga iku një dashuri.
Pa largoja shpirtit këngën e trishtuar,
Hirit thëngjijtë zbuloi përsëri,
Kush humbi më herët, ende ka provuar,
Jeta nuk shuhet kur mbaron një dashuri.
Na sollën të ecim me shpinën ngarkuar,
Të mos kthehemi nga rruga asnjëherë,
Braktisjet dhe zhgënjimet duhen harruar,
Përpara na presin dhe fate të tjerë.
Më thanë dashuria keq të lëndoi,
Ashtu, zemërthyer, po hesht në vetmi,
Shih o mik, qershia sërish lulëzoi,
Pranvera po pret të çelësh edhe ti.

Pajtim Xhelo, 30 maj 2020

Një mikut tim të vonuar

Kot gënjeje veten me djalërinë,
Herët të pat braktisur ajo ty,
Si kaprolli plak bridhje në lëndinë,
Asnjë sorkadhe s’të hynte në sy.
Qeshje me ne që herët u martuam,
Lirinë humbëm, siç humb një betejë,
Shkrepa e monopate i harruam,
Zbuam beqarinë: në dreq të vejë!
U end ky shpirt flladeve, nëpër pyje,
Në dhëmbje rënkonte kur digjej në zjarr,
Dashuria ngjiste flakët në yje,
Stuhia nxiste hovin djaloshar.
Këputëm manushaqe, trëndelinë,
Përlotëm sy të kaltër dhe të zinj,
Agimet na harronin me vetminë,
Mbrëmjet nën mandarina dhe ullinj.
Si bletë lulet na prisnin, na donin,
Na falnin nektarin me bujari,
Të shkretat lule, sërish na kërkonin,
Po ne kishim gjetur livadh të ri.
S’e dinte lulja, që bleta bredhare,
Është si fllad që rrëshqet në liri?
Është stuhi, që rrëmben si kusare,
Shpirtrat, braktisur nga një pabesi.
Të lodhur nga gënjeshtra e mashtrime,
Nga lotët që rrëzuan ata sy,
(Madje, besuam edhe në mallkime!)
U kthyem pas, të lamë vetëm ty.
Na i vodhi vitet koha cigane,
Sollëm dhe fëmijë në këtë jetë,
Familja kish dhe stuhi, dhe murlane,
Veç ishte dashuria e vërtetë.
Qeshje me ne, kur na shihje në halle,
Si endacak silleshe në lëndinë,
I vonuar hyre në këtë valle,
Uroj që ta gjesh dhe ti lumturinë!